Biblioteka
Mësimi 16: 1 Nefi 15


Mësimi 16

1 Nefi 15

Hyrje

Pasi Nefi pa një vegim të ngjashëm me vegimin që kishte parë i ati, ai u kthye te çadra e të atit. Aty gjeti vëllezërit e vet duke u grindur për mësimet e Lehit. Nefi i qortoi vëllezërit e tij për zemërngurtësinë e tyre dhe u kujtoi se si të merrnin zbulesë për vete. Pastaj shpjegoi disa prej mësimeve të Lehit rreth degëve natyrale të pemës së ullirit dhe kuptimin e vegimit të Lehit mbi pemën e jetës. 1 Nefi 15 ballafaqon përpjekjet e zellshme të Nefit për të kërkuar të vërtetën me përpjekjet e shkujdesura të vëllezërve të tij (shih 1 Nefin 15:9–11).

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 15:1–11

Vëllezërit e Nefit ankohen se nuk mund ta kuptojnë vegimin e Lehit

Kërkojuni studentëve që të renditin disa veprimtari që kërkojnë përpjekje nga ana jonë para se të gëzojmë rezultatet. Ju mund të dëshironi t’i renditni në tabelë përgjigjet e tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë detyrat e shkollës, kopshtarinë, luajtjen e një vegle muzikore, luajtjen e një sporti dhe të ushtruarin fizik. Ftojini studentët të mendojnë për shembuj që kanë përjetuar.)

  • Në lidhje me veprimtaritë për të cilat po mendoni, çfarë lidhje keni parë midis përpjekjes që bëni dhe pasojave që vijojnë?

Pasi studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, nxitini që të kërkojnë të njëjtin model në këtë mësim teksa studiojnë 1 Nefin 15.

Tregojuni studentëve se 1 Nefi 15 fillon me kthimin e Nefit te çadra e të atit pasi kishte parë një vegim të ngjashëm me të Lehit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:1–2, 7. Kërkojini klasës të gjejë se çfarë hasi Nefi kur u kthye te çadra e të atit.

  • Çfarë hasi Nefi kur u kthye te çadra e të atit?

  • Për çfarë po haheshin vëllezërit e Nefit? Përse?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:3. Kërkojini klasës të përcaktojë arsyen përse vëllezërit e Nefit kishin vështirësi për t’i kuptuar gjërat që u kishte mësuar Lehi.

  • Sipas 1 Nefit 15:3, përse vëllezërit e Nefit kishin vështirësi të kuptonin gjërat që u mësoi Lehi?

  • Çfarë bëri Nefi që të mësonte të vërtetat shpirtërore? (Që të ndihmoni studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, ju mund të dëshironi t’i vini të lexojnë 1 Nefin 10:17.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:8.

  • Duke pasur parasysh që Nefi sapo kishte marrë vegime qiellore në përgjigje të pyetjeve të tij (shih 1 Nefin 11–14), përse qe e natyrshme që t’i pyeste të vëllezërit nëse i kishin kërkuar Zotit?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:9. Pastaj kërkojini një studenti tjetër të shkruajë përgjigjen e vëllezërve të Nefit në tabelë:

Ne nuk i kemi kërkuar; pasi Zoti nuk na e bën të ditur asgjë të tillë neve

Në tabelë, nënvizoni frazën “ne nuk i kemi kërkuar”.

  • Çfarë nuk kishin bërë vëllezërit e Nefit?

Përfshini përgjigjen (kërkuar Zotit) te fjalia në tabelë në mënyrë që tanimë të lexohet:

Ne nuk i kemi kërkuar Zotit; pasi Zoti nuk na e bën të ditur asgjë të tillë neve.

(Me fjalë të tjera: “Ne nuk kemi i kërkuar, pasi Zoti nuk na flet”.)

  • Çfarë problemi kishte mënyra e të menduarit të Lamanit dhe Lemuelit?

Sigurohuni që studentët ta dallojnë të metën te mënyra e të menduarit të vëllezërve të Nefit. Ftojini që ta rindërtojnë ose rishprehin fjalinë në tabelë në mënyrë që të përshkruajë qartë se përse vëllezërit e Nefit nuk kishin marrë ndihmën e Zotit për t’i kuptuar mësimet Lehit. Përgjigje të mundshme mund të përfshijnë: “Zoti nuk na bën të ditura gjëra të tilla pasi nuk i kemi kërkuar Atij”; dhe: “Ngaqë nuk i kemi kërkuar Zotit, Ai nuk na i ka bërë të ditura këto gjëra”.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:10–11. Vëreni klasën të kërkojë të vërtetat që Nefi u mësoi vëllezërve të vet që t’i ndihmonte të mësonin se si të merrnin përgjigje nga Perëndia.

  • Çfarë këshille u dha Nefi vëllezërve të vet për t’i ndihmuar të kuptonin fjalët e të atit dhe të merrnin përgjigje nga Perëndia? (Nefi i këshilloi vëllezërit e tij që të mos e ngurtësonin zemrën e tyre, të kërkonin me besim, të besonin se do të merrnin përgjigje dhe të ishin të zellshëm në mbajtjen e urdhërimeve. Ndihmojini studentët të kuptojnë se Nefi e njihte vlerën e këtyre parimeve pasi kishte vepruar vetë sipas tyre dhe si rrjedhim kishte marrë zbulesë.)

Që t’i ndihmoni studentët të gjejnë parime në këto vargje, shkruani në tabelë sa vijon:

Nëse … , atëherë …

  • Bazuar në atë që lexojmë te 1 Nefi 15:10–11, si mund ta plotësojmë këtë thënie?

Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por duhet të tregojnë se e kuptojnë që nëse ne i kërkojmë Zotit me besim dhe u bindemi urdhërimeve të Tij, atëherë do të jemi të përgatitur të marrim zbulesë dhe udhëheqje nga Ai. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Përgatitini pyetjet në vijim përpara orës mësimore, ose në tabelë ose në një fletushkë për shpërndarje:

  1. Si mund ta shpjegoni këtë parim që të ndihmoni dikë të kuptojë se si të marrë mësim nga Zoti dhe të kuptojë të vërteta shpirtërore?

  2. Si kanë ndikuar përpjekjet tuaja vetjake në aftësinë tuaj për të marrë udhëzimin e Zotit dhe për të kuptuar ungjillin?

Caktojini studentët në çifte. Në secilin çift, caktoni një pjesëtar të përsiatet mbi pyetjen e parë dhe pjesëtarin tjetër të përsiatet mbi pyetjen e dytë. Kërkojuni t’i ndajnë përgjigjet e tyre me njëri-tjetrin. Pasi studentët të kenë pasur mjaft kohë për të diskutuar përgjigjet e tyre, ftojini disa prej tyre që t’ia shprehin mendimet e tyre klasës. Vini në dukje se përpjekja dhe dëshira jonë për të kërkuar drejtimin e Shpirtit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në dëshmitë tona dhe në afërsinë tonë me Zotin.

1 Nefi 15:12–20

Nefi shpjegon shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit

Përmblidhni shkurtimisht 1 Nefin 15:12–20. Shpjegoni se për të ndihmuar në zgjidhjen e debateve të vëllezërve të vet, Nefi u mësoi kuptimin e profecisë së Lehit për “degët natyrale të pemës së ullirit” dhe johebrenjtë (shih 1 Nefin 10:12–14; 15:7). Ai shpjegoi se pema e ullirit përfaqësonte shtëpinë e Izraelit. Pasi familja e Lehit kishte lënë Jerusalemin dhe qe ndarë nga pjesa tjetër e shtëpisë së Izraelit, ajo qe si një degë që ishte këputur nga pema e ullirit (shih 1 Nefin 15:12). Më tej shpjegoi se në ditët e mëvonshme, shumë vite pasi pasardhësit e Lehit të kishin “rënë në mosbesim” (1 Nefi 15:13), plotësia e ungjillit do t’u jepej johebrenjve. Atëherë johebrenjtë do t’ia sillnin ungjillin pasardhjes së Lehit, duke i rivendosur te njohuria e Shëlbuesit të tyre dhe te bekimet e besëlidhjes së etërve të tyre. Kjo është njësoj si ta mbledhësh e ta shartosh degën e tyre përsëri te pema e ullirit (shih 1 Nefin 15:13–17). Kjo rivendosje do të ndodhte jo vetëm për pasardhësit e Lehit, por për të gjithë shtëpinë e Izraelit (shih 1 Nefin 15:18–20; shih edhe 1 Nefin 10:12–14).

Dëshmoni se Zoti i mban premtimet e Tij dhe i kujton besëlidhjet e Tij me fëmijët e Tij. Ai dëshiron që të gjithë t’i marrin bekimet e ungjillit.

1 Nefi 15:21–36

Nefi u përgjigjet pyetjeve të vëllezërve të vet rreth vegimit të Lehit

Shpjegoni se te pjesa e mbetur e 1 Nefit 15, lexojmë përgjigjet e Nefit për pyetjet e vëllezërve të vet rreth vegimit të Lehit. Nefi përdori atë që mësoi në vegimin e vet për t’i mësuar ata.

Paraqiteni thënien në vijim nga Presidenti Ezra Taft Benson në tabelë ose në fletushka. Ftojini studentët që të gjejnë fjalën ose frazën që duhet të futet te secila fjali.

  1. “Te … ne mund të gjejmë fuqinë për t’i bërë ballë tundimit.”

  2. … ka fuqi t’i përforcojë Shenjtorët dhe t’i armatosë me Shpirtin.”

  3. “… e Tij është një prej dhuratave më të vlefshme që na ka dhënë.”

Kur disa studentë të kenë bërë hamendësimet e tyre, kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 15:23–24. Ftojini studentët të gjejnë një frazë në këtë fragment që do t’i ndihmojë ta plotësojnë saktë thënien e Presidentit Benson. Pasi të jenë lexuar vargjet, kërkojuni studentëve që përsëri të hamendësojnë mbi fjalën ose frazën që plotëson secilën prej thënieve. Përsëritini përgjigjet e sakta me klasën. (Përgjigjet: 1 – fjala e Perëndisë; 2 – Fjala e Perëndisë; 3 – Fjala. [Shih “The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 80, 82.])

Vërini studentët të studiojnë në heshtje 1 Nefin 15:24–25. Ftojeni gjysmën e studentëve që në këto vargje të përcaktojnë disa bekime të zbatimit të fjalës së Perëndisë. Kërkojini gjysmës tjetër të klasës të përcaktojë fjalë ose fraza që sugjerojnë se si duhet ta ndjekim fjalën e Perëndisë në mënyrë që të marrim këto bekime. Kërkojini secilit grup të tregojë atë që gjejnë.

  • Çfarë duhet të bëjmë që “ta dëgjo[jmë]”, të “mbahe[mi] fort” dhe “t’ia [vëmë] veshin” fjalës së Perëndisë? (Përgjigjet mund të përfshijnë që t’i studiojmë përditë shkrimet e shenjta, ta dëgjojmë e t’ia vëmë veshin këshillës së udhëheqësve të frymëzuar të Kishës dhe të kërkojmë e të ndjekim zbulesën personale përmes lutjes.)

Ftojini studentët të thonë me vetë fjalët e tyre një parim që përmbledh atë që këto vargje na mësojnë rreth studimit të shkrimeve të shenjta dhe bekimeve që sjell ai në jetën tonë. Një përgjigje e mundshme është se studimi e ndjekja e fjalës së Perëndisë përditë na forcon kundër tundimeve të Satanit. Që t’u jepni studentëve mundësi të dëshmojnë për këtë parim, pyetni:

  • Kur ju ka forcuar kundër tundimit studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta? (Kujtojuni studentëve që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.)

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Kaq themelore ishin këto të vërteta, saqë Ati Qiellor i dha si Lehit, edhe Nefit vegime ku fjala e Perëndisë paraqitet e gjallë si një shufër hekuri. Si babai edhe biri mësuan se të mbaheshin pas këtij udhërrëfyesi të fuqishëm, të papërkulshëm dhe jashtëzakonisht të besueshëm, është mënyra e vetme për të qëndruar në atë udhë të drejtë dhe të ngushtuar që të çon drejt Shpëtimtarit tonë” (“Holy Scriptures: The Power of God unto Our Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 25; “Shkrimet e Shenjta – Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Konferenca e Përgjithshme tetor 2006 [nr. art. 01637 101], f. 34).

Kujtojuni studentëve se në vegimin e Lehit, ata që u mbajtën fort te shufra e hekurit u udhëhoqën të sigurt përmes mjegullave të errësirës, që përfaqësonin tundimet e djallit (shih 1 Nefin 12:17).

Përmblidhni shkurtimisht 1 Nefin 15:26–29. U thoni studentëve se vëllezërit e Nefit i kërkuan Nefit që t’u shpjegonte kuptimin e lumit që pa i ati në vegimin e tij. Ai shpjegoi se përfaqësonte një ferr të tmerrshëm të përgatitur për të ligjtë, duke i ndarë nga Perëndia dhe populli i Tij.

  • Çfarë vuri re Nefi rreth lumit të ujit që i ati nuk e kishte vënë re? (Që uji qe i fëlliqur.)

Shpjegoni se te 1 Nefi 15:33–36, Nefi jep mësim rreth drejtësisë së Perëndisë dhe arsyes përse të ligjtë do të ndahen nga të drejtët. Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 15:33–36.

  • Përse të ligjtë do të ndahen nga të drejtët?

  • Si mund t’i ketë ndihmuar Lamanin dhe Lemuelin njohuria se asnjë njeri i papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë?

Nxitini studentët që të marrin parasysh parimet që mësuan te 1 Nefi 15 duke përsiatur në heshtje për pyetjet në vijim:

  • Në çfarë mënyrash vegimet e Lehit dhe Nefit tregojnë interesimin e Perëndisë për Lamanin dhe Lemuelin? Në çfarë mënyrash tregojnë interesimin e Perëndisë për ju?

  • Çfarë mund të bëni që të zbatoni parimet që keni mësuar teksa keni studiuar këtë kapitull? (Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët që t’i shkruajnë përgjigjet e këtyre pyetjeve në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës.)

Merrni parasysh ta mbyllni mësimin duke i rilexuar klasës 1 Nefin 15:25. Jepni dëshminë tuaj për bekimet që vijnë kur ia vëmë veshin fjalës së Perëndisë dhe i mbajmë urdhërimet e Tij. Sigurojini për dashurinë e madhe që Perëndia ka për ta dhe se Ai do t’i bekojë në përpjekjet e tyre të drejta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 15:12–13. Hebrenjtë dhe johebrenjtë

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i dalloi kështu “hebrenjtë” dhe “johebrenjtë” për të cilët flitet te 1 Nefi 15: “Si Lehi edhe Nefi i ndajnë të gjithë njerëzit në dy grupe, hebrenj dhe johebrenj. Hebrenjtë ishin ose kombet e mbretërisë së Judës ose pasardhësit e tyre; të gjithë të tjerët u quajtën johebrenj. Kështu, ne jemi johebrenjtë për të cilët flet ky shkrim i shenjtë [1 Nefi 15:13]; ne jemi ata që kanë marrë plotësinë e ungjillit; dhe ne do t’ia çojmë atë lamanitëve, të cilët janë hebrenj, pasi etërit e tyre erdhën nga Jerusalemi dhe nga mbretëria e Judës” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 556). Vini re që lamanitët u quajtën hebrenj pasi paraardhësit e tyre kishin ardhur nga toka e Judës.

Plaku Mek-Konki gjithashtu i përcaktoi në mënyrë të veçantë johebrenjtë të cilët do të ndihmonin së tepërmi në Rivendosje: “Jozef Smithi … qe johebreu nga dora e të cilit doli Libri i Mormonit; dhe anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme … janë johebrenjtë që ua çojnë shpëtimin lamanitëve dhe hebrenjve” (The Millennial Messiah [1982], f. 233). Edhe pse Jozef Smithi dhe të tjerët që nxorën në dritë Librin e Mormonit qenë pjesë e shtëpisë së Izraelit nga prejardhja e tyre nga gjaku, ata u quajtën johebrenj pasi nuk ishin nga toka e Judës.

1 Nefi 15:13–16. Rivendosja e ungjillit në ditët e mëvonshme

Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli: “Vëllezërit dhe motrat e mi, a e kuptoni se çfarë kemi? A e dalloni vendin tonë në dramën e madhe të historisë njerëzore? Kjo është pika qendrore e të gjithë asaj që ka ndodhur më parë. Kjo është stina e kthimit. Këto janë ditët e rivendosjes. Kjo është koha kur njerëz nga e gjithë bota vijnë në malin e shtëpisë së Zotit për të kërkuar e për t’i mësuar udhët e Tij dhe për të ecur në shtigjet e Tij. Kjo është shumatorja e të gjithë shekujve të kohës që nga lindja e Krishtit deri në këtë ditë të sotme e të mrekullueshme” (“At the Summit of the Ages”, Ensign, nëntor 1999, f. 74).