Biblioteka
Mësimi 58: Mosia 11–12:17


Mësimi 58

Mosia 11–12:17

Hyrje

Për shkak se krenaria dhe jeta e shthurur e mbretit Noe i çoi shumë prej njerëzve të tij në ligësi, Zoti dërgoi profetin Abinadi për ta paralajmëruar Noeun dhe popullin e tij. Abinadi i paralajmëroi ata se do të binin në robëri nëse nuk pendoheshin. Njerëzit zgjodhën të mos ua vinin veshin paralajmërimeve dhe mbreti Noe urdhëroi që Abinadi të futej në burg.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 11:1–19

Mbreti Noe e çon popullin e tij në ligësi

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajini pyetjet në vijim në tabelë:

Si do të përgjigjeshit nëse prindërit do t’ju sugjeronin që disa nga miqtë tuaj kanë ndikim të keq te ju?

Si do të përgjigjeshit nëse një udhëheqës i Kishës do të thoshte që një nga veprimtaritë tuaja të parapëlqyera po zë rrugën e përparimit tuaj shpirtëror?

Si do të përgjigjeshit nëse profeti do të fliste hapur kundër një forme argëtimi që ju pëlqen?

Ftojini studentët të përsiaten në heshtje mbi këto pyetje. Pastaj pyetni:

  • Përse janë sfiduese këto situata?

  • Çfarë mund të bëni që të ndiqni këshillën e prindërve ose të udhëheqësve tuaj në situata si këto?

  • Përse njerëzit e drejtë janë të gatshëm ta ndjekin këshillën edhe kur kërkon një ndryshim të vështirë në jetën e tyre?

Shpjegoni që në këtë mësim, studentët do të mësojnë rreth një grupi njerëzish që nuk qenë të gatshëm t’i bindeshin këshillës nga një profet.

Për të dhënë kontekstin për këtë mësim, kujtojuni studentëve që Zenifi udhëhoqi një grup njerëzish për në tokën e Nefit, ku u sollën në robëri nga lamanitët. Megjithëse zellshmëria e tepruar e Zenifit bëri që ai të mashtrohej nga lamanitët, ai qe një njeri i mirë dhe e mësoi popullin e tij që ta vinin besimin e tyre në Zot. Përpara se të vdiste, Zenifi ia kaloi mbretërinë të birit, Noeut. (Shih Mosian 9–10.)

Shpjegoni që Noeu ishte njeri i lig. Për të treguar se si ligësia e tij ndikoi te populli i tij, ndajeni klasën në dy grupe. Kërkojini grupit të parë të lexojë Mosian 11:1–2, 5–7, dhe kërkojini grupit të dytë të lexojë Mosian 11:14–19. Ftojini të dy grupet që të kërkojnë hollësi rreth asaj se si ligësia e mbretit Noe ndikoi te populli. Ndihmojini studentët t’i analizojnë këto vargje duke u bërë pyetje si këto në vijim:

  • Përse mendoni që njerëzit qenë të gatshëm ta mbështetnin Noeun në ligësinë e tij?

  • Përse “fjalët e kota dhe lajkatuese” mund të bëjnë që njerëzit të gënjehen? (Ndërsa studentët diskutojnë mbi këtë pyetje, ju mund të dëshironi të vini në dukje që lajkat janë lavdërime të rreme, që zakonisht bëhen për ta manipuluar personin që lavdërohet.)

  • Nga ky rrëfim i popullit të Noeut, çfarë mund të mësojmë rreth mënyrës se si duhet t’i përgjigjemi fjalëve të kota dhe lajkatuese? (Kur u besojmë fjalëve të kota dhe lajkatuese të të tjerëve, ne e lejojmë veten të çorientohemi.)

  • Çfarë mund të bëjmë kur njerëzit kudo rreth nesh bëjnë jetë të padrejtë?

Mosia 11:20–12:17

Abinadi i paralajmëron njerëzit që do të sillen në robëri nëse nuk pendohen

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 11:20.

  • Çfarë bëri Zoti për ta ndihmuar popullin e Noeut? (Ai dërgoi një profet që t’i thërriste në pendim.)

Shkruani parimin në vijim në tabelë: Perëndia dërgon profetë për të na ndihmuar të pendohemi dhe të shmangim mjerimin. Shpjegoni që Zoti e dërgoi Abinadin dy herë për të paralajmëruar popullin.

Kopjoni pasqyrën përmbledhëse në vijim në tabelë. Lini hapësirë të mjaftueshme për të shkruar një përmbledhje nën secilën referencë të shkrimit të shenjtë.

Mesazhi i Abinadit

Reagimi i Popullit

Paralajmërimi i Parë

Mosia 11:20–25

Mosia 11:26–29

Paralajmërimi i Dytë

Mosia 12:1–8

Mosia 12:9–17

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë mesazhin e Abinadit, kërkojini gjysmës së tyre që të lexojë Mosian 11:20–25, që tregon për paralajmërimin e parë të Abinadit; dhe kërkojini gjysmës tjetër të lexojë Mosian 12:1–8, që tregon për paralajmërimin e tij të dytë. Ftojini studentët në secilin grup që të përmbledhin mesazhet e Abinadit ndërsa një student shkruan përmbledhjet e tyre nën referencat e duhura në tabelë.

  • Çfarë ndryshimesh shihni midis dy paralajmërimeve të Abinadit?

Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë këto ndryshime, merrni parasysh të tërhiqni vëmendjen e tyre te Mosia 11:20–25 dhe te frazat që përsëriten “në qoftë se nuk pendohen” dhe “nëse ky popull nuk pendohet”. Ju mund të dëshironi t’i nxitni që t’i shenjojnë këto fraza. Pastaj nxitini që të gjejnë dallimin midis formulimeve të përdorura në këto fraza dhe formulimeve te Mosia 12:1–8. Ju mund të sugjeroni që studentët t’u japin vëmendje të veçantë fjalëve do të, do t’i dhe do ta në këto vargje. (Ndihmojini studentët të kuptojnë që njerëzit mund t’i kishin shpëtuar këtyre pasojave nëse do të ishin penduar pas paralajmërimit të parë. Ngaqë njerëzit nuk pranuan të pendoheshin, pasojat u bënë më të vendosura dhe më të rënda te paralajmërimi i dytë i Abinadit.)

  • Çfarë ju mësojnë këto ndryshime rreth pasojave nga mosdëgjimi i paralajmërimit të profetit?

  • Cilat janë rreziqet e këmbënguljes në mëkatet tona dhe të mospendimit?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë reagimin e popullit ndaj mesazheve të Abinadit, kërkojini gjysmës së studentëve të lexojë Mosian 11:26–29, duke vënë re reagimin e njerëzve dhe të mbretit të tyre ndaj mesazhit të parë të Abinadit. Kërkojini gjysmës tjetër të studentëve të lexojë Mosian 12:9–17, duke vënë re reagimin ndaj mesazhit të dytë të Abinadit. Kërkojuni studentëve në secilin grup të përmbledhin reagimet ndërsa një student i shkruan përmbledhjet në pasqyrën përmbledhëse.

  • Si mendoni, përse njerëzit reaguan me zemërim ndaj Abinadit, i cili po përpiqej t’i ndihmonte? Përse mendoni se e mbrojtën mbretin Noe, i cili po i çonte në mjerim?

  • Te Mosia 11:29, ne lexojmë që “sytë e njerëzve ishin verbuar”. Si ishin verbuar këta njerëz ndaj së vërtetës?

Ndërsa studentët diskutojnë mbi këto pyetje, ndihmojini që të përcaktojnë parimin në vijim: Mëkati mund të na verbojë të dallojmë të vërtetën e fjalëve të profetëve. Shpjegoni që, në verbërinë e tyre, njerëzit menduan se Noeu ishte miku i tyre dhe se Abinadi ishte armiku i tyre, ndërkohë që e kundërta ishte e vërtetë. Kërkojuni studentëve të përsiaten në heshtje rreth pyetjeve vijuese:

  • A jeni zemëruar ndonjëherë ose i keni mbrojtur ndonjëherë gabimet tuaja kur dikush ju korrigjoi, edhe pse e dinit se ata kishin të drejtë?

  • Çfarë mund të bëni që ta pranoni këshillën e anëtarëve të familjes, udhëheqësve vendorë të Kishës dhe profetëve kur ju këshillojnë rreth mënyrës se si t’i bindeni fjalës së Perëndisë?

Vini në dukje që shumë njerëz na nxitin të jetojmë në përputhje me fjalën e Perëndisë. Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë më tej rreth mënyrës se si të reagojmë siç duhet ndaj atyre që na këshillojnë që të ndryshojmë ose të pendohemi, kthehuni te tri pyetjet që shkruat në tabelë përpara fillimit të orës mësimore. Kërkojuni studentëve që t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, ftojini disa prej tyre të tregojnë rreth një rasti kur u bekuan për shkak se ndoqën këshillën e prindërve ose të udhëheqësve. Nxitini që ta kërkojnë e ta ndjekin këshillën e prindërve, të udhëheqësve vendorë të Kishës dhe të profetëve.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Të kuptuarit e fragmenteve të shkrimit të shenjtë prej studentëve do të rritet kur të krijojnë vetë pyetjet e tyre rreth fragmenteve. Ftojini studentët të punojnë së bashku, si klasë ose në grupe të vogla, që të shkruajnë të dhëna që drejtojnë te fragmente të caktuara të zotërimit të shkrimit të shenjtë. (Ju mund të dëshironi të zgjidhni një grup fragmentesh që ju do të dëshironit që studentët t’i mësonin ose t’i përsëritnin.) Pastaj vërini t’jua lexojnë të dhënat e tyre juve. Pikët ju jepen juve nëse e gjeni si duhet një fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Pikët i jepen klasës nëse nuk jeni në gjendje ta gjeni siç duhet.

Shënim: Nëse nuk keni kohë ta përdorni këtë veprimtari si pjesë të këtij mësimi, ju mund ta përdorni atë një ditë tjetër. Për veprimtari të tjera përsëritëse, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.