Biblioteka
3 Nefi


Hyrje për Nefin e Tretë: Libri i Nefit

Përse të studiohet ky libër?

Në studimin e tyre të 3 Nefit, studentët do të mësojnë rreth fjalëve dhe veprimeve të Shpëtimtarit gjatë shërbesës së Tij triditore mes nefitëve. Presidenti Ezra Taft Benson na mësoi: “3 Nefi përmban disa nga pjesët më prekëse dhe më të fuqishme në të gjitha shkrimet e shenjta. Ai dëshmon për Jezu Krishtin, profetët e Tij dhe doktrinat e shpëtimit” (“The Savior’s Visit to America”, Ensign, maj 1987, f. 6). Teksa studentët kuptojnë se si Jezu Krishti tregoi dhembshuri për njerëzit “një nga një”, ata mund ta vlerësojnë më shumë shqetësimin e Tij për ata si individë (shih 3 Nefi 11:15; 17:21). Ata mund të mësojnë mësime të rëndësishme nga shembujt e drejtë të atyre që u përgatitën për ta takuar Shpëtimtarin. Gjithashtu mund të mësojnë mësime të rëndësishme nga shembujt e padrejtë të atyre që nuk u përgatitën për ta takuar Shpëtimtarin.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni përmblodhi anale nga fletët e mëdha të Nefit për të krijuar librin e 3 Nefit. Libri ka marrë emrin e Nefit (birit të Nefit), veprat e të cilit mbuluan periudhat përpara, gjatë dhe pas shfaqjeve të Shpëtimtarit te njerëzit. Gjatë kohës së ligësisë së madhe që parapriu vizitat e Jezu Krishtit, Nefi shërbeu “me fuqi dhe me autoritet të madh” (3 Nefi 7:17). Përpjekjet e tij ishin një parathënie e shërbesës së Jezu Krishtit, fjalët dhe veprat e të Cilit përbëjnë përqendrimin e 3 Nefit. Ndërsa përmblodhi analin e Nefit, Mormoni gjithashtu përfshiu komentet dhe dëshminë e vet (shih 3 Nefi 5:8–26; 26:6–12; 29–30).

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni i kishte menduar shkrimet në 3 Nefi për dy grupe njerëzish. Së pari, ai shpjegoi se i kishte shkruar ato për pasardhësit e Lehit (shih 3 Nefi 26:8). Së dyti, Mormoni iu drejtua johebrenjve në ditët e mëvonshme dhe shënoi këshillën e Zotit që ata të vijnë tek Ai dhe të bëhen pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes (shih 3 Nefi 30). Libri i 3 Nefit e nënvizon këtë ftesë me dëshminë e tij të fuqishme për Jezu Krishtin dhe theksimin e tij për rëndësinë e besëlidhjeve.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Analet origjinale të përdorura si burime për librin e 3 Nefit, ka mundësi që u shkruan midis viteve 1 Pr.K. dhe 35 Ps.K.. Mormoni i përmblodhi ato anale diku midis 345 Ps.K. dhe 385 Ps.K.. Mormoni nuk e shënoi se ku ishte kur e përmblodhi këtë libër.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

3 Nefi dokumenton plotësimin e profecive lidhur me lindjen, vdekjen dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit (shih 3 Nefi 1; 8; 11). Anali i tij për shfaqjen e Shpëtimtarit te nefitët përfaqëson atë që Plaku Xhefri R. Holland e ka quajtur “pikën qendrore, çastin më të lartë, në të gjithë historinë e Librit të Mormonit” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 250). Njëzet nga tridhjetë kapitujt te 3 Nefi përmbajnë mësimet që Shpëtimtari ua dha njerëzve drejtpërsëdrejti (shih 3 Nefi 9–28).

Përmbledhje

3 Nefi 1–5 Nefi merr analet nga ati i tij. Jepen shenjat e lindjes së Krishtit, pengohet një komplot për t’i shkatërruar besimtarët dhe shumë njerëz kthehen në besim. Nefitët dhe lamanitët bashkohen për të luftuar kundër hajdutëve të Gadiantonit. Ata pendohen për mëkatet e tyre dhe si përfundim i mposhtin hajdutët nën udhëheqjen e Lakoneusit dhe Gidgidonit. Mormoni komenton mbi rolet e tij si dishepull i Krishtit dhe si mbajtës i analit.

3 Nefi 6–7 Begatia mes nefitëve çon drejt krenarisë, ligësisë dhe lidhjeve të fshehta. Qeveria rrëzohet dhe njerëzit ndahen në fise. Nefi shërben me fuqi të madhe.

3 Nefi 8–10 Stuhi, shkatërrim dhe errësirë shenjojnë kryqëzimin dhe vdekjen e Shpëtimtarit. Njerëzit vajtojnë për vdekjen e atyre që u vranë nga shkatërrimi. Zëri i Jezu Krishtit i fton të mbijetuarit të pendohen dhe të vijnë tek Ai.

3 Nefi 11–18 Jezu Krishti i shfaqet një turme tek tempulli dhe e fton çdo njeri t’i prekë shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij. Ai cakton dymbëdhjetë dishepuj dhe u jep atyre autoritetin për të kryer ordinanca dhe për t’i administruar Kishës. Shpëtimtari u mëson doktrinën e Tij, cakton ligje të drejtësisë dhe shpjegon se Ai e ka përmbushur ligjin e Moisiut. Ai shëron dobësitë e njerëzve, lutet për ta dhe i bekon fëmijët e tyre. Pas vendosjes së sakramentit dhe dhënies së mësimeve shtesë, Ai largohet.

3 Nefi 19–26 Dymbëdhjetë dishepujt u shërbejnë njerëzve dhe Fryma e Shenjtë derdhet mbi ta. Jezu Krishti shfaqet për herë të dytë dhe lutet për të gjithë ata që do të besojnë tek Ai. Ai administron sakramentin dhe u mëson se si Ati do ta plotësojë besëlidhjen e Tij me Izraelin. Shpëtimtari i urdhëron njerëzit t’i hetojnë fjalët e Isaias dhe të gjithë profetëve dhe Ai e udhëzon Nefin për ta shënuar plotësimin e profecive të shpallura nga Samuel Lamaniti. Ai u thotë fjalët që Ati i dha Malakias dhe u shpjegon “të gjitha gjërat … nga fillimi dhe deri në kohën që ai do të vijë në lavdinë e tij” (3 Nefi 26:3). Pastaj Ai largohet.

3 Nefi 27–28 Jezu Krishti shfaqet dhe i udhëzon dymbëdhjetë dishepujt për ta quajtur Kishën sipas emrit të Tij. Ai shtjellon ungjillin e Tij dhe i udhëzon dishepujt që të jenë sikurse është Ai. Jezu Krishti u jep dymbëdhjetë apostujve sipas dëshirave të tyre.

3 Nefi 29–30 Mormoni shpjegon se dalja në dritë e Librit të Mormonit është shenjë se Perëndia ka filluar ta mbledhë Izraelin në ditët e mëvonshme. Zoti i këshillon johebrenjtë të pendohen dhe të bëhen pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes.