Biblioteka
Mësimi 52: Mosia 2


Mësimi 52

Mosia 2

Hyrje

Kur mbreti Beniamin ishte afër fundit të jetës së tij, ai kishte dëshirë t’i jepte një predikim të fundit popullit të tij. Predikimi i tij, i shënuar te Mosia 2–5, është tema e këtij mësimi dhe e mësimeve 53–55. Në fillim të predikimit, ai foli për shërbesën e tij mes popullit, duke theksuar që ne i shërbejmë Perëndisë kur u shërbejmë të tjerëve. Ai gjithashtu dëshmoi për gjendjen e lumtur të atyre që mbajnë urdhërimet e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Shënim: Përmbledhja në vijim mund të jetë e dobishme nëse zgjidhni të jepni një vështrim të përgjithshëm të ligjëratës së mbretit Beniamin në fillim të këtij mësimi.

Nga fundi i jetës së tij, mbreti Beniamin iu drejtua popullit të mbretërisë së tij pranë tempullit në Zarahemla. Ai dha një rrëfim të shërbesës së tij për popullin dhe ndërgjegjes së tij të pastër përpara Perëndisë, dhe ai paraqiti të birin, Mosian, si mbretin e ri të popullit. Në këtë ligjëratë të fundit, e cila gjendet te Mosia 2–5, mbreti Beniamin dha mesazhe mbi tema të ndryshme, përfshirë rëndësinë e shërbimit ndaj të tjerëve, qenien përjetësisht në borxh ndaj Atit tonë Qiellor, shërbesën e Jezu Krishtit në vdekshmëri dhe Shlyerjen, nevojën për të zhveshur njeriun e natyrshëm, të besuarit në Perëndi për shpëtim, dhënien e të mirave materiale në ndihmë të të varfërve, ruajtjen e heqjes së mëkateve dhe të bërit bij e bija të Krishtit përmes besimit dhe veprave të mira [të bëra] rregullisht. Me rëndësi të veçantë, Mosia 3 përmban një mesazh që mbreti Beniamin e mori nga një engjëll.

Mosia 2:1–9

Familjet mblidhen dhe përgatiten për të marrë fjalët e mbretit Beniamin

Shkruajini pyetjet vijuese në krye të tabelës: Kush? Ku? Çfarë? Përse?

Kërkojuni studentëve të shqyrtojnë në heshtje Mosian 2:1–6, duke kërkuar për hollësi që do t’u përgjigjeshin pyetjeve në tabelë. Pasi të kenë lexuar, ftojini disa studentë që të shkruajnë në tabelë sa më shumë hollësi që munden nën secilën pyetje. (Juve mund t’ju duhet të shpjegoni që populli u përgatit për të marrë fjalët e mbretit Beniamin duke ofruar sakrifica që lidheshin me ligjin e Moisiut. Me bërjen e këtyre sakrificave, njerëzit i shprehën mirënjohje Perëndisë dhe ia kushtuan veten Atij.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 2:9, duke kërkuar fjalë dhe fraza që tregojnë atë që mbreti Beniamin dëshironte që të bënin njerëzit teksa dëgjonin fjalët e tij.

  • Nga fjalët dhe frazat që keni gjetur, si mendoni se u ndje mbreti Beniamin rreth mesazhit të tij?

  • Sipas pjesës së fundit të Mosias 2:9, çfarë besonte mbreti Beniamin se do të ndodhte nëse populli i hapte veshët dhe zemrat ndaj mesazhit të tij?

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të hapim veshët dhe zemrat tona kundrejt atyre që janë thirrur për të dhënë mësim?

Nxitini studentët që ta mbajnë mend ftesën e mbretit Beniamin teksa studiojnë mesazhin e tij dhe teksa dëgjojnë fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme.

Mosia 2:10–28

Mbreti Beniamin jep mësim rreth rëndësisë që t’i shërbejmë Perëndisë e njëri-tjetrit dhe rreth qenies përjetësisht në borxh ndaj Perëndisë

Pamja
King Benjamin Addresses His People

Tregojuni studentëve figurën ‘Mbreti Beniamin i Drejtohet Popullit të Tij’ (62298; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 74). Kujtojuni studentëve që mbreti Beniamin e kishte thirrur popullin e tij që të mblidheshin bashkë për të shpallur që i biri, Mosia, do të zinte vendin e tij si mbret dhe që t’u jepte “një emër, me anë të të cilit të dallohe[shin] mbi të gjithë popujt, që Zoti Perëndi [kishte] nxjerrë nga toka e Jeruzalemit” (shih Mosia 1:9–12).

Lexojeni me zë Mosian 2:10–15 përpara klasës. Kërkojuni studentëve që të përcaktojnë fraza që tregojnë shqetësimin e mbretit Beniamin për t’u shërbyer njerëzve, jo rreth vetë pozitës apo famës së tij. Ftojini të ngrenë duart e tyre kurdoherë që dëgjojnë një nga këto fraza. Kur të ngrenë duart lart, ndaloni së lexuari dhe kërkojuni që të shpjegojnë atë që kanë përcaktuar dhe se çfarë tregon ajo rreth mbretit Beniamin.

Si pjesë të këtij diskutimi, shprehni thënien në vijim nga Presidenti Hauard Hanter:

“Mos u shqetësoni më tepër se ç’duhet me pozitën. … Është e rëndësishme të vlerësohesh. Por përqendrimi ynë duhet të jetë te drejtësia, jo te fama; te shërbimi, jo te pozita” (“To the Women of the Church”, Ensign, nëntor 1992, f. 96).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 2:16–17 dhe të gjejnë se çfarë dëshironte mbreti Beniamin që të mësonte populli i tij. Ndihmojini të kuptojnë se kur u shërbejmë të tjerëve, ne i shërbejmë Perëndisë. Shkruajeni këtë thënie në tabelë. Vini në dukje që Mosia 2:17 është një fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që ta shenjojnë këtë fragment në një mënyrë të dallueshme që të jenë në gjendje ta gjejnë me lehtësi.

Ftojini studentët të mendojnë për raste kur u kanë shërbyer njerëzve të tjerë.

  • Kur u dhatë këtë shërbim të tjerëve, si po i shërbenit edhe Perëndisë?

  • Kur e kanë bekuar jetën tuaj njerëzit e tjerë përmes shërbimit? Kur ju shërbyen juve, si i shërbyen edhe Perëndisë?

Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë, me zë nga Mosia 2:18–24, 34.

  • Përse mbreti Beniamin e quajti veten dhe popullin e tij “shërbëtorë të padobishëm”? (Mund t’ju duhet të shpjegoni që njerëzit kanë përfitim kur marrin më shumë sesa japin. Ne jemi shërbëtorë të padobishëm para Atit tonë Qiellor pasi vlera e bekimeve që na jep Ai do ta tejkalojë gjithmonë së tepërmi vlerën e shërbimit që Ai merr nga ne.)

  • Çfarë bekimesh keni marrë për të cilat ndiheni në borxh ndaj Perëndisë?

  • Përse është e rëndësishme të kuptojmë që ne jemi “përjetë në borxh” ndaj Perëndisë? (Përgjigjet mund të përfshijnë që kur kuptojmë se jemi në borxh ndaj Perëndisë, mirënjohja jonë rritet, ne dëshirojmë të mbajmë urdhërimet dhe dëshirojmë t’u shërbejmë më shumë të tjerëve.)

Shpjegoni që te Mosia 2:34, fjala kth[ej] do të thotë të japësh ose të nënshtrohesh. Ftojini studentët të përsiaten rreth mënyrës se si ata mund “t’i kth[ejnë] [Atit Qiellor] çdo gjë që … k[anë] dhe j[anë]”. Dëshmoni se kur i mbajmë urdhërimet e Perëndisë dhe synojmë të japim shërbim të sinqertë, Ai na bekon.

Mosia 2:29–41

Mbreti Beniamin e nxit popullin e tij që të jetë i bindur ndaj Perëndisë

Shkruani në tabelë KUJDES. Kërkojuni studentëve që të tregojnë për rastet kur kanë parë një shenjë që përdorte këtë fjalë ose përçonte këtë ide. Vini në dukje që paralajmërime të tilla mund të na mbrojnë ose të na shpëtojnë jetën.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mosian 2:32–33, 36–38, duke kërkuar se për çfarë mbreti Beniamin i tha popullit të tij që të bënte kujdes. Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se te Mosia 2:33, fjala mallkim i referohet dhembjes dhe vuajtjes.

  • Çfarë paralajmërimesh i dha popullit të tij mbreti Beniamin?

  • Si mund ta dimë nëse po fillojmë të ndjekim shpirtin e gabuar? Përse është e rëndësishme që ta kuptojmë këtë që herët?

  • Sipas Mosias 2:38, çfarë pasojash u vijnë atyre që vdesin në mëkatet e tyre?

Ju mund të dëshironi të theksoni mësimin te Mosia 2:36 që një njeri, me anë të vetë sjelljes së tij apo të saj, mund të largohet nga Shpirti i Zotit. Plaku Dejvid Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi mbi rëndësinë e dallimit se kur mund të jemi duke u larguar nga Shpirti:

“Ne duhet … të përpiqemi të dallojmë kur ‘largo[hemi] nga Shpirti i Zotit, që ai të mos ketë më vend në [ne] për [të na] udhëhequr në udhët e urtësisë, që [ne] të mund të je[mi] të bekuar, të begatuar dhe të ruajtur’ (Mosia 2:36). …

… e diçka që mendojmë, shikojmë, dëgjojmë, ose bëjmë na largon nga Fryma e Shenjtë, atëherë ne duhet të mos vazhdojmë më ta mendojmë, shikojmë, dëgjojmë ose bëjmë atë gjë. Për shembull, nëse ajo që ka për qëllim të na argëtojë, na largon nga Shpirti i Shenjtë, atëherë me siguri ky lloj argëtimi nuk është për ne. Duke qenë se Shpirti nuk pajtohet me atë që është vulgare, e vrazhdë ose jo modeste, atëherë me siguri që të tilla gjëra nuk janë për ne. Meqenëse kur merremi me ato aktivitete të cilat e dimë se duhet t’i shmangim, e largojmë Shpirtin e Zotit, atëherë të tilla gjëra pa dyshim nuk janë për ne” (“That We May Always Have His Spirit to Be with Us”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 30; “Që të Mund të Kemi Gjithmonë me Vete Shpirtin e Tij”, Konferenca e Përgjithshme prill 2006 [nr. i artikullit 01636 101], f. 49).

  • Çfarë tha Plaku Bednar që do të na largonte nga Fryma e Shenjtë?

  • Si mund ta dimë se kur e kemi larguar veten nga Fryma e Shenjtë?

Shkruani KUJTONI dhe KINI PARASYSH në tabelë, anash fjalës KUJDES.

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 2:40–41. Kërkojini klasës të përcaktojë se çfarë dëshironte mbreti Beniamin që populli i tij të kishte parasysh dhe se çfarë dëshironte që ata ta mbanin mend. Teksa studentët përgjigjen, ju mund të vini në dukje mësimin e mbretit Beniamin duke shkruar të vërtetën në vijim në tabelë: Nëse i mbajmë urdhërimet, ne do të bekohemi materialisht dhe shpirtërisht.

  • Kur e keni dëshmuar apo përjetuar lumturinë që vjen nga të qenit të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit?

Dëshmoni për vërtetësinë e gjërave që studentët kanë diskutuar sot. Përfundojeni duke i nxitur studentët që të vendosin synime të posaçme për të qenë më të bindur në një fushë që është e vështirë për ta apo që të synojnë të përmirësohen në një fushë të përmendur te Përparimi Personal (për të rejat) ose te Detyra ndaj Perëndisë (për të rinjtë).

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mosia 2:17

Ftojini studentët të lexojnë Mosian 2:17, Mateun 22:36–40 dhe Mateun 25:40. Fragmentet te Mateu ndihmojnë në shpjegimin e doktrinës, çelin të kuptuarin dhe qartësojnë kuptimin e Mosias 2:17. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që të bëjnë një zinxhir shkrimesh të shenjta duke shkruar Mateu 22:36–40 pranë Mosias 2:17, Mateu 25:40 pranë Mateut 22:36–40 dhe Mosia 2:17 pranë Mateut 25:40.

Kërkojuni disa studentëve që të tregojnë për rastet kur kanë ndier që po i shërbenin Perëndisë duke u shërbyer njerëzve të tjerë.

Ftojini studentët t’i shërbejnë dikujt deri në orën tjetër mësimore të seminarit. Sugjeroni që të përgatiten për të treguar përvojat e tyre me këtë detyrë (por sigurohuni që ata e kuptojnë se nuk duhet të ndihen të detyruar të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme).

Ju gjithashtu mund t’i sfidoni studentët që të mësojnë përmendsh Mosian 2:17 përpara se të takoheni herës tjetër si klasë.

Dëshmoni se kur u shërbejmë me sinqeritet të tjerëve, ne i shërbejmë Zotit.

Shënim: Për shkak të natyrës dhe kohëzgjatjes së këtij mësimi, veprimtaria e mëposhtme do të të përdorej më së miri një ditë tjetër kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 2:33, 38–39. “Ndëshkim [i] përjetshëm”, “zjarr i pashuar” dhe “mundim [i] pafund”

Në një paralajmërim rreth pasojave të rebelimit kundër Perëndisë, mbreti Beniamin përdori frazat “ndëshkim [i] përjetshëm” (Mosia 2:33), “zjarr i pashuar” (Mosia 2:38) dhe “mundim [i] pafund” (Mosia 2:39). Për të fituar një kuptim më të mirë të këtyre termave, shihini fjalët e Zotit te Doktrina e Besëlidhje 19:6–12.