Biblioteka
Mësimi 114: Helamani 14


Mësimi 114

Helamani 14

Hyrje

Duke vijuar t’u predikojë nefitëve në Zarahemla, Samuel Lamaniti njoftoi për shenjat që do të shënonin lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit. Ai shpjegoi se i profetizonte këto shenja për t’i ndihmuar njerëzit të besonin te Jezu Krishti dhe për t’i bindur që të pendoheshin për mëkatet e tyre. Ai dha mësimin se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të kthehej në praninë e Perëndisë. Duke u bërë thirrje njerëzve të pendoheshin, ai premtoi që të penduarit do të faleshin për mëkatet, por që ata të cilët mbeteshin pa u penduar, do të përjashtoheshin sërish nga prania e Perëndisë.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 14:1–13

Samueli profetizon për shenjat që i përkasin lindjes së Shpëtimtarit

Përpara orës së mësimit, vizatoni në tabelë tri shigjeta si më poshtë. Ju do të shtoni fjalë dhe shprehje përqark shigjetave gjatë zhvillimit të mësimit.

Pamja
arrow

Ftojini studentët të kujtojnë se çfarë diskutuan në mësimin paraardhës, që ishte për kapitullin Helamani 13. Nëse u duhet një ndihmë për të kujtuar, kujtojuni se mësuan mbi një profet të quajtur Samuel. Kërkojuni të tregojnë hollësitë që mbajnë mend për të, si, p.sh., kush ishte, ku shkoi, ç’mësime dha si dhe gjendjen shpirtërore të atyre që ai i mësoi. Kërkojuni studentëve të kujtojnë se si reaguan njerëzit për mesazhin e Samuelit. Shpjegoni se kapitulli Helamani 14 përmban vazhdimin e mësimeve të Samuelit.

Shpjegoni se Samueli profetizoi për ngjarje që do të ndodhnin në të ardhmen, disa prej të cilave mijëra kilometra nga Zarahemla. Kërkojuni studentëve t’u hedhin një sy vargjeve Helamani 14:1–2 dhe të përcaktojnë një ngjarje që Samueli e profetizoi (lindja e Jezu Krishtit).

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Helamani 14:3–6, duke kërkuar të gjejnë shenjat që do të shikonin nefitët në kohën e lindjes së Shpëtimtarit. Mund të jetë mirë t’u këshilloni studentëve që t’i nënvizojnë këto shenja në librat e tyre të shkrimeve të shenjta. Mund të jetë gjithashtu mirë ta drejtoni vëmendjen e studentëve te poshtëshënimet që u përkasin këtyre vargjeve, që tregojnë përmbushjet e profecive të Samuelit.

  • Ç’kuptim ka për ju lindja e Shpëtimtarit?

Lexojeni me zë Helamanin 14:8–9. Theksoni rëndësinë e besimit te Shpëtimtari për të fituar jetën e përjetshme. Shkruani në tabelë Jeta e Përjetshme, mbas shigjetës së fundit. Shpjegoni se “jetë e përjetshme” do të thotë të njëjtën gjë si “jetë e amshuar”. Do të thotë të jetojmë llojin e jetës që jeton Perëndia e të jetojmë përgjithmonë në praninë e Tij tok me familjet tona. Samueli u mësoi nefitëve të Zarahemlës se ç’duhet të bënin që të merrnin jetën e përjetshme.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Helamani 14:11–13, duke kërkuar të gjejnë se ç’dëshironte Samueli nga njerëzit që t’i dinin e t’i bënin. Mund të jetë mirë t’u këshilloni studentëve t’i nënvizojnë gjërat që Samueli dëshironte nga njerëzit që t’i dinin e t’i bënin.

Nga e majta e shigjetës së parë në tabelë shkruani Dituri. Pastaj pyetini studentët se çfarë gjetën, që Samueli dëshiroi që njerëzit t’i dinin. Kërkojuni disa studentëve t’i renditin këto gjëra në tabelë, nën fjalën Dituri. (Përgjigjet duhet të përfshijnë që Samueli dëshironte nga njerëzit të dinin mbi gjykimet e Perëndisë për ata që mëkatojnë, kushtet e pendimit, ardhjen e Jezu Krishtit dhe shenjat që shoqërojnë ardhjen e Tij.)

  • Çfarë shpresonte Samueli se kjo dituri do t’i çonte të bënin njerëzit? (Të besonin te Jezu Krishti dhe të pendoheshin për mëkatet e tyre.)

Kërkojuni studentëve të shkruajnë një parim duke u nisur nga Helamani 14:13. Më pas kërkojuni disa studentëve t’i lexojnë me zë ato që kanë shkruar. (Një përgjigje e mundshme do të ishte që besimi te Jezu Krishti të çon në pendim dhe në heqjen e mëkateve.)

Që t’i ndihmoni studentët ta kuptojnë domethënien e shprehjes “nëpërmjet meritave të tij”, shpjegoni se meritat janë cilësi ose veprime që e bëjnë një njeri të jetë i denjë për shpërblimin. Që të jemi të denjë për të marrë heqjen e mëkateve tona, duhet të bëjmë disa gjëra, si: të pendohemi sinqerisht, të pagëzohemi e të konfirmohemi dhe t’i zbatojmë urdhërimet. Megjithatë, dhuratën e faljes e marrim në saje të meritave të Shpëtimtarit e jo tonave. Mund të jetë mirë t’u kujtoni studentëve vargun 2 Nefi 25:23, një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë: “Ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”. Gjithashtu mund t’u këshillonit studentëve të lexojnë Alma 22:14 dhe Alma 24:10–11.

Përfundojeni skemën tek tabela në mënyrën që vijon:

Pamja
Knowledge
  • Në ç’mënyrë e ka rritur marrja e diturisë për Shpëtimtarin besimin tuaj tek Ai?

  • Në ç’mënyrë ju ka çuar besimi te Shpëtimtari të pendoheni e të përpiqeni të jeni më shumë si Ai?

Dëshmoni se vetëm nëpërmjet meritave të Jezu Krishtit mund të marrim heqje të mëkateve e të marrim jetë të përjetshme.

Helamani 14:14–31

Samueli profetizon për shenjat që i përkasin vdekjes së Shpëtimtarit

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 14:14. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Helamani 14:20–27, duke kërkuar të gjejnë shenjat që do të shikonin nefitët në kohën e vdekjes së Shpëtimtarit. Mund të jetë mirë t’u këshilloni t’i nënvizojnë këto shenja. Kur të kenë pasur kohë të mjaftueshme për t’i lexuar, ftojini të raportojnë ato që kanë gjetur. Tregojuni se përmbushjet e këtyre shenjave dokumentohen te 3 Nefi (shih Helamani 14:20, poshtëshënimi a).

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 14:28–29. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar të gjejnë arsyet pse Zoti siguron shenja dhe çudi. Kërkojuni disa studentëve t’i shprehin këto arsye me fjalët e veta. (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por sigurohuni që ata të përcaktojnë këtë të vërtetë: Zoti siguron shenja dhe çudi që t’i ndihmojë njerëzit të besojnë tek Ai.)

  • Çfarë na mëson kjo e vërtetë për shenjat që do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?

Kërkojuni studentëve të mendojnë për shenjat ose provat që Zoti u ka dhënë për t’i ndihmuar të besojnë tek Ai. Mund t’i nxitni studentët të tregojnë përvojat e tyre (por u kujtoni se nuk duhet të ndihen të detyruar për të treguar diçka që është shumë personale ose e brendshme). Dëshmoni se Zoti në kohën tonë siguron shenja e dërgon profetë, sikurse Samueli, për t’i bindur njerëzit të besojnë tek Ai.

Shënim: Ngaqë shumë shkrime të shenjta na paralajmërojnë që të mos kërkojmë shenja, studentët mund të ndienin ndonjë hutim lidhur me këtë diskutim për shenjat. Ndihmojini të kuptojnë se ka ndryshim midis pranimit të shenjave të dashurisë së Perëndisë dhe kërkimit të shenjave për arsye egoiste (shih Jakobi [Lim] 7:9–14; Alma 30:43–50; DeB 46:9; 63:7–11). Kur profetët paralajmërojnë ndaj kërkimit të shenjave, ata e thonë për njerëzit që nuk pranojnë të besojnë po të mos u tregohen shenja, jo për njerëzit që ushtrojnë besim në kërkimin e mrekullive sipas vullnetit të Zotit.

Shpjegoni se, ndërsa është mirë të dihet për shenjat që nefitët do të shikonin lidhur me vdekjen e Shpëtimtarit, është më e rëndësishme të kuptohen mësimet e Samuelit mbi rëndësinë e vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit. Vizatojeni në tabelë skemën që vijon, pa i përfshirë shpjegimet e numërtuara. Këto shpjegime shtojini në kohën e duhur gjatë diskutimit të Helamanit 14:15–19. (Mund të merrnit parasysh që t’i ftoni studentët ta kopjojnë skemën në fletore ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.)

Pamja
circle diagram

Shpjegoni që shprehja “vdekje shpirtërore” tregon për ndarjen nga prania e Perëndisë. Kërkojini një studenti të lexojë me zë Helamani 14:15–16.

  • Çfarë është vdekja shpirtërore e parë, për të cilën flitet te Helamani 14:16? (Mund të jetë e nevojshme të shpjegoni se, për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, ne ndahemi nga prania e Perëndisë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë Helamani 14:17. Kërkojini klasës ta ndjekë e të mendohet për mënyrën se si mund ta mposhtin vdekjen e parë shpirtërore. Shkruani në tabelë këtë të vërtetë: Jezu Krishti e shëlbon të gjithë njerëzimin nga Rënia që ne të mund të rikthehemi te prania e Perëndisë. Shpjegoni se i gjithë njerëzimi do të rikthehet te prania e Perëndisë për t’u gjykuar (shih 2 Nefi 2:10).

Kërkojini një studenti të lexojë me zë Helamani 14:18–19.

  • Çfarë është vdekja shpirtërore e dytë, për të cilën flitet te Helamani 14:18–19? (Mund t’ju nevojitet të shpjegoni se ata që nuk pendohen, do të përjashtohen sërish nga prania e Atit.)

  • Çfarë mund të bëjmë për të shmangur vdekjen e dytë që thotë Samueli? (Merrni parasysh t’i ftoni studentët të lexojnë Helamanin 14:13 dhe Mormonin 7:7–8. Vini në dukje se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit ata që pendohen do të banojnë në praninë e Perëndisë përgjithmonë.)

Për ta theksuar rëndësinë e lirisë së zgjedhjes teksa kërkojmë bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit, ftojini studentët të lexojnë në heshtje Helamani 14:30–31. Thuajuni të kërkojnë për të gjetur fjalë dhe shprehje mbi lirinë e tyre të zgjedhjes. Ftojini që t’i tregojnë fjalët dhe shprehjet që gjejnë. Kërkojuni të shpjegojnë se si i ndihmojnë këto fjalë dhe shprehje të kuptojnë rëndësinë e zgjedhjeve që ata bëjnë çdo ditë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 14:14–29. Profecia e Samuelit për vdekjen e Shpëtimtarit

Profecia e Samuelit për vdekjen e Jezu Krishtit është një nga profecitë më të hollësishme që dokumentohen në shkrimet e shenjta. Lista e mëposhtme përvijon pjesët e kësaj profecie, përfshirë edhe përmbushjen e tyre. (Mund të jetë mirë të vini në dukje se poshtëshënimet në përkatësi të Helamanit 14:20–27 iu drejtohen disa fragmenteve që përshkruajnë përmbushjet e profecive të Samuelit.)

Profecia për Vdekjen e Shpëtimtarit

Përmbushja

Helamani 14:20, 27

Dielli i errësuar për tre ditë

3 Nefi 8:19-23

Helamani 14:21

Rrufe, vetëtima, tërmete

(3 Nefi 8:6-7, 12.)

Helamani 14:22

Toka e çarë

3 Nefi 8:17-18

Helamani 14:23

Stuhi të mëdha; malet ulen dhe luginat bëhen male

3 Nefi 8:5–6, 12, 17–18

Helamani 14:24

Rrugë dhe qytete të shkatërruara

3 Nefi 8:8-11, 13-14

Helamani 14:25

Varret hapen dhe shenjtorë të ringjallur u shërbejnë njerëzve

3 Nefi 23:9-13

Helamani 14:15–19. Shlyerja e mposht vdekjen

Samuel Lamaniti e përshkroi dallimin ndërmjet vdekjes fizike, vdekjes shpirtërore të parë dhe vdekjes shpirtërore të dytë, sikurse dhe mënyrën se si na ndihmon Shlyerja e Shpëtimtarit që t’i mposhtim këto vdekje. Profetët dhe udhëheqës të tjerë të Kishës gjithashtu i kanë lënë mësim këto të vërteta.

Vdekja fizike. Plaku Ërl C. Tingi, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësimin:

“Vdekja fizike është ndarja e shpirtit nga trupi fizik. Në saje të Rënies së Adamit, i gjithë njerëzimi do të vuajë vdekjen fizike” (“The Great Plan of Happiness”, Ensign ose Liahona, maj 2006, f. 73).

Vdekja shpirtërore e parë. Vdekje shpirtërore është të “përjashtohesh nga prania e Zotit” (Alma 42:9).).

Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi se vdekja fizike dhe vdekja shpirtërore e parë janë rrjedhoja të Rënies së Adamit dhe Evës:

“Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, s’iu bindën Perëndisë. Me ngrënien e frutës së ndaluar ata u bënë të vdekshëm. Rrjedhimisht, ata dhe të gjithë pasardhësit e tyre iu nënshtruan vdekjes, asaj tokësore dhe asaj shpirtërore (vdekja tokësore ndarje e trupit dhe e shpirtit; dhe vdekja shpirtërore ndarje e shpirtit nga prania e Perëndisë dhe vdekje për sa i përket gjërave të shpirtit)” (“The True Way of Life and Salvation”, Ensign, maj 1978, f. 6).

Vdekja shpirtërore hyri në botë me anë të Rënies së Adamit dhe Evës. Ne lindim në një botë të rënë, e trashëgojmë këtë gjendje – jemi të ndarë nga prania e Perëndisë. Samuel Lamaniti e ka përmendur këtë gjendje si “vdekja e parë” (Helamani 14:16).

Samuel Lamaniti la mësim se të gjithë fëmijët e Atit Qiellor që kanë jetuar në vdekshmëri, do ta mposhtin vdekjen fizike dhe shpirtërore nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Helamani 14:17). Shumë shkrime të shenjta të tjera dëshmojnë gjithashtu për këtë të vërtetë (shih 2 Nefi 2:9–10; 9:15, 22, 38; Alma 11:43–44; 12:12–15, 24; 42:23; 3 Nefi 26:4–5).

Vdekja shpirtërore e dytë. Vdekja e dytë është një vdekje shpirtërore fundore apo përfundimtare – duke u përjashtuar nga prania e Perëndisë përgjithmonë për shkak të mospendimit për mëkatin vetjak.

Shpëtimtari ka siguruar gjithashtu ndihmë për ta mposhtur këtë vdekje shpirtërore të dytë. Ai vuajti për mëkatet tona në mënyrë që të na ofronte mundësinë për t’u penduar. Por ata që nuk pendohen “[pësojnë] një vdekje tjetër shpirtërore, po, një vdekje të dytë, pasi ata janë përjashtuar përsëri sipas gjërave që i takojnë drejtësisë” (Helamani 14:18). Kjo do të thotë se një njeri me mëkat të pazgjidhur nuk mund të mbetet në praninë e Perëndisë pasi të jetë kthyer tek Ai për gjykim.

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përshkruante këtë gjendje:

“Nëse vdekja fizike duhet të godiste përpara se gabimet morale të ndreqeshin, mundësia e pendimit do të kishte humbur. Pra, ‘gjëmba [e vërtetë] e vdekjes është mëkati’.(1 Korintasve 15:56.)

Madje as Shpëtimtari nuk mundet të na shpëtojë në mëkatet tona. Ai do të na shëlbojë nga mëkatet tona, por vetëm me kushtin e pendimit tonë. Vetë ne jemi përgjegjës për mbijetesën ose vdekjen tonë shpirtërore. (Shih Romakëve 8:13–14; Helamani 14:18; DeB 29:41–45.)” (“Doors of Death”, Ensign, maj 1992, f. 73).

Helamani 14:18–19. Dhurata hyjnore e pendimit

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi për gëzimin që vjen nëpërmjet pendimit:

“Unë njoh dhe dëshmoj me mirënjohje që vuajtja e pakapshme, vdekja dhe Ringjallja e Zotit tonë ‘përmbush kushtin e pendimit’ (Helamani 14:18). Dhurata hyjnore e pendimit është çelësi i lumturisë këtu dhe paskëtaj. Me fjalët e Shpëtimtarit dhe me përulësi e dashuri të thellë, unë i ftoj të gjithë të ‘[pendohen], sepse mbretëria e qiejve është afër’ (Mateu 4:17). Unë e di që me pranimin e kësaj ftese, ju do të gjeni gëzim tani dhe përgjithmonë” (“Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 41).