Biblioteka
Mosia


Hyrje në Librin e Mosias

Përse të studiohet ky libër?

Gjatë studimit vetjak të librit të Mosias, studentët do të lexojnë dëshmi të fuqishme për misionin e Jezu Krishtit. Ata do të mësojnë edhe rreth popullit që Zoti e çliroi nga robërimi prej mëkatit ose nga shtypja fizike. Për më tepër, studentët do të mësojnë se si përpjekjet e drejta të njerëzve të tillë si mbreti Beniamin, Abinadi dhe Alma u sollën bekime të pamasa të tjerëve. Anasjelltas, studentët do të shohin se si zgjedhjet jo të mira të njerëzve të tillë si Zenifi dhe biri i tij, mbreti Noe, u sollën pasoja negative atyre dhe popullit të tyre.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni përpiloi dhe përmblodhi analet e disa shkruesve të tjerë për të krijuar librin e Mosias. Librit iu vu emri i Mosias, i cili qe i biri i mbretit Beniamin. Mosia qe profet, shikues, zbulues dhe mbret që sundoi në Zarahemla afërsisht nga viti 124 Pr.K. deri në vitin 91 Pr.K. Ai u quajt si gjyshi i tij, Mosia, që ishte gjithashtu mbret i Zarahemlës (shih Omni 1:12–13, 19).

Mormoni mori nga një numër analesh për të përpiluar librin e Mosias. Ai përmblodhi dhe citoi nga anali i mbajtur nga Mosia në fletët e mëdha të Nefit, që jepte me hollësi historinë e nefitëve në tokën e Zarahemlës (shih Mosia 1–7; 25–29). Ai gjithashtu mori materiale nga anali i Zenifit, i cili rrëfen historinë e popullit të Zenifit që nga koha kur u larguan nga Zarahemla derisa u rikthyen (shih Mosia 7–22). Përveç kësaj, Mormoni citoi dhe përmblodhi pjesë të shkrimeve të Almës, i cili i ruajti fjalët e Abinadit dhe mbajti një anal të vetë popullit të tij (shih Mosia 17:4; 18; 23–24).

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni nuk ia drejtoi librin e Mosias një audience të veçantë, as nuk tha përse e shkroi këtë libër. Gjithsesi, libri i Mosias kontribuon dukshëm në qëllimet gjithëpërfshirëse të Librit të Mormonit – për të dëshmuar se Jezusi është Krishti dhe për t’i bërë të ditura besëlidhjet e Zotit (shih faqen e titullit të Librit të Mormonit). Libri i Mosias përfshin dy ligjërata mjeshtërore mbi misionin e Jezu Krishtit: fjalët e mbretit Beniamin te Mosia 2–5 dhe fjalët e Abinadit te Mosia 12–16. Përveç kësaj, libri i Mosias vazhdimisht ilustron rëndësinë e bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjeve me Zotin (shih Mosia 5:5–9; 18:5–10; 21:31–32; 24:13–15; 25:16–18; 26:20).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Analet origjinale të përdorura si burime për librin e Mosias ka të ngjarë të jenë shkruar mes viteve 200 Pr.K. dhe 91 Pr.K. Mormoni i përmblodhi ato anale diku mes viteve 345 Ps.K. dhe 385 Ps.K.. Mormoni nuk shkroi se ku ishte kur e përpiloi këtë libër.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Mosia është libri i parë në Librin e Mormonit që është përmbledhje nga fletët e mëdha të Nefit. Ai jep mësime lidhur me aftësitë e një shikuesi (shih Mosia 8:13–18; 28:10–17). Përveç kësaj, libri i Mosias është i veçantë në rrëfimin që u bën përvojave dhe udhëtimeve të grupeve të veçanta të nefitëve – atyre në tokën e Zarahemlës; atyre që u sunduan nga Zenifi, Noeu dhe Limhi në tokën e Nefit; dhe atyre që u arratisën nga toka e Nefit me Almën. Për të mësuar më shumë rreth këtyre grupeve, ju mund të dëshironi t’i drejtoheni përmbledhjes së udhëtimeve te Mosia 7–24, që gjendet te shtojca në fund të këtij manuali.

Libri i Mosias përshkruan bashkimin e popujve të udhëhequr nga Limhi e Alma me nefitët në tokën e Zarahemlës (shih Mosia 25:1–13). Ai gjithashtu jep hollësi rreth administrimit të Kishës së Jezu Krishtit kudo nëpër tokën e Zarahemlës (shih Mosia 25:14–24; 26). Së fundmi, libri i Mosias paraqet mbretërimin e gjykatësve (shih Mosia 29).

Përmbledhje

Mosia 1–5 Mbreti Beniamin cakton të birin, Mosian, si pasuesin e tij dhe jep një rrëfim të mbretërimit të tij. Beniamini jep mësim rreth Jezu Krishtit dhe e fton popullin e tij të hyjë në besëlidhje me Perëndinë.

Mosia 6–8 Mosia fillon mbretërimin e tij. Amoni dhe 15 të tjerë kërkojnë pasardhësit e popullit të Zenifit në tokën e Nefit. Amoni takon mbretin Limhi, nip i Zenifit, dhe mëson se si populli kishte rënë në robëri.

Mosia 9–17 Jepet një histori e popullit të Zenifit. Pas vdekjes së Zenifit, i biri, Noeu, sundon me ligësi. Abinadi dëshmon për Jezu Krishtin dhe e nxit mbretin Noe dhe popullin e tij të pendohen. Abinadi ekzekutohet me zjarr.

Mosia 18–20 Alma, një prift i mbretit Noe, pendohet. Ai jep mësim ungjillin dhe arratiset me pasuesit e tij në vendin e shkretë. Nefitët në tokën e Nefit sulmohen nga lamanitët dhe bien në robëri. Noeu vritet nga njerëzit e vet dhe pasohet nga i biri, Limhi.

Mosia 21–22 Limhi dhe populli i tij pendohen. Zoti i çliron ata nga robëria dhe Amoni i udhëheq drejt tokës së Zarahemlës.

Mosia 23–24 Alma dhe pasuesit e tij themelojnë qytetin e Helamit. Ata bien në robëri nga lamanitët dhe përndiqen nga Amuloni dhe vëllezërit e tij, më parë priftërinj të mbretit Noe. Zoti e çliron Almën dhe popullin e tij dhe i udhëheq ata drejt tokës së Zarahemlës.

Mosia 25–29 Nefitët bashkohen nën sundimin e Mosias dhe Alma administron Kishën. Biri i Almës, Alma, (shpesh i quajtur Alma i Riu) dhe bijtë e Mosias kthehen në besim. Përpara se të vdesë, Mosia vendos mbretërimin e gjykatësve.