Biblioteka
Mësimi 154: Moroni 6


Mësimi 154

Moroni 6

Hyrje

Ndërsa Moroni i afrohej përfundimit të shkrimeve të tij në fletët, ai shpjegoi disa nga cilësitë për individët që duhet të pagëzohen në Kishë. Ai më pas përvijoi përgjegjësitë e anëtarëve të Kishës për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Ai gjithashtu shpjegoi qëllimet e mbledhjeve të Kishës dhe theksoi nevojën që mbledhjet e Kishës të drejtohen me anë të ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 6:1–3

Moroni shtjellon kërkesat për pagëzim

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë sikur kanë një vëlla a motër shtatëvjeçare që do të hyjë për tetë brenda pak muajve. Kërkojuni gjithashtu të përfytyrojnë se prindërit e tyre u kanë kërkuar të japin një mësim në një mbrëmje familjare mbi përgatitjen për pagëzim. Ftoni disa studentë të tregojnë se çfarë do të jepnin mësim me qëllim që të ndihmojnë vëllanë a motrën e tyre më të vogël që të përgatitet për t’u pagëzuar.

Shpjegoni se Moroni 6 përmban përshkrimin e Moronit mbi kërkesat për pagëzim. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 6:1–3, duke parë për kërkesat për pagëzim. Më pas i ftoni studentët të tregojnë atë që gjetën. Merrni parasysh të bëni pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë do të thotë, sipas jush, se ata që presin të pagëzohen duhet të sjellin “fryt, që ata [janë] të denjë për të”? (Ata duhet të jetojnë në bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë, duke treguar se janë gati të bëjnë dhe të mbajnë besëlidhjen e pagëzimit.)

  • Përse mendoni se është e rëndësishme për një individ që të ketë “një zemër të thyer dhe shpirt të penduar” përpara se të pagëzohet? (Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “një zemër të thyer dhe shpirt të penduar” i referohet përulësisë dhe gatishmërisë së një personi për t’u penduar dhe bindur ndaj urdhërimeve të Zotit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 6:3 dhe kërkojini klasës të gjejë se çfarë besëlidhemi të bëjmë kur pagëzohemi. Studentët duhet të gjejnë të vërtetën vijuese: Nëpërmjet pagëzimit, ne besëlidhim të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit dhe t’i shërbejmë Atij deri në fund. (Ju mund të doni t’u kërkoni studentëve të rikujtojnë atë që mësuan në mësimin e mëparshëm rreth domethënies së marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit.)

  • Nga përvoja juaj, përse një individ që dëshiron të pagëzohet, ka nevojë për vendosmëri që t’i shërbejë Jezu Krishtit deri në fund?

  • Çfarë keni bërë për ta ruajtur dhe forcuar vendosmërinë tuaj për t’i shërbyer Zotit?

Moroni 6:4

Moroni shpjegon si të kujdesemi për anëtarët e Kishës dhe t’i ushqejmë ata shpirtërisht

Tregojuni studentëve se, pasi ai përshkruan kërkesat për pagëzim, Moroni shpjegoi se çfarë bëhej në kohën e tij për t’i ndihmuar individët e pagëzuar rishtazi të qëndronin besnikë në besëlidhjet e tyre. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 6:4, duke parë për atë që bënin anëtarët e Kishës për t’i ndihmuar anëtarët e rinj. U kërkoni studentëve të raportojnë mbi atë që gjejnë. Renditini përgjigjet e tyre në tabelë.

Kërkojuni studentëve të përmbledhin atë që Moroni 6:4 na mëson rreth përgjegjësive tona ndaj anëtarëve të tjerë të Kishës, veçanërisht anëtarëve të rinj. (Për shembull, studentët mund të përgjigjen si më poshtë: Ne kemi përgjegjësi për t’i kujtuar anëtarët e tjerë të Kishës dhe për t’i ushqyer ata shpirtërisht me anë të fjalës së Perëndisë. Ata gjithashtu mund të thonë se ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të jemi përherë të kujdesshëm në lutje dhe se duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për t’u mbështetur te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij.)

  • Si mund ta përmbushim përgjegjësinë tonë për ta kujtuar njëri-tjetrin?

  • Si e ushqejmë njëri-tjetrin me “fjal[ën] e mirë [të] Perëndisë”?

  • Çfarë bekimesh vijnë nga të qenit të ushqyer me anë të fjalës së Perëndisë?

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Shumë njerëz nuk vijnë në kishë thjesht për të kërkuar disa fakte të reja ungjillore ose për të takuar miq të vjetër, edhe pse e gjithë kjo është e rëndësishme. Ata vijnë në kërkim të një përvoje shpirtërore. Ata duan paqe. Ata duan që besimi i tyre të përforcohet dhe shpresa e tyre të përtërihet. Ata duan, shkurt, të ushqehen nga fjala e mirë e Perëndisë, të forcohen nga fuqitë e qiellit. Ata prej nesh që thirren për të folur apo dhënë mësim ose udhëhequr, kanë një detyrim që të ndihmojnë të sigurohet ajo, sa më mirë që është e mundur” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26).

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh njerëzit që bëjnë përpjekje, ose që kanë bërë përpjekje, për t’i kujtuar ata dhe për t’i ushqyer shpirtërisht. Pyetini nëse kanë menduar ndonjëherë, për shembull, rreth të gjithë individëve që janë lutur për ta, kanë përgatitur mësime për ta, i kanë nxitur në veprimtarinë e tyre në Kishë dhe i kanë ndihmuar gjatë sfidave me të cilat janë përballur. Ftoni disa studentë të tregojnë se si janë bekuar ngaqë dikush është kujtuar për ta dhe i ka ushqyer me anë të fjalës së Perëndisë. Ju mund të merrni parasysh t’u jepni studentëve kohë që të shkruajnë letra për të falënderuar njerëz, përpjekjet e të cilëve i kanë ndihmuar.

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh individë të veçantë, të cilët Zoti mund të dojë që ata t’i kujtojnë apo t’i ushqejnë. Ftoni studentët që të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta atë që ata mund të bëjnë më mirë për t’i përmbushur përgjegjësitë që kanë ndaj anëtarëve të tjerë të Kishës. Nxitini t’u kushtojnë vëmendje të veçantë nevojave të anëtarëve të rinj.

Moroni 6:5–9

Moroni përshkruan qëllimet e mbledhjeve të Kishës dhe se si duhet të drejtohen mbledhjet

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se secili prej tyre është prind i një të riu apo të reje që, gjatë disa javëve të fundit, ka thënë se ai apo ajo nuk dëshiron të shkojë në kishë, sepse i duket pa kuptim dhe e mërzitshme. Ftojini studentët të shqyrtojnë se çfarë mund të thonë për ta nxitur adoleshentin/en të shkojë në kishë dhe si mund ta ndihmojnë atë të kuptojë arsyet e drejta për të marrë pjesë rregullisht në kishë.

Shkruajeni thënien e paplotë vijuese në tabelë:

Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi shpesh së bashku për …

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 6:5–6. Kërkojini klasës ta ndjekë atë dhe të shohë për mënyra për ta plotësuar thënien në tabelë. Teksa studentët raportojnë atë që gjejnë, i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë. Përgjigjet e tyre mund të përfshijnë të vërtetat vijuese:

Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi shpesh së bashku për të agjëruar dhe për t’u lutur.

Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi shpesh së bashku për të forcuar njëri-tjetrin shpirtërisht.

Si anëtarë të Kishës, ne duhet të mblidhemi shpesh së bashku për të marrë sakramentin në kujtim të Jezu Krishtit.

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi një pjesë nga një letër prej një miku që mësoi se si të gjente gëzim duke marrë pjesë në kishë:

Pamja
Plaku Dallin H. Ouks

“Vite më parë unë ndryshova qëndrim lidhur me vajtjen në kishë. Nuk shkoj më në kishë për interesin tim, por që të mendoj për të tjerët. Caktoj si qëllim të përshëndes njerëzit që ulen vetëm, të mirëpres vizitorët, … të dal vullnetar për ndonjë detyrë. …

Shkurt, unë shkoj në kishë çdo javë me qëllim që të jem aktiv, jo pasiv, dhe të sjell një ndryshim pozitiv në jetën e njerëzve. Si rrjedhim, pjesëmarrja ime në mbledhjet e Kishës më jep shumë më tepër kënaqësi dhe plotësim” (cituar në “Shërbimi Vetëmohues”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 96).

Ndërsa mendoni rreth nevojave të studentëve në klasën tuaj, merrni parasysh të shtroni disa ose të gjitha pyetjet vijuese për t’i ndihmuar ata të analizojnë dhe të zbatojnë parimet që gjetën nga Moroni 6:5–6:

  • Çfarë përvojash ju kanë mësuar mbi rëndësinë e të luturit dhe të agjëruarit me anëtarët e lagjes apo të degës suaj?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që ne duhet të “[flasim] me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit [tonë]”? (Moroni 6:5). Si e bëjmë këtë në kishë?

  • Si mund të jetë ndikimi i përvojës sonë në kishë nëse marrim pjesë me dëshirë për t’i forcuar të tjerët shpirtërisht?

  • Cilat janë disa gjëra që mund të kujtojmë rreth Shpëtimtarit kur marrim sakramentin? Si mund të na ndihmojë marrja e sakramentit që ta kujtojmë Atë përgjatë çdo jave?

  • Si mund të na ndihmojë të shkuarit në kishë për qëllimet që kemi diskutuar, që të “mba[hemi] në udhën e drejtë”? (Moroni 6:4). Çfarë mund të bëni ju për t’i nxitur të rinjtë e tjerë që të marrin pjesë në mbledhjet e Kishës?

Lexoni me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:

Pamja
Presidenti Jozef Filding Smith

“Nuk ka vend në Sion për mëkatarin që mëkaton me paramendim. Ka vend për mëkatarin e penduar, për njeriun që largohet nga ligësia dhe që kërkon për jetën e përjetshme dhe dritën e Ungjillit” (në Conference Report, prill 1915, f. 120).

Pastaj i ftoni studentët të lexojnë në heshtje Moronin 6:7–8, duke parë për atë që udhëheqësit e Kishës në kohën e Moronit ishin “të kujdesshëm”. Ftojini studentët të raportojnë për atë që mësojnë. Ju mund të dëshironi të shpjegoni se në këtë varg, fraza “fshiheshin” i referohet shkishërimit. Nëse anëtarët e Kishës bëjnë një mëkat serioz dhe nuk pendohen, ata mund të përjashtohen, ose të humbasin anëtarësinë e tyre në Kishë dhe bekimet e besëlidhjeve të tyre.

  • Cilat janë disa gjëra që udhëheqësit e Kishës i bëjnë sot për të na ndihmuar të shmangim paudhësinë?

  • Sipas Moronit 6:8, çfarë premtimi na jepet nëse pendohemi sinqerisht për mëkatet tona? (Sa herë që pendohemi dhe kërkojmë falje me dëshirë të sinqertë, ne do të falemi.)

Kërkojuni studentëve të marrin parasysh mundësitë që kanë për ta ndjerë Frymën e Shenjtë gjatë mbledhjeve të tyre të rregullta në Kishë të dielën (për shembull, gjatë lutjeve, gjatë sakramentit, ndërsa anëtarët japin biseda ose japin mësim, gjatë këndimit të himneve, apo kur përsiatin një shkrim të shenjtë gjatë një mësimi). Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 6:9. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë çfarë roli duhet të ketë Fryma e Shenjtë në mbledhjet tona.

  • Çfarë të vërtete mësojmë nga Moroni 6:9 rreth mënyrës se si duhet të drejtohen mbledhjet e Kishës? (Mbledhjet e Kishës duhet të drejtohen nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.)

  • Kur e keni ndier se një mbledhje e Kishës u drejtua nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si kjo e vërtetë gjen zbatim te të gjitha aspektet e mbledhjeve të Kishës sonë, u kërkoni ta përfytyrojnë veten në pozitën e personave në situatat vijuese. (Ju mund të doni t’i shkruani ato në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore ose ta përgatitni si fletushkë.) Ftojini studentët të shpjegojnë se si parimi që gjetën te Moroni 6:9 mund të zbatohet në secilën nga këto situata.

  1. Ju është kërkuar të mbani një bisedë në mbledhjen e sakramentit rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit.

  2. Ju është kërkuar të planifikoni një shfaqje muzikore për një mbledhje të ardhshme sakramenti.

  3. Jeni ulur në një mbledhje dëshmish dhe ndieni nxitjen të jepni dëshminë tuaj, por jeni i pasigurt se çfarë duhet të thoni.

Kujtojuni studentëve se më herët në mësim u kërkuat të mendonin rreth asaj që prindrit mund të thonë për ta nxitur një të ri apo të re që të vijë në kishë. Për ta përfunduar mësimin, pyetini studetët se çfarë kanë menduar që mund ta tregojnë. Më pas jepni dëshminë tuaj rreth bekimeve të pjesëmarrjes në kishë dhe parime të tjera që keni diskutuar sot.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 6:2. “Një zemër [e] thyer dhe shpirt [i] penduar”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë do të thotë t’i ofrosh Zotit një zemër të thyer dhe shpirt të penduar:

“Kur kërkoni bekimin e kthimit në besim, ju mund t’i ofroni Zotit dhuratën e zemrës suaj të thyer apo të penduar dhe shpirtin tuaj të penduar apo të bindur. Në të vërtetë, ajo është të dhuruarit e vetes – e asaj që jeni dhe e asaj që po bëheni” (“When Thou Art Converted”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 12).

Moroni 6:4. “[Pastruar] nga fuqia e Frymës së Shenjtë”

Ne e marrim fuqinë shenjtëruese të Shlyerjes së Shpëtimtarit nëpërmjet shoqërimit të Frymës së Shenjtë (shih 3 Nefi 27:19–20; Moroni 6:4). Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Mëkatet na hiqen jo në ujërat e pagëzimit, siç themi duke folur në mënyrë figurative, por kur marrim Frymën e Shenjtë. Është Shpirti i Shenjtë i Perëndisë që fshin truporen dhe na sjell në një gjendje drejtësie. Ne bëhemi të pastër kur vërtet marrim shoqërimin dhe ndërveprimin me Frymën e Shenjtë. Është atëherë që mëkati dhe papastërtia e ligësia digjen jashtë shpirtit tonë si prej zjarrit. Pagëzimi i Frymës së Shenjtë është pagëzimi me zjarr” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 290; shih edhe f. 239).

Moroni 6:4. Detyra jonë për ta ushqyer njëri-tjetrin

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tregoi përvojën e mëposhtme:

“Unë kam parë shumë barinj që ushqejnë tufat e tyre. Njëri ishte presidenti i një kuorumi dhjakësh. Një nga anëtarët e kuorumit të tij jetonte pranë shtëpisë sime. Ai djalë fqinj nuk kishte marrë pjesë kurrë në një mbledhje kuorumi, as kishte bërë ndonjë gjë me anëtarët e kuorumit të tij. Njerku i tij nuk ishte anëtar dhe nëna e tij nuk vinte në kishë.

Presidenca e kuorumit të tij të dhjakëve u takua në këshill një të diel në mëngjes. Në mbledhjen e tyre të presidencës, ata barinj 13-vjeçarë u kujtuan për djalin që nuk vinte kurrë. Ata folën për nevojën e madhe që kishte ai për atë që merrnin ata. Presidenti caktoi këshilltarin e tij që të shkonte pas asaj deleje që endej.

Unë e njihja këshilltarin dhe e dija që ai ishte i turpshëm dhe e dija vështirësinë e detyrës, kështu që po shihja me kureshtje nga dritarja ime ballore kur këshilltari kaloi mundimshëm nga shtëpia ime, duke u ngjitur rrugës për te shtëpia e djalit që nuk vinte kurrë në kishë. Bariu i kishte duart në xhepa. Sytë i shihnin përdhe. Ai ecte ngadalë, ashtu si do të ecnit ju nëse nuk do të ndiheshit i sigurt se do të donit të shkonit atje ku ishit drejtuar. Pas afërsisht 20 minutash, ai u kthye duke zbritur rrugës me dhjakun e humbur që ecte përkrah tij. Ajo skenë u përsërit për disa të diela të tjera. Pastaj djali që kishte humbur dhe qe gjetur, u largua.

… Vite më vonë, isha në një konferencë kunji, një kontinent larg nga dhoma ku ajo presidencë ishte mbledhur me këshillin. Një burrë i thinjur erdhi tek unë dhe tha qetësisht: ‘Nipi im jetonte në lagjen tuaj vite përpara’. Me dhembshuri, ai më tregoi për jetën e atij djali. Dhe pastaj pyeti nëse unë mund ta gjeja atë dhjak që ngjitej ngadalë asaj rruge. Dhe ai pyeste veten nëse unë mund ta falënderoja dhe t’i thoshja se nipi i tij, tani i rritur e bërë burrë, ende e kujtonte” (“Watch with Me”, Ensign, maj 2001, f. 38–39).

Moroni 6:4. Forcimi i të kthyerve të rinj në besim

Presidenti Gordon B. Hinkli i nxiti të gjithë anëtarët e Kishës, përfshirë të rinjtë, që t’i ushqejnë dhe forcojnë ata që bashkohen me Kishën:

“Nuk është një gjë e lehtë të bëhesh anëtar i kësaj Kishe. Në shumë raste ajo përfshin lënien mënjanë të zakoneve të vjetra, lënien e miqve dhe shokëve të vjetër dhe futjen në një shoqëri të re që është e ndryshme dhe deri diku kërkuese.

Me numrin gjithnjë në rritje të të kthyerve në besim, ne duhet të bëjmë një përpjekje shumë më konkrete për t’i ndihmuar ata ndërsa gjejnë rrugën e tyre. Secili prej tyre ka nevojë për tri gjëra: një mik, një përgjegjësi dhe të ushqehet me ‘fjal[ën] e mirë [të] Perëndisë’ (Moroni 6:4). Është detyra dhe mundësia jonë që t’i sigurojmë këto gjëra.

Kjo është një punë për secilin. Kjo është një punë për mësuesit e shtëpisë dhe për mësueset vizitore. Kjo është punë për peshkopatën, për kuorumet e priftërisë, për Shoqatën e Ndihmës, për të rinjtë dhe të rejat, madje edhe për Filloren.

Unë sapo isha në një mbledhje agjërimi dhe dëshmish të dielën e kaluar. Një djalë 15 apo 16-vjeçar u ngrit përpara njësisë së besimtarëve dhe tha se kishte vendosur të pagëzohej.

Atëherë një nga një djemtë e kuorumit të mësuesve shkuan te mikrofoni për të shprehur dashurinë e tyre për të, për t’i treguar atij se po bënte gjënë e drejtë dhe për ta siguruar se ata do të qëndronin me të dhe do ta ndihmonin. Ishte një përvojë e mrekullueshme t’i dëgjoje ata të rinj t’i thoshin fjalë vlerësimi dhe nxitjeje mikut të tyre” (“Converts and Young Men”, Ensign, maj 1997, f. 47–48).