Biblioteka
Mësimi 15: 1 Nefi 14


Mësimi 15

1 Nefi 14

Hyrje

1 Nefi 14 përmbyll rrëfimin e vegimit të Nefit. Në këtë pjesë të vegimit, Nefit iu treguan bekimet e premtuara atyre që pendohen dhe e dëgjojnë Zotin, dhe mallkimet që do t’u vijnë të ligjve që i ngurtësojnë zemrat para Zotit. Nefit iu tregua edhe se Zoti do t’i ndihmonte e do t’i mbronte ata që jetonin drejtësisht dhe i mbanin besëlidhjet e tyre dhe se do të shkatërronte kishën e madhe dhe të neveritshme të djallit.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 14:1–7

Nefi sheh pasojat e bindjes ose mosbindjes ndaj Zotit te brezat e ardhshëm

Ftojini studentët t’i hapin shkrimet e tyre të shenjta te 1 Nefi 14. Shpjegoni se sot ata do të vazhdojnë të studiojnë vegimin e Nefit. Kërkojuni studentëve të përsiatin për mënyrën se si do t’i plotësonin fjalitë në vijim:

  • Nëse e ndjek Zotin, atëherë …

  • Nëse kundërshtoj ta ndjek Zotin, atëherë …

Pasi studentët t’i kenë treguar përgjigjet e tyre, vini në dukje se fjala nëse nënkupton zgjedhje. Në varësi të asaj që zgjedhim, ne përjetojmë pasoja të ndryshme. Shpjegoni se Nefi pa brezat e ardhshëm dhe vuri re se nëse do të ishin të drejtë atëherë do të bekoheshin; ose nëse do të zgjidhnin ligësinë, do të mallkoheshin. Ftojeni klasën që gjatë gjithë mësimit të mendojnë se si zgjedhja për të qenë të bindur ndaj Zotit u ka sjellë bekime.

Vizatojeni në tabelë skicën në vijim:

Pamja
If Then Diagram

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 14:1–2. Kërkojini klasës të gjejë 1) zgjedhjen që Nefi tha se mund të bënin johebrenjtë dhe 2) bekimet që pa Nefi se do t’u vinin johebrenjve nëse do ta bënin atë zgjedhje. Kur studentët të tregojnë atë që kanë gjetur, plotësojini vendet bosh në tabelë në mënyrë që të duket pak a shumë si kjo në vijim:

Pamja
If Then Diagram 2

Mund t’ju duhet të shpjegoni se në shkrimet e shenjta, fraza “penges[a]” [ose “bllo[k] pengues”] (1 Nefi 14:1; 2 Nefi 26:20) shpesh u referohet pengesave që nuk i lejojnë njerëzit të ndjekin Zotin. Të “numërohe[sh] midis shtëpisë së Izraelit” (1 Nefi 14:2) do të thotë të numërohesh midis njerëzve të besëlidhur të Zotit.

  • Përse është e rëndësishme të jesh mes njerëzve të besëlidhur të Zotit? (Për të marrë bekimet e besëlidhjes së Abrahamit [shih DeB 132:30–31].)

  • Çfarë do të thotë “ta dëgjo[sh] Qengjin e Perëndisë”?

  • Nga shpërblimet për bindjen të renditura në tabelë, cilat janë më kuptimplotat për ju? Përse?

  • Kur e keni dëgjuar Zotin dhe keni parë bekimet e Tij në jetën tuaj? (Kujtojuni studentëve që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.)

Në një pjesë tjetër të tabelës vizatoni skicën në vijim:

Pamja
If Arrows

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 14:5–7. Kërkojini klasës që të përpiqet të gjejë 1) bekimet që u vijnë atyre që pendohen dhe 2) pasojat negative që u vijnë atyre që i ngurtësojnë zemrat e tyre. Plotësoni skicën siç bëtë në ushtrimin e mëparshëm. (Nëse njerëzit pendohen “do të jetë mirë për ta” [1 Nefi 14:5] dhe ata do të kenë “paq[e] dhe jet[ë] [të] përjetshme” [1 Nefi 14:7]. Nëse njerëzit i ngurtësojnë zemrat e tyre, ata do të “mbaroj[në]” [1 Nefi 14:5] dhe do të “ç[ohen] në robëri” e “shkatërrim” [1 Nefi 14:7].)

Teksa studentët përgjigjen, mund t’ju duhet të shpjegoni se “vep[ra] [e] madhe dhe [e] mrekullueshme” e përmendur te 1 Nefi 14:7 i referohet rivendosjes së priftërisë, ungjillit dhe Kishës së Zotit në ditët e mëvonshme.

  • Në ç’mënyrë Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e “madhe dhe [e] mrekullueshme” për ju ? Si ju sjell ajo paqe? Si ju sjell shpresë për jetën e përjetshme?

Merrni parasysh t’u jepni kohë studentëve që të përsiatin me qetësi se cilin shteg të ilustruar në tabelë po ndjekin tani. Dëshmoni se bindja ndaj Zotit dhe pendimi për mëkatet tona çon drejt bekimeve të mëdha. Ju mund të dëshmoni edhe se ngurtësimi i zemrës sonë kundër Zotit dhe Kishës së Tij çon drejt robërisë shpirtërore dhe shkatërrimit.

1 Nefi 14:8–17

Nefi sheh betejën mes Kishës së Qengjit të Perëndisë dhe kishës së madhe e të neveritshme

Ftojini studentët që të përfytyrojnë sikur sapo janë rekrutuar për të luftuar në një luftë.

  • Çfarë do të bënit për t’u përgatitur për betejë?

Shpjegoni se engjëlli i mësoi Nefit rreth një beteje të madhe që do të ndodhte në ditët e mëvonshme.

Ftoni tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 14:9–11. Kërkojini pjesës tjetër të klasës të gjejë dy grupet që janë në konflikt. (Ju mund të dëshironi t’u kujtoni studentëve që kisha e madhe dhe e neveritshme nënkupton çdo individ apo grup që i largon njerëzit nga Perëndia dhe ligjet e Tij.)

  • Çfarë fjalësh dhe frazash përdoren për të përshkruar “kishë[n] [e] madhe dhe të neveritshme”?

  • Sipas vegimit të Nefit, ku do të gjendet “kish[a] [e] madhe dhe [e] neveritshme” në ditët e fundit?

Kërkojuni tre studentëve të tjerë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 14:12–14. Ftojeni klasën që të kërkojë arsyet përse ne mund të kemi shpresë për të ardhmen.

  • Sipas 1 Nefit 14:12, cila kishë do të ketë më shumë njerëz?

  • Përse Kisha e Qengjit do të ketë më pak njerëz se kisha e madhe dhe e neveritshme?

  • Sipas 1 Nefit 14:13, me ç’qëllim kisha e madhe dhe e neveritshme do të mbledhë së bashku turma?

Dëshmoni se ne jemi përfshirë në një luftë që Nefi e përshkruan si – një betejë shpirtërore e ditëve të mëvonshme kundër së ligës. Si anëtarë të Kishës së Qengjit, neve na e tejkalojnë në numër, dhe kemi nevojë për ndihmë nëse duam që të jemi fitimtarë kundër forcave të djallit.

Theksoni se premtimet e dhëna në këto shkrime të shenjta gjejnë zbatim veçanërisht për ata që i bëjnë e i mbajnë besëlidhjet e bëra me Zotin. Kujtojuni studentëve se kanë hyrë në një besëlidhje pagëzimi me Zotin. Tërhiqeni vëmendjen e studentëve te fraza “[të] armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë” te 1 Nefi 14:14.

  • Çfarë do të thotë për ju fraza “[të] armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë”?

  • Në çfarë mënyrash të qenit “[të] armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë” mund të jetë njësoj si të kemi parzmore e armë në betejën tonë kundër të ligës?

  • Kur keni ndier se keni qenë “[të] armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë”? Si u ndiet?

Pyetini studentët se si do ta përmblidhnin mesazhin te 1 Nefi 14:1–14. Sigurohuni që ta kuptojnë se nëse jetojmë me drejtësi dhe i mbajmë besëlidhjet tona, fuqia e Perëndisë do të na ndihmojë të ngadhënjejmë mbi të ligën.

Ftojini studentët të vlerësojnë jetën e tyre dhe të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë që të jenë të armatosur më mirë me drejtësi. Nxitini që të veprojnë sipas çdo nxitjeje që marrin. Sigurojini se ndërsa qëndrojnë besnikë, ata do të kenë mundësinë të hyjnë në tempujt e shenjtë dhe të bëjnë besëlidhje të tjera me Zotin. Premtimet dhe besëlidhjet që bëjnë atje, do të sjellin fuqi e mbrojtje të madhe në jetën e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 14:3–4. Kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 14:15–17.

  • Çfarë do t’i ndodhë Kishës së madhe dhe të neveritshme?

  • Cili do të jetë rezultati përfundimtar i betejës mes Kishës së Qengjit (mbretërisë së Perëndisë) dhe forcave të djallit?

  • Si mund t’ju ndihmojë dijenia mbi rezultatin e kësaj lufte?

Lexojini klasës thënien në vijim nga Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ne [anëtarët e Kishës] jemi një pjesëz e vogël kur krahasohemi me miliarda njerëz në tokë. Por ne jemi ata që jemi, dhe ne e dimë atë që dimë, dhe ne duhet të shkojmë përpara dhe të predikojmë ungjillin.

Pamja
Presidenti Bojd K. Paker

Libri i Mormonit e bën të qartë se ne kurrë nuk do të dominojmë me anë të numrave. Por ne kemi fuqinë e priftërisë [shih 1 Nefi 14:14]. …

Ne mundemi, dhe në kohën e duhur sigurisht do të ndikojmë të gjithë njerëzimin. Do të bëhet e ditur kush jemi ne dhe përse jemi ne. Mund të duket e pashpresë; është tejet e vështirë, por ajo jo vetëm është e mundur, por e sigurt se ne do të fitojmë betejën kundër Satanit” (“Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 7).

Sigurojini studentët se mbretëria e Perëndisë do të ngadhënjejë në ditët e fundit. Shprehni bindjen se ata mund t’i mirëbesojnë Perëndisë dhe se fuqia e Tij do të mposhtë çdo ligësi. Nxitini që të jenë një forcë për mirë në ndikimin ndaj të tjerëve.

1 Nefi 14:18–27

Nefi sheh Gjon Zbuluesin

Shkruajini në tabelë pyetjet në vijim:

Cilin prej Dymbëdhjetë Apostujve të Shpëtimtarit pa Nefi në vegim?

Për çfarë do të shkruante ky Apostull?

Përse u urdhërua Nefi që të mos e shkruante pjesën e mbetur të vegimit?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 14:18–27. Pastaj diskutoni shkurtimisht për përgjigjet ndaj pyetjeve në tabelë.

Shpjegoni se këto vargje i referohen të paktën pjesërisht shkrimeve të Gjonit në librin e Zbulesës. Një shtysë madhore e atij libri është që Perëndia do të triumfojë mbi forcat e djallit. Ashtu si Gjoni, edhe Nefi pa një vegim të fundit të botës, por u urdhërua të mos e shkruante pasi përgjegjësia për ta bërë këtë i ishte dhënë Gjonit. Nëse koha lejon, mund ta përmbyllni mësimin me një diskutim të shkurtër rreth asaj se si Bibla dhe Libri i Mormonit veprojnë së bashku që “të vendosin të vërtetën” e njëri-tjetrit dhe të jenë “një” (1 Nefi 13:40–41).

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 14:7. “Një vepër [e] madhe dhe [e] mrekullueshme”

Shkrimet e shenjta e përshkruajnë Rivendosjen e ungjillit dhe organizimin e Kishës si “një vepër të madhe dhe të mrekullueshme” (1 Nefi 14:7; 3 Nefi 21:9). Në këtë kuptim, fjala e madhe do të thotë e rëndësishme dhe kuptimplote, ndërsa fjala e mrekullueshme do të thotë e mahnitshme dhe e jashtëzakonshme. Vepra nënkupton një akt ose arritje.

1 Nefi 14:14. “[Të] armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë”

Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si mund të “armatos[emi] me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë” (1 Nefi 14:14):

“Pra le të shohim veten. Në lidhje me Kishën, shkrimet e shenjta sugjerojnë si një ndarje të përshpejtuar ashtu edhe një rritje shpirtërore e numerike të përshpejtuar – me të gjithë këtë që paraprin kohën kur njerëzit e Perëndisë do të jenë të ‘armatosur me drejtësi’ – jo me armë – dhe kur lavdia e Zotit do të derdhet mbi ta (1 Nefi 14:14; shih edhe 1 Pjetrit 4:17; DeB 112:25). Zoti është i vendosur që të ketë një popull të sprovuar, të kulluar e të vënë në provë (shih DeB 100:16; 101:4; 136:31), dhe ‘nuk ka asgjë që Zoti, Perëndia yt, do ta marrë për zemër për ta bërë, të cilën ai nuk do ta bëjë’ (Abrahami 3:17)” (“For I Will Lead You Along”, Ensign, maj 1988, f. 8).

“Vëllezër dhe motra, anëtarët e kishës kanë për të mbajtur një takim të veçantë. Nefi e pa atë. Në një të ardhme, tha ai, populli i besëlidhjes së Jezusit, i ‘shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës’, do të ‘armatos[et] me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe’.(1 Nefi 14:14.) Kjo do të ndodhë, por vetëm pasi akoma më shumë anëtarë të bëhen më të shenjtëruar dhe më të përkushtuar në sjellje” (“Repentance”, Ensign, nëntor 1991, f. 32).