Biblioteka
Mësimi 99: Alma 42


Mësimi 99

Alma 42

Hyrje

Alma e përfundon këshillën e tij ndaj të birit, Koriantonit, duke shpjeguar se Ati Qiellor ka siguruar një mënyrë për ata, të cilët mëkatojnë, që të marrin mëshirë. Ai dha mësim se drejtësia e Perëndisë kërkon që mëkatarët të përjashtohen nga prania e Perëndisë. Ai më pas dëshmoi se Jezu Krishti do t’i “plotës[ojë] kërkesat e drejtësisë” (Alma 42:15) duke vuajtur për të gjithë ata që kanë mëkatuar dhe duke siguruar mëshirë për të penduarin.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 42:1–14

Alma i mëson Koriantonit rreth drejtësisë së Perëndisë

Përpara fillimit të orës mësimore, vizatoni një model të thjeshtë me dy pjata peshoreje në tabelë, siç tregohet në faqen vijuese. (Mos shtoni fjalë te vizatimi derisa të udhëzoheni për t’i shtuar gjatë mësimit. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta kopjojnë këtë vizatim në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. )

Sipër peshores, shkruani thënien vijuese: Dëshiroj që Gjykimi Përfundimtar të jetë i drejtë.

Ftojini studentët të ngrenë duart lart nëse pajtohen me thënien në tabelë.

  • Përse dëshironi që Gjykimi Përfundimtar të jetë i drejtë?

  • Çfarë do të thotë fjala i drejtë?

Sugjeroni se i drejtë mund të nënkuptojë marrjen e asaj që meritoni. Ideja e drejtësisë lidhet me termin e shkrimit të shenjtë drejtësi. Shkruani fjalën Drejtësi në tabelë poshtë peshores.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë konceptin e drejtësisë, kërkojini një studenti të lexojë shpjegimin e mëposhtëm nga Plaku Dallin Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Drejtësia ka shumë kuptime. Një kuptim është ekuilibri. Një simbol i njohur i drejtësisë është peshorja me ekuilibrim. Kështu, kur ligjet e njeriut janë shkelur, drejtësia zakonisht kërkon që të vihet një ndëshkim, një dënim që do të rivendosë ekuilibrin [në peshore]. …

Ligj[et] e Perëndisë lidhen në të njëjtën mënyrë me drejtësinë. Ideja e drejtësisë, e barasvlershme me atë që dikush meriton, është kushti themelor i të gjitha shkrimeve të shenjta që flasin për gjykimin e njerëzve sipas punëve të tyre” (“Sins, Crimes, and Atonement” [drejtuar mësuesve të fesë së SAK-ut, 7 shkurt 1992], f. 1, si.lds.org).

Shpjegoni se biri i Almës, Koriantoni, u shqetësua për drejtësinë e Gjykimit Përfundimtar. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 42:1, ndërkohë që klasa kërkon atë që Koriantoni mendoi se do të ishte e gabuar ose e padrejtë në lidhje me Gjykimin Përfundimtar.

  • Çfarë ndjeu Koriantoni se ishte jo e drejtë? (Që mëkatarët do t’i dorëzoheshin një gjendjeje mjerimi ose do të çoheshin në të.)

  • Përse Koriantoni mund të ketë dashur të besojë se ishte e pavend për ata që kanë mëkatuar të ndëshkoheshin? (Nëse studentët kanë nevojë t’u rikujtohet se Koriantoni po ndeshej me disa mëkate, drejtojini ata tek Alma 39:2–3.)

  • Nëse drejtësia nënkupton marrjen e asaj që meritojmë dhe ndëshkimin për mëkatet tona, si mundet kjo që të jetë shqetësuese edhe për ne? (Ne të gjithë mëkatojmë dhe u nënshtrohemi kërkesave të drejtësisë.)

Përmblidhni Almën 42:2–11 duke shpjeguar se Alma iu drejtua shqetësimit të Koriantonit. Ai e mësoi se Rënia e Adamit i solli të gjithë njerëzimit gjendjen e rënë, në të cilën ata duhet të provojnë vdekjen fizike dhe atë shpirtërore (shih Almën 42:9). Ai gjithashtu shpjegoi se, pa një mënyrë për t’u shëlbyer nga kjo gjendje e rënë, shpirtrat e të gjithë njerëzimit do të ishin të mjeruar dhe do të përjashtoheshin nga prania e Perëndisë përgjithmonë (shih Alma 42:11).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 42:12. Shpjegoni se ky varg thekson se Rënia dhe pasojat e saj, duke përfshirë të qenit të përjashtuar nga prania e Perëndisë, u sollën nga mosbindja e Adamit ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Ndihmojini studentët të kuptojnë se, kur nuk u bindemi urdhërimeve të Perëndisë – kur mëkatojmë – ne e largojmë më tej veten shpirtërisht nga Perëndia dhe u nënshtrohemi kërkesave të drejtësisë. (Ju mund të dëshironi të ftoni një student të lexojë me zë të lartë Nenet e Besimit 1:2.) Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 42:14, duke parë për pasojën që drejtësia kërkon për mosbindjen.

  • Çfarë do të thotë të jesh “[i] përjashtuar” nga prania e Perëndisë? (Të jesh i ndarë nga Perëndia dhe i paaftë që të kthehesh për të banuar në prani të Tij. Ju mund të dëshironi të përmendni edhe se, kur mëkatojmë, ne e tërheqim veten nga shoqërimi i Frymës së Shenjtë, i cili është anëtar i Kreut-Perëndi.)

Te vizatimi në tabelë shtoni frazat Mosbindja ose mëkati dhe Përjashtim nga prania e Perëndisë, siç tregohet më poshtë.

Pamja
peshore

Nga ajo që keni mësuar tek Alma 42:1–14, si do ta përmblidhnit me një fjali atë që kërkon ligji i drejtësisë kur një individ është i pabindur? (Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë, poshtë peshores: Për shkak të mosbindjes sonë, ligji i drejtësisë kërkon që ne të përjashtohemi nga prania e Perëndisë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 42:1–14.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Almën 42:18, duke kërkuar për një pasojë tjetër të mëkatit.

  • Çfarë do të thotë të kesh brejtje të ndërgjegjes?

Ftojini studentët të mendojnë rreth një rasti kur kanë përjetuar keqardhje dhe hidhërim apo mungesën e Frymës së Shenjtë për shkak se kanë mëkatuar. Kërkojuni atyre ta përfytyrojnë atë ndjenjë të shumëfishohet nga çdo gjë që ata kanë bërë ndonjëherë gabim. Më pas, kërkojuni atyre ta përfytyrojnë atë ndjenjë që mbetet me ta përherë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë dhe të ndiejnë nevojën për mëshirë, ju mund të dëshironi t’u bëni pyetjen e mëposhtme:

  • Bazuar në atë që keni mësuar tek Alma 42:1–14, a dëshironi që Gjykimi Përfundimtar të bazohet vetëm mbi drejtësinë?

Alma 42:15–31

Alma i mëson Koriantonit rreth planit të mëshirës

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se kërkesat e drejtësisë duhet të plotësohen, tregoni me gisht anën e ndëshkimit të peshores në tabelë. Ju mund të merrni parasysh të ngrini lart një fshirëse, duke bërë sikur do t’i fshini kërkesat e drejtësisë. Pyetni:

  • A ka ndonjë mënyrë që kërkesat e drejtësisë të fshihen apo të hiqen? (Jo. Kur thyhen ligjet e Perëndisë, drejtësia kërkon ndëshkim. Kërkesat e drejtësisë duhet të përmbushen në një farë mënyre.)

Ndihmojini studentët të kuptojnë se do të ishte e padrejtë të fshiheshin pasojat që kërkon drejtësia. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 42:25.

  • Sipas Almës, çfarë do të ndodhte nëse pasojat e mëkatit do të hiqeshin dhe drejtësia do të lihej e paplotësuar?

Kërkojuni studentëve të përsiatin pyetjen në vijim përpara se t’u jepni atyre referencën e shkrimit të shenjtë për të gjetur përgjigjen:

  • Nëse kërkesat e drejtësisë nuk mund të fshihen, atëherë si munden ata që kanë mëkatuar (çdonjëri prej nesh) të kenë përherë paqe të ndërgjegjes dhe të rikthehen në praninë e Perëndisë? (Pasi t’u jepni studentëve kohë për të përsiatur për pyetjen, ftoni një student të lexojë Almën 42:15. Mund të jetë e dobishme të shpjegoni se fraza “plotës[on] kërkesat e drejtësisë”, do të thotë të paguash çmimin, ose të vuash ndëshkimin, që kërkon drejtësia.)

  • Sipas Almës 42:15, si është e mundur që mëshira të mund të realizohet përherë për ne?

Ndërkohë që merren përgjigjet e studentëve, fshini frazën “Përjashtim nga prania e Perëndisë” nga tabela dhe shkruani Shlyerja e Jezu Krishtit dhe Mëshira. Poshtë peshores, shkruani të vërtetën vijuese: Shlyerja e Jezu Krishtit plotësoi kërkesat e drejtësisë, në mënyrë që mëshira të mund të shtrihet drejt nesh.

Pamja
peshore
  • Çfarë do të thotë për ju të dini se Shpëtimtari do të vuante me gatishmëri në vendin tuaj në mënyrë që ju të mund të merrni mëshirë?

Ftojini studentët të lexojnë Almën 42:22–24 dhe të kërkojnë se çfarë urdhërohet me qëllim që mëshira të shtrihet drejt nesh.

  • Çfarë kërkohet prej nesh që të marrim mëshirë dhe të shmangim kërkesat e plota të drejtësisë? (Kur studentët ta kenë përcaktuar pendimin si mjetin përmes të cilit ne marrin mëshirë, shkruani parimin vijues në tabelë poshtë peshores: Nëse pendohemi, do të marrim mëshirë përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit. Gjithashtu ju mund të dëshironi t’u sugjeroni që ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 42:22–24.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë fraza “të penduarve të vërtetë”? (I penduar me sinqeritet.)

  • Përse është e rëndësishme për ne që të kuptojmë se Shpëtimtari vuajti ndëshkime për mëkatet tona në vendin tonë?

Shpjegoni se Jezu Krishti është Ndërmjetësi ynë. Ndërmjetës është dikush i cili qëndron midis dy palëve për të ndihmuar që të zgjidhet një konflikt. Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni klasën të dëgjojë arsyet përse nevojitet një person i tretë që mëshira t’i jepet mëkatarit:

“Sipas ligjit të përjetshëm, mëshira nuk mund të jepet përveçse nëse gjendet dikush që është i gatshëm e i aftë të marrë përsipër borxhin tonë dhe të paguajë çmimin e të rregullojë kushtet për shëlbimin tonë.

Pesha e plotë e drejtësisë, e pa zbutur dhe e ftohtë, duhet, me siguri duhet të bjerë mbi ne, përveçse nëse gjendet një ndërmjetës, përveçse nëse kemi një mik. Ndëshkimi i plotë për çdo shkelje, sado e vogël apo sado e madhe, do të kërkohet nga ne deri në qindarkën e fundit.

Por dijeni këtë. E vërteta, e lavdishmja e vërtetë, shpall se ka një Ndërmjetës të tillë. …

Nëpërmjet Tij, mëshira mund të shtrihet plotësisht te secili prej nesh, pa shkelur ligjin e përjetshëm të drejtësisë. …

Dhënia e mëshirës nuk do të jetë vetvetiu. Ajo do të vijë nëpërmjet besëlidhjes me Të. Ajo do të vijë sipas kushteve të Tij, kushteve të Tij bujare” (“The Mediator”, Ensign, maj 1977, f. 55–56).

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Almën 42:29–31, duke parë se çfarë dëshironte Alma për Koriantonin. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që zbulojnë.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë ta lejosh drejtësinë, mëshirën dhe vuajtjen e Zotit “të kenë ndikim të plotë në zemrën tënde”?

Ftojini studentët të shkruajnë një plan të shkurtër mësimor që tregon se si ata mund t’ua mësojnë konceptet e drejtësisë dhe të mëshirës të tjerëve. Nxitini që t’u mësojnë familjeve të tyre atë që mësuan sot.

Kujtojuni studentëve shqetësimin e Koriantonit lidhur me paanësinë e drejtësisë së Perëndisë. Ju mund të dëshironi të dëshmoni se Gjykimi Përfundimtar do të jetë i drejtë dhe se ne përfundimisht do të marrim atë që meritojmë, sipas drejtësisë dhe mëshirës së Perëndisë. Ju gjithashtu mund të dëshironi të vini në dukje se Koriantoni u pendua për mëkatet e tij dhe pati një ndikim pozitiv në rritjen e Kishës (shih Almën 49:30). Kërkojuni studentëve të përsiaten mbi mënyrën se si atyre mund t’ju duhet të veprojnë në procesin e tyre vetjak të pendimit.

Ftoni disa studentë të tregojnë mirënjohjen dhe dëshminë e tyre për gatishmërinë e Shpëtimtarit për të shlyer për mëkatet tona dhe për të plotësuar kërkesat e drejtësisë në emrin tonë. Jepni dëshminë tuaj për mëshirën dhe shëlbimin, të mundësuar nëpërmjet sakrificës shlyese të Shpëtimtarit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 42:1. Drejtësia e Perëndisë

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se lumturia mund të gjendet vetëm nëpërmjet pendimit:

“Lumturia e vërtetë nuk qëndron tek mohimi i drejtësisë së Perëndisë apo te përpjekja për të anashkaluar pasojat e mëkatit, por tek pendimi dhe falja nëpërmjet hirit shlyes të Birit të Perëndisë” (“Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 34).

Alma 42:15. “Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës”

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë përmendjen e “Perëndi[së] vetë” që shlyen për mëkatet tona, lexojeni thënien në vijim nga Plaku Xhefri Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Krishti nuk është vetëm një ndërmjetës, por edhe një gjykatës. Është në atë rol të gjykatësit që ne mund të gjejmë kuptim edhe më të madh në shprehje[n] që ‘Perëndia vetë’ do të vijë poshtë për të shëlbyer popullin e tij. Është sikurse gjykatësi në atë sallë të madhe gjyqi në qiell, pa dashur t’i kërkojë ndonjë tjetri, përveçse vetes, të mbajë barrët e njerëzve fajtorë që qëndrojnë në bankën e të pandehurit, i heq veshjet e tij të gjykatësit dhe zbret në tokë për t’i mbartur personalisht ndëshkimet e tyre. Krishti si gjykatës i mëshirshëm është një koncept po aq i bukur dhe i mrekullueshëm sa ai i Krishtit si këshilltar, ndërmjetës dhe avokat” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 81).