Biblioteka
Mësimi 9: 1 Nefi 5


Mësimi 9

1 Nefi 5

Hyrje

Ndërkohë që gruaja e Lehit, Saria, priste për djemtë e saj që të ktheheshin nga Jerusalemi, ajo pati frikë se mos kishin mbaruar në përpjekjet e tyre për të siguruar fletët prej tunxhi. Kur ata u kthyen të sigurt me fletët, ajo fitoi një dëshmi më të fortë se Perëndia po e drejtonte dhe mbronte familjen e saj. Lehi i shqyrtoi fletët prej tunxhi dhe zbuloi se ato ishin me vlerë të madhe për familjen e tij. Teksa i lexoi, u mbush me Shpirtin e Shenjtë, dhe profetizoi se shkrimet e shenjta që ato përmbanin do të ruheshin për pasardhësit e tij.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 5:1–9

Bijtë e Lehit kthehen të sigurt në familjen e tyre në vendin e shkretë

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 5:1–3. Vëreni klasën që të kërkojë arsyet përse Saria filloi të ankohej.

  • Cilat ishin ankesat e Sarias? (Përgjigjet mund të përfshijnë se Lehi ishte njeri vegimtar, se ai e kishte çuar familjen larg vendit të trashëgimit të tyre, dhe se kishte marrë vendime që mund të kishin çuar në humbjen e djemve të tyre dhe që mund të çonin në vetë vdekjen e tyre në vendin e shkretë.)

Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth një kohe kur mund të jenë ankuar për një situatë edhe pse nuk e kishin të gjithë informacionin për atë situatë.

Ftoni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 5:4–6. Kërkojini klasës t’i kushtojë vëmendje mënyrës me të cilën Lehi iu përgjigj ankesave të Sarias.

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si iu përgjigj Lehi ankimit të Sarias? (Ju mund të dëshironi të vini në dukje se Lehi u përgjigj me dëshmi dhe mirëbesim te Zoti në vend të frikës apo dyshimit. Ai nuk u përgjigj me inat apo padurim.)

  • Çfarë mund të mësojmë nga përgjigjja e Lehit drejtuar Sarias?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 5:7–9.

  • Çfarë fitoi Saria nga kjo përvojë?

1 Nefi 5:10–22

Lehi shqyrton fletët prej tunxhi

Kërkojuni studentëve të mendojnë nëse ka ndonjë gjë që, për ta fituar ose mbajtur, ata do të mendonin të sakrifikonin jetën e tyre.

Ftojeni një student të përmbledhë 1 Nefin 3–4 dhe tregoni për sakrificat që bëri familja e Lehit për të marrë fletët prej tunxhi. (Nefi dhe vëllezërit e tij rrezikuan jetën e tyre, sakrifikuan pasuritë e tyre dhe udhëtuan në një distancë të largët.)

  • Përse mendoni se ishte e nevojshme kjo sakrificë?

Shpjegoni se pasi familja ofroi sakrifica dhe i dha falënderime Zotit, Lehi menjëherë filloi të lexonte përmbajtjet e fletëve. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë 1 Nefin 5:11–16. Vëreni klasën që të kërkojë atë që Lehi zbuloi në fletët prej tunxhi. Ju mund të dëshironi t’i renditni shkurtimisht në tabelë përgjigjet e tyre.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 1 Nefin 5:10. Vërini ata të kërkojnë të gjejnë fjalën që përshkruan leximin e shkrimeve të shenjta nga Lehi. (Ai i “shqyrtoi ato”.) Ftojini studentët të organizohen në çifte për të diskutuar pyetjen në vijim:

  • Cili është ndryshimi midis shqyrtimit të shkrimeve të shenjta dhe thjesht leximit të tyre? (Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët të tregojnë rreth rasteve kur kanë shqyrtuar shkrimet e shenjta.)

Lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Kur unë them ‘shqyrtoni’, e kam për diçka më shumë se leximi. Ndonjëherë është gjë e mirë të lexoni një libër të shkrimeve të shenjta brenda një periudhe të caktuar kohe për të marrë një kuptim të përgjithshëm të mesazhit të tij, por për kthimin në besim, ju duhet të kujdeseni më shumë për sasinë e kohës që kaloni në shkrimet e shenjta sesa për sasinë e asaj që lexoni në atë kohë. Ju përfytyroj ndonjëherë duke lexuar pak vargje, duke ndaluar për të përsiatur, duke i lexuar me kujdes vargjet sërish, dhe ndërsa mendoni rreth kuptimit të tyre, luteni për kuptueshmëri, bëni pyetje në mendjen tuaj, prisni për mbresa shpirtërore dhe i hidhni në letër mbresat dhe pikëpamjet që ju vijnë, që ju të mund t’i kujtoni dhe të mësoni më shumë. Duke studiuar në këtë mënyrë, ju mund të mos lexoni shumë kapituj ose vargje në gjysmë ore, por ju do t’i bëni vend në zemrën tuaj fjalës së Perëndisë dhe Ai do t’ju flasë juve. Mbani mend përshkrimin e Almës se si mund ta ndieni: ‘Po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua’ [Alma 32:28]” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 11–12).

Jepuni studentëve kohë për të reflektuar mbi studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni atyre të shkruajnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose fletoret e klasës rreth mënyrave kuptimplote sipas të cilave i shqyrtojnë shkrimet e shenjta. Pasi t’i kenë shkruar, ftojini të marrin në konsideratë mënyrën se si mund ta përmirësojnë studimin e tyre të shkrimeve të shenjta. Kërkojuni të zgjedhin një mënyrë për të përmirësuar shqyrtimin e tyre personal të shkrimeve të shenjta. Nxitini ta shkruajnë këtë synim në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta ndajnë synimin me dikë (për shembull, me ju, një prind ose një student tjetër) që do t’ua kujtojë synimin dhe do t’i nxitë për ta përmbushur atë.

Shpjegoni se Zoti e bekoi Lehin që i shqyrtoi shkrimet e shenjta. Për t’i ndihmuar studentët të zbulojnë këto bekime, ftojini të lexojnë në heshtje 1 Nefin 5:16–20.

  • Si ndikoi të shqyrtuarit e fletëve prej tunxhi tek Lehi?

Theksoni se kur Lehi i shqyrtoi shkrimet e shenjta, ai u mbush me Shpirtin e Shenjtë dhe mori zbulesë “në lidhje me farën e tij” (pasardhësit e tij). Sigurojini studentët se ndërsa i shqyrtojmë shkrimet e shenjta, ne mund të mbushemi me Shpirtin e Shenjtë dhe të marrim zbulesë. Në të njëjtën mënyrë, kur sakrifikojmë kohën dhe energjinë tonë për të shqyrtuar shkrimet e shenjta siç veproi Lehi, ne mund të marrin forcë për të mbajtur urdhërimet e Perëndisë.

  • Në çfarë mënyrash keni qenë të bekuar nga shqyrtimi i shkrimeve të shenjta?

  • Kur e keni ndier Shpirtin e Shenjtë ndërsa keni studiuar shkrimet e shenjta?

Ftoni një student të lexojë thënien vijuese, në të cilën Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dëshmon për bekimet e të shqyrtuarit të shkrimeve të shenjta:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Kur duam t’i flasim Perëndisë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta; sepse fjalët e Tij janë thënë nëpërmjet profetëve të Tij. Ai atëherë do të na mësojë ne ndërsa dëgjojmë nxitjet e Shpirtit të Shenjtë.

Nëse nuk e keni dëgjuar zërin e Tij t’ju flasë kohët e fundit, kthehuni me një shikim dhe dëgjim të ri tek shkrimet e shenjta. Ato janë shpëtimi ynë shpirtëror” (“Holy Scriptures: The Power of God unto Our Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 26–27; “Shkrimet e Shenjta: Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Konferenca e Përgjithshme, Tetor 2006 (nr. art. 01637 101), f. 35).

Lexoni me zë të lartë 1 Nefin 5:21–22, duke u kërkuar studentëve t’ju ndjekin te shkrimet e shenjta vetjake. Ndërsa lexoni, theksoni këto fjalë: “Ishte urtësia e Zotit, që ne duhet t’i merrnim ato me vete, ndërsa udhëtonim në vendin e shkretë”.

  • Përse është urtësi nga ana jonë që t’i marrim shkrimet e shenjta me vete në udhëtimet tona?

  • Në ç’mënyra mund t’i marrim shkrimet e shenjta me vete?

Vini në dukje se Lehi dhe familja e tij i morën fletët prej tunxhi nëpërmjet sakrificës së madhe. Pa shkrimet e shenjta, Lehi dhe familja e tij nuk do të kishin qenë të suksesshëm në udhëtimin e tyre. Nxitini studentët t’i mbajnë shkrimet e shenjta me vete ndërsa udhëtojnë përmes vdekshmërisë.

Ftojini studentët të reflektojnë mbi studimin vetjak të shkrimeve të shenjta. Merrni parasysh të ftoni një student që i lexon rregullisht shkrimet e shenjta që t’i ofrojë inkurajim dhe dëshmi bashkëmoshatarëve të vet. Nxitini studentët ta bëjnë zakon që t’i kushtojnë kohë çdo ditë shqyrtimit të shkrimeve të shenjta.

Shënim: Kohëzgjatja e këtij mësimi mund t’iu lejojë kohë për veprimtarinë e zotërimit të shkrimit të shenjtë nga mësimi i mëparshëm.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 5:10-22 Vlera e shkrimeve të shenjta

Për të dhënë mësim rreth mënyrës se si mund të marrim drejtim përmes studimit tonë të shkrimeve të shenjta, Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve e tregoi rrëfimin mbi Lehin duke shqyrtuar fletët prej tunxhi:

“Kur Nefi dhe vëllezërit e tij u kthyen [nga Jerusalemi me fletët prej tunxhi], Lehi, babai i tij, u gëzua. Ai filloi t’i shqyrtonte shkrimet e shenjta ‘që nga fillimi’, dhe ‘gjet[i] se ato ishin të dëshirueshme; po, madje me një vlerë të madhe … saqë [Lehi dhe pasardhësit e tij] të mund t’i [ruanin] urdhërimet e Perëndisë te fëmijët [e tyre]’.

Vërtet, fletët prej tunxhi ishin një dokument i paraardhësve të Lehit, përfshirë gjuhën, gjenealogjinë e tyre dhe më e rëndësishmja, ungjillin e dhënë mësim nga profetët e shenjtë të Perëndisë. Ndërsa Lehi shqyrtonte fletët, ai mësoi atë që të gjithë ne mësojmë duke studiuar shkrimet e shenjta se:

• Kush jemi ne.

• Çfarë mund të bëhemi.

• Profecitë për ne dhe për pasardhësit tanë.

• Urdhërimet, ligjet, ordinancat dhe besëlidhjet sipas të cilave duhet të jetojmë për të fituar jetën e përjetshme.

• Dhe si duhet të jetojmë në mënyrë që të durojmë deri në fund dhe të kthehemi tek Ati ynë Qiellor me nder.

“Kaq themelore ishin këto të vërteta, saqë Ati Qiellor i dha si Lehit, edhe Nefit vegime ku fjala e Perëndisë paraqitet e gjallë si një shufër hekuri. Si babai edhe biri mësuan se të mbaheshin pas këtij udhërrëfyesi të fuqishëm, të papërkulshëm dhe jashtëzakonisht të besueshëm, është mënyra e vetme për të qëndruar në atë udhë të drejtë dhe të ngushtuar që të çon drejt Shpëtimtarit tonë” (“Holy Scriptures: The Power of God unto Our Salvation”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 25; “Shkrimet e Shenjta – Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Konferenca e Përgjithshme tetor 2006 [nr. art. 01637 101], f. 34).

1 Nefi 5:18-19 Fletët prej tunxhi

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dëshmoi për rëndësinë e marrjes së fletëve prej tunxhi nga familja e Lehit:

“Vlera e Fletëve prej Tunxhi për nefitët nuk mund të mbivlerësohet. Nëpërmjet tyre, nefitët ishin në gjendje të ruanin gjuhën (1 Nefi 3:19), pjesën më të madhe të qytetërimit dhe njohurinë fetare të popullit prej nga erdhën.1 Nefi 22:30.) Si për dallim, mulekitët, që u drejtuan jashtë Jerusalemit afro 11 vjet pas largimit të Lehit, dhe të cilët nuk kishin asnjë anal të barasvlershëm me Fletët prej Tunxhi, shpejt ranë në braktisje e mosbesim dhe humbën gjuhën, qytetërimin dhe fenë e tyre.(Omni 14–18.)

Nga profeti në profet dhe brezi në brez Fletët prej Tunxhi u kaluan dhe u ruajtën nga nefitët.Mosia 1:16; 28:20; 3 Nefi 1:2.) Në një kohë të ardhshme Zoti ka premtuar t’i nxjerrë në dritë, të pazbehura nga koha dhe duke ruajtur shkëlqimin e tyre origjinal, dhe rrëfimet e shkrimeve të shenjta të shkruara në to duhet të ‘shkojnë në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull’.Alma 37:3–5; 1 Nefi 5:18–19.)”(Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 103).