Biblioteka
Mësimi 150: Ethëri 12:23–41


Mësimi 150

Ethëri 12:23–41

Hyrje

Në lutje të përulur, Moroni shprehu një shqetësim. Ai u shqetësua për dobësinë që perceptoi në të shkruarin e tij dhe në të shkruarin e profetëve të tjerë të Librit të Mormonit. Zoti u përgjigj me një premtim për të forcuar ata që e përulin veten dhe kanë besim tek Ai.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 12:23–41

Moroni jep mësim se besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore janë të domosdoshme për shpëtim

Shkruani fjalën i fortë në një anë të tabelës dhe fjalën i dobët në anën tjetër të tabelës. Jepuni kohë studentëve të përsiatin për ato që ndiejnë se janë pikat e tyre të forta. Pastaj i ftoni të mendojnë rreth disa dobësive apo mangësive të tyre. Kërkojuni të ngrenë duart lart nëse do të donin që dobësitë e tyre të shndërroheshin në pika të forta. Shpjegoni se Moroni dha mësim rreth arsyes përse kemi dobësi dhe si mund t’i kapërcejmë ato.

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 12:23–25. Kërkojini klasës që ta ndjekë, duke gjetur dobësinë që Moroni ndiente se kishin ai dhe shkruesit e tjerë të Librit të Mormonit. Përpara se studentët të lexojnë, ju mund të doni të shpjegoni se fjala Johebrenjtë në këto vargje i referohet njerëzve që do të jetonin në kombe johebrease në ditët e mëvonshme.

  • Për çfarë u shqetësua Moroni se do të ndodhte për shkak të dobësisë së atyre që shkruan Librin e Mormonit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje përgjigjen e Zotit për shqetësimin e Moronit tek Ethëri 12:26–27. Kërkojuni të lexojnë për një arsye përse Perëndia na jep neve dobësi. Vini në dukje se Ethëri 12:27 është fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i nxitni studentët ta shenjojnë këtë fragment në mënyrë të dukshme që të mund ta gjejnë lehtësisht.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë termin dobësi siç është përdorur në këto vargje, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Përpara se të lexohet thënia, kërkojini klasës të dëgjojë për dy llojet e dobësisë që ka përcaktuar Plaku Maksuell.

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Kur lexojmë në shkrimet e shenjta për ‘dobësinë’ e një njeriu, ky term përfshin … dobësinë e trashëguar në gjendjen e përgjithshme njerëzore, në të cilën mishi ka një ndikim të tillë të pareshtur [apo të përhershëm] mbi shpirtin (shih Ethëri 12:28–29). Dobësia po ashtu përfshin, gjithsesi, dobësitë tona të veçanta, vetjake, që ne pritet t’i kapërcejmë (shih DeB 66:3; Jakobi [LiM] 4:7). Jeta ka një mënyrë të të shfaqurit të këtyre dobësive” (Lord, Increase Our Faith [1994], f. 84).

  • Sipas Plakut Maksuell, cilat janë dy llojet e dobësive njerëzore rreth të cilave ne lexojmë në shkrimet e shenjta? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fraza “gjendje e përgjithshme njerëzore” i referohet dobësisë që erdhi si pasojë e Rënies së Adamit dhe Evës, ose, me fjalë të tjera, dobësive që lidhen me “njeriu[n e] natyrshëm” për të cilin flitet te Mosia 3:19.)

Kujtojuni studentëve se shkrimet e shenjta ndonjëherë e tregojnë një parim duke përdorur fjalët në qoftë se dhe atëherë. Fjala në qoftë se paraqet diçka që ne duhet ta bëjmë dhe atëherë paraqet një shpjegim për atë që do të ndodhë si rrjedhim i veprimeve tona. Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Ethërin 12:27, duke parë për parimet “në qoftë se - atëherë” të mësuara në këtë varg. Studentët duhet të gjejnë parimet vijuese (i shkruani në tabelë):

Në qoftë se vijmë te Jezu Krishti, atëherë Ai do të na tregojë dobësitë tona.

Në qoftë se e përulim veten dhe ushtrojmë besim te Zoti, atëherë Ai do të bëjë që gjërat e dobëta të bëhen të forta në ne.

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për ne që të njohim dobësitë tona?

  • Theksoni frazën “vijmë te Jezu Krishti” në parimin e parë. Cilat janë disa gjëra që mund të bëjmë për të “[vajtur] te Jezu Krishti”? (Përgjigjet mund të përfshijnë që ne mund të lutemi, të agjërojmë, të pendohemi, të studiojmë shkrimet e shenjta, të marrim pjesë në adhurimin në tempull, t’u shërbejmë të tjerëve dhe të kërkojmë të zhvillojmë cilësi si të Krishtit. Ju mund të doni të theksoni se në shumë raste, kapërcimi i dobësive do të thotë se, përveç të kërkuarit e ndihmës së Zotit, ne duhet të bëjmë pjesën tonë.)

  • Çfarë nënkupton parimi i dytë se do të ndodhë në qoftë se zgjedhim të mos e përulim veten dhe të mos ushtrojmë besim te Jezu Krishti? (Dobësitë tona do të mbeten për shkak se ne kemi kundërshtuar hirin e Zotit për të na ndihmuar t’i kapërcejmë ato.)

  • Çfarë mendoni se nënkuptohet me frazën “hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë … që përulen para meje”? (Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, mund të keni nevojë të shpjegoni se hiri është një “mjet hyjnor për të ndihmuar apo forcuar, i dhënë nëpërmjet mëshirës dhe dashurisë së bollshme të Jezu Krishtit” dhe i bërë i mundur nëpërmjet Shlyerjes [Bible Dictionary, “Grace”]. Kjo fuqi apo ndihmë aftësuese nuk do të mbarojë kurrë – pavarësisht se sa shumë njerëz e përdorin.)

Ftojini studentët të tregojnë përvoja që kanë pasur kur Zoti i ka ndihmuar ata (ose dikë që njohin) për të kapërcyer një dobësi. (Kujtojuni studentëve që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo brendshme.) Ju gjithashtu mund të doni të tregoni një përvojë tuajën.

Për të nxitur zbatimin e parimeve të dhëna mësim tek Ethëri 12:27, shkruani frazat vijuese në tabelë:

1. Njoh dobësinë time  2. Përul veten 3. Ushtroj besim te Jezu Krishti

Ftojini studentët t’i shkruajnë këto fraza në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Nën frazat e duhura, ftojini të shkruajnë 1) një dobësi që mendojnë se e kanë, 2) mënyrën se si mund ta përulin veten dhe 3) mënyrën se si mund të ushtrojnë besim te Jezu Krishti, që ata të mund të marrin ndihmën ose hirin e Tij për të kapërcyer dobësitë që kanë vënë në listë. Sigurojini studentët që, ndërsa vazhdojnë deri në fund me ato që kanë shkruar, Zoti do “të bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:26, 28, duke kërkuar mënyrën se si Zoti iu përgjigj më tej shqetësimeve të Moronit rreth dobësisë së tij.

Theksoni thënien “Të marrët tallen, por ata do të vajtojnë” (Ethëri 12:26).

  • Bazuar në atë që kemi studiuar sot, përse mendoni se është marrëzi të tallesh me dobësitë e të tjerëve?

Theksoni se Ethëri 12:26 përmend përulësinë. (Ju mund të doni të shpjegoni se të jesh i përulur do të thotë të jesh kokulur e i mësueshëm dhe të jesh i durueshëm në kohë vuajtjesh.)

  • Përse mendoni se kemi nevojë të jemi të përulur me qëllim që të anashkalojmë dobësitë e të tjerëve?

Përpara se të vazhdoni, theksoni se, në qoftë se jemi të përulur, ne mund të marrim hirin e Zotit për të na ndihmuar të anashkalojmë dobësitë e të tjerëve.

Përmblidhni Ethërin 12:29–32 duke shpjeguar se Moroni dha mësim rreth rëndësisë së të ushtruarit besim dhe pasjes së shpresës dhe dashuri hyjnore. Ju mund të doni të shpjegoni se “dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:33–35, duke kërkuar arsye përse është e rëndësishme të ushtrojmë dashuri hyjnore kur përballemi me dobësitë e të tjerëve.

  • Sipas Ethërit 12:34, cila është pasoja me të cilën do të përballemi në qoftë se nuk kemi dashuri hyjnore?

Për të përfunduar, ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 12:38–41. Kërkojuni të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që po bëjnë për t’iu përgjigjur ftesës së shkruar tek Ethëri 12:41 – “Kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt”.

Dëshmoni se, ndërsa e përulim veten dhe ushtrojmë besim te Jezu Krishti, Ai do “të bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në [ne]” (Ethëri 12:27). Nxitini studentët të vazhdojnë deri në fund me planet që kanë shkruar. Ju mund të doni gjithashtu t’i nxitni të kërkojnë ndihmën e Zotit në ushtrimin e dashurisë hyjnore kur përballen me dobësitë e të tjerëve.

Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Ethëri 12:27

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë përmendsh Ethërin 12:27, shkruani fjalët vijuese në tabelë dhe ftojini studentët t’i kopjojnë në një copë letër:

Në qoftë se … vijnë … tregoj … dobësinë … jap … dobësi … të përulur … hiri … të gjithë njerëzit … përulen … në qoftë se … përulen … besim … e dobëta … të forta.

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Ethërin 12:27, duke vënë re këto fjalë. Pastaj ftojini të përsëritin sa më shumë që munden nga vargu, duke parë vetëm te fjalët në letrat e tyre. Nxitini studentët ta vendosin copën e letrës diku që do ta gjejnë më vonë sot apo nesër (për shembull, në një xhep apo në shkrimet e tyre të shenjta). Ftojini të përsëritin Ethërin 12:27 kurdo që e shohin copën e letrës gjersa ta kenë mësuar fragmentin përmendsh.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Ethëri 12:27. “Unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre”

Plaku Brus C. Hejfën, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi se përpjekja jonë për t’i kapërcyer dobësitë është qendrore në qëllimin tonë këtu në tokë:

“Plani i Atit tonë na vë përpara tundimit dhe mjerimit në këtë botë të rënë. …

Kështu, në qoftë se keni probleme në jetën tuaj, mos mendoni se ka diçka që nuk shkon me ju. Përpjekja me ato probleme është në qendër të qëllimit të jetës. Ndërsa i afrohemi Perëndisë, Ai do të na i tregojë dobësitë tona dhe nëpërmjet tyre do të na bëjë më të urtë, më të fortë. Nëse po shihni më shumë nga dobësitë tuaja, kjo thjesht mund të tregojë se po shkoni më afër Perëndisë, jo më larg” (“The Atonement: All for All”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 97).

Historia e mëposhtme është rreth një të riu që përjetoi një plotësim të premtimit të Zotit tek Ethëri 12:27:

Të gjithë të rinjtë në Kishë nxiten të plotësojnë objektiva nëpërmjet programit Detyrë ndaj Perëndisë dhe, në disa zona, programit të skautizmit. Prindërit e Xhonathan Perezit qenë të zënë duke siguruar të ardhura për familjen e tij të madhe dhe miqtë i përqeshnin përpjekjet e tij për të arritur gradën e Shqiponjës në programin e skautizmit. Me gjithë këto vështirësi, Xhonathani vendosi një objektiv dhe shkoi të punonte. Me kohë dhe me ndihmën e mbështetjen e udhëheqësve të tij të Të Rinjve, ai e arriti objektivin e tij. Ai shkroi: “Kjo përvojë më mësoi se, pavarësisht nga pengesat apo sfidat që dalin në udhën time, Zoti do të më ndihmojë të kapërcej mangësitë dhe dobësitë e mia (Ethëri 12:27). Nuk ka rëndësi nga çfarë tradite vijmë apo nëse jemi të pasur ose të varfër. Ne mund t’i arrijmë objektivat tona sepse kemi Zotin në anën tonë” (Jonathan Perez, “An Honor Earned”, New Era, nëntor 2007, f. 45).