Biblioteka
Mësimi 143: Ethëri 1


Mësimi 143

Ethëri 1

Hyrje

Moroni përmblodhi librin e Ethërit nga 24 fletë të arta që u gjetën nga grupi i kërkimit dërguar prej Limhit (shih Mosia 8:7–11). Këto fletë përmbanin historinë e popullit jaredit. Tregimi për jareditët fillon me Jaredin dhe vëllanë e tij duke kërkuar dhembshurinë dhe drejtimin e Zotit për familjet dhe miqtë e tyre kur Zoti ngatërroi gjuhët e njerëzve në Kullën e Babelit (shih Zanafilla 11). Ngaqë vëllai i Jaredit iu lut besnikërisht Zotit, Zoti e ruajti gjuhën e Jaredit, vëllait të tij dhe të familjeve dhe miqve të tyre. Zoti deklaroi se Ai do t’i çonte në tokën e premtuar, ku ata do të mund të bëheshin një komb i madh.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 1:1–32

Moroni shënon gjenealogjinë e Ethërit prapa deri te Jaredi në Kullën e Babelit

Për t’i ndihmuar studentët të kujtojnë prej nga erdhi libri i Ethërit, rishikoni me ta përmbledhjen e udhëtimeve te Mosia 7–24 në shtojcën e këtij manuali. Kërkojuni atyre t’i referohen udhëtimit 4: përpjekje për të gjetur Zarahemlën. Pastaj i ftoni të kërkojnë se çka gjetën njerëzit e Limhit në këtë udhëtim. Pastaj u kërkoni të drejtohen te faqja e parë e librit të Ethërit. Përmbledhja poshtë titullit shpjegon se libri i Ethërit ishte marrë nga 24 fletët që u gjendën nga populli i Limhit.

Pamja
udhëtime te Mosia 7–24

Shpjegoni se, pasi mbaroi analin e babait të tij, Moroni shkroi një përmbledhje, apo një variant të shkurtuar, të analit që gjendet në 24 fletët e arta. Ky anal përmbante historinë e jareditëve, të cilët jetonin në kontinentin amerikan përpara nefitëve dhe lamanitëve. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Ethërin 1:1–5, duke parë për atë që Moroni zgjodhi të përfshinte në përmbledhjen e tij të analit jaredit. Kërkojuni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë.

Nëse ju ndodhet një pikturë e Kullës së Babelit, merrni parasysh ta paraqitni. Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që dinë rreth kullës që përmendet tek Ethëri 1:5 dhe çfarë u ndodhi atyre që u përpoqën ta ndërtonin. (Ajo u quajt Kulla e Babelit. Zoti e ngatërroi gjuhën e njerëzve që u përpoqën ta ndërtonin dhe i shpërndau për shkak të ligësisë së tyre; shih Zanafilla 11:1–9.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë lidhjen midis historisë së jareditëve dhe historisë së nefitëve, ju mund të doni t’i vini ata t’i referohen kronologjisë te libërshenjuesi i Librit të Mormonit (materiali numër 32336). Shpjegoni se Moroni e filloi rrëfimin e tij për historinë jaredite duke shkruar prejardhjen e profetit Ethër, i cili e shkroi historinë në 24 fletët e arta. Moroni shkroi prejardhjen e Ethërit prapa deri te një burrë i quajtur Jared, i cili jetoi gjatë kohës së Kullës së Babelit.

Ethëri 1:33–43

Nëpërmjet lutjeve të vëllait të Jaredit, familja dhe miqtë e tij marrin mëshirë dhe drejtim

I pyetni studentët nëse ndonjëri prej tyre ka qenë ndonjëherë në një vend ku nuk mund ta kuptonte gjuhën që flisnin njerëzit përreth tij. Ftojini të tregojnë se si u ndien në atë situatë. Pastaj i kërkoni të përfytyrojnë se si mund të ketë qenë ndjesia te njerëzit përreth Kullës së Babelit kur kuptuan se gjuha e secilit po ngatërrohej. Kërkojuni të përsiatin në heshtje për pyetjet vijuese:

  • Nëse do të ishit në atë situatë, me kë do ta ndienit më shumë mungesën e komunikimit? Përse?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 1:33–34. Përpara se të lexojnë, kërkojuni të shohin 1) me cilin donte të mund të komunikonte Jaredi dhe 2) si propozoi ai që të zgjidhej problemi. (Ai donte të ishte në gjendje të komunikonte me familjen e tij dhe i kërkoi vëllait të tij të lutej që gjuha e tyre të mos ngatërrohej.) Pasi studentët të raportojnë atë që kanë zbuluar, pyetni:

  • Çfarë do të thotë për ju fraza “lute Zotin”?

  • Nga Ethëri 1:33–34, çfarë mësoni rreth asaj se si u ndje Jaredi lidhur me vëllanë e tij dhe lidhur me lutjet e vëllait të tij?

Ndajeni klasën në çifte. Në çdo çift, vërini studentët të lexojnë me radhë me zë nga Ethëri 1:35–42. Kërkojuni atyre të kërkojnë lutjet e vëllait të Jaredit dhe për përgjigjet e Zotit për ato lutje. Kur studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, pyetni:

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth lutjeve të vëllait të Jaredit?

  • Si iu përgjigj Zoti lutjeve të vëllait të Jaredit?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga mënyra me të cilën u lut vëllai i Jaredit dhe mënyra me të cilën Zoti iu përgjigj lutjeve të tij? (Ndërsa studentët japin idetë e tyre, i nxitni të përsiatin për dhembshurinë dhe dashurinë e Atit Qiellor për ta. Shkruani në tabelë parimin vijues: Ndërsa i lutemi vazhdimisht me besim Perëndisë, Ai do të ketë dhembshuri për ne.)

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani pyetjet vijuese në tabelë. (Ose ju mund të merrni parasysh t’ua jepni në një fletushkë ose t’ua lexoni ngadalë me zë, në mënyrë që studentët të mund t’i shkruajnë ato.)

Në ç’mënyrë lutja ndaj Atit Qiellor është e ndryshme nga thjesht “thënia e një lutjeje”?

Kur e keni ndier dhembshurinë e Atit Qiellor në përgjigje të një lutjeje? Kur ju kanë treguar anëtarë të familjes apo miq për dhembshurinë e Atit Qiellor në përgjigje të lutjes?

Çfarë na mësojnë përgjigjet e Perëndisë ndaj lutjeve tona rreth ndjenjave të Tij për ne?

Çfarë mund të bëni për t’i bërë lutjet tuaja më domethënëse?

Ftojini studentët që t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në fletoret e klasës apo në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Ju mund të doni t’u jepni një mundësi për të treguar atë që shkruajnë. Dëshmoni që ju e dini se Ati Qiellor na do dhe dëshiron të na bekojë kur ne i lutemi Atij rregullisht.

Shpjegoni se rrëfimi tek Ethëri 1 mund të na japë vështrime shtesë për dashurinë e Perëndisë për ne dhe bekimet që vijnë nëpërmjet lutjes. Kërkojuni studentëve të rishikojnë në heshtje Ethërin 1:34, 36, 38, duke parë për çka kërkoi Jaredi që vëllai i tij të kërkonte në lutjet e tij. Ftojeni një student të veprojë si shkrues dhe të rendisë përgjigjet e studentëve në tabelë. Ju mund të sugjeroni që shkruesi t’i shkruajë këto përgjigje nën fjalët “lutju Atit Qiellor”, te parimi që keni shkruar në tabelë.

Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë frazën “të jemi besnkë ndaj Zotit” në fund të Ethërit 1:38. Theksoni që veprimet e Jaredit dhe vëllait të tij shfaqin besimin e tyre te Zoti dhe vullnet për të qënë të bindur ndaj Tij. Ata kërkuan me besim për bekimet që kishin nevojë.

Ftojini studentët të rishikojnë në heshtje Ethërin 1:35, 37, 40–42, duke parë për mënyrat se si Perëndia e bekoi Jaredin dhe vëllanë e tij dhe familjen e miqtë e tyre. Vëreni studentin që vepron si shkrues, të shkruajë zbulimet e studentëve në tabelë nën fjalën dhembshuri, te parimi që keni shkruar. Sigurohuni që studentët ta shohin lidhjen midis kërkesave të vëllait të Jaredit dhe bekimeve që i dha Zoti.

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 1:43. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për bekimet që Perëndia premtoi edhe pse vëllai i Jaredit nuk i pati kërkuar konkretisht ato.

  • Çfarë bekime shtesë u premtoi Zoti njerëzve? (Jaredi pati kërkuar që vëllai i tij ta pyeste Zotin se ku duhej të shkonin. Jaredi pati menduar se Zoti mund t’i drejtonte ata te një vend që ishte “zgjedhur në të gjithë tokën” [Ethëri 1:38]. Zoti premtoi t’i drejtonte ata për te një tokë e premtuar. Përveç kësaj, Ai u dha atyre udhëzime të posaçme rreth mënyrës se si të bënin përgatitjet fillestare për udhëtimin e tyre. Ai premtoi gjithashtu se do të ngrinte një komb të madh nga familjet e tyre dhe se nuk do të kishte komb më të madh mbi tokë.)

Ftojini studentët të drejtohen te 2 Nefi 4:35. (Ju mund të sugjeroni që ata të shkruajnë 2 Nefi 4:35 pranë Ethërit 1:43 në shkrimet e tyre të shenjta.) Pastaj kërkojuni të lexojnë në heshtje 2 Nefi 4:35 dhe Ethëri 1:43, duke parë për atë çfarë na mësojnë këto vargje rreth bekimeve që Perëndia na jep në përgjigje të lutjeve tona.

  • Te 2 Nefi 4:35, çfarë na mëson Nefi rreth përgjigjeve të Perëndisë ndaj lutjes? (Perëndia do t’u japë me zemërgjerësi atyre që e kërkojnë Atë në lutje. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala zemërgjerësi do të thotë bujarisht.) Si e përforcon rrëfimi tek Ethëri 1:43 atë që Nefi e deklaroi te 2 Nefi 4:35?

  • Sipas Ethërit 1:43, çfarë arsyeje dha Zoti që premtoi bekime përtej atyre që jareditët patën kërkuar? (Zoti premtoi bekime shtesë sepse ata patën qenë besnikë në lutjet e tyre. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shenjojnë frazën vijuese tek Ethëri 1:43: “Për shkak të kësaj kohe të gjatë që më je lutur”.)

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga Ethëri 1:43? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të gjejnë parimin vijues: Nëse i lutemi rregullisht Perëndisë me besim, ne mund të marrim bekime përtej atyre që kërkojmë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Kur e keni parë këtë parim në jetën tuaj ose në jetën e dikujt që njihni?

Pasi studentët të japin përgjigjet e tyre, ju mund të doni të tregoni shembuj nga jeta juaj ose nga jeta e të tjerëve. Profeti Jozef Smith është një shembull i mirë i këtij parimi. Ai mori bekime përtej atyre që kishte kërkuar, kur u lut të dinte se cila kishë ishte e vërtetë (shih Joseph Smith – Historia 1:10–20) dhe kur ai u lut të dinte për qëndrimin e tij përpara Zotit (shih Joseph Smith – Historia 1:29–47).

Për të përfunduar, nxitini studentët të bëjnë një përpjekje për t’u lutur me sinqeritet më të madh. Gjithashtu nxitini të kujtojnë se Ati Qiellor është mbushur me dhembshuri dhe se Ai do t’u përgjigjet lutjeve të tyre në përputhje me besnikërinë e tyre dhe sipas asaj që Ai e di se do të sjellë bekimet më të mëdha në jetën e tyre.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Ndajeni klasën në çifte. Jepuni kohë për ta ndihmuar njëri-tjetrin të përsëritin referencat dhe frazat kyçe të të gjithë 25 fragmenteve për zotërimin e shkrimit të shenjtë nga Libri i Mormonit. Ju mund të sugjeroni që ata të përdorin kartat për zotërimin e shkrimit të shenjtë për të pyetur njëri-tjetrin (shih ide për përsëritjen e zotërimit të shkrimeve të shenjta në fund të mësimit 45). Pastaj jepuni një test të shpejtë mbi fragmentet, ndoshta duke përdorur të dhëna nga kartat për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Korrigjojeni testin me pyetje së bashku si klasë. Kërkojuni studentëve të shenjojnë fragmentet që kanë nevojë të përsëritin, dhe i nxitni t’i studiojnë më vete. Ndërsa vitit shkollor i afrohet fundi, merrni parasysh t’u jepni një test të fundit mbi fragmentet për zotërimin e shkrimit të shenjtë nga Libri i Mormonit.

Shënim: Ju mund ta kryeni këtë veprimtari në fillim ose në fund të orës mësimore. Nëse e kryeni veprimtarinë në fillim të orës mësimore, mbajeni shkurt për t’i lënë kohë mësimit. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shih shtojcën në këtë manual.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Ethëri 1:34–35. Si e ka emrin vëllai i Jaredit?

Plaku Xhorxh Rejnolds, i Të Shtatëdhjetëve, paraqiti tregimin vijues, që tregon se emri i vëllait të Jaredit i qe zbuluar Profetit Jozef Smith:

“Ndërsa banonte në Kirtland, Plakut Rejnolds Kahun i lindi një djalë. Një ditë, kur Presidenti Jozef Smith po kalonte nga dera e tij, ai e thirri Profetin brenda dhe i kërkoi të bekonte dhe t’i vinte emrin foshnjës. Jozefi e bëri këtë dhe i dha djalit emrin Mahonri Moriankumer. Kur e pati përfunduar bekimin, ai e shtriu foshnjën në shtrat dhe, duke iu kthyer Plakut Kahun, tha se emri që i kam dhënë birit tuaj është emri i vëllait të Jaredit; Zoti sapo ma ka treguar. Plaku Uilliam F. Kahun që po qëndronte pranë, e dëgjoi Profetin t’ia bënte këtë deklaratë babait të tij; dhe kjo ishte hera e parë që emri i vëllait të Jaredit ishte bërë i ditur në Kishë në këtë periudhë ungjillore” (“The Jaredites”, Juvenile Instructor, 1 maj 1892, f. 282).

Ethëri 1:43. “Kësaj kohe të gjatë që më je lutur”

Presidenti Spenser W. Kimball, dha mësim se ne duhet të bëjmë përpjekje të mëdha në lutjet tona dhe se duhet të lutemi shpesh:

“A merrni përgjigje për lutjet tuaja? Nëse jo, ndoshta nuk e keni paguar çmimin. A ofroni disa fjalë të rëndomta dhe fraza të konsumuara, apo i flisni nga afër Zotit? A luteni rastësisht kur duhet të luteni rregullisht, shpesh dhe vazhdimisht? A ofroni qindarka për të paguar borxhe të rënda kur ju duhet të jepni dollarë për ta fshirë atë detyrim?

Kur ju luteni, thjesht flisni apo dëgjoni gjithashtu? Shpëtimtari juaj tha: ‘Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua’.(Zbulesa 3:20.)” (“Prayer”, New Era, mars 1978, f. 17).