Biblioteka
Mësimi 121: 3 Nefi 11:18–41


Mësimi 121

3 Nefi 11:18–41

Hyrje

Pasi nefitët ishin afruar dhe i kishin prekur shenjat e plagëve në duart, këmbët dhe anën e Shpëtimtarit, Zoti i dha Nefit dhe të tjerëve fuqinë për të pagëzuar dhe për të kryer funksione të tjera të priftërisë. Shpëtimtari gjithashtu i paralajmëroi njerëzit t’i shmangeshin grindjes dhe u premtoi se ata që jetojnë sipas doktrinës së Tij, do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 11:18–27

Jezu Krishti u jep Nefit dhe të tjerëve fuqinë për të pagëzuar

Përpara orës mësimore, shkruani pyetjet vijuese në tabelë: Kush mund të më pagëzojë mua? Si bëhet pagëzimi?

Nëse po u jepni mësim një ose më shumë studentëve që kohët e fundit janë bashkuar me Kishën, ju mund ta filloni këtë mësim duke i pyetur ata të tregojnë disa përvoja që patën kur po mësonin rreth Kishës. I pyetni nëse ata menduan rreth përgjigjeve të dy pyetjeve në tabelë kur vendosën të pagëzoheshin.

Ju gjithashtu mund ta filloni këtë mësim duke i ftuar studentët të imagjinojnë se një nga miqtë e tyre kohën e fundit ka vendosur të bashkohet me Kishën dhe iu ka bërë atyre dy pyetjet në tabelë. U kërkoni studentëve të shpjegojnë se si ata mund t’iu përgjigjen këtyre pyetjeve. Ose ju mund të dëshironi t’i ftoni dy studentë të luajnë me role një diskutim midis një anëtari të Kishës dhe mikut të tij ose të saj duke i përdorur këto pyetje.

I kujtoni studentët se në mësimet e mëparshme ata mësuan rreth shfaqjes së Jezu Krishtit te një grup nefitësh. Jezu Krishti i ftoi ata ta dëshmonin vetë Ringjalljen dhe hyjninë e Tij duke i prekur gjurmët e plagëve në duart, këmbët dhe anën e Tij. Shpjegoni se, menjëherë pas kësaj përvoje, Shpëtimtari u mësoi njerëzve doktrinën e Tij, e cila ishte të besonin tek Ai, të pagëzoheshin dhe të merrnin Frymën e Shenjtë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 11:18–22. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar përgjigje të pyetjes Kush mund të më pagëzojë mua? Bëjeni një student t’i shkruajë përgjigjet në tabelë nën pyetjen. Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Pagëzimi duhet të kryhet nga një njeri që mban autoritetin e duhur. (Nëse kjo ide nuk është e shkruar tashmë në tabelë, ju mund ta shtoni atë në listën e përgjigjeve).

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më tej këtë të vërtetë, ju mund të shpjegoni shkurtimisht se pagëzimi mund të kryhet vetëm nga një njeri që mban detyrën e priftit në Priftërinë Aarone (shih DeB 20:46) ose nga dikush të cilit i ishte dhënë Priftëria Melkizedeke mbi vete (shih DeB 20:38–39; 107:10–11). Për më tepër, ky njeri duhet të veprojë nën drejtimin e një udhëheqësi të priftërisë i cili mban çelësat e priftërisë, të nevojshëm për ta autorizuar ordinancën (të tillë si një peshkop, president dege ose president misioni).

  • Si mendoni ju, përse Zoti kërkon që ordinanca e pagëzimit të kryhet me anë të një mbajtësi të autorizuar të priftërisë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 11:23–27. Vëreni klasën ta ndjekë atë, duke kërkuar përgjigje për pyetjen Si bëhet pagëzimi? Bëjeni një student t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë poshtë pyetjes.

  • Çfarë bëhet gjatë një pagëzimi nëse fjalët e ordinancave nuk thuhen siç duhet ose nëse personi që pagëzohet, nuk zhytet tërësisht nën ujë? (Ordinanca përsëritet). Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga kjo? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të përcaktojnë të vërtetën që vijon: Pagëzimi duhet të bëhet sipas mënyrës së caktuar nga Zoti. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë thënie në tabelë.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që pagëzimet të kryhen saktësisht sipas mënyrës së caktuar nga Zoti?

Për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë rëndësinë e të vërtetave që keni diskutuar te 3 Nefi 11:18–27, ju mund të doni t’u bëni studentëve disa nga pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë ndjenjash patët kur u pagëzuat? Çfarë do të thotë për ju që ta dini se ju u pagëzuat nga një njeri që mbante autoritetin e duhur dhe në mënyrën e caktuar nga Zoti?

  • A keni parë ndonjë pagëzim kohët e fundit? Çfarë ndjenjash patët?

Nëse ndonjë nga studentët tuaj mban detyrën e priftit në Priftërinë Aarone, pyetni:

  • Si ju ndikon kur dini se keni autoritetin për të pagëzuar? (Ju mund të dëshironi të zbuloni nëse ndonjë student në klasën tuaj ka pasur mundësinë për ta pagëzuar dikë. Nëse po, i ftoni ata të tregojnë për atë që ndien dhe mësuan gjatë përvojës së tyre).

Ju mund të dëshironi të tregoni përvojat dhe ndjenjat tuaja rreth ordinancës së shenjtë të pagëzimit.

3 Nefi 11:28–30

Jezu Krishti paralajmëron se grindja është nga djalli

Shkruani fjalën grindje në tabelë.

  • Çfarë është grindja? (Debat, konflikt ose zënie).

I ftoni studentët të renditin shkurtimisht në fletoret e shënimeve ose në ditaret e studimit të shkrimeve të shenjta disa situata ose veprimtari në të cilat mund të lindin grindje. Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të shkruar, i kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 11:28–30. Ftojeni klasën ta ndjekë atë dhe të përcaktojë se për çfarë u grindën disa nga nefitët.

  • Për çfarë ishin duke u grindur dukshëm disa nga nefitët? (Ordinancën e pagëzimit [shih gjithashtu 3 Nefi 11:22] dhe doktrinën e Krishtit.)

  • Sipas 3 Nefit 11:29, nga vjen shpirti i grindjes? (Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Shpirti i grindjes nuk është nga Perëndia, por është nga djalli. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë tek 3 Nefi 11:29.)

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme që t’i shmangeni grindjes kur diskutoni për ungjillin me të tjerët? Përse është debatimi mënyra e gabuar për t’ua mësuar të tjerëve ungjillin? (Studentët mund të japin një larmi përgjigjesh, por sigurohuni që ata e kuptojnë se kur ne grindemi ose debatojmë me të tjerët rreth ungjillit, Fryma e Shenjtë nuk do të jetë i pranishëm për të na ndihmuar të japim mësim ose të dëshmojmë për të vërtetën në zemrat e atyre të cilët po i mësojnë.)

Për të theksuar një pasojë të rëndësishme të grindjes, shkruani në tabelë thënien e mëposhtme nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë 3 Nefit 11:29. (Thënia gjendet në “What I Want My Son to Know before He Leaves on His Mission” [“Çfarë do të Doja që Biri Im të Dinte përpara se Ai të Shkonte në Misionin e Tij”], Ensign, maj 1996, f. 41).

“Kur ka grindje, Shpirti i Zotit do të largohet, pavarësisht se kush e ka fajin” (Presidenti Xhejms E. Faust).

  • Kur e keni ndier Shpirtin e Zotit të largohet për shkak të grindjes? Si e dinit ju se Shpirti ishte larguar?

Vini në dukje thënien e Shpëtimtarit lidhur me grindjen tek 3 Nefi 11:30: “Doktrina ime është kjo, që gjëra të tilla duhet të zhduken”.

  • Si mund t’i “zhduk[im]” grindjen dhe zëniet? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Ne mund të përpiqemi të jemi paqebërës [shih 3 Nefi 12:9]. Ne mund të lutemi për urtësi dhe durim për ta mposhtur grindjen. Ne mund të përpiqemi që t’i shmangim situatat në të cilat ne mund të tundohemi për t’u grindur me të tjerët.)

  • Kur jeni ndier të bekuar për përpjekjet tuaja për t’iu shmangur grindjes ose për ta mposhtur atë?

  • Si mund t’ju ndihmojë të kujtuarit e mësimeve të Shpëtimtarit te 3 Nefi 11:29–30 kur e gjeni veten në një situatë që ka sjellë ose që mund të sjellë grindje?

Ju mund të ndani një përvojë që keni pasur, kur jeni ndier të bekuar për përpjekjet tuaja për t’iu shmangur grindjes ose për ta mposhtur atë. Për t’i nxitur studentët që ta vënë në jetë atë që kanë mësuar nga 3 Nefi 11:28–30, i ftoni ata t’iu drejtohen përsëri listave të tyre për situatat ose veprimtaritë në të cilat ata mund të jenë të prirur për të përjetuar grindje. I ftoni ata të caktojnë dhe të shkruajnë një synim për mënyrën se si do të kërkojnë ta shmangin ose ta mposhtin grindjen në një situatë ose veprimtari që kanë renditur.

3 Nefi 11:31–41

Jezu Krishti shpall doktrinën e Tij

Për t’i përgatitur studentët të studiojnë 3 Nefin 11:31–41, shkruani sa vijon në tabelë:

Pamja
Action

I ftoni studentët që shkurtimisht t’i thonë një shoku të klasës diçka që bënë kohët e fundit, e cila përfundoi në një pasojë të mirë dhe shpjegoni se cila ishte ajo pasojë. Ju gjithashtu mund t’i pyetni ata që të tregojnë për diçka që bënë ose panë, e cila përfundoi në një pasojë të keqe. (I paralajmëroni studentët që të mos tregojnë për diçka që mund të jetë e papërshtatshme ose shumë personale.)

I lexoni klasës me zë të lartë 3 Nefin 11:31. Shpjegoni se pjesa e mbetur e 3 Nefit 11 përmban deklarimin e Jezu Krishtit të doktrinës së Tij për popullin e Nefit. Ky kapitull gjithashtu përcakton pasojat e pranimit ose të mohimit të doktrinës së Tij.

Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: 3 Nefi 11:32–34; 3 Nefi 11:35–36; 3 Nefi 11:37–38; 3 Nefi 11:39–40. I ndani studentët në dyshe dhe i caktoni secilës dyshe të studiojnë një nga pjesët e shkrimeve të shenjta. U kërkoni atyre të përcaktojnë veprimet dhe pasojat për të cilat na mësoi Jezu Krishti. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i krahasojnë këto mësime me nenin e katërt të besimit.)

Pasi studentët të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të studiuar, u kërkoni dy ose tre prej tyre të raportojnë veprimet dhe pasojat që gjetën në vargjet e caktuara atyre. I ftoni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në tabelë nën Veprimi ose Pasoja. Ndërsa studentët raportojnë për secilën pjesë, u bëni pyetjet përkatëse që vijojnë:

Dysheve që iu caktua 3 Nefi 11:32–34, bëjuni pyetjet:

  • Si na ndihmon Fryma e Shenjtë për të besuar në Jezu Krishtin dhe Atin Qiellor? (Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.) Kur ju ka dhënë dëshmi Fryma e Shenjtë për realitetin dhe dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit?

Dysheve që iu caktua 3 Nefi 11:35–36, bëjuni pyetjen:

  • Sipas këtyre vargjeve, si e fton zgjedhja për të besuar në Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ndikimin e Frymës së Shenjtë në jetën tonë?

Dysheve që iu caktua 3 Nefi 11:37–38, bëjuni pyetjet:

  • Çfarë gjetët që ishte e ngjashme midis 3 Nefit 11:37 dhe 3 Nefit 11:38?

  • Cilat janë vetitë e mira të një fëmije të vogël? Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të “bëheni si një fëmijë i vogël”?

Dysheve që iu caktua 3 Nefi 11:39–40, bëjuni pyetjet:

  • Si theksojnë mësimet e Shpëtimtarit në këto vargje rëndësinë e zgjedhjes sonë për t’iu bindur ose për të mos iu bindur doktrinës së Tij?

U kërkoni studentëve të përmbledhin veprimet kyç që Jezu Krishti na mëson se duhet t’i ndërmarrim që të hyjmë në mbretërinë e qiellit. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të shprehin të vërtetën që vijon: Që të hyjmë në mbretërinë e qiellit, ne duhet të pendohemi, të besojmë në Jezu Krishtin, të pagëzohemi dhe të marrim Frymën e Shenjtë. Ju mund të dëshironi të përfundoni duke ndarë dëshminë tuaj për këtë të vërtetë. I nxitni studentët të jetojnë sipas doktrinës së Jezu Krishtit, kështu që ata do të jenë në gjendje ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Ju gjithashtu mund të doni t’i kujtoni ata të punojnë lidhur me synimet e tyre për të shmangur dhe mposhtur grindjen.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nefi 11:19-22 Jezu Krishti u dha nefitëve autoritetin për të pagëzuar

Përse profeti Nefi dhe të tjerët do të kishin nevojë për të marrë autoritet për të pagëzuar kur ata tashmë po e kryenin atë ordinancë përpara se të vinte Shpëtimtari? Merreni parasysh thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Edhe pse këta nefitë kishin autoritet për të pagëzuar në periudhën ungjillore të lashtë të Moisiut, Krishti e ftoi Nefin që atëherë e tutje ta pohonte autoritetin e tij të priftërisë për të pagëzuar në periudhën e re ungjillore dhe ndoshta për ta shuguruar atë si apostull në të njëjtën kohë. Më pas ai thirri një grup tjetër të dilte përpara, duke i udhëzuar ata se si të pagëzonin dhe duke u vënë në dukje se nuk do të kishte ‘më grindje’ mes tyre për këtë doktrinë thelbësore” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 259–260).

3 Nefi 11:28. Mos u grindni lidhur me pikat e doktrinës

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi përse është e rëndësishme që shenjtorët e ditëve të mëvonshme t’i shmangen grindjes:

“Sepse … fuqi qëndron në Shpirtin e Zotit, ne nuk duhet kurrë të bëhemi grindavecë kur diskutojmë besimin tonë. Ashtu siç mëson gati çdo misionar, argumentimi duke përdorur Biblën gjithnjë e largon Shpirtin. Shpëtimtari ka thënë: ‘Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi’ (3 Nefi 11:29). Më dëshpëruese sesa akuzat që i bëhen Kishës se nuk është e krishterë, është kur anëtarët e Kishës kundërveprojnë ndaj akuzimeve të tilla në një mënyrë jo të krishterë! Le të karakterizohen gjithmonë bisedat tona me të tjerët gjithnjë nga frytet e Shpirtit – ‘dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli’ (Galatasve 5:22–23)” (“Kuraja e Krishterë: Çmimi i Qenies Dishepull”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 73).

3 Nefi 11:33-34 Ordinanca e pagëzimit është thelbësore

Profeti Jozef Smith na mësoi se ordinanca e pagëzimit është thelbësore që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë:

“Pagëzimi është një shenjë për Perëndinë, për engjëjt dhe për qiellin që ne bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe nuk ka udhë tjetër nën qiell që Perëndia ka shuguruar për njeriun që të vijë tek Ai, që të shpëtohet dhe të hyjë në mbretërinë e Perëndisë, përveç besimit tek Jezu Krishti, pendimit dhe pagëzimit për heqjen e mëkateve, dhe çfarëdo udhë tjetër është e kotë; atëherë ju keni premtimin e dhuratës së Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 95).