Biblioteka
Mësimi 54: Mosia 4


Mësimi 54

Mosia 4

Hyrje

Të prekur nga mësimet e mbretit Beniamin, njerëzit u penduan dhe morën heqje të mëkateve të tyre. Ata u “mbushën me gëzim” dhe patën “paqe të ndërgjegjes” (Mosia 4:3). Mbreti Beniamin vazhdoi t’i mësonte ata, duke i ndihmuar të kuptonin se çfarë duhet të bënin që të “mbani[n] një heqje të mëkateve [të tyre]” (Mosia 4:12). Duke e bërë këtë, ai i krahasoi ata me lypësit, që varen nga Perëndia për shpëtim. Ai gjithashtu i paralajmëroi për rrezikun e lënies pas dore të kontrollit të mendimeve, fjalëve dhe veprave të tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 4:1–8

Populli i mbretit Beniamin merr një heqje të mëkateve të veta dhe mbushet me gëzim e paqe

Kërkojuni studentëve të përsiaten rreth pyetjes në vijim:

  • Si mund ta dimë që jemi falur për mëkatet tona?

Lexoni thënien në vijim nga Presidenti Harold Li:

Pamja
Presidenti Harold B. Li

“Nëse vjen koha kur keni bërë gjithçka mundeni që të pendoheni për mëkatet tuaja, kushdo qofshi, kudo qofshi, dhe keni bërë korrigjimet dhe zhdëmtimin në përputhje me maksimumin e aftësisë suaj; nëse është diçka që prek qëndrimin tuaj në Kishë dhe keni shkuar tek autoritetet e duhura, atëherë ju do ta dëshironi atë përgjigje vërtetuese lidhur me faktin nëse Zoti e ka pranuar këtë nga ju apo jo. Gjatë kërkimit tuaj shpirtëror, nëse e kërkoni dhe e gjeni atë paqe të ndërgjegjes, përmes kësaj shenje të paqes së mendjes ju mund ta dini që Zoti e ka pranuar pendimin tuaj” (“Stand Ye in Holy Places”, Ensign, korrik 1973, f. 122).

Kujtojuni studentëve që mbreti Beniamin tregoi fjalët e një engjëlli rreth mënyrës se si merret një heqje e mëkateve. Ju mund t’u kujtoni në mënyrë të veçantë fjalët e engjëllit lidhur me atë që njeriu i natyrshëm është armik ndaj Perëndisë dhe për pasojat që i presin ata që vdesin pa qenë penduar për mëkatet e tyre (shih Mosia 3:19, 23–27).

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 4:1–2, duke kërkuar frazat që tregojnë se si populli i mbretit Beniamin iu përgjigj fjalëve të engjëllit. Vërini disa studentë të tregojnë frazat që gjejnë. Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që të kuptojnë frazën “gjendje … trupore”, shpjegoni se fjala trupore është e kundërta e fjalës shpirtërore. Ajo i referohet orekseve tona fizike më tepër sesa dëshirës sonë shpirtërore për t’u afruar më pranë Zotit. Ju mund t’u kërkoni studentëve të lexojnë Almën 41:11 dhe pastaj ta shpjegojnë me vetë fjalët e tyre frazën “gjendje [e] mishit”. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë frazën “më të paktë se pluhuri i tokës”, ftojini të lexojnë Helamanin 12:4–8. Pastaj kërkojuni të shpjegojnë me vetë fjalët e tyre se si një individ që kundërshton të ndjekë këshillën e Zotit mund të cilësohet se është më i paktë se pluhuri i tokës. Sigurohuni që e kuptojnë se Ati Qiellor nuk i konsideron fëmijët e Tij më të paktë se pluhuri i tokës.

Vini në dukje se kur njerëzit e pranuan gjendjen e tyre mëkatare, ata u penduan, duke shprehur besimin e tyre te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij. Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 4:3. Kërkojini klasës që t’i kushtojë vëmendje mënyrës se si e kuptuan njerëzit që ishin falur për mëkatet e tyre.

  • Sipas Mosias 4:3, çfarë ndjenjash u vijnë atyre që janë falur nga Zoti?

  • Njerëzit morën heqje të mëkateve të tyre për shkak të “besimit të jashtëzakonshëm që ata kishin në Jezu Krishtin”. Cilat veprime nxorën në pah besimin e tyre? (Shih Mosia 4:1–2.)

  • Me vetë fjalët tuaja, çfarë mund të mësojmë nga Mosia 4:1–3 rreth marrjes së heqjes së mëkateve tona? (Një përgjigje e mundshme është që kur ushtrojmë besim në Jezu Krisht dhe pendohemi sinqerisht, ne marrim heqje të mëkateve tona. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët të shenjojnë fjalë dhe fraza kyçe te Mosia 4:1–3 që e theksojnë këtë parim.)

Lexojeni thënien në vijim nga Plaku Nil Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i cili përmbledh atë që duhet të bëjmë për të marrë heqje të mëkateve:

Pamja
Plaku Nil L. Andersen

“Kur i rrëfejmë ndershmërisht mëkatet tona, kur i kthejmë atë që mundet personit të cënuar dhe i braktisim mëkatet tona nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve, ne jemi në procesin e marrjes së faljes. Me kalimin e kohës, ne ndiejmë që ankthi i trishtimit tonë qetësohet, duke e ‘nxjerrë fajin nga zemrat tona’ (Alma 24:10) e duke sjellë ‘paqe të ndërgjegjes’ (Mosia 4:3).

Për ata që janë vërtet të penduar, por duken jo në gjendje që të ndiejnë lehtësim: vazhdoni të zbatoni urdhërimet. Ju premtoj, lehtësimi do të vijë në kohën e duhur të Zotit. Shërimi po ashtu kërkon kohë” (“Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 42).

Ftojini studentët të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës rreth asaj që kanë mësuar për pendimin ndërsa kanë diskutuar rreth Mosias 4:1–3. Gjithashtu kërkojuni që të shkruajnë rreth asaj se si mund të ushtrojnë besim në Jezu Krisht ndërsa kërkojnë heqje të mëkateve të tyre.

Shpjegoni se pasi dëshmoi qëndrimin prej pendestari të njerëzve, mbreti Beniamin u kujtoi varësinë e tyre nga Zoti. Kërkojuni disa studentëve që me radhë të lexojnë me zë nga Mosia 4:4–8. Kërkojini klasës të shikojë se çfarë dëshironte mbreti Beniamin që populli i vet të kuptonte pasi kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre.

  • Sipas këtyre vargjeve, cilat janë të vetmet “kushte … nëpërmjet të cilave [ne] mund të shpëtohe[mi]”?

Pasi studentët t’i jenë përgjigjur kësaj pyetjeje, ftojini të përsëritin në heshtje Mosian 4:4–8, duke kërkuar fraza që përshkruajnë njerëzit që marrin shpëtimin. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që t’i shenjojnë këto fraza. Merrni parasysh të bëni pyetjet në vijim:

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “[jesh] i zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të [Zotit]”?

  • Cilat janë disa veprime që tregojnë se një individ e ka “vendos[ur] besimin e tij [ose të saj] në Zotin”?

  • Në çfarë mënyrash e keni parë “mirësi[në] [e] Perëndisë” dhe “fuqi[në] [e] tij të pamasë”?

Vini në dukje se pendimi dhe bindja kërkojnë shumë punë e përpjekje nga ana jonë. Mirëpo, pavarësisht se sa fort punojmë, ne kurrë nuk mund të marrim falje të mëkateve tona dhe dhuratën e shpëtimit pa Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Mosia 4:9–30

Mbreti Beniamin jep mësim se si të mbahet heqja e mëkateve

Shkruani në tabelë mbajtja e heqjes së mëkateve tona. Bëjuni të ditur studentëve se pasi njerëzit kishin marrë një heqje të mëkateve të tyre, mbreti Beniamin i mësoi se si ta ruanin, ose ta mbanin, atë gjendje të pastër e të dëlirë.

  • Përse edhe kjo është e rëndësishme për t’u ditur nga secili prej nesh?

Ftojini studentët të shqyrtojnë në heshtje Mosian 4:9–11 duke kërkuar për atë që duhet të bëjmë që të ruajmë një heqje të mëkateve tona. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, vërini studentët të tregojnë atë që kanë gjetur. Merrni parasysh t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Përgjigjet mund të përfshijnë që ne kemi nevojë të kujtojnë madhështinë e Perëndisë, të përulim veten, të lutemi çdo ditë dhe të qëndrojmë me vendosmëri në besim.

Merrni parasysh që të bëni pyetjet në vijim, për t’i ndihmuar studentët të thellojnë të kuptuarin e tyre dhe të zbatojnë ato që kanë lexuar:

  • Mbreti Beniamin dha mësim se ne duhet të “beso[jmë] në Perëndinë” (Mosia 4:9). Ai foli edhe për shijimin e dashurisë së Perëndisë dhe që gjithmonë ta kujtojmë “madhështinë e Perëndisë” (Mosia 4:11). Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të kuptoni se Perëndia është i vërtetë dhe i fuqishëm dhe se Ai ju do?

  • Si ndikon të kujtuarit e fuqisë, madhështisë dhe dashurisë së Perëndisë në gatishmërinë tonë për t’iu bindur Atij?

Lexojuni me zë studentëve Mosian 4:12. Kërkojuni që të përcaktojnë në këtë varg bekimet që u vijnë atyre që zbatojnë atë që jepet mësim te Mosia 4:5–11.

Shpjegoni se Mosia 4:13–16 përmban përshkrimin që mbreti Beniamin u bën njerëzve që e ruajnë heqjen e mëkateve të tyre. Ndajeni klasën në tri grupe. Kërkojini grupit të parë të shqyrtojë Mosian 4:13, grupit të dytë të shqyrtojë Mosian 4:14–15 dhe grupit të tretë të shqyrtojë Mosian 4:16. Vëreni secilin student që të lexojë veçan vargun apo vargjet e caktuara atyre, dhe të përcaktojë qëndrimet e cilësitë që mbreti Beniamin përshkroi tek ata që synojnë të ruajnë një heqje të mëkateve të tyre.

Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme, ftojini studentët të tregojnë atë që kanë gjetur. Ndërsa e bëjnë këtë, theksoni të vërtetën që nëse e përulim veten para Perëndisë dhe përpiqemi të zhvillojmë cilësi si të Krishtit, ne mund të ruajmë një heqje të mëkateve tona. Ndihmojini studentët që të zbatojnë atë që po mësojnë duke bërë njërën ose të dyja pyetjet në vijim ndërsa përmendet secili qëndrim apo secila cilësi:

  • Përse mendoni se ky qëndrim (ose kjo cilësi) është e dobishme për ruajtjen e heqjes së mëkateve tona?

  • Kur keni parë shembuj të këtij qëndrimi (ose të kësaj cilësie)?

Mbreti Beniamin përdori një analogji të fuqishme që mund t’i ndihmojë studentët të vlerësojnë bekimet që kanë marrë nga Zoti dhe t’i nxitë ata që të zhvillojnë cilësitë që kanë studiuar te Mosia 4:13–16. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mosian 4:16–23.

  • Sipas mbretit Beniamin, në ç’mënyrë që të gjithë ne jemi lypësa?

  • Si mund të na ndihmojë kjo njohuri që të jemi më të dhembshur ndaj të tjerëve?

  • Për ata që nuk janë në gjendje t’u japin lypësve, ose për ata që kanë pak për të dhënë, çfarë këshille jep mbreti Beniamin te Mosia 4:24–26?

  • Po sot në Kishë, si na ndihmon dhënia e ofertave të agjërimit që të ndjekim këshillën te Mosia 4:26? Si mund të marrë pjesë rinia në ofertat e agjërimit? (Përgjigjet mund të përfshijnë që ata mund të agjërojnë, disa mund të japin oferta agjërimi; dhe mbajtësit e Priftërisë Aarone në disa vende të botës i mbledhin ofertat e agjërimit nga anëtarët e lagjes ose të degës.)

Vini në dukje se me gjithë gjërat e mira që na kërkohet të bëjmë, ndonjëherë mund të jetë sfiduese që të gjejmë ekuilibrin në jetën tonë. Vini një student të lexojë me zë Mosian 4:27.

  • Çfarë mendoni se do të thotë t’i bësh të gjitha gjërat në “urtësi dhe rregull”?

  • Si mund t’ju ndihmojë kjo këshillë?

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 4:29–30. Vini në dukje që Mosia 4:30 është fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund t’i nxitni studentët që ta shenjojnë këtë fragment në një mënyrë të dallueshme që të jenë në gjendje ta gjejnë me lehtësi.

  • Cila është marrëdhënia midis mendimeve, fjalëve dhe veprave tona? Çfarë mund të bëjmë që ta shikojmë veten tonë? Në çfarë mënyrash mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin?

Merrni parasysh që t’u jepni studentëve disa minuta kohë që të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta se si parimet te Mosia 4:9–30 mund t’u vijnë në ndihmë ndërsa përpiqen që të ruajnë një heqje të mëkateve të tyre. Dëshmoni për dashurinë e Zotit për secilin prej tyre dhe për dëshirën e Tij që ata të pendohen dhe të ruajnë një heqje të mëkateve të tyre.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Mosia 4:30

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë marrëdhënien midis mendimeve, fjalëve dhe veprave siç shpjegohet te Mosia 4:30, lexoni thënien në vijim nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Kini mendime të pastra. Ata që kanë mendime të pastra nuk bëjnë veprime të pista. Ju nuk jeni përgjegjës përpara Perëndisë vetëm për veprimet tuaja por edhe për kontrollimin e mendimeve tuaja. Kështu që jetoni në një mënyrë që nuk do të skuqeni nga turpi nëse mendimet dhe veprat tuaja do të shfaqeshin në një ekran në kishën tuaj. Thënia e vjetër është ende e vërtetë, që ju mbillni mendime e korrni vepra, mbillni vepra dhe korrni zakone, mbillni zakone dhe korrni një karakter dhe karakteri juaj përcakton fatin tuaj të përjetshëm. ‘[Njeriu] ashtu si mendon, ashtu është ai’” (në Conference Report, tetor 1964, f. 60; citohet Fjalët e Urta 23:7).

Shpjegoni që drita dhe errësira nuk mund të zënë të njëjtën hapësirë në të njëjtën kohë. Drita e davarit errësirën. Për shembull, muzika e përshtatshme, imazhet pamore moralisht lartësuese, veprimtaritë e shëndosha dhe mendimet e fjalët e pastra do të ftojnë Shpirtin në jetën tonë dhe do t’i nxjerrin mendimet e padenja nga mendjet tona. Ndihmojini studentët të kuptojnë se mund ta luftojnë errësirën duke e mbushur jetën e tyre me dritë.

  • Çfarë mund të bëjmë që t’i mbajmë mendimet, fjalët dhe veprat tona të pastra?

Nxitini studentët që të bëjnë plane specifike për ta mbushur jetën e tyre me dritë. Ju mund të dëshironi t’i vini që t’i shkruajnë planet e tyre në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.