Biblioteka
Mësimi 108: Helamani 5


Mësimi 108

Helamani 5

Hyrje

Nefitët vazhduan në ligësi, derisa pjesa më e madhe e tyre zgjodhi ligësinë përmbi drejtësinë. Nefi dhe Lehi iu përkushtuan predikimit të fjalës së Perëndisë. Ati i tyre, Helamani, u kishte mësuar ta kujtonin Shëlbuesin e tyre dhe ta bënin Atë themelin e jetës së tyre. Pasi i mësuan nefitët, Nefi dhe Lehi u predikuan lamanitëve, të cilët i hodhën ata në burg. Zoti i çliron ata mrekullisht dhe pjesa më e madhe e lamanitëve pendohen dhe kthehen në besim tek ungjilli.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 5:1–13

Helamani i këshillon bijtë e tij që t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, të predikojnë ungjillin dhe ta kujtojnë fuqinë shëlbuese të Jezu Krishtit

Përpara orës së mësimit përgatitni për të paraqitur gjashtë shirita letre. I pari duhet të ketë të shkruar emrin tuaj. Pesë të tjerët duhet të përmbajnë fjalët dhe shprehjet që vijojnë: Prindërit, Shlyerja e Jezu Krishtit, Profetët, Pendimi çon në shpëtim dhe Zbato urdhërimet.

Jepini secilit student një copë të vogël letre. Shpjegoni se ju do t’u tregoni shkurtimisht gjashtë shiritat e letrës me fjalët e shkruara. Pastaj ata do t’i shkruajnë ato fjalë me sa mbajnë mend. Tregojuni studentëve nga një shirit letre me radhë.

Kërkojuni studentëve t’i shkruajnë fjalët që mbajnë mend. Pastaj ua tregoni përsëri gjashtë shiritat e letrës. Pyetni:

  • A ishte e lehtë apo e vështirë që t’i mbaje mend këto fjalë dhe shprehje?

  • Si mendoni, çfarë ndryshimi solli fakti që juve ju ishte thënë që më përpara se duhet të mbanit mend çfarë ishte shkruar në shiritat e letrës?

Kërkojini një studenti të lexojë thënien e mëposhtme nga Presidenti Spenser W. Kimball. Ftojeni klasën të dëgjojë me vëmendje se çfarë tha ai për rëndësinë e të kujtuarit të mësimeve të ungjillit që i kemi marrë:

Pamja
Presidenti Spenser W. Kimball

“Kur kërkoni në fjalor për fjalën më të rëndësishme, a e dini cila është? Mund të ishte kujto. Për arsye se të gjithë keni bërë besëlidhje – ju dini se çfarë të bëni dhe dini si ta bëni – nevoja më e madhe është që të kujtojmë” (“Circles of Exaltation” [fjalim drejtuar arsimtarëve të fesë të SAK-ut, 28 qershor 1968], f. 5, si.lds.org).

Shpjegojini klasës se sot do të mësojnë për dy njerëz që sollën një ndryshim në jetën e mijëra të tjerëve, ngaqë kujtuan dhe vepruan mbi disa të vërteta. Nxitini studentët të mendohen gjatë mësimit të sotëm se çfarë, sipas tyre, dëshiron Zoti që ata të mbajnë mend.

Përmblidheni vargun Helamani 5:1–4. Shpjegoni se, për shkak të ligësisë së popullit, Nefi hoqi dorë si kryegjykatës që ai dhe i vëllai Lehi të mund t’i kushtoheshin predikimit të fjalës së Perëndisë.

Shkruani në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta. (Mos i përfshini fjalët në kllapa.)

Helamani 5:5–7 (Zbatojini urdhërimet; kujtojini shembujt e drejtë të paraardhësve.)

Helamani 5:9–11 (Kujtojeni Shlyerjen e Krishtit; mbani mend se nuk mund të shpëtohemi në mëkate, por që mund të shpëtohemi nga mëkatet nëpërmjet bindjes dhe fuqisë së Shlyerjes.)

Helamani 5:12 (Mbani mend që Jezu Krishti duhet të jetë themeli ynë.)

Ftojini studentët t’i lexojnë vargjet e renditura në tabelë, duke kontrolluar për fjalët mbani mend. Mund të jetë mirë që t’u këshilloni ta nënvizojnë çdo rast të këtyre fjalëve. Pastaj jepuni studentëve disa minuta kohë që t’i lexojnë në heshtje këto fragmente, duke kërkuar se çfarë donte Helamani që të bijtë të mbanin mend. Ftojini studentët të raportojnë çfarë gjetën. Mund të jetë mirë t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë pranë referencave përkatëse të shkrimit të shenjtë.

Për t’i ndihmuar studentët t’i analizojnë e t’i kuptojnë këto vargje, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si mundet mbajtja mend e shembujve të drejtë të të tjerëve t’ju ndihmojë për të zgjedhur “të bëni atë që është e mirë”?

  • Çfarë bëni ju për ta mbajtur mend Shlyerjen e Jezu Krishtit?

Shkruani në tabelë këtë thënie: Nëse ne … , Satani nuk do të ketë fuqi mbi ne.

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamani 5:12. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar një mënyrë se si mund ta plotësojnë thënien në tabelë. Sido që studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, sigurohuni që ata të shprehin se, nëse e ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin, Satani nuk do të ketë fuqi mbi ne. Mund të jetë mirë që t’i ftoni studentët të nënvizojnë shprehje te Helamani 5:12 të cilat shprehin këtë parim. Vini në dukje se Helamani 5:12 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Mund të jetë mirë t’i këshilloni studentët ta shënojnë këtë fragment në një mënyrë të dukshme, që të jenë në gjendje ta gjejnë lehtë.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë parimin që mësohet në këtë varg, ndërtoni një kullë ose shtëpi të vogël prej sendesh (si kuba ose libra) dhe bëni pyetje të tilla si vijon:

  • Përse është thelbësore që një ndërtesë të ketë themel të qëndrueshëm?

  • Si mendoni, çfarë do të thotë ta ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin?

  • Çfarë premtimesh u jepen atyre që e ndërtojnë themelin e tyre mbi “shkëmbin e Shëlbuesit tonë”?

  • Ç’mund të bëjmë për ta ndërtuar themelin tonë mbi shkëmbin e Jezu Krishtit? (Mund të jetë mirë t’i pyetni studentët se si janë të vërtetat e mësuara te Helamani 5:6–11 shembuj të mënyrave si mund ta ndërtojmë themelin tonë mbi Jezu Krishtin.)

Mund të ishte mirë të vinit në dukje se të ndërtuarit mbi themelin e Shpëtimtarit nuk do t’i parandalojë sulmet e Satanit, por do të na japë forcë që t’i mposhtim ato.

  • Kur keni qenë të aftë t’i qëndroni tundimit ose të duroni sprova ngaqë themeli juaj ishte ndërtuar mbi Jezu Krishtin?

Dëshmoni për fuqinë që keni marrë për shkak se e keni ndërtuar themelin tuaj mbi shkëmbin e Jezu Krishtit. Jepuni studentëve kohë të shkruajnë në fletore ose në ditarë të studimit të shkrimit të shenjtë për një mënyrë se si do të përpiqen më me zell ta ndërtojnë themelin e tyre në shkëmbin e Shëlbuesit të tyre.

Helamani 5:14–52

Zoti i mbron Nefin dhe Lehin në burg dhe shumë lamanitë kthehen në besim

Përmblidheni Helamanin 5:14–19 duke shpjeguar se Nefi dhe Lehi e predikuan ungjillin me fuqi të madhe mes nefitëve dhe lamanitëve. Si rrjedhojë, shumë disidentë nefitë u rikthyen në besim. Në Zarahemla dhe zonat përqark saj 8000 lamanitë u pagëzuan.

Kopjojeni në tabelë listën e mëposhtme. Ndajeni klasën në çifte dhe secilit çift kërkojini ta kopjojë listën në një copë letër. Kërkojuni çifteve të punojnë bashkë për të lexuar fragmentet e renditura në listë dhe pastaj të vizatojnë një figurë të thjeshtë ose të shkruajnë një përmbledhje të shkurtër se çfarë përshkruan secili fragment. (Teksa studentët e kopjojnë listën, nxitini të lënë vend të mjaftueshëm nën secilën referencë të shkrimit të shenjtë për figurat ose përmbledhjet e tyre.)

Helamani 5:20–21

Helamani 5:22–25

Helamani 5:26–28

Helamani 5:29–34

Helamani 5:35–41

Helamani 5:42–44

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini studentët t’ia tregojnë shkurtimisht një çifti tjetër studentësh figurat ose përmbledhjet e tyre. Që t’i ndihmoni studentët ta thellojnë kuptimin për këto vargje, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Kur lamanitët u mbuluan prej errësirës, çfarë i nxiti zëri që të bënin? (Shih Helamani 5:29, 32.)

  • Si e përshkruan Helamani 5:30 zërin?

  • Kur i keni ndier ose dëgjuar pëshpëritjet e “[zërit të qetë të] një butësie të përsosur”?

  • Ç’u mësoi Aminadabi vëllezërve të tij të bënin për të shpërndarë errësirën? (Shih Helamani 5:41.)

  • Ç’ndodhi kur lamanitët iu bindën këshillës së Helamanit dhe ushtruan besim te Krishti? (Shih Helamani 5:43–44.)

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 5:44–47, duke kërkuar të gjejnë fjalë që përshkruajnë rrjedhojat e pendimit.

  • Nga këto vargje, çfarë mësoni ju mbi pendimin? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë këtë të vërtetë: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti dhe pendohemi për mëkatet tona, Fryma e Shenjtë do të na e mbushë zemrën me paqe dhe gëzim.)

Përmblidheni Helamanin 5:48–52 duke shpjeguar se lamanitët dhe disidentët nefitë të cilët e përjetuan këtë mrekulli, shkuan dhe u shërbyen njerëzve dhe “pjesa më e madhe e Lamanitëve” u kthyen në besim tek ungjilli.

Nxitini studentët të gjykojnë nëse ndiejnë në këtë kohë paqe dhe gëzim në jetën e tyre. Nëse nuk ndiejnë, ftojini të mendohen se çfarë mund të bëjnë për ta ndërtuar themelin e tyre mbi Jezu Krishtin e për t’i shpërndarë retë e errësirës nga afërsia përreth tyre.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Helamani 5:12

Ftojini studentët të lexojnë Helamanin 5:12. Për t’i ndihmuar që ta mësojnë këtë varg përmendsh, jepuni një fletë letre. Vërini ta shkruajnë vargun në letër duke përdorur vetëm figura dhe shkronja më vete. Për fjalët që të kujtojnë pamje (si shkëmb, themel, erë, breshër dhe furtunë), vërini të vizatojnë figura të thjeshta. Për fjalët që nuk të kujtojnë pamje (si tani dhe e mi), vërini të shkruajnë shkronjat e para të fjalëve. Ftojini studentët të praktikojnë përsëritjen e vargut duke përdorur vetëm figurat dhe germat që kanë vizatuar e shkruar. Gjithashtu mund t’i ftoni që t’i shkëmbejnë letrat me njëri-tjetrin dhe ta përsëritin vargun duke përdorur kujtuesit që kanë vizatuar e shkruar shokët e tyre të klasës. Nxitini studentët t’i marrin fletët e tyre në shtëpi dhe t’i vendosin aty ku do t’i shohin shpesh, që të mund të punojnë për ta mësuar këtë varg përmendsh.

Shënim: Për shkak të kohëzgjatjes së mësimit të sotëm, ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari një ditë tjetër, kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 5:12. Si mund t’u bëjmë ballë “erërave të fuqishme” të kundërshtarit?

Presidenti Spenser W. Kimball na mësoi se duhet të kapemi tek ungjilli i Jezu Krishtit, kur kundërshtari ndërsen forcat e tij kundër nesh:

“Ne, po ashtu, përballemi me forca të fuqishme e shkatërrimtare që ndërsehen nga kundërshtari. Dallgët e mëkatit, ligësisë, pamoralshmërisë, shthurjes, tiranisë, mashtrimit, komplotimit dhe pandershmërisë na kërcënojnë të gjithëve. Ato vijnë me fuqi e shpejtësi të madhe dhe do të na shkatërrojnë, nëse nuk jemi syçelë.

Por bie një zile paralajmërimi për ne. Duhet të jemi vigjilentë e të dëgjojmë me vëmendje dhe t’ia mbathim prej së keqes për jetën tonë të përjetshme. Pa ndihmë nuk mund të qëndrojmë kundër saj . Duhet të arratisemi në terrene të larta ose të kapemi fort tek ai që mund të na ruajë nga spastrimi. Ai ku duhet të kapemi për siguri, është ungjilli i Jezu Krishtit. Ai është mbrojtja jonë prej çfarëdo force që ligësia mund të grumbullojë. Një profet i frymëzuar i Librit të Mormonit e këshilloi popullin e tij: ‘Mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po, shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund’ (Helamani 5:12)” (“Hold Fast to the Iron Rod”, Ensign, nëntor 1978, f. 6).