Biblioteka
Mësimi 19: 1 Nefi 18


Mësimi 19

1 Nefi 18

Hyrje

Duke ndjekur drejtimin e Zotit, Nefi dhe të tjerët përfunduan së ndërtuari anijen dhe u nisën për në tokën e premtuar. Gjatë udhëtimit të tyre, Lamani dhe Lemueli, dhe bijtë e Ishmaelit, si dhe gratë e tyre u rebeluan kundër Zotit. Kur Nefi i qortoi ata, Lamani dhe Lemueli e lidhën atë me litarë. Për pasojë, Liahona pushoi së punuari dhe ata nuk qenë në gjendje të përcaktonin se nga cila anë ta drejtonin anijen. Kur një stuhi e madhe kërcënoi jetën e gjithsecilit në anije, ata u penduan dhe e liruan Nefin. Nefi u lut që ta qetësonte stuhinë dhe Zoti e drejtoi sërish udhëtimin e tyre për në tokën e premtuar.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 18:1–8

Familja e Lehit përgatitet për të lundruar për në tokën e premtuar

Shkruani fuqia e Zotit dhe përpjekja ime në tabelë. Kërkojuni studentëve të mendojnë për një problem që po përjetojnë. Ftojini ata të zgjedhin se cila (fuqia e Zotit apo përpjekja e tyre) mund të jetë më e efektshme për zgjidhjen e problemit dhe kërkojuni të shpjegojnë arsyen. Pas një diskutimi të shkurtër, ftojini studentët të kërkojnë mënyra se si shembulli i Nefit te 1 Nefi 18 mund t’i ndihmojë ata t’i përballojnë sfidat që hasin.

Pamja
Lehi dhe Njerëzit e Tij Arrijnë në Tokën e Premtuar

Paraqitni figurën Lehi dhe Njerëzit e Tij Arrijnë në Tokën e Premtuar (62045; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 71).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefi 18:1–8. Kërkojuni atyre të gjejnë 1) çfarë bëri Nefi dhe familja e tij për t’u përgatitur për udhëtimin e tyre për në tokën e premtuar dhe 2) çfarë bëri Zoti për t’u ardhur në ndihmë atyre.

  • Përse mendoni se është domethënëse që Nefi mori zbulesë “herë pas here”?

  • Te 1 Nefi 18:2–3, çfarë marrëdhënie shihni mes veprimeve të Nefit dhe ndihmës që ai mori nga Zoti?

  • Si qenë udhëzimi i Zotit dhe vetë përpjekjet e Nefit të dyja thelbësore për përfundimin e anijes dhe kryerjen e udhëtimit për në tokën e premtuar?

Kërkojuni studentëve të përmbledhin disa parime që mund të mësojmë nga shembulli i Nefit. Pasi studentët të kenë pasur mundësi t’i dallojnë të vërtetat që kanë mësuar, shkruajeni parimin vijues në tabelë: Në mënyrë që të plotësojmë atë që Zoti urdhëron, ne duhet të kërkojmë ndihmën e Tij dhe të vëmë në punë përpjekjet tona vetjake.

  • Kur keni marrë udhëzim apo drejtim nga Zoti dhe gjithashtu u desh të vinit në punë përpjekjet tuaja vetjake në mënyrë që të mbani një prej urdhërimeve të Tij?

Ftojini studentët të shënojnë përgjigjet e njëri-tjetrit për pyetjen e mësipërme në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës.

Vini në dukje se ne të gjithë kemi nevojë për ndihmën e Perëndisë që t’u bindemi urdhërimeve të Tij dhe që të ndjekim standardet e ungjillit të përvijuara te broshura Për Forcën e Rinisë. (Ju mund të dëshironi të merrni dhe të shqyrtoni një kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë përpara se të fillojë ora mësimore.) Nxitini studentët të dallojnë një urdhërim ose standard të ungjillit për të cilin u duhet posaçërisht ndihma e Perëndisë për t’u bindur. Jepuni atyre kohë për të shkruar në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth 1) asaj që ata mund të bëjnë për të kërkuar ndihmën e Zotit që t’i binden atij dhe 2) çfarë përpjekjesh vetjake u duhet të bëjnë për t’iu bindur.

1 Nefi 18:9–25

Lamani dhe Lemueli udhëhoqën një rebelim që e pengon udhëtimin për në tokën e premtuar

Bëni pyetjen e mëposhtme:

  • Cilat mendoni se janë disa arsye përse ne përjetojmë vështirësi?

Pas disa diskutimeve, ftojeni një student të lexojë deklarimin vijues nga Plaku L. Uitni Klejton, i Të Shtatëdhjetëve. Kërkojini klasës të dëgjojë për të gjetur tri arsye që dha Plaku Klejton për vështirësitë që ne përjetojmë:

“Në një kuptim të përgjithshëm, barrat tona vijnë nga tre burime. [1] Disa barra janë fryt normal i kushteve të botës në të cilën jetojmë. Sëmundje, paaftësi fizike, uraganet dhe tërmetet ngjasin herë pas here pa ndonjë faj tonin. …

[2] Barra të tjera na ngarkohen nga sjellja e keqe e të tjerëve. Abuzimi dhe varësitë mund ta bëjnë shtëpinë çdo gjë përveçse një qiell mbi tokë për anëtarët e pafajshëm të familjes. Mëkati, traditat e gabuara, shtypja dhe krimi shpërndajnë viktima të ngarkuara me barra nëpër shtigjet e jetës. …

[3] Vetë gabimet e të metat tona shkaktojnë shumë prej problemeve tona dhe vendosin barra të rënda mbi vetë shpatullat tona. Barra më e vështirë që ne ia ngarkojmë vetes, është barra e mëkatit” (“Që Barrat Tuaja të Jenë të Lehta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 12–13).

Shkruani në tabelë 1) kushtet e botës, 2) sjellja e keqe e të tjerëve dhe 3) vetë gabimet e të metat tona.

Shpjegoni se pasi familja e Lehit u nis për në udhëtimin e tyre në oqean, Lamani, Lemueli dhe të tjerë bënë zgjedhje të gabuara që dhanë si rezultat vështirësi për të gjithë në anije. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 18:9. Nxitini studentët t’i ngrenë duart kur të dëgjojnë një shembull të dikujt që po bën një zgjedhje të gabuar.

  • Çfarë zgjedhjeje të gabuar bënë Lamani, Lemueli, bijtë e Ishmaelit dhe gratë e tyre? Përse ishte e gabuar ajo?

Ndihmojini studentët të kuptojnë se nuk është e gabuar të vallëzosh, të dëgjosh muzikë ose të zbavitesh, por ky varg tregon se Lamani, Lemueli dhe të tjerët i bënë këto gjëra “me shumë ashpërsi” (1 Nefi 18:9). Shpjegoni se në këtë kontekst fjala ashpërsi lidhet me të qenit harbut ose i vrazhdë. Kundërshtari mund ta përdorë vallëzimin, muzikën dhe mënyrën si flasim për t’i korruptuar zemrat e mendjet tona dhe për të na shkaktuar humbjen e shoqërimit të Frymës së Shenjtë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 18:10.

  • Sipas vargut te 1 Nefi 18:10, për çfarë frikësohej Nefi se do të ndodhte nëse ata që qenë rebeluar nuk pendoheshin?

  • Çfarë bëri Nefi që të përpiqej t’i ndihmonte? (Studentëve mund t’u vijë në ndihmë të dinë se fjala urtësi do të thotë seriozitet.)

Ftojini studentët të mendojnë se si do të reagonin nëse një pjesëtar i familjes apo udhëheqës i Kishës do t’u kërkonte të ndryshonin muzikën që dëgjojnë, mënyrën si kërcejnë ose mënyrën se si flasin. Nxitini ata të përsiatin nëse do të ishin të gatshëm të dëgjonin e të ndryshonin.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë te 1 Nefi 18:11.

  • Sipas vargut te 1 Nefi 18:10–11, si reaguan Lamani dhe Lemueli ndaj këshillës së Nefit?

  • Përse i lejoi Zoti Lamanin dhe Lemuelin që ta lidhnin Nefin?

Ftoni disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë vargjet te 1 Nefi 18:12–14, 17–19. Kërkojuni studentëve të gjejnë fjalë dhe fraza që tregojnë pasojat e sjelljes së Lamanit dhe Lemuelit. Ftojini studentët të përcaktojnë parimet e ungjillit që mund të mësojnë nga ky tregim. Një përgjigje mund të jetë që mëkati çon në vuajtje vetjake por ndonjëherë edhe për të tjerët gjithashtu. Për t’i ndihmuar studentët që ta zbatojnë këtë parim, ju mund të bëni pyetje të tilla si:

  • Si ndikuan veprimet rebeluese të pak vetave tek i gjithë grupi?

  • Si mund ta pengojnë aftësinë tonë për të marrë zbulesë zgjedhjet jo të urta ose rebele?

Si pjesë e këtij diskutimi, merrni parasysh të lexoni deklarimin e mëposhtëm nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ne kemi parë modele të nderimit dhe të mungesës së nderimit në Kishë. Ndërkohë që shumë janë për t’u lavdëruar, ne po shkasim nga të treguarit nderim. Kemi arsye për të qenë thellësisht të shqetësuar.

Bota sa vjen e bëhet më e zhurmshme. Veshja, paraqitja dhe sjellja janë më të lëshuara, më të shkujdesura dhe më të çrregullta. Muzika e ashpër … me tekste të pahijshme buçet përmes përforcuesve. … Variante të këtyre gjërave po fitojnë pranueshmëri dhe ndikim të gjerë mbi rininë tonë. …

Kjo prirje për më shumë zhurmë, më shumë emocion, më shumë grindje, më pak vetëpërmbajtje, më pak dinjitet, më pak formalitet nuk është rastësore, as e pafajshme dhe as e padëmshme.

Rregulli i parë i lëshuar nga një komandant që fillon një ndërhyrje ushtarake, është bllokimi i kanaleve të komunikimit të atyre që synon t’i mposhtë.

Mungesa e nderimit i përshtatet qëllimit të kundërshtarit duke i shkatërruar kanalet delikate të zbulesës edhe në mendje edhe në shpirt” (“Reverence Invites Revelation”, Ensign, nëntor 1991, f. 22).

  • Nëse ju do të bëheshit rebelë dhe të pabindur, si do të ndikonte kjo te familja juaj? Si do të ndikonte kjo te miqtë tuaj? Si mund të ndikonte kjo te klasa ose kuorumi juaj?

Drejtojuni sërish tri burimeve të vështirësive të renditura në tabelë. Shpjegoni se pjesa tjetër e këtij kapitulli mund të na ndihmojë të mësojmë se si duhet të reagojmë kur vijnë vështirësitë, qoftë nëse vijnë si pasojë e zgjedhjeve tona vetjake apo e zgjedhjeve të të tjerëve. Ftojini studentët të lexojnë veçan 1 Nefin 18:15–16, 20–23. Nxitini ata të kërkojnë të vërteta që mund të zbatohen për secilën situatë. Bëjini ata të thonë me vetë fjalët e tyre atë që mësojnë. Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë sa vijon:

  • Ne mund të shikojmë te Perëndia dhe të mbetemi besnikë gjatë sprovave tona.

  • Lutja mund të na ndihmojë të gjejmë paqe gjatë sprovave tona.

Ndërsa studentët japin idetë e tyre, sigurohuni që të theksoni shembullin e drejtë të Nefit gjatë kohës së sprovës së tij. Ftojeni një student të lexojë dëshminë vijuese nga Plaku L. Uitni Klejton. Bëjeni klasën të dallojë se çfarë na këshilloi të bëjmë Plaku Klejton kur përballemi me sprova:

“Pavarësisht barrave që hasim në jetë si pasojë e kushteve natyrore, sjelljes së keqe të të tjerëve ose vetë gabimeve e të metave tona, ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati Qiellor të dashur që na dërgoi në tokë si pjesë e planit të Tij të përjetshëm për rritjen e përparimin tonë. Përvojat tona vetjake unikale mund të na ndihmojnë të përgatitemi që të kthehemi tek Ai. … Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi për t’i mbajtur ‘mirë’ barrat tona [shih DeB 121:7–8]. …

… E di se kur mbajmë urdhërimet e Perëndisë dhe besëlidhjet tona, Ai na ndihmon për barrat tona. Ai na forcon. Kur pendohemi, Ai na fal dhe na bekon me paqe të ndërgjegjes e gëzim” (“Që Barrat Tuaja të Jenë të Lehta”, f. 13–14).

Ftojini studentët të mendojnë rreth njërës prej të vërtetave që kanë përvetësuar nga ky mësim.

  • Kur e keni parë këtë të vërtetë në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që njihni?

Ju mund të dëshironi të shtoni dëshminë tuaj që Perëndia mund të na ndihmojë gjatë sprovave tona ndërsa jemi besnikë dhe ndërsa pendohemi e kthehemi tek Ai.

Për ta mbyllur, kujtojuni studentëve që pavarësisht vështirësive që hasi Nefi dhe familja e tij, ata përfundimisht arritën në tokën e premtuar. Dëshmoni se teksa kërkojmë drejtimin e Zotit dhe punojmë zellshëm për ta ndjekur atë, edhe ne mund ta përfundojmë me sukses udhëtimin që Zoti na ka dërguar të përjetojmë në tokë.