Biblioteka
Mësimi 131: 3 Nefi 23


Mësimi 131

3 Nefi 23

Hyrje

Pasi citoi fjalët e Isaias (shih 3 Nefin 22), Jezu Krishti rekomandoi që nefitët t’i shqyrtonin fjalët e këtij profeti. Ai tha se fjalët e Isaias janë një bekim pasi Isaia “foli mbi të gjitha këto gjëra në lidhje me popullin tim i cili është nga shtëpia e Izraelit” (3 Nefi 23:2). Ai gjithashtu tha se të gjitha fjalët e Isaias ishin përmbushur ose do të përmbusheshin. Më pas Shpëtimtari i urdhëroi nefitët t’i kërkojnë fjalët e gjithë profetëve dhe i udhëzoi ata t’u shtonin material analeve të tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 23:1–5

Jezu Krishti i urdhëron njerëzit t’i kërkojnë fjalët e profetëve

Shkruani frazën që vijon në tabelë: Bekimet nga studimi im i shkrimeve të shenjta. U kërkoni studentëve të përsiatin përvojat e tyre të studimit të Librit të Mormonit në shtëpi dhe në seminar këtë vit. I ftoni ata të vijnë tek tabela dhe të shkruajnë një fjalë ose një frazë të shkurtër që përshkruan një bekim që ka ardhur në jetën e tyre si rezultat i studimit të shkrimeve të shenjta. Ju mund të doni t’u kërkoni dy ose tre studentëve të përshkruajnë më me hollësi atë që kanë shkruar. Më pas vini në dukje bekimet e shkruara në tabelë.

  • Si mendoni ju, përse bekohemi në këto mënyra kur i lexojmë shkrimet e shenjta?

U kërkoni studentëve të kujtojnë nga mësimi i mëparshëm se fjalët e kujt citoi Jezu Krishti, ndërkohë që po u jepte mësim nefitëve. (Fjalët e Isaias.) Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 23:1–3. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar atë që Shpëtimtari tha se ne duhej të bënim me fjalët e Isaias. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë fjalët dhe frazat që iu bien në sy në këto vargje. Ftojini të tregojnë për atë që zbulojnë.

  • Përse Zoti dëshironte që njerëzit t’i kërkonin fjalët e Isaias? (Shih 3 Nefi 23:2–3.)

  • Përse është bekim të dimë se të gjitha fjalët e Isaias do të përmbushen?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 23:4–5. Vini në dukje se, pasi Shpëtimtari tha që t’i kërkonin fjalët e Isaias, Ai tha të “kërkoni[n] profetët”. Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Shpëtimtari na urdhëron t’i kërkojmë me zell fjalët e Isaias dhe të profetëve të tjerë.

  • Sipas 3 Nefit 23:5, çfarë duhet të bëjmë që të shpëtohemi? Si na ndihmojnë fjalët e profetëve për t’i ndjekur këto urdhërime?

  • Në çfarë mënyrash është i ndryshëm kërkimi me zell i fjalëve të profetëve nga vetëm leximi i fjalëve të profetëve? Si mendoni ju, përse është e rëndësishme t’i kërkojmë me zell fjalët e Isaias dhe të profetëve të tjerë?

  • Cilat metoda të studimit të shkrimeve të shenjta ju ndihmojnë më mirë që ta bëni kërkimin e fjalëve të Isaias dhe të profetëve të tjerë një pjesë domethënëse të jetës suaj?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Merrill J. Beitmen, i Të Shtatëdhjetëve:

“Ka bekime të caktuara që fitohen kur dikush i kërkon shkrimet e shenjta. Ndërkohë që një njeri studion fjalët e Zotit dhe u bindet atyre, ai ose ajo afrohet më pranë Shpëtimtarit dhe fiton një dëshirë më të madhe për të jetuar një jetë të drejtë. Fuqia për t’i bërë ballë tundimit rritet dhe dobësitë shpirtërore kapërcehen. Plagët shpirtërore shërohen” (“Coming unto Christ by Searching the Scriptures”, Ensign, nëntor 1992, f. 28).

  • Përveç shkrimeve të shenjta, ku mund t’i gjejmë fjalët e profetëve?

Kërkojuni studentëve t’i përgjigjen pyetjes vijuese në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Çfarë ndryshimesh mund të bëni për t’i studiuar më me zell fjalët e profetëve?

Ftoni dy ose tre studentë të dëshmojnë për bekimet që vijnë nga kërkimi i fjalëve të profetëve.

3 Nefi 23:6–14

Shpëtimtari i udhëzon dishepujt e Tij të shtojnë një ngjarje të rëndësishme në analin e tyre të shkrimeve të shenjta

U kërkoni dy ose tre studentëve të përmendin tregimet e tyre të parapëlqyera nga Libri i Mormonit. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë. Më pas fshini një prej përgjigjeve. U kërkoni studentëve të përfytyrojnë se Mormoni ose Nefi apo një mbajtës tjetër i analit do ta kishte lënë pas dore përfshirjen e atij tregimi.

  • Çfarë mësimesh të rëndësishme do të humbisnin prej Librit të Mormonit, në qoftë se ky tregim nuk përfshihej?

Shpjegoni se, kur Shpëtimtari po i mësonte nefitët, Ai vuri në dukje se mbajtësit e analit të tyre kishin lënë pas dore përfshirjen e një ngjarjeje të rëndësishme që erdhi në përmbushje të profecisë. Ftoni disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 3 Nefi 23:6–13. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke parë për atë që nefitët nuk e kishin shkruar në anal.

  • Nefitët tashmë e kishin një anal të profecisë së Samuelit (shih Helamanin 14:25). Si mendoni ju, përse do të kishte qenë e rëndësishme për ta që të kishin një anal të përmbushjes së saj?

Vini në dukje se, edhe pse ne nuk jemi urdhëruar që të mbajmë një anal të shkrimeve të shenjta për Kishën, ne jemi këshilluar të mbajmë ditarë personalë.

  • Si mund të zbatohet këshilla e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 23:6–13 në përpjekjet tona për të mbajtur ditarë personalë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë një mënyrë se si mund ta mbajnë një ditar, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë përvojën që vijon, të treguar nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Henri B. Ajring

“U ktheva në shtëpi vonë nga një detyrë e Kishës. Ndërkohë ishte errësuar. Vjehrri im, i cili jetonte pranë nesh, më habiti ndërsa po ecja në drejtim të derës kryesore të shtëpisë sime. Ai po mbante një sasi tubash në shpatull, ecte mjaft shpejt e ishte veshur me rrobat e tij të punës. E dija se po ndërtonte një sistem për të sjellë ujë me pompë në pronën tonë nga një përrua poshtë nesh.

Ai buzëqeshi, foli me butësi dhe më pas kaloi pranë meje me nxitim drejt errësirës për të vazhduar me punën e tij. Eca pak hapa drejt shtëpisë, duke menduar për atë që ai po bënte për ne, dhe sapo shkova tek dera, dëgjova në mendjen time – jo sipas zërit tim – këto fjalë: ‘Nuk po t’i jap këto përvoja për veten tënde. Shkruaji ato.’

Hyra brenda. Nuk shkova drejt shtratit. Megjithëse isha i lodhur, mora një copë letër dhe fillova të shkruaj. Dhe ndërsa e bëra atë, e kuptova mesazhin që pata dëgjuar në mendjen time. Duhej të shkruaja që fëmijët e mi të lexonin, një ditë në të ardhmen, se si e kisha parë dorën e Perëndisë ta bekonte familjen tonë. Gjyshi nuk kishte pse të bënte atë që po bënte për ne. Ai mund ta kishte bërë dikë tjetër ta bënte atë ose mund të mos e kishte bërë atë aspak. Por ai po na shërbente ne, familjes së tij, në mënyrën si gjithmonë shërbejnë dishepujt e besëlidhjes së Jezu Krishtit. E dija se ishte e vërtetë. Dhe kështu unë e shkruajta atë, me qëllim që fëmijët e mi të mund ta kishin kujtimin një ditë kur ai do t’ju nevojitej.

Shkrova pak rreshta përditë për vite me radhë. Nuk lashë asnjë ditë pa shkruar, pavarësisht sa i lodhur isha apo sa herët do të më duhej ta nisja ditën tjetër. Përpara se të shkruaja, mendohesha për këtë pyetje: ‘A e kam parë dorën e Perëndisë të afrohet për të na prekur ne apo fëmijët ose familjen tonë sot?’” (“O Kujtoni, Kujtoni”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 66–67).

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme për ne që të shkruajmë rreth përvojave që na forcojnë shpirtërisht?

  • Si mund të përfitojmë nga ndjekja e shembullit të Presidentit Ajring? Si mund t’i ndikojë të tjerët anali ynë?

Shpjegoni se Presidenti Ajring tregoi për bekimet që mori, sepse ai mbajti një anal të përditshëm për Perëndinë duke e bekuar familjen e tij. I kërkoni një studenti ta lexojë thënien që vijon me zë të lartë. (Ju mund ta keni ndarë një pjesë të kësaj thënieje në mësimin 117. Studentët mund të përfitojnë nga të dëgjuarit e saj përsëri.)

“Ndërsa vazhdova ta bëja atë, diçka filloi të ndodhë. Ndërkohë që i ktheja mendimet rreth ditës që kisha kaluar, do të shihja provën e asaj që Perëndia kishte bërë për një nga ne, të cilën nuk e kisha kuptuar gjatë momenteve të zëna të ditës. Ndërsa ajo ndodhi, dhe ndodhi shpesh, e kuptova se përpjekja për të kujtuar e kishte lejuar Perëndinë për të më treguar se çfarë Ai kishte bërë.

Më shumë se mirënjohje filloi të rritej në zemrën time. Dëshmia u rrit. U bëra gjithmonë e më shumë i sigurt se Ati ynë Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve. Ndjeva më shumë mirënjohje për zbutjen dhe përmirësimin që vjen për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit Jezu Krishtit. Dhe pata më shumë besim se Fryma e Shenjtë mund të na i sjellë të gjitha gjërat në kujtesë – edhe gjërat që nuk do t’i vëmë re ose nuk do t’u kushtojmë vëmendje kur ndodhin” (“O Kujtoni, Kujtoni”, f. 67).

  • Çfarë parimi mund të mësojmë nga tregimi tek 3 Nefi 23 dhe nga përvoja e Presidentit Ajring? (Studentët mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje në disa mënyra të ndryshme. Përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë të vërtetën e mëposhtme: Kur shënojmë përvoja shpirtërore, ne vërtet do të bekohemi individualisht dhe në familjet tona.)

Disa studentë mund të ndiejnë se nuk kanë pasur ndonjë gjë që ju ndodhi atyre, që do të ishte mjaft e vlefshme për t’u shënuar. Për t’i ndihmuar ata, ju mund të dëshironi ta ftoni një student të lexojë me zë të lartë thënien që vijon nga Plaku Xhon H. Groberg, i Të Shtatëdhjetëve:

“Disa njerëz thonë: ‘Nuk kam ndonjë gjë për të shënuar. Asgjë shpirtërore nuk më ndodh mua.’ Unë them: ‘Filloni të shënoni dhe gjërat shpirtërore do të ndodhin. Ato gjenden gjithë kohën, por ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj tyre kur shkruajmë’” (“Writing Your Personal and Family History”, Ensign, maj 1980, f. 48).

I ftoni studentët t’i bëjnë pyetjen vetes nëse e kanë lënë pas dore të shkruarit rreth përvojave që i kanë forcuar ata shpirtërisht. I nxitni ata të shkruajnë rreth këtyre përvojave dhe të vazhdojnë shënimin e përvojave të tjera gjatë gjithë jetës së tyre. Ju mund të sugjeroni që ata të ndjekin shembullin e Presidentit Ajrig, duke shkruar diçka çdo ditë.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Të mësuarit se si të zgjidhin probleme duke përdorur shkrimet e shenjta, mund t’i ndihmojë studentët gjatë gjithë jetës së tyre. Jepini secilit student një copë të vogël letre. I ftoni ata të shkruajnë rreth një pyetjeje që kanë ose një sfide që hasin. Shpjegoni se ju do t’i mblidhni letrat dhe do t’ia lexoni disa klasës. I udhëzoni studentët të mos i vendosin emrat e tyre në letrat dhe i kujtoni ata të mos përfshijnë hollësi që janë personale ose të papërshtatshme për t’u diskutuar në klasë. (Pas mbledhjes së letrave, ju mund të doni t’i shqyrtoni shkurtimisht përgjigjet për t’u siguruar që ato janë të përshtatshme dhe jo shumë personale.) I lexoni një pyetje ose një sfidë klasës dhe shihni nëse studentët mund t’i përdorin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për t’i ndihmuar që të merren me pyetjen ose sfidën.

Shpjegoni se Shpëtimtari na urdhëroi t’u mësojmë të tjerëve atë që Ai na e ka mësuar (shih 3 Nefin 23:14). Për t’i ndihmuar studentët të përgatiten për ta mbajtur këtë urdhërim, i nxitni ata të praktikojnë aftësi mësimdhënëse, të tilla si shpjegimin e doktrinave ose të parimeve, ndarjen e përvojave dhe dhënien e dëshmisë, ndërsa i përdorin fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë për të zgjidhur probleme. Ju mund të doni t’i ruani pyetjet ose sfidat e tjera, të cilat u dorëzuan nga studentët, dhe t’i diskutoni ato në një mënyrë të ngjashme në ditët kur keni kohë të tepërt.

Shënim: Kohëzgjatja e këtij mësimi mund të lejojë kohë për këtë përsëritje të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund ta kryeni veprimtarinë në fillim të orës mësimore, si një pushim midis pjesëve të mësimit ose në fund të orës mësimore. Mos e zgjatni veprimtarinë që të lini kohë për mësimin. Për veprimtari të tjera përsëritjeje, shihni shtojcën në fund të këtij manuali.