Biblioteka
Mësimi 2: Studimi i Shkrimeve të Shenjta


Mësimi 2

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

Hyrje

Ky mësim do t’i ndihmojë studentët që ta thellojnë kuptueshmërinë e tyre për qëllimet e shkrimeve të shenjta. Gjithashtu do t’i ndihmojë ata të studiojnë shkrimet e shenjta në një mënyrë më kuptimplote. Ai përfshin aktivitete të të mësuarit rreth kuptueshmërisë së rrethanave dhe mjedisit të shkrimeve të shenjta, dallimin dhe të kuptuarin e doktrinave dhe parimeve, si dhe zbatimin e doktrinave dhe parimeve në jetën tonë. Teksa studentët përmirësohen në aftësinë e tyre për t’i studiuar shkrimet e shenjta, dashuria e tyre për to do të rritet, sikurse do të rritet dhe kuptueshmëria e tyre për ungjillin. Merrni parasysh mënyra për ta shqyrtuar materialin në këtë mësim gjatë gjithë vitit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Si duhet t’i qasemi studimit të shkrimeve të shenjta në seminar?

Përpara se të fillojë ora mësimore, shkruani në tabelë deklaratën vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson. (Deklarata gjendet në faqen 107 të Conference Report të tetorit 1970.)

“Synimi i mësimdhënies së ungjillit … nuk është që të ‘derdhë informacion’ në mendjet e anëtarëve të klasës. … Qëllimi është që të frymëzohet individi për të menduar, ndier dhe më pas për të bërë diçka për t’i jetuar parimet e ungjillit” (Presidenti Tomas S. Monson).

Kërkojini një studenti ta lexojë deklaratën me zë të lartë.

  • Bazuar në këtë deklaratë, cili duhet të jetë synimi im si mësuesi juaj i seminarit? Cili duhet të jetë synimi juaj si studentë të seminarit?

Tregojuni studentëve se, në këtë mësim, ata do të shqyrtojnë mënyra “për të menduar, ndier dhe më pas për të bërë diçka për t’i jetuar parimet e ungjillit” të dhëna mësim në shkrimet e shenjta.

Të kuptuarit e rrethanave dhe mjedisit të shkrimeve të shenjta

Shpjegoni se një gjë që studentët mund të bëjnë për të përmirësuar studimin e tyre të shkrimeve të shenjta është të mësojnë për rrethanat dhe mjedisin e rrëfimeve dhe zbulesave në to. Rrethanat dhe mjedisi shpesh quhen konteksti.

Ftojeni një student të lexojë këshillën në vijim nga Presidenti Tomas S. Monson:

Pamja
Presidenti Tomas S. Monson

“Njihuni me mësimet që na japin shkrimet e shenjta. Mësoni për mjedisin dhe rrethanat e shëmbëlltyrave të Mjeshtrit dhe paralajmërimeve të profetëve. Studiojini ato sikur po ju flasin juve, sepse kështu është e vërteta” (“Të Jini më i Miri që Mundeni”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 68).

Vini në pah se të kuptuarit e rrethanave dhe mjedisit mund të na ndihmojë t’i kuptojmë mësimet në shkrimet e shenjta. Ai jep informacion që sqaron dhe sjell një kuptim më të thellë të rrëfimeve, mësimeve, doktrinave dhe parimeve në tekstin e shkrimit të shenjtë.

Shkruajini në tabelë pyetjet e mëposhtme:

  • Kush po flet në këto vargje?

  • Kujt po i drejtohet ai apo ajo?

  • Çfarë po ndodh në këtë rrëfim?

Shpjegoni se këto pyetje mund të na ndihmojnë të kuptojmë kontekstin e një mësimi ose rrëfimi në shkrimet e shenjta.

Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që kanë bërë për të fituar një kuptueshmëri më të mirë të rrethanave dhe mjedisit të fragmenteve të shkrimeve të shenjta. Ju mund të dëshironi t’i renditni disa prej këtyre ideve në tabelë.

Studentët mund të përmendin praktika të tilla si kërkimin e kuptimit të fjalëve të vështira ose të panjohura, shqyrtimin e tekstit përreth, leximin e përmbledhjeve të kapitujve në fillimet e kapitujve ose kontrollimin e shënimeve në fund të faqeve për shpjegime dhe referenca-kryq. Nëse studentët nuk i përmendin këto teknika sigurohuni që t’i përmendni ju.

Për të marrë shembull një model për kuptimin e kontekstit të shkrimeve të shenjta, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 17:1–10. Kërkojini klasës që të ndjekë së bashku, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet që keni shkruar në tabelë. Ju mund të dëshironi edhe t’i inkurajoni ata të kërkojnë në përmbledhjen e kapitullit për një vështrim të shpejtë të përgjithshëm të tij.

  • Kush po e tregon këtë rrëfim në vargjet 1, 5–6 dhe 9–10? (Mormoni.)

  • Kush po flet në këtë rrëfim? Kush po e merr mesazhin?

  • Çfarë ndodhi para ngjarjeve në këtë rrëfim? (Shih përmbledhjet e kapitujve për 3 Nefin 8–16.) Në ç’mënyrë ndikon njohuria juaj për këto rrethana në kuptueshmërinë e arsyes përse njerëzit dëshironin që Shpëtimtari të qëndronte pak më gjatë? (Shih 3 Nefi 17:5–6.) Çfarë mrekullish ndodhën pasi Ai u tha se do të qëndronte? (Shih 3 Nefi 17:7–10.)

Dallimi dhe kuptimi i doktrinave dhe parimeve

Theksoni se kur studentët i kuptojnë rrethanat dhe mjedisin e një rrëfimi të shkrimit të shenjtë, ata janë të përgatitur më mirë për t’i dalluar e kuptuar doktrinat dhe parimet që ai përmban. Ftojeni një student të lexojë përshkrimin vijues për parimet e ungjillit, ndarë nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Parimet janë e vërteta e përqendruar, e mbledhur për zbatim për një mori të gjerë rrethanash” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 86).

Shpjegoni se doktrinat dhe parimet janë të vërteta të përjetshme e të pandryshuara të ungjillit të Jezu Krishtit që sigurojnë drejtim për jetën tonë. Ato janë mësimet që profetët e lashtë synonin të na mësonin nga ngjarjet, historitë dhe predikimet që shënuan në shkrimet e shenjta. Vini në dukje se disa autorë në shkrimet e shenjta përdorën fraza të tilla si: “kështu ne shohim” (shih Helamani 3:27–29) ose fjalë të tilla si prandaj (shih Alma 32:16) për të nxjerrë në pah drejtpërdrejt doktrinat dhe parimet. Megjithatë, shumë doktrina dhe parime nuk shpallen kaq drejtpërdrejt në shkrimet e shenjta. Përkundrazi, këto të vërteta nënkuptohen dhe ilustrohen nëpërmjet jetës së personazheve në shkrimet e shenjta.

Në mënyrë që t’i ndihmoni studentët t’i dallojnë doktrinat dhe parimet që nuk janë shpallur drejtpërdrejt, sugjerojuni që teksa lexojnë t’i bëjnë vetes pyetje si ato në vijim: Cili është mesazhi i kësaj ndodhie? Çfarë synonte autori që ne të mësonim nga kjo ndodhi? Çfarë të vërtetash jepen mësim në këtë fragment të shkrimit të shenjtë? Ju mund të dëshironi t’i renditni këto pyetje në tabelë.

Për t’i ndihmuar studentët të ushtrohen në dallimin e doktrinave dhe parimeve, u thoni t’i kthehen 3 Nefit 17:1–10. Pyetini:

  • Çfarë mund të mësojmë rreth të kuptuarit të fjalës së Tij, nga mësimet e Shpëtimtarit te 3 Nefi 17:2–3?

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë rreth Shpëtimtarit nga 3 Nefi 17:5–7?

  • Në përgjigje të besimit të madh të njerëzve, Shpëtimtari ofroi t’i shëronte ata. Çfarë parimesh shihni rreth të kërkuarit të bekimeve nga Zoti te 3 Nefi 17:8–9? (Një parim që studentët mund të dallojnë është se Zoti i përgjigjet dëshirës sonë të sinqertë për t’u afruar më shumë me Të.)

Nëse ka kohë për t’u dhënë studentëve më shumë praktikë në dallimin e doktrinave dhe parimeve, ftojini ata të gjejnë ndodhitë e tyre të preferuara nga shkrimet e shenjta. Kërkojuni atyre të dallojnë parimet që kanë mësuar nga këto ndodhi. Më pas ftojini ata të tregojnë ndodhitë e tyre dhe parimet që kanë mësuar.

Zbatimi i doktrinave dhe parimeve

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrime dhe sjellje. Studimi i doktrinave të ungjillit do të përmirësojë sjelljen më shpejt sesa një studim i sjelljes do të përmirësojë sjelljen. … Kjo është arsyeja që ne i vëmë theksin kaq shumë studimit të doktrinave të ungjillit” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).

Shpjegoni se, kur ne e kuptojmë një doktrinë ose parim, ne dimë më shumë sesa përkufizimet e fjalëve. Ne e dimë se çfarë do të thotë doktrina apo parimi në jetën tonë. Kur e dallojmë një doktrinë apo parim dhe arrijmë ta kuptojmë atë, ne mund ta zbatojmë në jetën tonë. Shpjegoni se zbatimi ndodh kur ne bëjmë diçka për parimet që kemi mësuar. Studentët, të cilët veprojnë sipas parimeve që mësojnë, do të kenë një mundësi më të madhe për të ndier Shpirtin e Shenjtë t’u konfirmojë të vërtetën e këtyre parimeve (shih 2 Nefi 32:5; Moroni 10:5). Kjo është vlera e vërtetë e njohurisë së fituar nga studimi i shkrimeve të shenjta. Ndihmojini studentët të kuptojnë se kurdoherë që ata i studiojnë shkrimet e shenjta – qoftë nëse janë në shtëpi, në kishë, në seminar, duke punuar me broshurën Përparimi Personal ose Detyrë ndaj Perëndisë, ose në çfarëdo mjedisi tjetër – një nga synimet e tyre kryesore duhet të jetë të përmirësohen në përpjekjet e tyre për ta jetuar ungjillin dhe për t’iu afruar më pranë Perëndisë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë dhe zbatojnë parimet që zbulojnë në shkrimet e shenjta, nxitini ata të luten për ndihmën e Frymës së Shenjtë në studimin e tyre vetjak. Gjithashtu nxitini ata që ndërsa studiojnë të bëjnë pyetje si ato në vijim: Çfarë dëshiron Zoti që unë të bëj me këtë njohuri? Çfarë ndryshimi mund të bëjë kjo në jetën time? Çfarë mund të filloj ose të ndaloj së bëri sot, për ta jetuar jetën pak më mirë? Nëse e bëj këtë, si do të përmirësohet jeta ime? (Ju mund të dëshironi t’i shkruani në tabelë disa ose të gjitha këto pyetje. Ju mund të dëshironi edhe të sugjeroni që studentët t’i shkruajnë këto pyetje në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta, në mënyrë që t’u drejtohen atyre shpesh.)

Për ta mbyllur, ndajini studentët në çifte. Kërkojuni atyre t’i tregojnë njëri-tjetrit parimet që kanë mësuar sot nga 3 Nefi 17:1–10. Nxitini ata të flasin rreth asaj që kanë bërë për të zhvilluar kuptueshmërinë e tyre për këto parime dhe se çfarë do të bëjnë për ta zbatuar atë që kanë mësuar dhe ndier. Kërkojuni atyre të flasin rreth mënyrës se si zbatimi i këtyre parimeve mund të bëjë një ndryshim në jetën e tyre.