Biblioteka
Mësimi 76: Alma 11


Mësimi 76

Alma 11

Hyrje

Ndërsa Alma dhe Amuleku vazhduan ta mësonin popullin e Amonihës, një doktor i ligjit, i quajtur Zizrom, i ofroi Amulekut para për ta mohuar ekzistencën e Perëndisë. Zizromi gjithashtu u përpoq t’i shtrembëronte fjalët e Amulekut dhe t’i diskreditonte mësimet e tij rreth Jezu Krishtit. Ndërsa mbrohej kundër përpjekjeve të Zizromit për ta zënë në kurth, Amuleku dëshmoi se shpëtimi nga mëkati vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit. Amuleku gjithashtu dëshmoi se i gjithë njerëzimi do të ringjallet dhe do të sillet për t’u “[nxjerrë] para shufrës së Krishtit, Birit, dhe Perëndisë Atit, dhe Frymës së Shenjtë” në Ditën e Gjykimit (Alma 11:44).

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 11:1–25

Amuleku e kundërshton tundimin e Zizromit për ta mohuar ekzistencën e Perëndisë

U kërkoni studentëve të mendojnë për diçka që zotërojnë, e cila është kaq me vlerë për ta saqë nuk do ta shisnin kurrë atë. I ftoni dy ose tre studentë të tregojnë për atë që menduan dhe përse ato gjëra janë kaq me vlerë për ta.

Shpjegoni se Alma 11 përmban tregimin e Almës dhe të Amulekut duke i dhënë mësim popullit të Amonihës. Ndërsa jepte mësim, Amuleku u ndesh me një doktor të ligjit, të quajtur Zizrom, i cili i ofroi para në këmbim të diçkaje që ishte shumë me vlerë për Amulekun.

I ftoni studentët të kërkojnë Almën 11:21–22 për të zbuluar sesa shumë para i ofroi Zizromi Amulekut dhe për çfarë arsyeje. I vini studentët të raportojnë për atë që mësojnë.

Vini në dukje që shpjegimi i Mormonit për sistemin monetar të nefitëve tek Alma 11:4–19 na ndihmon të kuptojmë madhësinë e ryshfetit të Zizromit. I ndihmoni studentët të kuptojnë se një onti ishte një monedhë argjendi me vlerën më të madhe (shih Alma 11:6, 11–13). Një onti ishte i barabartë me afërsisht rrogën e një jave për një gjykatës (shih Alma 11:3, 11–13), që do të thotë se gjashtë onti ishte e barabartë me gati rrogën e gjashtë javëve për një gjykatës.

  • Përse mund të kishte qenë oferta e Zizromit joshëse për disa njerëz?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 11:23–25.

  • Çfarë tregon përgjigjja e Amulekut rreth tij?

  • Sipas Almës 11:25, çfarë planifikoi të bënte Zizromi nëse Amuleku do ta pranonte ofertën e tij? Si është e ngjashme kjo me atë që bën Satani kur njerëzit iu dorëzohen tundimeve të tij?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë se si Amuleku ishte në gjendje t’i bënte ballë ofertës së Zizromit, shkruani sa vijon në tabelë: Unë nuk do të … asgjë që është në kundërshtim me Shpirtin e Zotit.

Ftojeni një student të lexojë Almën 11:22. Vëreni klasën të kërkojë fjalën që përdori Amuleku për ta plotësuar këtë thënie.

  • Çfarë fjalësh të tjera mund të vendosim në hapësirën bosh, të cilat mund të na ndihmojnë që të mbështetemi te Fryma e Shenjtë për t’i bërë ballë tundimit? (“Bëj”, “mendoj” ose “vështroj”.)

U kërkoni studentëve të thonë një parim bazuar tek Alma 11:22 që mund t’i ndihmojë ata të kujtojnë se si mund ta mposhtin tundimin. Ndërsa përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, ato duhet të pasqyrojnë parimin vijues: Kur mbështetemi te Fryma e Shenjtë, ne mund ta mposhtim tundimin. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 11:22.)

  • Si mendoni se mund të na ndihmojë të qenit të ndjeshëm ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë për ta mposhtur tundimin?

Lexoni këshillën vijuese nga Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

“Nëse ju po përfshiheni në gjëra që nuk duhet, ose nëse ju po shoqëroheni me njerëz që po ju tërheqin në drejtim të gabuar, ajo është koha që të ushtroni pavarësinë tuaj, lirinë tuaj të zgjedhjes. Mbani vesh zërin e Shpirtit dhe ju nuk do të udhëhiqeni në udhë të shtrembër.

… shërbëtor i Zotit, unë premtoj se ju do të jeni të mbrojtur dhe të ruajtur nga sulmet e kundërshtarit nëse ju do t’u vini veshin nxitjeve që vijnë nga Fryma e Shenjtë” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 18).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë dhe të ndiejnë rëndësinë e ndjekjes së nxitjeve të Frymës së Shenjtë, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Cilat janë disa situata në të cilat rinia mund të tundohet për të vepruar në kundërshtim me dëshmitë e tyre?

  • Çfarë bëni që të mbështeteni te Fryma e Shenjtë? Si ju ndihmon ajo juve?

  • Kur ju ka ndihmuar Fryma e Shenjtë që ta mposhtni tundimin?

I nxitni studentët të zbatojnë atë që kanë mësuar, duke kujtuar shembullin e Amulekut herën tjetër që do të tundohen për të komprometuar bindjet e tyre. Dëshmoni se, ndërsa jetojnë të denjë për shoqërimin e Frymës së Shenjtë, ata mund të përjetojnë besim më të madh te vetja për ta mbrojtur të vërtetën dhe për ta mposhtur tundimin.

Alma 11:26–40

Amuleku dëshmon për Birin e Perëndisë dhe i mposht përpjekjet e Zizromit për ta diskredituar fjalën e tij

I pyetni studentët nëse dikush e ka provuar ndonjëherë t’i vërë në dyshim ose t’i kundërshtojë bindjet e tyre me anë të grindjes ose mashtrimit. Ftoni një ose dy studentë të tregojnë për përvojat e tyre.

Shpjegoni se, pasi Zizromi nuk arriti ta bënte Amulekun ta mohonte ekzistencën e Perëndisë, ai i ndryshoi taktikat e veta dhe filloi të sulmonte besimin e Amulekut te Jezu Krishti.

Ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 11:26–35. Vëreni klasën të kërkojë mënyrën se si Zizromi u përpoq t’i shtrembëronte fjalët e Amulekut. U kërkoni studentëve të raportojnë për atë që kanë gjetur. Më pas ftoni një student të lexojë me zë të lartë Almën 11:36–37. I kërkoni klasës të shënojë se si Amuleku i korrigjon gjërat e rreme që u mësoi Zizromi. I ftoni studentët të shohin te shënimi 34a. në fund të faqes. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë shënimin 34a në shkrimet e tyre të shenjta.) I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë Helamanin 5:10–11.

  • Përse është e pamundur për t’u shpëtuar në mëkatet tona? Cili është ndryshimi midis të qenit të shpëtuar në mëkatet tona dhe të qenit të shpëtuar nga mëkatet tona?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 11:40. Shpjegoni se ky varg përmban një parim që duhet ta ndjekim me qëllim që të shpëtohemi nga mëkatet tona. Shkruani parimin vijues në tabelë: Kur besojmë në Jezu Krishtin, ne mund të shëlbehemi nga mëkatet tona.

  • Çfarë do të thotë për ju të besoni te Jezu Krishti?

  • Përse kemi nevojë të besojmë te Jezu Krishti për t’u shpëtuar nga mëkatet tona?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si besimi te Jezu Krishti na çon drejt shëlbimit nëpërmjet pendimit, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ne kemi nevojë për besim të fortë te Krishti për të qenë në gjendje të pendohemi. Besimi ynë duhet të përfshijë një ‘ide të saktë për karakterin, përsosmëritë dhe tiparet e [Perëndisë]’ (Lectures on Faith [1985], f. 38). Nëse besojmë se Perëndia i di të gjitha gjërat, është i dashur dhe është i mëshirshëm, ne do të jemi vërtet në gjendje ta vendosim të patundur besimin tonë tek Ai për shpëtimin tonë. Besimi te Krishti do t’i ndryshojë mendimet, bindjet dhe sjelljet tona që nuk janë në përputhje me vullnetin e Perëndisë” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 100; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 124).

I ndani studentët në dyshe. I kërkoni secilës dyshe ta bëjë me radhë duke i shpjeguar njëri-tjetrit se si do të përgjigjeshin nëse një më i ri në moshë do t’u bënte pyetje si ato që vijojnë. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë.)

  • Përse kam nevojë të besoj te Jezu Krishti me qëllim që të pendohem dhe të shpëtohem nga mëkatet e mia?

  • Si ju ka ndihmuar të pendoheni pasja e besimit te Jezu Krishti?

Dëshmoni se duke pasur besim te Jezu Krishti, ne mund të pendohemi, të shpëtohemi nga mëkatet tona dhe të marrim jetë të përjetshme.

Alma 11:41–46

Amuleku jep mësim rreth ringjalljes dhe gjykimit të mbarë njerëzimit

Për t’i ndihmuar studentët që të marrin parasysh përse është e rëndësishme të dimë se ne vërtet do të ringjallemi dhe gjykohemi në fund të fundit, pyetni:

  • Si mund ta jetojë dikush jetën e tij ndryshe, në qoftë se do të besonte se nuk kishte jetë pas vdekjes?

Shkruani në tabelë fjalët Ringjallje dhe Gjykim. I ftoni studentët të hetojnë në heshtje tek Alma 11:41–45, duke kërkuar sa më shumë informacion që munden rreth ringjalljes dhe gjykimit. Teksa studentët raportojnë atë që gjejnë, i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Sigurohuni që një nga thëniet në tabelë përçon të vërtetën se të gjithë njerëzit që jetojnë në tokë, do të ringjallen më së fundi. Vini në dukje përkufizimin e thjeshtë të ringjalljes tek Alma 11:45: “Ata të mos vdesin më; shpirtrat e tyre duke u bashkuar me trupat e tyre, për të mos u ndarë kurrë më”. (Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët për ta shenjuar këtë thënie.) Pasi studentët të kenë raportuar atë që kanë mësuar, ju mund të doni të sugjeroni që ata ta shkruajnë të vërtetën vijuese në krye të faqes në shkrimet e tyre të shenjta: Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë do të ringjallen dhe gjykohen sipas veprave të tyre.

  • Cilat të vërteta në tabelë ju nxisin të përgatiteni për të takuar Perëndinë?

  • Përse të vërtetat rreth ringjalljes u sjellin paqe dhe shpresë të drejtëve?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 11:46, duke parë për ndikimin që mësimet e Amulekut patën mbi Zizromin.

  • Si mendoni ju, përse dikush mund të reagojë në këtë mënyrë ndaj mësimit të Amulekut?

  • Si mendoni ju, cilat nga mësimet tek Alma 11:41–45 mund ta kenë shqetësuar Zizromin? Përse?

Dëshmoni se, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe qëndrojnë përpara Perëndisë “për t’u gjykuar sipas veprave të tyre” (Alma 11:44). U jepni studentëve kohë për të përsiatur për atë që kanë mësuar sot dhe se ç’lidhje ka ajo me ta. Më pas i vini të shkruajnë përgjigje për pyetjet vijuese në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto pyetje në tabelë.)

  • Si ndiheni kur mendoni rreth qenies të ringjallur dhe të gjykuar?

  • Çfarë keni nevojë të bëni për t’u përgatitur që të qëndroni para Perëndisë?

  • Si ndikon besimi juaj se do të ringjalleni dhe gjykoheni, te mënyra që zgjidhni për të jetuar çdo ditë?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 11:28. A ka më shumë se një Perëndi?

Doktrina e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme për Kreun-Perëndi (se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë tre Personazhe të veçuara, që bashkohen në mënyrë të përsosur në qëllim dhe doktrinë) po sulmohet ashpër në botën e sotme të krishterë. Të krishterët, të cilët e gjejnë nocionin e tyre për Perëndinë te besimet e shekullit të katërt dhe të pestë, që shpallin doktrinën e Trinitetit (se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë nuk janë tri qenie të veçuara), shpesh i pyesin anëtarët e Kishës rreth nocionit tonë të pashoq për Perëndinë. Pyetja e ngritur me përgjigjen e saj të dhënë tek Alma 11:28–33 gjithashtu i ka lënë shumë vetë duke e vënë në dyshim doktrinën e Kreut-Perëndi ashtu si përvijohet në Kishën e rivendosur. Roi W. Doksli, ndihmës në zyrën e Këshillit të Të Dymbëdhjetëve dhe dekan nderi i Udhëzimit Fetar të Universitetit “Brigam Jang”, shpjegoi një arsye të mundshme për përgjigjen e Amulekut se ka veçse një Perëndi:

A ka më shumë se një Perëndi? Pyetja ngrihet shpesh në përgjigje të Almës kapitulli 11, ku Zizromi, një kritik, po ndeshet me misionarin Amulek. …

Me qëllim që të kuptojmë thënien e Amulekut [se nuk ka veçse një Perëndi të vërtetë dhe të gjallë], ne duhet ta shohim në përmbajtjen e plotë. Gjatë shumicës së historisë së tyre, shumë izraelitë (stërgjyshërit e nefitëve) kishin mjaft dëshirë për t’i pranuar perënditë e shumta pagane të egjiptianëve dhe kanaanitasve. Edhe pse Libri i Mormonit nuk flet rreth ideve të veçanta të braktisjes, të ruajtura nga njerëzit në qytetin e Amonihës të Zizromit, është e qartë që disa nefitë braktisës të kohës së Almës ishin idhujtarë – siç kishin qenë disa nga etërit e tyre izraelitë. Kur Alma, shok misionar i Amulekut, ishte kryegjykatës dhe gjithashtu prift i lartë i Kishës, ai ndihmoi që të ngrihej një grup i fortë dhe besnik anëtarësh të kishës. Megjithatë, ‘ata që nuk bënin pjesë në kishën e tyre jepeshin pas magjive dhe pas idhujtarive’.(Alma 1:32.) Braktisja ishte kaq problem sa Alma më vonë e la fronin e gjykimit, ‘që ai vetë të mund të shkonte mes popullit të tij, ose mes popullit të Nefit, që ai të mund t’u predikonte atyre fjalën e Perëndisë’.(Alma 4:19.)

Si misionar, Alma gjeti se shumë njerëz u zhytën në idhujtari. Ai zbuloi, për shembull, se njerëzit në qytetin e Zoramit ‘po prishnin udhët e Zotit dhe që Zorami që ishte udhëheqësi i tyre, po i drejtonte zemrat e njerëzve që të përuleshin para idhujsh memecë’.(Alma 31:1.)

Kjo është, atëherë, përmbajtja e diskutimit që Alma dhe Amuleku patën me Zizromin. Duke e parë në këtë dritë, përgjigjja e Amulekut është tërësisht e kuptueshme dhe, sigurisht, e saktë: Ka vetëm një ‘Perëndi të vërtetë dhe të gjallë’ – i cili nuk ndan aspak nga perëndishmëria e tij me moritë e perëndive të rreme, të shpikura nga njeriu” (“I Have a Question”,Ensign, gusht 1985, f. 11).

Plaku Xhefri R. Holland shpjegoi se si dhe përse besimi i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme te Kreu-Perëndi ndryshon nga besimi tradicional i Krishtërimit te Triniteti:

“Neni ynë i parë dhe më kryesor i besimit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është: ‘Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë’ [Nenet e Besimit 1:1]. Ne besojmë se këta tre persona hyjnorë që përbëjnë një Kre-Perëndi të vetëm, janë të bashkuar në qëllim, në mënyrë, në dëshmi, në mision. Ne besojmë që Ata mbushen me të njëjtën ndjenjë perëndishmërie të mëshirës dhe dashurisë, drejtësisë dhe mirësisë, durimit, faljes dhe shëlbimit. Unë mendoj se është e saktë të themi që ne besojmë se Ata janë një në çdo aspekt të imagjinueshëm domethënës dhe të përjetshëm, pa besuar që Ata të jenë tre persona të bashkuar në një lëndë, një ide Trinitare që nuk është dhënë asnjëherë në shkrimet e shenjta, sepse nuk është e vërtetë. …

Në vitin 325 ps. K. perandori romak, Konstantini, mblodhi Këshillin e Nikesë për t’iu drejtuar – midis të tjerash – shqetësimit në rritje për gjoja ‘trinitetin në bashkësi’ të Perëndisë. Ajo që doli nga grindjet e zjarrta të burrave kishtarë, filozofëve dhe drejtuesve fetarë, arriti të njihet (pas 125 vitesh të tjerë dhe tre këshilleve më të mëdhenj) [Kostandinopol, 381 ps. K.; Efes, 431 ps. K.; Kalkedon, 451 Ps. K.] si Dekreti i Nikeas, me riformulimine të mëvonshme të tillë si Dekreti Athanasian. Këto ndryshime dhe ritheksime të ndryshme të besimeve – dhe të tjera që do të vijnë përmes shekujve – shpallën se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë ishin abstraktë, absolutë, të pakapshëm, të brendshëm, të bashkëqenësishëm, të bashkëpërjetshëm dhe të panjohshëm, pa trupa, gjymtyrë ose pasione dhe që banonin jashtë hapësirës dhe kohës. Në besime të tilla që të tre anëtarët janë persona të veçuar, por ata janë një qenie e vetme, ‘misteri i trinitetit’ siç vihet shpesh në dukje. Ata janë tre persona të dallueshëm, përsëri jo tre Perëndi por një. Që të tre personat janë të pakuptueshëm, prapëseprapë është një Perëndi i cili është i pakuptueshëm.

Ne biem dakord me kritikët tanë në të paktën atë pikë – se një formulim i tillë i hyjnisë është me të vërtetë i pakuptueshëm. …

Ne deklarojmë se vetëkuptohet nga shkrimet e shenjta se Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë janë persona të veçantë, tri qenie hyjnore, duke theksuar ilustrime të tilla që nuk lenë vend për mëdyshje si Lutja e madhe Ndërmjetësuese e Shpëtimtarit … , pagëzimi i Tij nga duart e Gjonit, përvoja e Malit të Shpërfytyrimit dhe martirizimi i Stefanit – për të përmendur vetëm katër” (“I Vetmi Perëndi i Vërtetë dhe Jezu Krishti të Cilin Ai Ka Dërguar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 40–41).

Alma 11:38.PD-39. Si është Jezu Krishti Ati i Përjetshëm?

Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë që të kuptojnë se si Jezu Krishti mund të jetë si Biri i Perëndisë ashtu edhe Ati i Përjetshëm, ju mund t’u mësoni ose të rishikoni idenë shtesë për mësimdhënien e Mosias 15:1–9 në mësimin 60.