Biblioteka
Mësimi 57: Mosia 9–10


Mësimi 57

Mosia 9–10

Hyrje

Gjatë sundimit të mbretit Beniamin, Zenifi udhëhoqi një grup nefitësh nga Zarahemla për t’u vendosur mes lamanitëve, në tokën e Nefit. Mosia 9–22 përmban një rrëfim të përvojave të këtyre njerëzve. Mbreti i lamanitëve e lejoi popullin e Zenifit të vendosej mes tyre sepse ai planifikoi fshehtas që t’i sillte në robëri. Traditat e rreme dhe urrejtja e lamanitëve ndaj nefitëve përfundimisht çuan në luftë. Populli i Zenifit u mbështet te Zoti për forcë dhe ata qenë në gjendje t’i dëbonin lamanitët nga toka e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 9:1–13

Zenifi udhëheq një grup nefitësh për t’u kthyer në tokën e Nefit

Kërkojuni studentëve që të mendojnë për një rast kur ata e dëshironin fort diçka. Ftoni disa prej tyre të tregojnë rreth këtyre përvojave. Shpjegoni se sot ata do të mësojnë rreth një njeriu që dëshironte kaq fort diçka sa nuk arriti të shihte pasojat e mundshme të dëshirave të tij.

Ftojini studentët të shikojnë skicën e udhëtimeve që filluan ta vizatonin gjatë mësimit të mëparshëm. Kujtojuni se një burrë i quajtur Amon udhëhoqi një grup që udhëtuan nga Zarahemla dhe gjetën Limhin dhe popullin e tij në tokën e Nefit. (Ju mund të dëshironi të shpjegoni që Libri i Mormonit flet rreth dy burrave të quajtur Amon. Njëri qe burri për të cilin studentët po mësojnë sot. Tjetri ishte një nga bijtë e Mosias, i cili u bë një misionar i fuqishëm për lamanitët. Studentët do të fillojnë të lexojnë rreth tij te Mosia 27.) Kërkojuni studentëve të kthehen te Mosia 7–8 dhe të shikojnë datën që jepet ose në fund të faqeve ose në përmbledhjet e kapitujve (rreth vitit 121 Pr.K.). Vërini ta krahasojnë atë datë me datën te Mosia 9 (rreth vitit 200 Pr.K., afro 80 vjet më parë). Pyetni nëse ndonjëri mund ta shpjegojë ndryshimin e menjëhershëm të datave.

Shpjegoni se nga Mosia 8 deri te Mosia 9, radha e ngjarjeve kthehet 80 vjet prapa në kohë për të dhënë një rrëfim të gjyshit të mbretit Limhi, Zenifit. Ftojeni një student të lexojë me zë parathënien e Mormonit për analin e Zenifit në fillim të Mosias 9. Pastaj kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë Mosian 9:1–2.

Vërini studentët t’u shtojnë skicave të tyre një shigjetë që paraqet udhëtimin e ndërmarrë nga grupi i parë që shkoi nga Zarahemla për në tokën e Nefit. Vini në dukje që Zenifi qe pjesë e këtij grupi. Siç paraqitet te skica në këtë faqe, shigjeta duhet të tregojë edhe që grupi u kthye në Zarahemla. Emërtimi duhet të shkruajë “Disa nefitë përpiqen të rizotërojnë tokën e Nefit”. (Për skicën e plotë, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.)

Pamja
udhëtimet te Mosia 7–24

Kërkojini një studenti tjetër të lexojë Mosian 9:3–4. Ftojeni pjesën tjetër të klasës ta ndjekë, duke kërkuar se 1) rë dëshironte kaq shumë që te kishte Zenifi dhe 2) at [gjëra] qe i ngadaltë të kujtonte.

  • Çfarë do të thotë të jesh shumë i zellshëm? (Të jesh tepër i paduruar ose jashtë mase i interesuar në kërkim të diçkaje.)

  • Si mendoni, çfarë do të thotë të jesh i ngadaltë të kujtosh Zotin?

Shpjegoni se për shkak se Zenifi qe i ngadaltë të kujtonte Zotin dhe shumë i zellshëm, ai bëri një gabim. Vërini studentët të lexojnë Mosian 9:5–7, 10, duke kërkuar të gjejnë atë gabim.

  • Çfarë nuk arriti të shihte Zenifi nga dëshira e tij tepër e zellshme për të zotëruar tokën e Nefit?

  • Cilat janë rreziqet e të qenit tepër i paduruar kur merren vendime?

  • Cilat janë rreziqet e marrjes së vendimeve pa u këshilluar me Zotin?

Përmblidhni Mosian 9:11–13 duke u treguar studentëve që pas 12 vjetësh, populli i Zenifit kishte përparuar aq shumë sa mbreti lamanit u shqetësua se mos nuk do të ishte në gjendje t’i sillte në robëri, kështu që ai “filloi t[a] ngacmonte popullin e tij, që ata të grindeshin me popullin [e Zenifit]” (Mosia 9:13).

Mosia 9:14–10:22

Lamanitët përpiqen ta sjellin popullin e Zenifit në robëri

Shkruajini fjalët dhe frazat vijuese në tabelë: detyrat e shkollës, përballimi i tundimit, problemet me miqtë, udhëheqja, puna, mosmarrëveshjet me anëtarët e familjes, sportet. (Në varësi të nevojave dhe të interesave të studentëve, ju mund të dëshironi t’i shtoni gjëra të tjera kësaj liste.)

Ftojeni një student të vijë përpara klasës dhe të shtrijë krahët. Vendosni objekte të vogla, si libra ose gurë, në duart e studentit dhe kërkojini atij ose asaj që t’i ngrejë ato lart. Shpjegoni që objektet përfaqësojnë sfidat e renditura në tabelë. Pyeteni klasën:

  • Në cilat nga këto fusha do të donit të kishit më shumë forcë dhe mbështetje?

Shtoni një ose dy objekte të tjerë në secilën dorë të studentit. Pyeteni klasën:

  • A jeni ndier ndonjëherë sikur po mbanit tepër shumë dhe dëshironit të kishit më shumë aftësi ose forcë për t’u përballur me sfidat tuaja?

Ftoni dy studentë të vijnë përpara klasës dhe të mbajnë krahët e studentit që po mban objektet. Shpjegoni që pjesa e mbetur e mësimit të sotëm është rreth një grupi njerëzish të cilët kishin nevojë për më shumë forcë për veten e tyre. Sugjeroni që, gjatë gjithë këtij mësimi, studentët të kërkojnë mënyrat se si mund të marrin më shumë forcë në jetën e tyre. (Ftojini studentët që janë përpara klasës të kthehen në vendet e tyre.)

Shpjegoni që Mosia 9 dhe 10 rrëfen dy raste kur lamanitët erdhën të luftonin kundër Zenifit dhe popullit të tij. Kopjoni në tabelë pasqyrën përmbledhëse në vijim, por mos i përfshini përgjigjet në kllapa. Tregojuni studentëve që ata do të shqyrtojnë fragmentet e shkrimit të shenjtë në pasqyrën përmbledhëse, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve në krye të pasqyrës përmbledhëse. Ftoni gjysmën e klasës të përdorë fragmentet në rreshtin e parë për të gjetur përgjigjet lidhur me Zenifin dhe popullin e tij. Ftoni gjysmën tjetër të klasës që të kërkojë te fragmentet në rreshtin e dytë përgjigjet lidhur me lamanitët. Vini një student nga secili grup që t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë ndërsa ata i gjejnë.

Çfarë bënë njerëzit për t’u përgatitur?

Çfarë bënë ata që ta vendosnin besimin e tyre te Zoti?

Cili qe rezultati?

Zenifi dhe populli i tij

Mosia 9:14–16; 10:1–2, 7, 9–10

(Ata u armatosën dhe shkuan për të luftuar.)

Mosia 9:17; 10:19

(Ata u lutën dhe kujtuan që Zoti i kishte çliruar paraardhësit e tyre.)

Mosia 9:18; 10:20

(Zoti i forcoi dhe ata qenë të suksesshëm në nxjerrjen e lamanitëve nga toka e tyre.)

Lamanitët

Mosia 10:6–8

(Ata u armatosën dhe shkuan për të luftuar.)

Mosia 10:11

(Asgjë. Ata u mbështetën në fuqinë e tyre.)

Mosia 10:19–20

(Lamanitët u nxorën nga toka me një gjakderdhje të madhe.)

Pasi studentët ta plotësojnë pasqyrën përmbledhëse, pyetni:

  • Çfarë ngjashmërish dhe ndryshimesh shihni mes mënyrës se si populli i Zenifit dhe lamanitët iu qasën betejave të tyre?

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga ky krahasim?

Shkruani parimin në vijim në tabelë: Zoti do të na forcojë ndërsa bëjmë gjithçka mundemi dhe e vëmë besimin tonë tek Ai.

Drejtojuni sërish sfidave të renditura në tabelë dhe kujtojuni studentëve mësimin me objektet.

  • Si mendoni se mund të zbatohet ky parim për disa nga këto sfida?

Merrni parasysh të përdorni shembujt në vijim për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth asaj se si mund të bëjnë pjesën e tyre dhe të kenë besim te Zoti ndërsa kërkojnë fuqi:

  1. Në shkollë keni një provim me rëndësi që po afrohet, dhe do të dëshironit të kishit forcë për të dalë mirë.

  2. Jeni përpjekur të ndërprisni një zakon të keq dhe nuk ndieni që jeni mjaftueshëm i fortë për ta bërë këtë i vetëm.

  3. Po përjetoni vështirësi në familjen tuaj dhe nuk ndieni se mund të përballeni pa një farë ndihme me emocionet e forta që pasojnë.

Kërkojuni studentëve që të rishqyrtojnë tri rreshtat e parë te Mosia 9:18. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që t’i shenjojnë këto rreshta në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Kur e keni përjetuar të vërtetën e shprehur në këto rreshta?

Ju mund të dëshironi të tregoni një përvojë vetjake që tregon gatishmërinë e Zotit për të na forcuar kur bëjmë gjithçka mundemi dhe e vëmë besimin tonë tek Ai.

Shpjegoni se, herën e dytë, përpara se Zenifi dhe populli i tij të shkonin në betejë, Zenifi i shpjegoi popullit të tij se përse lamanitët ishin të mbushur me urrejtje për nefitët. Shkruani në tabelë fjalët zemëruar dhe trajtuar padrejtësisht, dhe kërkojuni studentëve nëse mund të shpjegojnë se çfarë kuptimi kanë këto fjalë. (Të jesh i zemëruar do të thotë të jesh mjaft i inatosur; të trajtohesh padrejtësisht do të thotë të fyesh ose të veprojnë pandershmërisht ndaj teje apo në një mënyrë jo të drejtë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë që të ndierit i fyer, kapja pas zemërimit dhe kundërshtimi për të falur mund të ndikojë breza [me radhë], ndajini ata dyshe-dyshe dhe vëreni secilën dyshe të lexojë Mosian 10:12–18. Vërini që të kërkojnë arsyet përse pasardhësit e Lamanit dhe Lemuelit vazhduan t’i urrenin pasardhësit e Nefit.

Pasi partnerët t’i kenë lexuar së bashku vargjet, vërini të diskutojnë përgjigjet për pyetjet vijuese. (Merrni parasysh t’i shkruani pyetjet në tabelë ndërsa studentët lexojnë vargjet që iu caktuan ose jepjani pyetjet secilës dyshe studentësh në një fletushkë.)

  • Përse lamanitët i urrenin kaq fort nefitët?

  • Kush lëndohet kur jemi të zemëruar ose nuk pranojmë të falim?

  • Si mund të ndikojë zemërimi i një personi te familja e tij apo e saj, tani dhe në të ardhmen?

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Donald Hallstrom, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë atë që mund të bëjmë kur ndihemi të fyer ose të zemëruar me dikë.

“Nëse ndieni se ndaj jush është bërë padrejtësi – nga cilidoqoftë (një anëtar i familjes, një mik, një anëtar tjetër i Kishës, një udhëheqës i Kishës, një partner biznesi) apo nga çfarëdo qoftë (vdekja e një të dashuri, probleme shëndetësore, ndryshim gjendje financiare, abuzim, vartësi nga droga), – trajtojeni çështjen direkt dhe me të gjithë forcën që keni. … Dhe, pa vonesë, kthehu nga Zoti. Ushtroje gjithë besimin që ke tek Ai. Lëre Atë të marrë nga barra jote. Lëre hirin e Tij të lehtësojë ngarkesën tënde. … Asnjëherë mos lejoni që ndonjë rrethanë tokësore t’ju çarmatosë shpirtërisht” (“Kthehu te Zoti”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 80).

Kërkojuni studentëve të përsiaten rreth secilës pyetje në vijim: (Ju mund të dëshironi t’i nxitni që t’i shkruajnë përgjigjet në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës.)

  • A keni ndonjë ndjenjë që jeni trajtuar padrejtësisht ose ndjenja zemërimi kundrejt dikujt?

  • Kujt mund t’i drejtoheni për ndihmë në përpjekjet tuaja për të falur? Si mund t’i shmangni ndjenjat e fyerjes dhe të zemërimit në të ardhmen?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për një rast kur falën dikë. Ftoni disa prej tyre të tregojnë se si u ndien kur falën dhe i braktisën ndjenjat e tyre të fyerjes apo të zemërimit. Merrni parasysh të shprehni dëshminë tuaj vetjake rreth kërkimit të ndihmës së Zotit për të falur të tjerët.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mosia 9. Anali i Zenifit

Kreu hyrës përpara përmbledhjes së kapitullit të Mosias 9, u shkrua nga Mormoni dhe qe pjesë e analit fillestar dhënë Profetit Jozef Smith. Hyrje të ngjashme, gjithashtu të shkruara nga Mormoni, shfaqen edhe në fillim të disa librave dhe kapitujve të tjerë në Librin e Mormonit. (Fraza “përfshin kapitujt 9 deri në 22, duke përfshirë edhe të fundit” u shtua në vitin 1879, kur Libri i Mormonit u botua në formë kapitujsh. Përmbledhjet e shkurtra që paraprijnë secilin kapitull të Librit të Mormonit, u shtuan në botimin e vitit 1920.)

Mosia 10:12–18. Çfarë duhet të bëj nëse ndiej se jam trajtuar padrejtësisht?

Plaku Harold G. Hillam, i Të Shtatëdhjetëve, dha [disa] vështrime lidhur me si të trajtohen ndjenjat e zemërimit:

“Nëse e ndjeni se ju kanë [trajtuar padrejtësisht], jini gati që të falni. Në rast se ka, për ndonjë arsye, një kujtim të pakëndshëm, lëreni të ikë. Aty ku nevojitet, flisni me peshkopin, flisni me presidentin e kunjit tuaj.

Të gjithëve ju, por në veçanti atyre që ndonjë ditë do të jenë stërgjyshër dhe stërgjyshe, bekimet tuaja të përjetshme dhe ato të pasardhësve tuaj janë shumë më të rëndësishme sesa ndonjë arsye krenare, e cila do t’ju mohonte juve dhe kaq shumë të tjerëve bekime të tilla të rëndësishme” (“The Worth of Souls”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 32; “Vlera e Shpirtrave”; Konferenca e Përgjithshme prill 2005 [nr. i artikullit 00074 101], f. 38-39).