Biblioteka
Njësia 5 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

1 Nefi 202 Nefi 3 (Njësia 5)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studionin 1 Nefi 20 deri te 2 Nefi 3 (njësia 5) nuk ka për qëllim që të jepet mësim si pjesë e orës suaj mësimore. Mësimi që jepni nga njësia 5 përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (1 Nefi 20–22)

Ndërsa Nefi i citonte disa nga profecitë e Isaias vëllezërve të tij, studentët mësuan se Zoti i fton ata që kanë qenë të pabindur të pendohen dhe të kthehen tek Ai. Kjo na tregon se Zoti na do dhe kurrë nuk do të na harrojë. Studentët gjithashtu mësuan se edhe pse Izraeli do të shpërndahej për mosbindjen e tij, Zoti premtoi ta rivendoste ungjillin dhe ta mblidhte Izraelin në ditët e mëvonshme.

Dita 2 (2 Nefi 1)

Studentët studiuan mësimet e fundit që Lehi i dha familjes së tij përpara se të vdiste. Lehi theksoi se Zoti na bekon ne kur mbajmë urdhërimet e Tij, dhe Ai i ndal bekimet kur ne nuk i mbajmë urdhërimet e Tij. Kur Lehi e dinte se së shpejti do të vdiste, ai e nxiti familjen e tij që të ndiqte Nefin. Studentët panë se ndërsa ndjekim ata, që Perëndia i ka thirrur të na udhëheqin, ne bekohemi me begati shpirtërore dhe siguri.

Dita 3 (2 Nefi 2)

Lehi i shpjegoi birit të tij Jakobit dy të vërteta themelore: 1) që Rënia e Adamit dhe e Evës është një pjesë thelbësore e planit të lumturisë të Atit Qiellor dhe 2) që nëpërmjet Shlyerjes, Jezu Krishti na shëlben ne nga pasojat e Rënies dhe ofron shëlbim nga mëkatet tona. Lehi shpjegoi se si rezultat i Rënies dhe Shlyerjes, ne jemi të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme ose robërinë dhe vdekjen (shih 2 Nefi 2:27).

Dita 4 (2 Nefi 3)

Duke i folur birit të tij Jozefit, Lehi tregoi profecinë e Jozefit të Egjiptit gjetur në fletët prej tunxhi. Kjo profeci paratha se Zoti ngriti Profetin Jozef Smith që të ndihmojë për të sjellë Rivendosjen e ungjillit. Studentëve u qe kërkuar të shkruanin në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj se si kontributet e Profetit Jozef Smith kanë qenë të një vlere të madhe për ta.

Hyrje

Ky mësim ka për qëllim që të ndihmojë studentët të kuptojnë qëllimet e përjetshme të Perëndisë. Lehi e dinte se pasardhësit e tij mund të bënin zgjedhjet që do t’i çonin ata në gëzim, liri dhe jetë të përjetshme vetëm nëse do të kuptonin dhe besonin doktrinat kyçe – të tilla si Rënia, Shlyerja e Jezu Krishtit, liria e zgjedhjes dhe bindja (shih 2 Nefi 2:25, 27). Nxitini studentët të zgjedhin jetë të përjetshme në mënyrë që ata të mund të jenë në fund të “rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së [Perëndisë]” (2 Nefi 1:15), siç ishte Lehi.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 1–2

Përpara se të vdesë, Lehi i këshillon fëmijët e tij të mbajnë urdhërimet e Perëndisë dhe u mëson atyre doktrinat bazë të planit të shpëtimit

Filloni duke i vënë studentët të lexojnë fjalinë e fundit të 2 Nefit 3:25 (“Kujto fjalët e atit tënd që po vdes”). Pyetini se si mund të ndryshojë vëmendja e tyre ndaj këshillës së një anëtari të familjes nëse ata e dinë se personi do të vdesë.

Veprimtaria vijuese mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë të vërtetat që Lehi theksoi në fjalët e tij të fundit drejtuar familjes së tij. Ajo gjithashtu do t’i lejojë ata të ndajnë me njëri-tjetrin mënyrën se si këto të vërteta mund t’i ndihmojnë të ndjekin planin e Atit Qiellor për shpëtimin e tyre.

  1. Caktoni secilin nga fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë për studentë të veçantë apo grupe: 2 Nefi 1:16–20; 2 Nefi 2:6–10; 2 Nefi 2:19–20, 22–25 dhe 2 Nefi 2:11–13, 27–29. (Nëse keni më pak se katër studentë, ju mund ta përshtatni këtë veprimtari duke u caktuar studentëve më shumë se një fragment të shkrimit të shenjtë ose duke zgjedhur më pak fragmente për të diskutuar.)

  2. Ndërsa studentët i studiojnë këto fragmente, vërini ata t’iu përgjigjen pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të mbani parasysh shkrimin e pyetjeve në tabelë.)

    1. Cilat të vërteta kyçe dha mësim Lehi?

    2. Përse janë këto të vërteta të rëndësishme për mirëqenien tonë të përhershme?

  3. Pasi t’u jepni studentëve kohë për të plotësuar detyrën e tyre, ftoni secilin student apo grup të raportojë atë që ka gjetur. Nxitni sa më shumë studentë që është e mundur që të tregojnë atë që kanë gjetur dhe arsyen përse ishte e rëndësishme për ta.

Pas veprimtarisë, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Rënia e Adamit dhe e Evës është një pjesë thelbësore e planit të lumturisë të Atit Qiellor.

Thoni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:

“Adami bëri vetëm atë që duhej të bënte. Ai mori nga ai frut për një arsye të mirë, dhe ajo ishte që të hapte derën për t’ju sjellë ju dhe mua dhe kujdo tjetër në këtë botë. …

… Nëse nuk do të ishte për Adamin, unë nuk do të isha këtu; ju nuk do të ishit këtu; ne nuk do të ishim duke pritur në qiejt si shpirtra” (në Conference Report, tetor 1967, f. 121–122).

Bëjuni studentëve pyetjet vijuese:

  • Cilat janë disa nga pasojat e Rënies që Lehi përshkroi te 2 Nefi 2:21–24?

  • Si e bëjnë këto pasoja të mundur për ne që të përparojmë sipas planit të Atit Qiellor për shpëtimin tonë?

Shtoni të vërtetën vijuese në tabelë: Me anë të Shlyerjes, Jezu Krishti na shëlben ne nga Rënia dhe ofron shëlbim nga mëkatet tona.

Për t’i ndihmuar studentët të fitojnë një kuptim më të thellë të kësaj të vërtete, vëreni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Shlyerja e Jezu Krishtit, një akt dashurie të pastër, mposhti pasojat e Rënies dhe siguroi udhën për të gjithë njerëzimin që të kthehet në praninë e Perëndisë. Si pjesë e Shlyerjes, Shpëtimtari mposhti vdekjen fizike dhe siguroi pavdekësinë për secilin nga fëmijët e Perëndisë nëpërmjet Ringjalljes. Ai gjithashtu mposhti vdekjen shpirtërore dhe siguroi mundësinë e jetës së përjetshme, jetën që Perëndia jeton dhe më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (“Christians in Belief and Action”, Ensign, nëntor 1996, f. 71).

Pyetini studentët: Cilat janë disa nga bekimet e Shlyerjes?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e lirisë së zgjedhjes në planin e Atit Qiellor, lexoni thënien vijuese nga Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Pa ekzistencën e zgjedhjeve, pa lirinë tonë për të zgjedhur dhe pa kundërshtimin, nuk do të ketë ekzistencë të vërtetë.… Është e vërtetë se ne as nuk mund të rritemi shpirtërisht dhe në këtë mënyrë as të jemi vërtet të lumtur përveçse dhe gjersa të kemi përdorur me urtësi lirinë tonë morale të zgjedhjes” (On More Strain of Praise [1999], f. 80).

Shkruani parimin vijues në tabelë: Ne jemi të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme ose robërinë dhe vdekjen.

Vërini studentët t’i kthehen detyrës 4 të ditës së 3-të në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ftoni disa prej tyre të shpjegojnë çfarë mësuan rreth lirisë së zgjedhjes nga 2 Nefi 2:26–29.

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith:

“Që të marrim shpëtimin, ne jo vetëm që duhet të bëjmë disa gjëra, por gjithçka që Perëndia ka urdhëruar” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 168).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë rëndësinë e bindjes, ju mund të bëni pyetjet vijuese:

  • Përse mendoni se Lehi theksoi bindjen në këshillën e tij të fundit drejtuar familjes së tij para se të vdiste?

  • Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë ndihmuar të dini se Zoti na bekon ne kur mbajmë urdhërimet e Tij, dhe Ai i ndal bekimet kur ne nuk i mbajmë urdhërimet e Tij? (Shtojeni këtë të vërtetë te lista në tabelë.)

Për ta përfunduar këtë mësim, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Bindja është ilaç i fuqishëm shpirtëror. Ajo afrohet tek të qenit një shërues i gjithçkaje” (“Balm of Gilead”, Ensign, nëntor 1987 f. 18).

Jepni dëshminë tuaj për dashurinë e Perëndisë për studentët tuaj dhe për dëshirën e Tij për t’i ndihmuar ata të mposhtin pasojat e Rënies dhe të marrin jetë të përjetshme.

Njësia Tjetër (2 Nefi 4–10)

Pasi Lehi vdiq, Lamani dhe Lemueli përsëri kërkonin t’i merrnin jetën Nefit. Çfarë paralajmërimi dha Zoti që shpëtoi jetën e Nefit? Gjithashtu, çfarë do të ndodhte me trupat dhe shpirtrat tanë nëse nuk do të kishte Shlyerje? Studentët do t’i gjejnë përgjigjet për këtë pyetje te 2 Nefi 9:7–9.