Biblioteka
Mësimi 93: Alma 36


Mësimi 93

Alma 36

Hyrje

Pas misionit të tij te zoramitët, Alma e këshilloi secilin prej bijve të tij në mënyrë individuale. Këshilla e tij për birin e tij, Helamanin, gjendet tek Alma 36 dhe 37. Alma i dëshmoi Helamanit se Perëndia do t’i çlironte ata që e vendosnin besimin e tyre tek Ai. Për ta ilustruar këtë të vërtetë, Alma përshkroi përvojën e tij vite më parë kur ai u çlirua nga dhembja e mëkateve të tij nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai gjithashtu tregoi për përpjekjet e tij që t’i sillte të tjerët te Krishti dhe që të përjetonin gëzimin e pendesës për veten e tyre.

Shënim: Mësimi 94 siguron mundësi për tre studentë për të dhënë mësim. Nëse nuk e keni bërë këtë tashmë, ju mund të dëshironi t’i përzgjidhni tre studentë tani dhe t’iu jepni atyre kopje të pjesëve të caktuara të mësimit 94, që ata të mund të përgatiten. I nxitni ata ta studiojnë materialin mësimor me lutje dhe të kërkojnë udhëzimin e Frymës së Shenjtë, kështu që ata do ta dinë se si ta përshtatin mësimin sipas nevojave të anëtarëve të klasës së tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 36:1–5

Alma e mëson Helamanin rreth fuqisë së Perëndisë për të çliruar

U kërkoni studentëve të mendojnë rreth mënyrave të padyshimta sipas të cilave ka ndikuar tek ata dëshmia e prindërve të tyre ose një mësim i veçantë i tyre. Ftoni një ose dy studentë që të ndajnë me klasën mendimet e tyre.

Shpjegoni se kapitujt 36–42 në librin e Almës përmbajnë këshillë nga Alma për bijtë e tij. Kapitujt 36–37 i drejtohen Helamanit, kapitulli 38 i drejtohet Shiblonit dhe kapitujt 39–42 i drejtohen Koriantonit.

I nxitni studentët ta përfytyrojnë veten në vendin e Helamanit, ndërsa dëgjonte dëshminë e atit të tij tek Alma 36:1–5. I bëni studentët t’i lexojnë këto vargje në heshtje, duke kërkuar për atë që u lë mbresë rreth dëshmisë së Almës.

  • Në këto vargje, çfarë ju lë më shumë mbresë? Përse?

Alma 36:6–22

Alma përshkruan rebelimin e tij dhe shpjegon se si e mori faljen

Shpjegoni se, si dëshmi e mëtejshme e fuqisë së Perëndisë për t’i çliruar ata që e vendosin besimin e tyre tek Ai, Alma tregoi për përvojën e tij e të qenies i çliruar nga dhembja e mëkateve të tij. U kërkoni studentëve t’i hedhin një sy të shpejtë Alma 36:6–9 dhe të përmbledhin atë që i ndodhi Almës, ndërkohë që ai dhe bijtë e Mosias shkuan nëpër vende duke kërkuar të shkatërronin Kishën.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 36:10. I kërkoni klasës të përcaktojë se sa kohë vuajti Alma për mëkatet e tij. Shpjegoni se tek Alma 36:11–17 ne marrim një tregim akoma më të hollësishëm të asaj që Alma përjetoi gjatë tri ditëve dhe tri netëve të vuajtjes së tij, sesa e marrim në tregimet e tjera të kthimit të tij në besim (shih Mosia 27 dhe Alma 38). I caktoni studentët të punojnë në dyshe. I ftoni dyshet të studiojnë Almën 36:11–17, duke kërkuar për shprehjet e Almës lidhur me frikën ose dhembjen. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që zbulojnë. I bëni studentët t’i raportojnë fjalët dhe frazat që gjejnë. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani ato në tabelë). Ju mund të dëshironi të bëni pyetjet e mëposhtme për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për fjalët dhe frazat që raportojnë.

  • Si mendoni ju çfarë do të thotë ajo frazë (ose fjalë)? Çfarë e bëri Almën të ndihej në atë mënyrë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë fjalët i torturuar, i ngacmuar dhe mundim, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

I torturuar do të thotë ‘i munduar me mjete torture’. Në lashtësi një rrotë torture ishte një strukturë mbi të cilën viktima shtrihej me secilin kyç të duarve dhe të këmbëve të lidhur te rrota, e cila më pas mund të rrotullohej për të shkaktuar dhembje të padurueshme.

Një lesë është një strukturë me maja heshte përgjatë saj. Kur tërhiqet nëpër tokë, ajo e ngacmon dhe e copëton tokën. Shkrimet e shenjta shpesh flasin për shpirtra dhe mendje që ‘ngacm[ohen]’ nga faji.

Mundim do të thotë ‘të përdredhësh’, një mënyrë torturimi aq e dhimbshme sa edhe i pafajshmi do të pohonte se ishte fajtor” (“The Touch of the Master’s Hand”, Ensign, maj 2001, f. 23).

  • Çfarë mund të na mësojë përvoja e Almës rreth ndikimeve të mëkatit? (I ndihmoni studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Mëkati çon drejt dhembjes, vuajtjes dhe keqardhjes së madhe.)

  • A duket se Alma përjetoi dhembje dhe keqardhje për mëkatet e tij menjëherë pasi i bëri ato? Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të kuptojmë se ne mund të mos i ndiejmë ndikimet e mëkateve tona menjëherë?

U kërkoni studentëve të përsiatin për përvoja në të cilat ata kanë ndier dhembje ose keqardhje për mëkatet e tyre. Pastaj lexoni thënien vijuese nga Presidenti Paker:

“Secili prej nesh ka shijuar të paktën dhembjen e ndërgjegjes, e cila i ndjek gabimet tona. …

Nëse jeni të rënduar me ndjenja depresuese të fajit ose zhgënjimit, të dështimit ose turpit, ka një shërim” (“The Touch of the Master’s Hand”, f. 22).

Vini në dukje se, ndërsa Alma po ndiente dhembje dhe brejtje të madhe të ndërgjegjes për mëkatet e tij, ai kujtoi shërimin për dhembjen e tij.

E bëni një student të lexojë me zë të lartë Almën 36:18. E ftoni klasën të kërkojë atë që bëri Alma, që të vepronte sipas mësimeve të atit të tij. Për t’i ndihmuar studentët t’i kuptojnë më mirë këto vargje, i kërkoni një studenti të lexojë thënien e mëposhtme nga Plaku Xhefri Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Alma ishte prekur nga mësimi i atit të tij, por është veçanërisht e rëndësishme që profecia që ai kujtoi, ishte një profeci lidhur me ‘ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer për mëkatet e botës’. (Alma 36:17.) Ai është emri dhe ai është mesazhi që çdo njeri duhet të dëgjojë. … Çfarëdo lutjesh të tjera ofrojmë, çfarëdo nevojash të tjera kemi, të gjitha në një farë mënyre varen nga ai përgjërim: ‘O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua’. Ai është i përgatitur për ta dhënë atë mëshirë. Ai pagoi me vetë jetën e tij me qëllim që ta japë atë” (However Long and Hard the Road [1985], f. 85).

  • Si mendoni ju përse është e rëndësishme për ne që jo vetëm të mësojmë rreth Jezu Krishtit, por gjithashtu të kërkojmë për bekimet e Shlyerjes së Tij?

I nxitni studentët të marrin parasysh në heshtje nëse ata janë lutur për të marrë bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit, duke përfshirë bekimin e faljes.

I ftoni studentët të kërkojnë në heshtje Almën 36:19–22, duke parë për fjalë dhe fraza që përshkruajnë se si ndjenjat e Almës ndryshuan pasi ai u lut për mëshirë.

  • Çfarë fjalësh ose frazash gjetët, të cilat përshkruajnë se si ndryshuan ndjenjat e Almës?

Bëni pyetjen e mëposhtme rreth secilës nga fjalët dhe frazat që kanë gjetur studentët:

  • Çfarë ju mëson ajo frazë (ose fjalë) rreth fuqisë së Shlyerjes së Shpëtimtarit? (Ndërsa studentët përgjigjen, i ndihmoni ata të kuptojnë se jo vetëm që Almës iu hoq dhembja, por ai u mbush me gëzim).

Shkruajeni thënien e mëposhtme të paplotë në tabelë: Në qoftë se ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, atëherë Ai do të …

  • Nga përvoja e Almës, çfarë mund të mësojmë rreth asaj që Zoti bën për ne kur pendohemi me sinqeritet? (Studentët mund të thonë parime të ndryshme, por sigurohuni që ata shprehin se, në qoftë se ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, atëherë Ai do të na çlirojë nga dhembja e mëkateve tona dhe do të na mbushë me gëzim. Ju mund të doni ta plotësoni thënien në tabelë).

  • Çfarë mund të bëjmë për të ushtruar besim në Jezu Krishtin, me qëllim që ne të mund të çlirohemi nga ndjenjat e dhembjes ose të keqardhjes të shkaktuara nga mëkatet tona?

Lexoni me zë të lartë situatën e mëposhtme dhe u kërkoni studentëve të marrin parasysh se si do të përgjigjeshin ata:

Një shok që është duke lexuar Librin e Mormonit, shpreh shqetësim rreth fjalëve të Almës tek Alma 36:19. Shoku juaj ju pyet: “Nëse mund t’i kujtoj mëkatet e mia dhe akoma të ndiej keqardhje për to, a do të thotë se nuk jam falur?”

U kërkoni studentëve të shpjegojnë se si përvojat e Almës lidhen me këtë situatë. Pasi studentët të jenë përgjigjur, lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Satani do të përpiqet të na bëjë të besojmë se mëkatet tona nuk na falen ngaqë ne mund t’i kujtojmë ato. Satani është një gënjeshtar; ai përpiqet të na errësojë shikimin tonë dhe të na largojë nga shtegu i pendimit dhe i faljes. Perëndia nuk na premtoi se ne nuk do t’i kujtonim mëkatet tona. Të kujtuarit do të na ndihmojë ta shmangim bërjen përsëri të të njëjtave gabime. Por nëse qëndrojmë të vërtetë dhe besnikë, kujtimi i mëkateve tona do të zbutet me kalimin e kohës. Kjo do të jetë pjesë e procesit të nevojshëm të shërimit dhe të shenjtërimit. Alma dëshmoi se, pasi ai lut Jezusit për mëshirë, ai akoma mund t’i kujtonte mëkatet e tij, por kujtesa e mëkateve të tij nuk e shqetësoi dhe torturoi më atë, ngaqë e dinte se ishte falur (shih Alma 36:17–19).

Është përgjegjësia jonë t’i shmangemi gjithçkaje që do të rikthente kujtime të shkuara mëkatare. Kur vazhdojmë të kemi një ‘zemër të thyer dhe [një] shpirt të penduar’ (3 i 12:19), ne mund të kemi besim se Perëndia nuk do t’i ‘kujtoj[ë] më [mëkatet tona]’” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 101; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 124).

  • Bazuar në thënien e Presidentit Uhtdorf, si do ta shpjegoni se çfarë do të thotë të mos jini “më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve [tona]”? (Alma 36:19).

Dëshmoni se, nëse ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, Ai do të na çlirojë nga dhembja e mëkateve tona dhe do të na mbushë me gëzim. I nxitni studentët të mendojnë se si mund ta zbatojnë atë që kanë mësuar nga përvoja e Almës. Nëse e lejon koha, e bëni klasën të këndojë “Where Can I Turn for Peace?” (Hymns, nr. ).

Alma 36:23–30

Alma shpjegon përse ai punon vazhdimisht për t’i sjellë të tjerët në pendim

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përse Alma punoi për t’i sjellë të tjerët në pendim, merrni parasysh të përdorni veprimtarinë e mëposhtme. (Nëse nuk është e mundur që t’i jepni diçka për të ngrënë klasës suaj, në vend të saj ju mund ta përshkruani veprimtarinë).

Paraqitni diçka për të ngrënë (të tillë si një biskotë ose një karamele) dhe pyetni nëse dikujt në klasë i pëlqen kjo lloj gjëje. Hani një kafshatë dhe shprehni se sa e shijshme është ajo. I thoni klasës se kjo gjë është kaq e mirë sa ju do të donit ta ndanit me të gjithë klasën. Paraqitni më shumë nga e njëjta gjë për të ngrënë dhe pyetni nëse dikush tjetër do të dëshironte ta shijonte atë. I jepni nga gjëja për të ngrënë kujtdo që mund të donte.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 36:23–24. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për mënyrën se si veprimtaria e shijimit lidhet me përvojën e Almës pas kthimit të tij në besim.

  • Si ishin veprimet e Almës të ngjashme me veprimtarinë e të shijuarit? Çfarë dëshironte Alma që të shijonin njerëzit e tjerë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 36:25–26. I kërkoni klasës të përcaktojnë se si përpjekjet e Almës për të dhënë mësim për ungjillin ndikuan tek ai dhe të tjerët.

  • Si ndikoi tek ai dhe të tjerët mësimdhënia e Almës?

  • Çfarë parimesh mund të mësojmë nga këto vargje? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të shprehin se ne mund të marrim gëzim të madh kur kërkojmë t’i sjellim të tjerët te Krishti.)

Përmblidhni Almën 36:27–30 duke shpjeguar se Alma përsëri i dëshmoi Helamanit se Zoti do t’i çlironte ata që e vendosnin besimin e tyre tek Ai. Dëshmoni për gëzimin që mund të provojmë, ndërsa ushtrojmë besim në Jezu Krishtin dhe ndërsa i nxitim të tjerët ta bëjnë atë gjithashtu. Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në jetë atë që kanë mësuar nga Alma 36, i ftoni ata të plotësojnë një nga veprimtaritë vijuese. (Ju mund të doni t’i shkruani këto në tabelë).

  1. Merrni parasysh nëse e keni ndier Shpëtimtarin t’ju çlirojë nga mëkati dhe t’ju mbushë me gëzim. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se çfarë do të bëni që të mund t’i merrni këto bekime.

  2. Mendoni për dikë (si një mik, motër apo vëlla, ose anëtar i lagjes), i cili mund të përfitojë nga dëshmia juaj për Shpëtimtarin. I shkruani një letër këtij personi dhe përfshini dëshminë tuaj lidhur me mënyrën se si Jezu Krishti është në gjendje të na çlirojë nga dhembja e mëkatit dhe të na mbushë me gëzim.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 36:12. “Shpirti im qe … brengosur nga të gjitha mëkatet e mia”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se një farë shkalle vuajtjeje për mëkatet tona është një anë e rëndësishme e pendimit:

“Drejtësia kërkon që shkelësi i papenduar të vuajë për vetë mëkatet e tij [shih DeB 19:16–19]. …

… Po shkelësit e penduar? A ndëshkohen ata? A duhet të vuajnë ata? …

… Njeriu që pendohet, nuk ka nevojë të vuajë ‘po aq sa’ vuajti Shpëtimtari për atë mëkat. Mëkatarët që po pendohen, do të përjetojnë një farë vuajtjeje, por, për shkak të pendimit të tyre dhe për shkak të Shlyerjes, ata nuk do të përjetojnë shtrirjen e plotë ‘therëse’ të mundimit të përjetshëm që Shpëtimtari vuajti për atë mëkat.

Presidenti Spenser W. Kimball, i cili dha mësime kaq të kuptueshme lidhur me pendimin dhe faljen, tha se vuajtja vetjake ‘është një pjesë shumë e rëndësishme e pendimit. Një njeri nuk ka filluar të pendohet deri sa ai të ketë vuajtur thellë për mëkatet e tij’ (Teachings of Spencer W. Kimball, f. 88).

‘Nëse një njeri nuk ka vuajtur, ai nuk është penduar. … Ai duhet të kalojë përmes një ndryshimi në sistemin e tij, nëpërmjet të cilit ai vuan dhe më pas falja është një mundësi’ (Teachings of Spencer W. Kimball, f. 99). …

E gjithë përvoja jonë pohon faktin që ne duhet të durojmë vuajtje vetjake në procesin e pendimit – dhe për shkelje të rënda ajo vuajtje mund të jetë e ashpër dhe e gjatë. Besoj se secili prej nesh që është vërtet i ndershëm me vetveten, e dallon vërtetësinë e këtij parimi. Ne e kemi ndier në vetë jetën tonë dhe e kemi parë atë në jetën e të tjerëve.

Ne gjithashtu duhet të kujdesemi që vuajtja jonë personale për mëkatin të jetë e fshehtë, jo publike. Shpesh vetëm mëkatari e Zoti dhe shërbëtori i Zotit e dinë se ç’po ndodh. Në të kundërt të natyrës publike të ndëshkimit, të dhënë nga ligjet e njerëzve, vuajtja që çon drejt mëshirës nën ligjet e Perëndisë është thellësisht personale” (“Sins, Crimes, and Atonement” [fjalim i mbajtur për mësuesit fetarë të SAK-ut, 7 shkurt 1992], f. 4–6, si.lds.org).

Alma 36. Kiazma

Kiazma (nganjëherë e quajtur paralelizëm i përmbysur) është një mjet gjuhësor që u përdor shpesh në lashtësi në poezinë semitike dhe greke, si edhe në letërsinë e kulturave të tjera. Në kiazmë, fjalët ose idetë rregullohen në një renditje të caktuar dhe më pas përsëriten në renditje të kundërt. Kjo përsëritje thekson ide dhe fjalë të rëndësishme. Ideja kryesore e shkruesit shpesh ndodhet në qendër të kiazmës. Në tabelën më poshtë, vini re se mesazhi qendror i kiazmës tek Alma 36 përqendrohet në një kohë në jetën e Almës kur ai u kthye te Jezu Krishti për ndihmë.

A. vargu 1

 B. vargu 2

  C. vargu 3

   D. vargjet 4–5

    E. vargu 6

     F. vargu 10

      G. vargu 14

       H. vargu 16

        I. vargu 17

        I. vargu 18

       H. vargjet 19–21

      G. vargu 22

     F. vargu 23

    E. vargu 24

   D. vargu 26

  C. vargu 27

 B. vargjet 28–29

A. vargu 30