Biblioteka
Helamani


Hyrje në Librin e Helamanit

Përse të studiohet ky libër?

Me studimin e librit të Helamanit studentët do të mësojnë nga shembujt dhe mësimet e njerëzve të mëdhej si Helamani, bijtë e tij Nefi dhe Lehi si dhe Samuel Lamaniti, të cilët iu bindën Zotit me guxim dhe dëshmuan për Të. Shërbesat e këtyre njerëzve tregojnë që Perëndia dhuron fuqi për t’i ndihmuar shërbëtorët e Tij të kryejnë vullnetin e Tij dhe që përpjekjet e individëve të drejtë mund të bekojnë mijëra vetë. Studentët do të mësojnë gjithashtu mbi ndikimet shkatërrimtare të krenarisë, ligësisë dhe të lidhjeve të fshehta.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni ka mbledhur dhe përmbledhur dokumente nga fletët e mëdha të Nefit për të krijuar librin e Helamanit. Libri mban emrin e Helamanit, i cili ishte bir i Helamanit dhe nip i Almës të Riut. Helamani i mori dokumentet nga Shibloni, ungji i tij, dhe shërbeu si një kryegjykatës i drejtë mbi nefitët. Ai u mësoi të bijve Nefi dhe Lehi që t’i zbatonin urdhërimet e ta kujtonin Shëlbuesin e tyre dhe ta bënin Atë themelin e jetës së tyre (shih Helamani 5:9–14). Të frymëzuar nga këto mësime dhe të shqetësuar për ligësinë e popullit, Nefi dhe Lehi u predikuan pendimin nefitëve dhe lamanitëve. Nefi hoqi dorë nga posti i kryegjykatësit për këtë. Pasi mijëra lamanitë u kthyen në besim, një profet lamanit i quajtur Samuel u frymëzua që të predikonte pendim e të profetizonte mes nefitëve. Libri i Helamanit e merr lëndën nga dokumentet e mbajtura gjatë pushtetit dhe shërbesave të Helamanit (Helamani 1–3) dhe të Nefit (Helamani 4–16). Dokumentet e Nefit përfshinin profecitë dhe mësimet e Samuel Lamanitit.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni e shkroi librin e Helamanit për njerëzit e ditëve të mëvonshme që do të merrnin dokumentin e tij. Ashtu si përmbledhjet e tij të tjera nga fletët e mëdha të Nefit, libri i Helamanit dëshmon për hyjninë dhe misionin shëlbues të Jezu Krishtit (shih Helamani 3:27–30; 5:9–12; 8:13–23; 14:1–29; 16:4–5).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Dokumentet origjinale që u përdorën si burime për librin e Helamanit, mundet të jenë shkruar mes viteve 52 Pr.K. dhe 1 Pr.K. Mormoni i përmblodhi ato dokumente diku mes viteve 345 Ps.K. dhe 385 Ps.K.. Mormoni nuk e ka shënuar se ku ndodhej kur hartoi këtë libër.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Libri i Helamanit i përshkruan nefitët në një luhatje mes drejtësisë dhe ligësisë me shpeshtësi më të madhe se në çfarëdo kohe tjetër të historisë së tyre. Libri tregon për raste të shumta konflikti, lufte, vrasjeje dhe lidhjesh të fshehta. Ai gjithashtu nis të paraqitë dhe përshkruan veprimtaritë e hajdutëve të Gadiantonit, veprat e errësirës të të cilëve në fund shkaktuan shkatërrimin e nefitëve (shih Helamani 2:13–14). Libri i Helamanit gjithashtu është i përveçëm ngaqë përshkruan një periudhë kur “pjesa më e madhe” e lamanitëve u kthyen në besim dhe “drejtësia e tyre ia kaloi asaj të Nefitëve” (Helamani 6:1). Përveç kësaj, ai shfaq fuqinë që Perëndia u jep profetëve të Tij, siç ishte kur Nefi nxori në shesh vrasjen e një kryegjykatësi dhe profetizoi rrëfimin e vëllait të gjykatësit (shih Helamani 8–9) dhe kur Nefi mori nga Zoti fuqinë vulosëse e pastaj e ushtroi për të shkaktuar dhe për të anuluar një zi buke (shih Helamani 10–11). Gjithashtu, me ruajtjen e fjalëve të Samuelit, ky libër përmban të vetmin dokument të një predikimi nga një profet lamanit drejtuar nefitëve (shih Helamani 13–15). Në këtë predikim Samueli profetizoi shenjat e lindjes dhe të vdekjes së Jezu Krishtit.

Përmbledhje

Helamani 1–3 Dy kryegjykatës, Pahorani dhe Pakumeni, vriten. Moroniha zmbraps një pushtim lamanit të udhëhequr nga Koriantumri. Kishkumeni vritet teksa përpiqet të vrasë Helamanin, kryegjykatësin e emëruar së fundi. Megjithëse Gadiantoni dhe hajdutët e tij shtrijnë lidhjet e fshehta, dhjetëra mijë njerëz pagëzohen në Kishë. Nefi bëhet kryegjykatës pas vdekjes së Helamanit.

Helamani 4–6 Një ushtri e nefitëve të shkëputur dhe e lamanitëve zapton të gjitha tokat jugore të nefitëve, përfshirë Zarahemlën. Nefitët dobësohen për shkak të ligësisë së tyre. Nefi ia dorëzon fronin e gjykimit Cezoramit. Nefi dhe Lehi sjellin ndër mend fjalët e atit të tyre, Helamanit, dhe i kushtohen predikimit të ungjillit. Shumë të shkëputur pendohen dhe rikthehen te nefitët. Pasi Zoti i mbron për mrekulli Nefin dhe Lehin në burg, pjesa më e madhe e lamanitëve kthehen në besim dhe ua rikthejnë nefitëve tokat që u kishin zaptuar. Gjatë një periudhe begatie, hajdutët e Gadiantonit shumohen. Shumë nefitë i bashkohen ligësisë së tyre, duke çuar në korruptimin e qeverisjes nefite.

Helamani 7–12 Nefi lutet në majën e kullës së oborrit të tij dhe i paralajmëron njerëzit që të pendohen. Ai citon dëshmitë e shumë njerëzve që profetizuan për Krishtin. Ai gjithashtu nxjerr në shesh që Sezorami, kryegjykatësi, është vrarë nga i vëllai, Seantumi. Nefi merr fuqinë vulosëse dhe vazhdon të predikojë pendimin. Ai i kërkon Zotit që t’i zëvendësojë luftërat e nefitëve me zi buke dhe lutjet e tij sjellin shi për ta përfunduar zinë e bukës pasi populli pendohet. Pas një periudhe të shkurtër begatie dhe paqeje, grindja dhe ligësia përhapen mes popullit. Mormoni vajton udhët e paqëndrueshme e pa mend të njerëzve.

Helamani 13–16 Samuel Lamaniti i paralajmëron nefitët që të pendohen, profetizon për shkatërrimin e tyre përfundimtar dhe parathotë shenjat që ndjekin lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit. Ata që i besojnë fjalët e tij, pagëzohen. Megjithatë, shumica e popullit e kundërshtojnë Samuelin dhe largojnë nga mendja shenjat dhe çuditë që jepen.