Biblioteka
Mësimi 112: Helamani 11–12


Mësimi 112

Helamani 11–12

Hyrje

Kapitujt 11 dhe 12 të librit të Helamanit pasqyrojnë një histori 14-vjeçare të nefitëve, në të cilën populli kaloi nëpër një cikël drejtësie e ligësie. Kjo histori tregon se sa shpejt njerëzit mund ta harrojnë Zotin dhe se si Ai i ndëshkon që t’i ndihmojë të pendohen e të kthehen drejt Tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 11

Nefitët kalojnë nëpër një cikël drejtësie e ligësie

Kopjojeni në tabelë skemën që vijon. Shpjegoni se kjo skemë përfaqëson atë që shpeshherë quhet cikli i krenarisë.

Pamja
Righteous Cycle

Kërkojuni studentëve të gjykojnë se çfarë do të shkruanin për pjesën përbërëse të katërt të ciklit të krenarisë. Lërini studentët të diskutojnë mbi përgjigjet e mundshme. Pas një diskutimi, shkruani në tabelë Përulësi dhe Pendim pranë numrit 4 në skemë. Shpjegoni se veprimtaria e mëposhtme mësimore me shkrimin e shenjtë, do të tregojë se si kaluan nëpër këtë cikël njerëzit në Librin e Mormonit. Vini në dukje se ky cikël shpeshherë shihet te shoqëritë e mëdha, por gjithashtu mund të pasqyrojë modele të jetës së familjeve e të individëve.

Kujtojuni studentëve se, edhe pasi Nefi i tregoi popullit për vdekjen e kryegjykatësit të tyre, “ata ngurtësuan zemrat e tyre dhe nuk ua vunë veshin fjalëve të Zotit” (Helamani 10:13). Nga fundi i vitit të 71-të të mbretërimit të gjykatësve, njerëzit “u ndanë mes tyre dhe filluan të vrisnin njëri-tjetrin me shpatë” (Helamani 10:18).

  • Në këtë kohë, në ç’vend të ciklit të krenarisë mendoni se ishin nefitët?

Përpara orës së mësimit, kopjojeni në tabelë listën në vijim. Mos i përfshini përgjigjet me shkrim të pjerrët të kolonës së tretë dhe të katërt. Nëse ka mundësi, bëni një kopje të listës si fletushkë për çdo student. Nëse kjo nuk është e mundur, kërkojuni ta kopjojnë listën në fletore ose në ditaret e tyre të studimit të shkrimit të shenjtë.

Konkretizojeni se si plotësohet lista, duke punuar tok si klasë me rreshtin e parë. Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 11:1–2. Ftojeni klasën të japë një përmbledhje të shkurtër të gjendjes së popullit, siç përshkruhet në këto vargje. Shkruajini përgjigjet e tyre te lista. Pastaj kërkojuni studentëve të përcaktojnë se në cilën fazë ose faza të ciklit ndodhej populli. Shkruajini përgjigjet e tyre te lista.

Kur studentët ta kuptojnë se si plotësohet lista, jepuni kohë që të veprojnë kështu. Ju mund t’u kërkoni të punojnë veç e veç, në dyshe apo grupe të vogla ose së bashku si klasë.

Vitet e mbretërimit të gjyqtarëve

Vargjet te Helamani 11

Përshkrimi i gjendjes së popullit

Faza/fazat te cikli

72–73

1–2

Grindja dhe luftërat u shtuan dhe banda e fshehtë e hajdutëve vijon me veprën e shkatërrimit.

2, 3

73–75

3–6

Për arsye të kërkesës së Nefit te Zoti, zia e bukës zëvendëson luftën dhe mijëra vetë nisin të mbarojnë nga uria.

2, 3

75

7–11

Njerëzit fillojnë ta kujtojnë Zotin e të përulen dhe e spastrojnë bandën e Gadiantonit nga mesi i tyre.

3, 4

76

17–20

Populli gëzohet dhe e përlëvdon Perëndinë. Ata janë të drejtë dhe fillojnë sërish të begatohen.

4, 1

77–79

21–23

Begatia dhe paqja rikthehen. Grindjet janë të pakta dhe i zgjidhin nëpërmjet zbulesës dhe mësimeve të ungjillit.

1

80

24–26

Populli bëhet përsëri krenar, zemërak dhe i lig. Një bandë e ligë hajdutësh zhvillohet përsëri mes popullit, me vrasjet dhe planet e tyre të fshehta.

2, 3

80–81

27–35

Hajdutët shkaktojnë pështjellim e shkatërrim dhe ushtritë e nefitëve e të lamanitëve nuk janë në gjendje ta asgjësojnë bandën e të ligjve. Hajdutët vrasin shumë veta dhe shpien rob në shkretëtirë disa njerëz, përfshirë gra e fëmijë. Sprovat e bëjnë popullin që ta kujtojë Zotin.

3, 4

Pasi studentët të kenë pasur kohë që ta plotësojnë listën, kërkojuni të raportojnë se çfarë kanë mësuar nga kjo veprimtari mësimore. Pastaj bëni pyetjet që vijojnë:

  • Sipas Helamanit 11:4, përse Nefi u lut për zi buke? (Ai shpresonte se zia e bukës do ta bënte popullin që të kujtonte Zotin e të pendohej.)

  • Çfarë mund të kishin bërë njerëzit që të shmangnin fazën “Vuajtje dhe Shkatërrim” të ciklit?

Studentët mund të parashtrojnë shumë përgjigje të mira për këtë pyetje. Sigurohuni që të përcaktojnë parimin që vijon: Nëpërmjet përulësisë dhe pendimit mund ta shmangim krenarinë dhe shkatërrimin. Vini në dukje se nefitët mund t’i shpëtonin fazës së dytë dhe të tretë të ciklit. Mund të kishin jetuar gjithmonë me drejtësi e përulësi, duke u penduar pa vonesë sa herë që mëkatonin. Nëse do të kishin jetuar kështu, ata ende do të kishin përjetuar disa sprova, por nuk do t’u duhej të duronin vuajtjen dhe shkatërrimin e tmerrshëm që erdhën si rrjedhojë e ligësisë së tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 11:36–37. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke dëgjuar me vëmendje për ndryshimin që ndodhi brenda një periudhe të shkurtër kohe.

  • Pasi kujtuan Zotin, sa kohë u kërkoi nefitëve të ishin “gati përsëri për shkatërrim”? (Katër vite.)

  • Cila fazë e ciklit të krenarisë përshkruhet në fund të kapitullit Helamani 11?

Kërkojuni studentëve të përcaktojnë e të mendojnë për kohë të veçanta kur e kanë parë në njëfarë mase këtë cikël në jetën e vet apo në jetën e njerëzve që njohin. Ftojini të mendohen se çfarë mund të bëjnë për të shmangur fazën e dytë dhe të tretë të ciklit. Nxitini të shkruajnë ide të veçanta që marrin teksa mendohen.

Helamani 12

Mormoni shpjegon përse Zoti i ndëshkon njerëzit.

Shkruani në tabelë sa vijon: “Dhe kështu ne mund të shohim …” Shpjegoni se Mormoni e përdor këtë shprehje për të treguar mësimet që duhet të nxirren nga përmbledhjet që ai dokumentoi.

  • Nisur nga Helamani 11, si do ta plotësonit ju këtë thënie?

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 12:1 dhe thuajini klasës të kërkojë të gjejë se si e plotësoi Mormoni thënien.

  • Çfarë do të thotë për ju shprehja “paqëndrueshmërinë e zemrave të fëmijëve të njerëzve”?

  • Çfarë e ndihmon zemrën tuaj të mbetet e qëndrueshme në përkushtimin ndaj Zotit?

Kërkojuni studentëve ta studiojnë në heshtje Helamanin 12:2–3, duke kërkuar të gjejnë mësime të tjera që Mormoni donte që ne t’i mësojmë nga kjo histori e nefitëve. Kujtojuni studentëve se Mormoni shpeshherë përdori shprehje të tilla si “ne mund të shohim” (vargu 2) dhe “kështu ne shohim” (vargu 3), kur ai rrëfen të vërtetat që mund të mësojmë nga përmbledhjet në shkrimet e shenjta.

  • Me fjalët tuaja, cilat mësime donte Mormoni që ne t’i mësojmë? (Studentët mund të japin përgjigje si këto që vijojnë: Nëse nuk jemi të kujdesshëm, begatia jonë mund të na bëjë ta harrojmë Zotin; Zoti e ndëshkon popullin e Tij për t’i nxitur që ta kujtojnë Atë.)

  • Si mendoni, përse njerëzit që janë të begatuar, e harrojnë nganjëherë Zotin?

  • Si mendoni, përse njerëzit nganjëherë duhet të ndëshkohen, përpara se ta kujtojnë Zotin? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se fjala ndëshkoj do të thotë të ndreqësh dikë nëpërmjet një lloj dënimi ose vuajtjeje.)

Kërkojuni studentëve të mendohen për pyetjen që vijon:

  • Në çfarë mënyrash mund të na ndëshkojë Zoti sot?

Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, lexoni thënien e mëposhtme nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ndëshkimi hyjnor ka të paktën tre qëllime: 1) të na mbushë mendjen që të pendohemi, 2) të na pastrojë e shenjtërojë neve dhe 3) nganjëherë ta ridrejtojë orientimin e jetës sonë në atë që Perëndia e di se është një shteg më i mirë” (“Unë të Gjithë Ata që i Dua i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Liahona, maj 2011, f. 98).

  • Në ç’mënyrë është ndëshkimi i Zotit një provë e dashurisë së Tij?

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 12:4–6. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejë qëndrimet që ia vështirësuan popullit ta kujtonte Perëndinë. Ftojini studentët t’i raportojnë ato që gjejnë.

Shpjegoni se Mormoni i përshkroi njerëzit të cilët nuk pranojnë që Zoti të jetë udhëheqësi i tyre, si “më pak se pluhuri i tokës” (Helamani 12:7). Kërkojini një studenti të lexojë me zë Helamani 12:7–8.

  • Përse të tillë njerëz mund të vlerësoheshin “më pak se pluhuri i tokës”? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se Mormoni nuk po mësonte se njerëzit kanë më pak vlerë se pluhuri i tokës për Atin Qiellor. Ai, më saktë, po tërhiqte vëmendjen te fakti që pluhuri u bindet përherë urdhrave të Perëndisë, kurse njerëzit shpeshherë jo.)

Përmblidheni Helamanin 12:9–22 duke përmendur se në këto vargje Mormoni na kujton për fuqinë e madhe të Zotit – që Zoti mund t’i urdhërojë elementet fizikë të lëvizin ose të ndryshojnë dhe që Ai mund të bëjë që një njeri me mëkate të përjashtohet nga prania e Tij. Ftojini studentët të kërkojnë te Helamani 12:23–26 për të gjetur të dhënë që tregon se ne kemi vlerë më të madhe se pluhuri i tokës. Mund të jetë mirë t’i këshilloni studentët që t’i nënvizojnë fjalët dhe shprehjet që janë të rëndësishme për ta.

  • Cila dhuratë është e mundshme për ne, kur pendohemi dhe ia vëmë veshin zërit të Zotit?

  • Në ç’mënyrë është kjo një provë e vlerës sonë para Perëndisë?

Shkruani në tabelë shprehjet e papërfunduara të mëposhtme. Ftojini studentët të shkruajnë një mbyllje për mësimin e sotëm, duke i përfunduar këto shprehje te fletoret ose ditarët e studimit të shkrimit të shenjtë.

Dhe kështu unë shoh te Helamani 11–12 se …

Dhe prandaj unë do të …

Dëshmoni se, kur ne e kujtojmë Zotin, i vëmë veshin zërit të Tij dhe pendohemi, ne shprehim përulësinë dhe besimin tonë tek Ai. Si rezultat, Ai mban premtimin e Tij të na bekojë e begatojë, duke na dhënë si përfundim jetën e përjetshme.