Biblioteka
Mësimi 35: 2 Nefi 25


Mësimi 35

2 Nefi 25

Hyrje

Duke vazhduar të theksojë rëndësinë e profecive të Isaias, Nefi shpjegoi se kushdo që ka shpirtin e profecisë mund të arrijë të kuptojë dhe të vlerësojë fjalët e Isaias. Ai e tregoi qëllimin e shkrimit të tij që: “të bindim fëmijët tanë dhe gjithashtu vëllezërit tanë të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë” (2 Nefi 25:23). Ai i ftoi të gjithë të besojnë në Jezu Krisht dhe ta “adhuro[jnë] atë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën [e tyre] dhe me tërë shpirtin [e tyre]” (2 Nefi 25:29).

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 25:1 8

Nefi na mëson se mund t’i kuptojmë fjalët e Isaias kur kemi shpirtin e profecisë

Tregoni një dryn që nuk mund të hapet pa çelës (ose vizatoni figurën e një dryni dhe të një çelësi në tabelë). Theksoni se kur njerëzit duan të mbajnë të sigurta sende me vlerë, ata shpesh i kyçin ato. Ata mund të mbajnë të vetmin çelës për bravën, ose mund ta japin një kopje të çelësit te një mik i besuar apo anëtar i familjes.

Pamja
dry dhe çelës

Shpjegoni se Nefi e dinte se profecitë e Isaias ishin “[me] vlerë të madhe” (2 Nefi 25:8). Sidoqoftë, ai nuk i mbajti sekret. Ai madje dha mësim rreth një çelësi për këdo që dëshiron të zbulojë kuptimin e fjalëve të Isaias. Ftojeni një student të lexojë fjalinë e parë te 2 Nefi 25:4. Vëreni klasën të kërkojë çelësin e të kuptuarit të fjalëve të Isaias.

  • Çfarë çelësi gjetët? (“Shpirtin e profecisë.”)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë çfarë do të thotë të kesh “shpirtin e profecisë”, lexoni thënien vijuese nga Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta:

“Një profeci përbëhet nga fjalë ose shkrime të frymëzuara në mënyrë hyjnore, që një njeri i merr nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë. Dëshmia e Jezusit është shpirti i profecisë. (Zbulesa. 19:10). Një profeci mund t’i përkasë së kaluarës, së tashmes ose së ardhmes. Kur një njeri profetizon, ai flet ose shkruan atë që Perëndia dëshiron që ai të dijë, për të mirën e tij ose të të tjerëve. Individët mund të marrin profeci apo zbulesa për jetën e tyre” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profeci, Profetizoj”, f. 157, scriptures.lds.org).

Ndihmojini studentët të shohin se kuptimi i tyre për fjalët e Isaias do të rritet ndërsa ata 1) kërkojnë drejtimin e Frymës së Shenjtë dhe 2) kanë një dëshmi për Jezu Krishtin dhe një dëshirë për të mësuar për Të. Kur u qasen fjalëve të Isaias në këtë mënyrë, gjithmonë duke kërkuar mënyra me të cilat profecitë e tij dëshmojnë për Shpëtimtarin, ata do të jenë në gjendje të mësojnë se çfarë Perëndia dëshiron që ata të dinë, për të mirën e vetë atyre dhe për të mirën e të tjerëve.

Theksoni se Nefi dha ide të tjera që mund të rritin të kuptuarin tonë për fjalët e Isaias. Kërkojuni studentëve të lexojnë qetësisht 2 Nefin 25:1, duke parë për shkakun përse shumë nga populli i Nefit i gjeti të vështira për t’u kuptuar profecitë e Isaias.

  • Çfarë gjetët ju? (Ata nuk dinin “mënyrën e profetizimit midis Judenjve”.)

  • Bazuar në atë që keni lexuar nga fjalët e Isaias, cilat janë disa karakteristika të profecive të judenjve të lashtë? (Përgjigjet mund të përfshijnë që Isaia dhe profetë të tjerë përdorën simbolizmin dhe gjuhën poetike.)

  • Kur lexoni fjalët e Isaias, përse është me dobi ta vlerësoni këtë mënyrë profetizimi?

Shpjegoni se një ide tjetër e dobishme gjendet te 2 Nefi 25:5–6. Ftojeni një student t‘i lexojë me zë të lartë këto vargje. Vëreni klasën të kërkojë përvojat që pati Nefi, të cilat e ndihmuan t’i kuptonte fjalët e Isaias.

  • Përse mendoni se Nefin e ndihmoi fakti që kishte jetuar në Jerusalem? Bazuar në atë që keni lexuar nga fjalët e Isaias, përse mendoni se ishte epërsi për Nefin që pati “parë gjërat e judenjve” dhe që “di[nte] në lidhje me zonat përreth” Jerusalemit?

  • Çfarë mund të bëjmë për të fituar njohuri për këto gjëra? (Ne mund të studiojmë kulturën, historinë dhe gjeografinë e Izraelit të lashtë.)

Lexojuni studentëve 2 Nefin 25:7–8. Ndërsa lexoni, theksoni se profecitë e Isaias do të jenë me vlerë të madhe për ne ndërsa shohim se ato janë përmbushur. Për ta ilustruar këtë të vërtetë, pyetni:

  • Në ditët e fundit, cilat profeci kemi studiuar që tashmë janë përmbushur? (Studentët mund të kujtojnë profecitë rreth Tempullit të Solt-Lejkut [shih 2 Nefi 12:2–3], lindjes së Jezu Krishtit [shih 2 Nefi 19:6], dhe Jozef Smithit [shih 2 Nefi 21:1, 10].) Në çfarë mënyrash bëhen më domethënëse këto profeci kur ju shihni se ato janë përmbushur?

Për ta përmbyllur këtë pjesë të mësimit, shprehni mirëbesimin tuaj se studentët mund të rriten në të kuptuarit e fjalëve të Isaias ndërsa kërkojnë shpirtin e profecisë. Theksoni se ata mund ta rritin kuptimin e tyre nëpërmjet studimit të mënyrës së judenjve të lashtë për profetizimin dhe kulturën, historinë dhe gjeografinë e Izraelit të lashtë.

2 Nefi 25:9 19

Nefi profetizon rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së judenjve

Përmblidhni 2 Nefin 25:9–19 duke thënë se Nefi profetizoi rreth judenjve dhe vendit të tyre në Jerusalem dhe në zonat përreth. Ai tha se judenjtë që qenë zënë robër nga Babilonia pas shkatërrimit të Jerusalemit do të ktheheshin në “tokën e trashëgimit të tyre” (shih 2 Nefi 25:9–11). Jezu Krishti, Mesia, do të jetonte midis tyre, por shumë nuk do ta pranonin Atë dhe do ta kryqëzonin (shih 2 Nefi 25:12–13). Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit, Jerusalemi do të shkatërrohej përsëri dhe judenjtë do të shpërndaheshin dhe ndëshkoheshin nga kombet e tjera (shih 2 Nefi 25:14–15). Ata do të besonin më në fund te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, dhe Zoti do t’i rivendoste ata “nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë” (shih 2 Nefi 25:16–19).

2 Nefi 25:20 30

Nefi dëshmon për Jezu Krishtin

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth mënyrës se si mund t’i përgjigjeshin dikujt që pretendon se shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk besojnë në Jezu Krisht. Ju mund t’i kërkoni një apo dy studentëve të tregojnë shkurtimisht rreth përvojave që kanë pasur kur njerëz të tjerë e kanë sfiduar besimin e tyre në Jezu Krisht. Ndërsa studentët lexojnë dhe diskutojnë 2 Nefin 25:20–30, ftojini të kërkojnë fragmente që mund të jenë në gjendje t’i tregojnë në situata të tilla.

Kërkojuni studentëve të gjejnë “udhën e drejtë” te 2 Nefi 25:28–29. Pasi ata e kanë gjetur se “udha e drejtë është që të besoni në Krisht dhe të mos ta mohoni atë”, shkruani në tabelë Përse të besuarit në Jezu Krisht është udha e drejtë. Pastaj u thoni studentëve të shqyrtojnë 2 Nefin 25:20, 23–26, duke kërkuar arsyet përse të besuarit në Jezu Krisht është udha e drejtë. Ftojini të shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë nën titullin që keni shkruar ju. Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon:

Shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.

Për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të shpëtohemi nga hiri pas gjithçkaje që mund të bëjmë.

Nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, ne mund të marrim një heqje të mëkateve tona.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 25:23 dhe 2 Nefin 10:24. Theksoni se këto vargje përfshijnë fjalën pajtoj, që do të thotë të sjellësh njerëz apo gjëra në harmoni apo marrëveshje me njëra-tjetrën.

  • Në të dy këta vargje, profetët na nxitin që ta pajtojmë veten me Perëndinë. Si mendoni, çfarë do të thotë kjo?

Shpjegoni se të dy këta vargje përfshijnë gjithashtu fjalën hir. Hiri është një dhuratë nga Ati Qiellor dhënë nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit. Fjala hir, siç përdoret në shkrimet e shenjta, i referohet së pari fuqisë ndihmuese dhe shërimit shpirtëror ofruar nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së Jezu Krishtit.

  • Çfarë na mësojnë 2 Nefi 10:24 dhe 25:23 rreth marrëdhënies midis hirit dhe përpjekjeve tona?

Ftojini studentët të zbatojnë atë që kanë mësuar duke shkruar përgjigjet për pyetjet vijuese në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta apo fletoren e tyre të klasës. Ju mund të dëshironi ta shkruani pyetjen në tabelë.

  • Çfarë do të thotë për ju të jeni i shpëtuar nga hiri?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë pohimin e Nefit te 2 Nefi 25:24–25 që ligji ka vdekur për njerëzit e tij, shpjegoni se ai po i referohej ligjit të Moisiut. Ai ligj, me sistemin e tij të ceremonive, ritualeve, simboleve dhe urdhërimeve, përfshirë flijimeve të kafshëve, praktikohej ende gjatë kohës së Nefit. Nefi dhe të tjerë e dinin se ligji do të përmbushej nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Pas Shlyerjes, dishepujve të Shpëtimtarit nuk do t’u kërkohej më të mbanin ligjin e Moisiut. Por nefitët besnikë vazhdonin t’i bindeshin ligjit të asaj kohe, madje duke e ditur se ligji aktual një ditë do të zëvendësohej.

Kur Nefi tha se ligji ka vdekur për të dhe të tjerët, ai kuptonte se ligji nuk do t’i shpëtonte ata. Ata e mbanin ligjin sepse donin të ishin të bindur dhe sepse e dinin se ligji i drejtonte te Jezu Krishti, që do t’u sillte atyre shpëtim.

  • Çfarë mund të mësojmë nga 2 Nefi 25:23–26 rreth arsyeve përse duhet t’i mbajmë urdhërimet?

  • Çfarë do të bëni që të “[flisni] për Krishtin” dhe të “gëzohe[ni] në Krishtin”? (2 Nefi 25:26). Çfarë do të bëni që t’i ndihmoni të tjerët të besojnë në Krisht?

Kërkojuni studentëve të tregojnë fragmentet që kanë gjetur që do t’i ndihmonin t’u përgjigjen pretendimeve se shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk besojnë në Jezu Krisht. Kërkojuni të tregojnë rreth arsyes përse u pëlqejnë ato fragmente.

Shprehni dëshminë tuaj për të vërtetat që keni diskutuar sot. Ju gjithashtu mund të doni t’u jepni studentëve mundësinë të japin dëshmi për këto të vërteta.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – 2 Nefi 25:23, 26

Shënim: Merrni parasysh të përdorni idenë vijuese për mësimdhënie gjatë pjesës së fundit të këtij mësimi. Nëse nuk keni kohë për ta përdorur këtë ide në këtë mësim, ju mund ta përdorni në një mësim tjetër si përsëritje.

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh 2 Nefin 25:26, një nga vargjet në këtë fragment për zotërimin e shkrimeve të shenjta, shkruani sa vijon në tabelë:

Flasim

Gëzohemi

Predikojmë

Profetizojmë

Shkruajmë

Që fëmijët tanë …

Se cilit burim …

Për heqjen …

Ftojini studentët të përdorin fjalët kyç në tabelë për të deklamuar 2 Nefin 25:26. Pasi të përsëritet vargu disa herë, pyetni nëse ndonjëri në klasë dëshiron të përpiqet ta deklamojë vargun përmendsh. Pastaj ftojeni pjesën tjetër të studentëve ta deklamojë vargun së bashku pa parë tek tabela. Për të përfunduar, ju mund të doni të sugjeroni se ka një vlerë në mbajtjen vesh me kujdes kur prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit përpiqen të na bindin të shohim te Shpëtimtari.

Jepini një copë letre secilit student. Ftojini studentët të shkruajnë një letër për fëmijët e tyre të ardhshëm, duke i nxitur ata ta përqendrojnë jetën e tyre në Jezu Krisht. Studentët mund të duan t’i vendosin letrat e tyre në librat e tyre të shkrimeve të shenjta për t’i ruajtur ato për të ardhmen.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 25:23. Doktrina e hirit

“Ideja kryesore e fjalës [hir] është mënyrë hyjnore ndihme ose force, dhënë përmes mëshirës bujare dhe dashurisë së Jezu Krishtit.

Është me anë të hirit të Zotit Jezus, që u bë e mundur përmes sakrificës së Tij shlyese, që njerëzimi do të ngrihet në pavdekësi, çdo person duke marrë trupin e tij nga varri në një gjendje të jetës së përjetshme. Në të njëjtën mënyrë, është me anë të hirit të Zotit që individët, nëpërmjet besimit në shlyerjen e Jezu Krishtit dhe pendimit nga mëkatet e tyre, marrin forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira që përndryshe nuk do ishin në gjendje t’i mbanin nëse liheshin vetëm në përpjekjet e tyre. Ky hir është një fuqi ndihmuese që i lejon burrat dhe gratë të sigurojnë jetën e përjetshme dhe ekzaltimin pasi të kenë bërë përpjekjet e tyre më të mira.

Hiri hyjnor nevojitet nga çdo shpirt si pasojë e rënies së Adamit dhe gjithashtu për shkak të dobësive dhe mangësive të njeriut. Sidoqoftë, hiri nuk mund të mjaftojë pa një përpjekje totale nga ana e marrësit. Prandaj shpjegimi, ‘Ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë’ (2 Nefi 25:23). Është vërtet hiri i Jezu Krishtit që e bën të mundur shpëtimin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Hiri” f. 64).

Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Dëshmia ime për ju është se siguria, paqja, gëzimi dhe garancia që kërkojmë gjenden vetëm në pranimin dhe besimin sinqerisht në jetën dhe misionin e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë së Plotfuqishëm. Ndërsa përqafojmë mësimet e Tij, ne heqim dorë nga të gjitha mëkatet tona, ne pendohemi dhe ne bëjmë gjithçka është në fuqinë tonë për të ardhur tek Ai me shpirt të vërtetë dishepulli, duke ditur përsosurisht mirë se është nëpërmjet hirit të Tij që mund të shpëtohemi, madje pas gjithçkaje që mund të bëjmë. Dhe ndërsa e japim veten te Krishti, plotësisht dhe tërësisht, ne gjejmë siguri, paqe, gëzim dhe garanci në Të” (në “Latter-day Councel”, Ensign, qershor 2001, f. 74).

2 Nefi 25:26. “Ne gëzohemi në Krishtin”

Presidenti Gordon B. Hinkli vërejti se njohuria e fituar nëpërmjet Rivendosjes na lejon të gëzohemi vërtet në Shpëtimtarin tonë:

“Si Kishë ne kemi kritikë, shumë prej tyre. Ata thonë se ne nuk besojmë në Krishtin tradicional të krishterimit. Ajo që thonë është pjesërisht e vërtetë. Besimi ynë, njohuria jonë nuk bazohet në traditën antike, në kredot që erdhën nga një kuptim i kufizuar dhe nga diskutimet thuajse të pafundme të njerëzve që përpiqeshin të arrinin te një përkufizim për Krishtin e ngritur. Besimi ynë, njohuria jonë vijnë nga dëshmia e një profeti në këtë periudhë ungjillore që pa përpara tij Perëndinë e madh të universit dhe Birin e Tij të Dashur, Zotin e ringjallur Jezu Krisht. Ata i folën atij. Ai foli me Ta. Ai dëshmoi hapur, saktësisht dhe sinqerisht për atë vegim të madh. Ishte një vizion i të Plotfuqishmit dhe Shëlbuesit të botës, i lavdishëm përtej kuptimit tonë, por i sigurt dhe i saktë në njohurinë që solli. Është nga ajo njohuri, rrënjosur thellë në shpirtin e zbulesës moderne, që ne, në botët e Nefit, ‘flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që [ne dhe] fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve [tona]’ (2 Ne. 25:26)” (“We Look to Christ”, Ensign, maj 2002, f. 90–91).