Biblioteka
Mësimi 123: 3 Nefi 13


Mësimi 123

3 Nefi 13

Hyrje

Shpëtimtari vazhdoi predikimin e Tij në tempull në tokën e Begatisë. Ai i paralajmëroi njerëzit ndaj hipokrizisë dhe i mësoi ata të bënin vepra të drejta për ta kënaqur Atin Qiellor. Ai gjithashtu e udhëzoi turmën të vinte thesare në qiell dhe i udhëzoi dishepujt e Tij që të kërkonin mbretërinë e Perëndisë përpara problemeve të tyre tokësore.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 13:1–18

Shpëtimtari i paralajmëron nefitët ndaj hipokrizisë dhe i mëson ata të bëjnë vepra të drejta për ta kënaqur Atin Qiellor

Përpara orës së mësimit, përgatitni një fletushkë të vetëvlerësimit që vijon, dhe bëni kopje për secilin student. Nëse ajo nuk është e mundshme, ju mund ta paraqitni vlerësimin me gojë ose ta shkruani në tabelë.

  1. Jap lëmoshë (veprime të përkushtimit fetar ose shërbim për të tjerët) sepse:

    1. Pritet prej meje.

    2. E dua Zotin dhe gjej kënaqësi kur ndihmoj njerëz të tjerë.

    3. Dua që të tjerët të mendojnë mirë për mua.

  2. Unë lutem sepse:

    1. Dua të jem në gjendje t’u them prindërve të mi ose peshkopit tim “po” kur më pyetin nëse lutem.

    2. Është thjesht pjesë e rutinës sime të përditshme.

    3. Dua të bashkëbisedoj me Atin tim Qiellor.

  3. Unë agjëroj sepse:

    1. Agjërimi më ndihmon të afrohem më pranë Zotit.

    2. Njerëz të tjerë do të mendojnë se jam i dobët nëse nuk agjëroj.

    3. Prindërit e mi më thonë se duhet të agjëroj.

Për ta filluar mësimin, u kërkoni studentëve ta plotësojnë vetëvlerësimin (qoftë në fletushkë ose në fletoret e shënimeve apo në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta) duke treguar se cilat fraza përshkruajnë më mirë qëllimet ose arsyet e tyre për dhënien e lëmoshave, lutjen dhe agjërimin. I siguroni studentët se ju nuk do t’u kërkoni atyre t’ua tregojnë përgjigjet e tyre të tjerëve. Pasi studentët e mbarojnë vetëvlerësimin, vini në dukje se përgjigjet e mundshme, të renditura nën dhënien e lëmoshave, lutjen dhe agjërimin pasqyrojnë qëllime ose arsye të ndryshme që mund t’i kemi për bërjen e këtyre veprimtarive ose të veprimtarive të tjera të lidhura me ungjillin (ne mund t’i bëjmë ato, për shembull, për shkak të detyrës ose detyrimit, për t’u bërë përshtypje njerëzve të tjerë ose për ta kënaqur Atin Qiellor).

  • A është e rëndësishme arsyeja përse bëjmë vepra të drejta? Përse po ose përse jo?

Shkruajini temat që vijojnë, dhe referencat shoqëruese nga shkrimet e shenjta në tabelë (ju mund të doni ta bëni këtë përpara orës së mësimit):

Lëmosha: 3 Nefi 13:1–4

Lutja: 3 Nefi 13:5–6

Agjërimi: 3 Nefi 13:16–18

Shpjegoni se 3 Nefi 13 tregon se si Jezu Krishti vazhdoi ta udhëzonte turmën nefite në tempull dhe i mësoi ata rreth rëndësisë së qëllimeve të një personi për bërjen e lëmoshave, të lutjes dhe agjërimit.

I ftoni studentët të zgjedhin një nga tri temat e renditura në tabelë. U kërkoni atyre të lexojnë pjesën e renditur të shkrimeve të shenjta, duke parë për përgjigje të pyetjeve vijuese (ju mund të doni t’i shkruani këto pyetje në tabelë):

  • Kundrejt cilit qëllim na paralajmëroi Zoti teksa e bëjmë këtë veprimtari?

  • Si tha Zoti se ne duhet ta bëjmë këtë veprimtari?

Përpara se të fillojnë studentët, mund të jetë e dobishme ta përcaktoni hipokritin si dikush që vesh një paraqitje të jashtme të rreme të drejtësisë ose që thotë një gjë, por bën diçka tjetër.

Ftoni dy ose tre studentë t’i japin përgjigjet që gjetën për të dyja pyetjet. (Nga kërkimi i tyre, studentët duhet të zbulojnë se Zoti na paralajmëroi kundër bërjes së veprave të drejta për t’u parë nga njerëzit dhe na mësoi se ne duhet të bëjmë vepra të drejta për ta kënaqur Atin tonë Qiellor.) Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë më tej për mësimet e Shpëtimtarit dhe për t’i vënë ato në jetë, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si mund ta ndikojnë qëllimet tona për bërjen e veprave të drejta, mënyrën se si i bëjmë ato?

  • Cilat janë disa qëllime të drejta që mund ta frymëzojnë një njeri për të dhënë lëmosha, për t’u lutur dhe për të agjëruar në fshehtësi?

Shkruani sa vijon në tabelë: Nëse bëjmë vepra të drejta për ta kënaqur Atin Qiellor …

  • Sipas 3 Nefit 13:4, 6, 18, çfarë bekimi do t’u vijë atyre që bëjnë vepra të drejta për ta kënaqur Atin Qiellor? (Teksa studentët përgjigjen, plotësoni thënien në tabelë: Nëse bëjmë vepra të drejta për ta kënaqur Atin Qiellor, Ai do të na shpërblejë haptas.)

I ftoni studentët të rishikojnë shkurtimisht vetëvlerësimin e tyre dhe t’i vlerësojnë qëllimet e tyre për dhënien e lëmoshave, lutjen ose agjërimin. I nxitni ata të marrin parasysh se si mund t’i vënë në jetë mësimet e Shpëtimtarit për t’i përmirësuar qëllimet e tyre për bërjen e këtyre veprimtarive apo të veprimtarive të tjera, të tilla si studimi i shkrimeve të shenjta, pagimi i së dhjetës, ardhja në kishë dhe marrja e sakramentit.

3 Nefi 13:19–24

Jezu Krishti i jep mësim turmës se si të mbledhë thesare në qiell

Shkruajini frazat vijuese në tabelë: Thesare në Tokë dhe Thesare në Qiell. I ftoni studentët të diskutojnë për pyetjen që vijon me një shok:

  • Cilat janë disa shembuj të thesareve në tokë dhe të thesareve në qiell?

Pasi studentët të kenë pasur kohë ta diskutojnë këtë pyetje në dyshe, ju mund t’u kërkoni dy ose tre studentëve t’i ndajnë përgjigjet e tyre me klasën. Merrni parasysh të përmendni një shembull nga jeta juaj për një thesar në tokë (ju mund të paraqitni një diçka të çmuar që zotëroni) dhe një shembull të një thesari në qiell (ju mund të doni të paraqitni një fotografi të familjes suaj ose të përmendni rëndësinë e dëshmisë suaj). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 13:19–23. I kërkoni klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojë këshillën që dha Shpëtimtari lidhur me kërkimin e thesareve në tokë dhe të thesareve në qiell.

  • Sipas 3 Nefit 13:19–20, si janë të ndryshme thesaret në tokë nga thesaret në qiell?

  • Si mund të na e tërheqë vëmendjen kërkimi i thesareve në tokë nga kërkimi i thesareve në qiell? (Ju mund të doni të sqaroni se Shpëtimtari nuk u mësoi se paraja ose pasuritë tokësore janë të liga; përkundrazi, Ai theksoi rëndësinë e vendosjes së zemrës sonë te thesare qiellore të cilat do të durojnë.)

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë fraza “në qoftë se syri yt është i shëndoshë” tek 3 Nefi 13:22? (Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë domethënien e kësaj fraze, i drejtoni ata te referenca e Udhëzuesit Tematik në shënimin 22c në fund të faqes.) Si mund të tregoni ju përkushtim në mbledhjen e thesareve në qiell?

Ftojeni një student të shkruajë fjalën Perëndia në një fletë letre dhe vendoseni atë në njërën anë të klasës. Ftojeni një student të shkruajë fjalën Bota në një fletë letre dhe vendoseni atë në anën e kundërt të klasës. I kërkoni një studenti të tretë të qëndrojë përpara klasës me fytyrë nga fleta e emërtuar Perëndia. Pastaj, e bëni studentin të kthehet me fytyrë nga fleta e emërtuar Bota. Ftojeni studentin të përpiqet t’i shohë të dyja fletët në të njëjtën kohë. I kërkoni klasës të lexojë në heshtje 3 Nefin 13:24 dhe të marrë parasysh se si ky varg lidhet me përpjekjen e studentit për t’i parë njëkohësisht të dyja fletët e letrës. Shpjegoni se fjala mamon përfaqëson të qenit i botës ose pasuritë.

  • Si është përpjekja për t’u shërbyer Perëndisë dhe mamonit e ngjashme me përpjekjen për t’i parë njëkohësisht të dy muret?

  • Cilët mund të jenë disa shembuj të përpjekjes për t’i shërbyer Perëndisë dhe mamonit në të njëjtën kohë?

Ftojeni klasën të qëndrojë në këmbë dhe të vështrojë nga letra e emërtuar Perëndia.

  • Përse është e rëndësishme për ju që ta keni Perëndinë si zotërinë tuaj?

  • Bazuar në fjalët e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 13:24, si mund të tregoni nëse Perëndia është zotëria juaj? (Edhe pse studentët mund të japin shumë përgjigje të sakta, sigurohuni që e përcaktojnë parimin që vijon: Me qëllim që ta kemi Perëndinë si zotërinë tonë, ne duhet ta duam Atë dhe t’i shërbejmë Atij mbi të gjitha gjërat e botës.)

Ndërsa studentët qëndrojnë në këmbë, lexoni shembujt më poshtë dhe u kërkoni të kthehen e të shohin anën e dhomës që përfaqëson zotërinë të cilit mendojnë se po i shërben personi – Perëndisë ose Botës (mamonit). U kërkoni studentëve të shpjegojnë përse ata zgjodhën të ktheheshin ashtu siç bënë. (Ju mund të doni t’i përshtatni këta shembuj për t’iu përgjigjur rrethanave dhe interesave të studentëve që ju mësoni.)

  1. Një i ri nuk e pranon një punë e cila do të kërkonte që ai t’i humbiste mbledhjet e së dielës dhe në vend të saj zgjedh një punë me pagesë më të vogël e cila nuk kërkon që ai t’i humbasë mbledhjet e tij.

  2. Një e re shpesh u ankohet prindërve të saj rreth nevojës së saj për rroba të reja. Veshjet që ajo dëshiron të blejë, kushtojnë më shumë sesa familja e saj mund të shpenzojë.

  3. Një i ri e paguan të dhjetën e tij rregullisht me paratë që merr nga puna e tij. Megjithatë, ai i përdor të gjitha të ardhurat që i mbeten për të blerë artikuj argëtimi, duke përfshirë disa filma dhe këngë të papërshtatshme, dhe nuk ka kursyer aspak para për të paguar për një mision ose për arsimim.

  4. Një e re shpesh e përdor një pjesë të të ardhurave të saj për të blerë dhurata të vogla që të tregojë dashurinë e saj për të tjerët.

Pas veprimtarisë, i ftoni studentët të ulen dhe më pas u bëni atyre pyetjet që vijojnë:

  • Bazuar në përvojën tuaj, përse mund të jetë e vështirë që gjithmonë ta doni Perëndinë dhe t’i shërbeni Atij krahasuar me gjërat e botës? Përse ia vlen të përpiqemi për ta vendosur Perëndinë të parin?

3 Nefi 13:25–34

Shpëtimtari i drejton të dymbëdhjetë dishepujt për të kërkuar mbretërinë e Perëndisë përpara vetë shqetësimeve të tyre materiale

Përmblidhni 3 Nefin 13:25–31 duke u thënë studentëve se Jezu Krishti i udhëzoi dymbëdhjetë dishepujt e Tij të mos shqetësohen rreth nevojave të tyre materiale për ushqim dhe veshje. Vini në dukje se, edhe pse këto mësime u dhanë në mënyrë të veçantë për të dymbëdhjetë dishepujt, parimet që theksohen mund të zbatohen për të gjithë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 13:32–33. I kërkoni klasës ta ndjekë atë dhe të përcaktojnë se si Shpëtimtari i ngushëlloi dishepujt e Tij lidhur me nevojat e tyre materiale.

  • Si na ndihmon ne të kuptuarit se Perëndia i njeh nevojat tona?

  • Sipas 3 Nefit 13:33, çfarë u premtoi Jezu Krishti atyre që e vendosin Perëndinë dhe mbretërinë e Tij të parat në jetën e tyre? (Edhe pse studentët mund të përgjigjen në mënyra të ndryshme, sigurohuni që ata të përcaktojnë parimin që vijon: Nëse kërkojmë fillimisht mbretërinë e Perëndisë, Ai do të na ndihmojë për të siguruar për nevojat tona. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

  • Si ndiheni kur një mik i afërt ose një anëtar i familjes i vendos interesat dhe nevojat tuaja mbi interesat dhe nevojat e veta? Çfarë i tregojmë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit kur i vendosim ata mbi nevojat dhe interesat tona materiale?

I ftoni studentët të shkruajnë në fletoret e shënimeve ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një synim lidhur me një gjë që ata mund ta bëjnë për ta vënë në mënyrë më të plotë Perëndinë të parin në jetën e tyre. Ju mund të doni ta përfundoni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për bekimet që keni përjetuar, kur keni kërkuar t’i vendosni Perëndinë dhe mbretërinë e tij të parat në jetën tuaj.