Biblioteka
Mësimi 92: Alma 34–35


Mësimi 92

Alma 34–35

Hyrje

Pasi Alma u mësoi zoramitëve të besonin në Birin e Perëndisë, Amuleku u shpalli dëshminë e vet për Jezu Krishtin, duke siguruar një dëshmitar të dytë. Amuleku, shoku misionar i Almës, theksoi se Shlyerja e Jezu Krishtit është e nevojshme për shpëtimin e gjithë njerëzimit dhe se individët mund t’i marrin të gjitha bekimet e Shlyerjes, ndërkohë që ushtrojnë besim deri në pendim. Shumë zoramitë ia vunë veshin ftesës së Amulekut për t’u penduar. Kur zoramitët e penduar u dëbuan nga vendi prej sunduesve dhe priftërinjve të tyre të ligj, nefitët dhe populli i Amonit u dhanë atyre ushqim, veshje dhe toka për trashëgimin e tyre. Si rrjedhim, lamanitët dhe zoramitët e papenduar filluan të bëjnë përgatitje për luftë kundër nefitëve dhe njerëzve të Amonit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 34:1–14

Amuleku i mëson zoramitët rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit

Shkruani në tabelë thëniet vijuese përpara orës së mësimit. U kërkoni studentëve të shkruajnë në fletoret e klasës ose në copa letre nëse mendojnë se cila thënie është e vërtetë ose e rreme.

  1. Kur Jezu Krishti shleu për mëkatet e njerëzimit, Ai vuajti vetëm për njerëzit e drejtë.

  2. Të gjithë njerëzit kanë nevojë për Shlyerjen që të shpëtohen.

  3. Çdo njeri mund të shlyejë ose paguajë për mëkatet e dikujt tjetër.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’i shënuar përgjigjet e tyre, i kujtoni ata që Alma u mësoi një grupi zoramitësh se si ta merrnin fjalën e Perëndisë dhe të ushtronin besim në Jezu Krishtin (shih Alma 32–33). Përmblidhni Almën 34:1–7 duke shpjeguar se Amuleku e pasoi Almën duke dhënë dëshminë e vet rreth Shpëtimtarit. U kërkoni studentëve të shohin në heshtje mësimet e Amulekut tek Alma 34:8–9, 11, duke përcaktuar fraza që tregojnë se cila thënie në tabelë është e vërtetë ose e rreme. Më pas i rishikoni thëniet si klasë. Përgjigjet e sakta janë:

  1. E rreme – “Ai do të shlyejë për mëkatet e botës” (Alma 34:8).

  2. E vërtetë – “Duhet të bëhet një shlyerje, përndryshe i tërë njerëzimi do të mbarojë patjetër” (Alma 34:9).

  3. E rreme – “Nuk ka njeri që mund të bëjë fli gjakun e tij, për të shlyer mëkatet e një tjetri” (Alma 34:11).

Pasi studentët ta kenë diskutuar përgjigjen e thënies 3, i pyetni:

  • Si mendoni ju, përse Jezu Krishti është i vetmi që mund të shlyente për mëkatet e botës?

Për t’i ndihmuar studentët t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, i ftoni ata të lexojnë në heshtje Almën 34:10, 14. Më pas lexoni thëniet në vijim nga Plaku Rasëll Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Shlyerja e Tij është e pafundme – pa mbarim. Ishte gjithashtu e pafundme në atë që tërë njerëzimi do të shpëtohej nga vdekja e pambarueshme. Ishte e pafundme në kuptimin e vuajtjes së Tij të pashpjegueshme. … Ishte e pafundme në qëllim – ishte për t’u bërë njëherësh për të gjithë. Dhe mëshira e Shlyerjes shtrihet jo vetëm te një numër i pafundëm njerëzish, por gjithashtu te një numër i pafundëm botësh të krijuara prej Tij. Ishte e pafundme përtej çdo shkalle njerëzore të matjes ose përtej çdo kuptueshmërie të vdekshme.

Jezusi ishte i vetmi që mund ta ofronte një shlyerje të tillë, të pafundme, ngaqë Ai u lind prej një nëne të vdekshme dhe një Ati të pavdekshëm. Për shkak të asaj parëbirënie të pashoqe, Jezusi ishte një Qenie e pafundme” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35).

“Në përputhje me ligjin e përjetshëm, ajo shlyerje kërkoi një flijim vetjak nga një qenie e pavdekshme që nuk i nënshtrohej vdekjes. Prapë Ai duhet të vdesë dhe ta marrë vetë trupin e Tij përsëri. Shpëtimtari ishte i vetmi që mund ta plotësonte këtë. Nga nëna e Tij, Ai trashëgoi fuqi për të vdekur. Nga Ati i Tij, Ai trashëgoi fuqi mbi vdekjen” (“Constancy amid Change”, Ensign, nëntor 1993, f. 34).

  • Si na ndihmojnë mësimet e Amulekut dhe thëniet e Plakut Nelson për të kuptuar arsyen përse Jezu Krishti ishte i vetmi që mund të shlyente për mëkatet e botës?

  • Si do ta përmblidhnit atë që keni mësuar deri tani nga Alma 34 rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit? (Studentët mund të sugjerojnë të vërteta të tjera, por sigurohuni që ata kuptojnë se Shlyerja e pafundme dhe e përjetshme e Jezu Krishtit e bën shpëtimin të mundur për të gjithë njerëzimin.)

Për t’i ndihmuar studentët ta vlerësojnë më tej domosdoshmërinë e Shlyerjes në planin e Atit Qiellor për shpëtimin, merrni parasysh të përdorni aktivitetin e mëposhtëm. Ju mund të dëshironi ta përshtatni këtë aktivitet për t’iu përgjigjur nevojave dhe interesave të studentëve, të cilëve ju jepni mësim.

Shkruani frazën që vijon në tabelë: Përfytyroni jetën pa …

Ngrini lart një objekt që shumë të rinj e vlerësojnë (të tillë si një telefon celular) dhe pyetni:

  • Si e përfytyroni se do të ishte jeta pa këtë objekt?

Më pas, ngrini lart një shishe ose një gotë me ujë (ose diçka tjetër që është thelbësore për ta mbështetur jetën).

  • Si do të ishte jeta pa ujë?

Pasi studentët ta kenë diskutuar domosdoshmërinë e ujit, plotësoni thënien në tabelë që ajo të lexojë sa vijon: Imagjinoni jetën pa Shlyerjen e Jezu Krishtit.

  • Si do të ishte jeta e ndryshme pa Shlyerjen e Jezu Krishtit? (U jepni studentëve një çast për të përsiatur mbi këtë pyetje përpara se t’iu kërkoni përgjigjet. Nëse ua lejon koha, ju mund të doni t’i ftoni ata për t’i shkruar përgjigjet e kësaj pyetjeje).

Alma 34:15–41

Amuleku i mëson zoramitët se si të ushtrojnë besim deri në pendim

Vini në dukje që, edhe pse Jezu Krishti e kreu Shlyerjen për të gjithë njerëzit, ne nuk i marrim në mënyrë të vetvetishme të gjitha bekimet e saj. Amuleku na mësoi se çfarë kemi nevojë të bëjmë për t’i marrë të gjitha bekimet e bëra të vlefshme përmes Shlyerjes. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 34:15–17 dhe të përcaktojnë një frazë që Amuleku e tha katër herë. (“Besim deri në pendim.”)

  • Çfarë mund të mësojmë ne nga Alma 34:15–17 rreth asaj që duhet të bëjmë për të marrë bekimet e plota të Shlyerjes? (Sigurohuni që studentët të kuptojnë se, me qëllim që t’i marrim bekimet e plota të Shlyerjes, ne duhet të ushtrojmë besim deri në pendim.)

  • Si mendoni ju çfarë do të thotë të ushtroni besim deri në pendim?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se çfarë do të thotë të ushtrojnë besim deri në pendim, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

“Ne kemi nevojë për një besim të fortë në Krishtin që të jemi në gjendje të pendohemi. … Besimi në Krishtin do t’i ndryshojë mendimet, bindjet dhe sjelljet tona, që nuk janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. … Pendimi do të thotë një ndryshim i mendjes dhe i zemrës – ne pushojmë së bëri gjëra që janë të gabuara dhe fillojmë të bëjmë gjëra që janë të drejta” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona,, maj 2007, f. 100; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 124).

  • Përse është e rëndësishme ta kuptojmë se pendimi kërkon që ne, jo vetëm të ndalojmë bërjen e asaj që është e gabuar, por të fillojmë të bëjmë gjëra që janë të drejta?

  • Sipas Almës 34:16, çfarë vjen si përfundim kur ne ushtrojmë besim deri në pendim?

  • Çfarë ndodh nëse ne nuk ushtrojmë besim deri në pendim? (Ju mund të dëshironi të shpjegoni se të jesh “i ekspozuar para tërë ligjit të kërkesave të drejtësisë”, do të thotë të vuash pasojat e plota për mëkatet tona dhe të humbasësh bekimin e jetës së përjetshme).

  • Sipas Almës 34:17, çfarë është një gjë që mund të bëjmë për të ushtruar besim deri në pendim?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 34:17–28. I vini ata të kërkojnë se çfarë u mësoi Amuleku zoramitëve rreth lutjes, duke përfshirë kur të luten dhe për çfarë të luten.

  • Çfarë mësimi dha Amuleku për lutjen që lidhet me jetën tuaj? Përse mendoni se lutja është një pjesë e rëndësishme e ushtrimit të besimit deri në pendim?

  • Amuleku tha se lutjet tona nuk do të na vlejnë për asgjë, ose do të jenë të padobishme, në qoftë se nuk i ndihmojmë ata që janë përreth nesh (shih Alma 34:28). Si mendoni ju, përse kjo është e vërtetë?

Për t’i ndihmuar studentët të marrin parasysh mënyra shtesë se si mund të ushtrojmë besim deri në pendim, u kërkoni atyre t’u përgjigjen shembujve të mëposhtëm:

  1. Një i ri e ka bërë zakon të përdorë gjuhë të pahijshme. Cilat janë disa mënyra se si ai mund të tregojë besim deri në pendim për t’u çliruar nga ky zakon? (Përgjigjet mund të përfshijnë të lutet për ndihmë, t’u kërkojë anëtarëve të familjes e miqve për ta ndihmuar dhe të marrë pjesë në veprimtari që ftojnë Shpirtin).

  2. Një e re dhe një i ri janë përfshirë në një marrëdhënie të pahijshme. Ata e kanë ndier Frymën e Shenjtë t’i nxitë për ta përfunduar këtë marrëdhënie menjëherë. Si mund të paraqesë ndjekja e kësaj nxitjeje besimin deri në pendim? Çfarë hapash të tjerë mund t’iu nevojiten të bëjnë për të siguruar që ata janë në shtegun drejt pendimit të plotë? (Përgjigjet mund të përfshijnë kërkimin e udhëzimit nga peshkopi ose presidenti i degës dhe lutjen për forcë e falje).

  • Çfarë do të thotë të shtyjmë? Cilat janë disa arsye përse njerëzit shtyjnë?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 34:33, duke kërkuar për diçka që Amuleku i paralajmëroi zoramitët të mos e shtynin bërjen. I ftoni dy ose tre studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 34:32–35. Ndërsa lexojnë, e bëni klasën të kërkojë pasojat e shtyrjes së pendimit tonë. Pasi studentët të raportojnë se çfarë kanë gjetur, shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Kjo jetë është koha për ne që të përgatitemi për ta takuar Perëndinë.

  • Si do t’ia shpjegonin këtë të vërtetë dikujt?

  • Përfytyroni sikur keni një mik i cili me vetëdije nuk iu bindet disa urdhërimeve, por planifikon të pendohet më vonë. Çfarë mësimi do t’i jepnit këtij miku bazuar në atë që keni mësuar vetë nga Alma 34:32–35?

Shpjegoni se Amuleku jo thjesht paralajmëroi për pasojat e shtyrjes së pendimit; ai gjithashtu na mësoi rreth bekimeve të zgjedhjes për t’u penduar tani. I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 34:30–31 dhe ta përcaktojnë këtë bekim.

  • Tek Alma 34:31, çfarë sigurie u jepet atyre që pendohen tani? (“Plani i madh i shëlbimit do të realizohet menjëherë për ju.”)

Lexoni thënien në vijim nga Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Ju nuk ka nevojë të dini gjithçka përpara se fuqia e Shlyerjes të veprojë për ju. Kini besim në Krisht; ai fillon të veprojë ditën që ju e kërkoni!” (“Washed Clean”, Ensign, maj 1997, f. 10).

  • Si na ndihmon të kuptuarit e kësaj sigurie? Në çfarë mënyrash e keni ndier Shlyerjen të fillojë të veprojë për ju, kur keni filluar të mbështeteni tek ajo?

Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Harold Li. U kërkoni studentëve të dëgjojnë për atë që Presidenti Li e quajti “urdhërimi më i rëndësishëm”.

“Tani, nëse keni bërë gabime, bëjeni sot fillimin e një ndryshimi në jetën tuaj. Largohuni prej asaj që keni qenë duke bërë, që është e gabuar. Urdhërimi më i rëndësishëm i të gjitha urdhërimeve të Perëndisë është ai të cilin e keni më të vështirin për ta zbatuar sot. Nëse është një dobësi pandershmërie, nëse është një dobësi padëlirësie, nëse është një dobësi falsifikimi, e mosthënies së të vërtetës, sot është dita që ju të punoni për atë, derisa të jeni në gjendje që ta mposhtni atë dobësi. … E vini atë në udhë të drejtë dhe më pas filloni me tjetrin që është më i vështiri për ju për ta mbajtur” (Teachings of Presidents of the Church: Harold Lee [2000], f. 30).

  • Sipas Presidentit Li, cili është urdhërimi më i rëndësishëm? Përse?

Shkruani thëniet e mëposhtme të paplota në tabelë. U kërkoni studentëve që t’i plotësojnë ato në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Sot, urdhërimi më i rëndësishëm për mua është …

Unë vërtet do të filloj tani të ushtroj besim deri në pendim duke …

Alma 35

Zoramitët e penduar shkojnë për të banuar mes të drejtëve

Përmblidhni Almën 35 duke shpjeguar se shumë zoramitë u penduan për mëkatet e tyre. Ata u dëbuan nga vendi prej sunduesve dhe priftërinjve të tyre të ligj dhe shkuan të jetonin në vendin e Jershonit me popullin e Amonit. Populli i Amonit u dha atyre toka dhe nefitët u dërguan ushtritë e tyre për t’i mbrojtur.

Dëshmoni se ne mund të marrim bekime të Shlyerjes së Shpëtimtarit menjëherë sapo ushtrojmë besim deri në pendim. I nxitni studentët të ndjekin shembullin e popullit të Amonit dhe të nefitëve duke treguar mirësi dhe duke iu dhënë mbështetje atyre që kërkojnë të pendohen.