Biblioteka
Mësimi 102: Alma 49–51


Mësimi 102

Alma 49–51

Hyrje

Përgatitjet e Moronit për mbrojtje qenë thelbësore për mbrojtjen e nefitëve kundër armiqve të tyre. Nefitët ishin të suksesshëm në mbrojtjen e vetes kundër lamanitëve, derisa rebelimi dhe ligësia brenda vetë popullit filloi t’i dobësonte ata. Moriantoni dhe njerëzit e mbretit kërkuan ndarje dhe nxitën grindje mes popullit. Moroni u përpoq ta eliminonte ndasinë e grindjen dhe të vendoste paqe.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 49; 50:1–24

Nefitët ndërtojnë fortesa, përparojnë dhe ruajnë liritë e tyre

Lexojani skenarin vijues klasës tuaj dhe bëni pyetjet përkatëse (ose krijoni vetë skenarin dhe grupin tuaj të pyetjeve):

Një i ri po ndihej i lodhur, por nuk donte të shkonte në shtrat, prandaj filloi të kërkonte në internet. Ai u gjend i joshur për të vizituar faqe interneti që përmbanin pamje pornografike.

  • Çfarë përgatitjesh mund të kishte bërë ky i ri për ta shmangur këtë tundim?

  • Çfarë mund të bëjë ai për ta shmangur tundimin në të ardhmen?

Shpjegojuni studentëve se, ndërsa studiojnë Almën 49–51, ata mund të kërkojnë se si përgatitjet që bëri kapiten Moroni kundër lamanitëve, mund të krahasohen me përgatitjet që ne duhet të bëjmë kundër tundimeve të Satanit sot.

Shpjegoni se, ndërkohë që Amalikia po nxiste ushtrinë lamanite për të shkuar në luftë, kapiten Moroni po fortifikonte qytetet e nefitëve. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 49:1, 6–7. Kërkojuni atyre të marrin parasysh mënyrën se si përgatitjet e kapiten Moronit për t’u bërë ballë lamanitëve mund të krahasohen me nevojën tonë për t’u përgatitur për sulmet e Satanit ndaj nesh. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 49:2–4; 50:1–6 duke kërkuar mënyra se si nefitët u përgatitën për sulmet e ardhshme të lamanitëve.

  • Nëse do të kishit qenë një ushtar lamanit, si mund të ishit ndier kur t’i shihnit këto fortifikime për herë të parë?

Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 49:8–12. Kërkojini klasës që t’i ndjekë ata, duke parë për mënyrën se si lamanitët iu përgjigjën përgatitjeve të nefitëve.

  • Çfarë bënë lamanitët kur panë se Amoniha ishte fortifikuar? (Ata u tërhoqën.)

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Presidenti Xhejms Faust, i Presidencës së Parë:

“Satani është armiku ynë më i madh dhe punon natë e ditë për të na shkatërruar. Por ne nuk duhet të paralizohemi nga frika e fuqisë së Satanit. Ai nuk mund të ketë fuqi mbi ne, vetëm po qe se e lejojmë këtë. Ai është me të vërtetë burracak dhe nëse qëndrojmë të palëkundur, ai do të tërhiqet” (“Be Not Afraid”, Ensign, tetor 2002, f. 4).

Ftoni disa studentë të lexojnë me zë të lartë sipas radhës nga Alma 49:18–20, 23. Kërkojini klasës që t’i ndjekë ata dhe të marrë parasysh se si mund t’i përdorim përgatitjet e nefitëve për luftë si model për të na ndihmuar të përgatitemi për luftërat tona shpirtërore kundër Satanit.

  • Kapiten Moroni punoi për t’i mbrojtur nefitët kundër lamanitëve. Në ç’mënyrë punojnë udhëheqësit tanë për të na mbrojtur dhe ruajtur kundrejt kundërshtarit?

  • Çfarë mund të bëjmë për të ndërtuar mure të larta shpirtërore kundër tundimeve të Satanit? (Përgjigjet mund të përfshijnë lutje kuptimplote të përditshme, studim të përditshëm të shkrimeve të shenjta, pjesëmarrje të rregullt në Kishë, shërbim ndaj të tjerëve dhe agjërim.)

Merrni parasysh të ftoni studentë për t’iu përgjigjur pyetjeve në vijim në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore.)

  • Si do t’i përshkruanit përpjekjet tuaja të përditshme për të forcuar muret tuaja shpirtërore të mbrojtjes?

  • Përzgjidhni një gjë që po bëni për ta forcuar veten shpirtërisht ose një gjë që nuk po bëni. Çfarë mund të bënit për ta rritur efektshmërinë e asaj veprimtarie që të forcoheni kundër të ligës?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 49:28–30. Kërkojini klasës të përcaktojë se kush, përveç Moronit, po punonte për t’i mbrojtur nefitët kundër lamanitëve. Theksoni se, duke i ndihmuar nefitët të qëndronin të drejtë, Helamani dhe vëllezërit e tij po i ndihmonin ata të merrnin bekimet dhe mbrojtjen e Zotit.

Jepuni studentëve kohë për të studiuar Almën 50:10–12. Më pas vërini të diskutojnë mbi skenarët e mëposhtëm me një shok klase. (Nëse është e mundur, përgatitni një fletushkë me skenarët përpara se të fillojë ora mësimore. Nëse kjo nuk është e mundur, lexojini skenarët një e nga një, duke lejuar kohë të mjaftueshme për diskutimin e secilit.)

  1. Moroni “i veçoi të gjitha fortesat e Lamanitëve”. Si mundet një e re të “veço[het]” nga një situatë thashethemesh, kur mblidhet bashkë me miqtë e saj për drekë?

  2. Moroni fortifikoi një vijë, ose kufi, midis nefitëve dhe lamanitëve. Si mundet një i ri dhe e re ta fortifikojnë vijën midis mbajtjes së ligjit të dëlirësisë dhe kalimit në imoralitet?

  3. Ushtritë e Moronit ndërtuan fortifikime për ta ruajtur popullin e tij kundër armiqve të tyre. Një i ri e pranon që ka kaluar shumë kohë duke përdorur rrjete shoqërore (në internet ose përmes shkëmbimit të mesazheve nga celulari). Kjo sjellje duket se e pakëson interesimin e tij për familjarët e afërt dhe ai i shpërfill përgjegjësitë e tij në shtëpi. Çfarë mund të bëjë ai për t’i fortifikuar dhe ruajtur marrëdhëniet e tij me familjen e tij?

Ftoni disa studentë të përmbledhin atë që kanë mësuar nga veprimet e kapiten Moronit për mënyrën se si ne mund ta mbrojmë veten kundrejt sulmeve të kundërshtarit. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se, nëse e përgatitim veten, ne mund t’u bëjmë ballë sulmeve (tundimeve) të kundërshtarit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 50:1. Pyetni klasën:

  • Duke pasur parasysh suksesin e përgatitjeve të kapiten Moronit, çfarë pikëpamjesh të tjera mund të mësojmë nga ky varg? (Moroni “nuk i ndaloi” përgatitjet; ai vazhdoi t’i forconte mbrojtjet e tij, edhe kur dukej se nuk kishte kërcënim të afërt.)

Për t’i ndihmuar studentët të vlerësojnë nevojën për fortifikim të vazhdueshëm shpirtëror, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Henri Ajring, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“Ndërkohë që forcat përreth nesh rriten në intensitet, çfarëdo force shpirtërore që dikur ishte e mjaftueshme, nuk do të jetë më e tillë. Dhe çfarëdo rritjeje në forcë shpirtërore që dikur e menduam se ishte e mundur, rritje më e madhe do të bëhet e mundësuar për ne. Si nevoja për forcë shpirtërore, ashtu edhe mundësia për ta siguruar atë, do të rriten me ritme që ne i nënvlerësojmë për rrezikun tonë” (“Always”, Ensign, tetor 1999, f. 9).

Shkruani sa vijon në tabelë:

Do të përgatitem t’i bëj ballë tundimit përmes …

Do të qëndroj i palëkundur kur …

Ftojini studentët që t’i plotësojnë këto shprehje në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Pasi studentët të kenë përfunduar së shkruari, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 50:10–12.)

“Është më mirë të përgatitesh dhe të parandalosh sesa është të ndreqësh dhe të pendohesh” (The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 285).

  • Përse mendoni se kjo thënie është e vërtetë? Kur keni parë një shembull të parimit që ju mëson kjo thënie?

Shpjegoni se përgatitja e nefitëve i çoi ata në disa vite begatie dhe paqeje të madhe. Vini në dukje se, ndërsa Amalikia mallkoi Perëndinë ngaqë u mund, nefitët “falënder[uan] Zotin, Perëndinë e tyre” (Alma 49:28).

Ftojini studentët të përfytyrojnë sikur kanë një mik i cili jeton në një zonë ku lufta është e shfrenuar. Ai ndien se është e pamundur të gjesh paqe dhe lumturi për shkak të pështjellimit të madh përreth tij. Shkruani referencën vijuese të shkrimit të shenjtë në tabelë: Alma 50:18–23. Ftojini studentët ta lexojnë këtë fragment dhe të krijojnë një përgjigje që mund t’ia japin mikut të tyre. Kërkojuni disa studentëve të tregojnë atë që do të thoshin. Një e vërtetë që ata mund të përfshijnë në përgjigjet e tyre është se besnikëria ndaj Perëndisë sjell lumturi, edhe mes trazirës. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.) Ndihmojini studentët të kuptojnë se kjo e vërtetë nuk zbatohet vetëm për luftën, por edhe për sfida vetjake, të tilla si pengesat financiare, humbja e punës, vdekja e një personi të dashur, marrëdhënie të trazuara me pjesëtarët e familjes dhe katastrofa natyrore.

  • Sipas Almës 50:18–23, përse nefitët po kalonin një periudhë lumturie?

  • Kur e keni ndier Zotin t’i shtrijë fuqinë dhe bekimet e Tij ndaj jush për [shkak të] qenies të bindur dhe për fortifikimin e vetes kundër tundimit?

  • Kur ju ka bekuar Zoti ju ose dikë që njihni me begati, paqe dhe lumturi në mes të kohëve të vështira? (Pasi studentët të jenë përgjigjur, merrni parasysh që të ndani një shembull nga jeta juaj.)

Alma 50:25–40; 51

Mbrojtjet nefite dobësohen dhe Moroni ballafaqohet me rebelimin mes popullit të tij

(Shënim: Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e mësimit deri këtu, mund t’ju duhet ta përmblidhni shkurtimisht pjesën e mbetur të materialit. Nëse e bëni këtë, shpjegoni se Alma 50:25–40 përmban rrëfimin e rebelimit dhe vdekjes së Moriantonin dhe caktimin e Pahoranit si kryegjykatës. Alma 51 tregon për një grup të quajtur njerëz të mbretit, të cilët u përpoqën ta ndryshonin ligjin për ta lejuar një mbret të sundonte mbi nefitët. Ata dështuan në përpjekjen e tyre. Në zemërimin e tyre për këtë dështim, njerëzit e mbretit refuzuan të merrnin armët kur Amalikia dhe lamanitët erdhën në luftë kundër nefitëve. Sipas ligjit, Moroni u kërkoi të merrnin armët ose do të ndëshkoheshin. Ushtria e Amalikias pushtoi shumë qytete nefite dhe vrau shumë nefitë. Kur Amalikia kërkoi të pushtonte vendin Begati, ai u takua nga Teankumi dhe ushtria e tij. Teankumi e vrau Amalikian dhe e pengoi përparimin e ushtrisë lamanite.)

Shkruani thënien vijuese në tabelë: Të bashkuar ia dalim; të ndarë dështojmë.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 50:25–26, duke kërkuar fjalë në secilin varg që përshkruajnë arsyen për ndarjen mes nefitëve.

  • Çfarë e shkaktoi ndarjen mes popullit?

Përmblidhni pjesën e mbetur të Almës 50, duke shpjeguar se Moriantoni dhe njerëzit e tij u përpoqën të largoheshin nga nefitët dhe të arratiseshin për në tokën drejt veriut. Moroni pati frikë se kjo ndarje do të çonte në humbjen e lirisë për nefitët. Ai dërgoi një ushtri, të drejtuar nga një njeri i quajtur Teankum, për t’i ndaluar njerëzit e Moriantonit të largoheshin. Ushtria e Teankumit i ndaloi njerëzit e Moriantonit të mbërrinin në pikëndalimin e tyre dhe Moriantoni u vra. Pjesa e mbetur e popullit të tij “bë[ri] besëlidhje për të mbajtur paqen” (Alma 50:36). Pak pas rebelimit të Moriantonit, u zhvillua një ndarje e rrezikshme politike mes popullit të Nefit. Disa prej nefitëve dëshiruan ta hiqnin Pahoranin nga froni i gjykimit dhe ta zëvendësonin me një mbret. Pjesa tjetër e popullit dëshiroi të mbante sistemin e vet qeverisës të gjykatësve.

Ftojini studentët të hetojnë Almën 51:5–6 për emrat e këtyre dy grupeve kundërshtare (njerëz të mbretit dhe njerëz të lirë). Jepuni studentëve një çast për të përcaktuar tek Alma 51:8 arsyet e njerëzve të mbretit.

Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Ndarja dhe grindja e shkatërrojnë paqen tonë.

  • Si paraqitet ky parim te rrëfimet e ndarjes dhe të grindjes, të shënuara tek Alma 50 dhe 51?

  • Çfarë mund të bënit në familjen tuaj, mes miqve tuaj ose në komunitetin tuaj për ta zgjidhur grindjen?

  • Kur i keni parë bekimet që vijnë nga uniteti të forcojnë një familje ose një kuorum apo klasë?

Dëshmoni për ato të vërteta që ndieni mbresa për t’i vënë në pah. Kujtojuni studentëve se mësimet e tjera të mbetura do t’iu japin atyre më shumë mundësi për të përcaktuar parimet dhe për të nxjerrë mësime nga lufta midis nefitëve dhe lamanitëve.