Biblioteka
Mësimi 32: 2 Nefi 12–15


Mësimi 32

2 Nefi 12–15

Hyrje

Isaia e dënoi ligësinë e njerëzve të kohës së tij si dhe ligësinë e shumë njerëzve në ditët e fundit. Ai paralajmëroi kundër thirrjes së të keqes të mirë dhe të së mirës të keqe. Ai gjithashtu theksoi Rivendosjen e ungjillit në ditët e fundit, duke përfshirë rëndësinë e tempullit dhe rëndësinë e të qenit i pastër nga mëkatet e botës. Për më shumë informacion rreth Isaias, shih mësimin 21 në këtë manual.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 12–15

Isaia ndan Izraelin e lig nga Izraeli i drejtë

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e mësimit të sotëm, fillojeni orën mësimore duke u kujtuar atyre se në mësimin e mëparshëm ata patën mësuar rreth thirrjes së Isaias për të qenë profet. Sot ata do të mësojnë rreth njerëzve që ai u dha mësim.

Ndihmojini studentët të kuptojnë se kur Isaia përshkroi veprimet e popullit të besëlidhjes së Zotit të kohës së tij, ai gjithashtu përshkroi disa njerëz të kohës sonë. Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi: “Libri i Isaias përmban profeci të shumta që duket të kenë përmbushje të shumëfishta.… Fakti që shumë nga këto profeci mund të kenë domethënie të shumëfishta thekson rëndësinë e përpjekjes sonë për zbulesë nga Fryma e Shenjtë që të na ndihmojë t’i interpretojmë ato” (“Scripture Reading and Relevation”, Ensign, janar 1995, f. 8).

Përpara se të fillojë ora mësimore, kopjoni skemën vijuese në tabelë ose përgatiteni atë si fletushkë. Lini mjaft hapësirë për studentët që të shkruajnë në çdo kolonë.

2 Nefi 12:5–12, 17–19; 13:8–9

2 Nefi 13:16–26

Çfarë qëndrimesh dhe praktikash pasqyrojnë mëkatet e këtyre njerëzve?

Çfarë do t’u ndodhë këtyre njerëzve si rrjedhim i mëkateve të tyre?

Shpjegoni se kjo skemë do ta ndihmojë klasën të shqyrtojë pasojat e veprimeve të njerëzve që jetuan në kundërshtim me besëlidhjet e tyre.

Ndajeni klasën në mes. Kërkojini gjysmës së studentëve të studiojnë 2 Nefin 12:5–12, 17–19; 13:8–9. Kërkojini gjysmës tjetër të studiojë 2 Nefin 13:16–26. Ftojini studentët të lexojnë vargjet që u janë caktuar dhe të gjejnë përgjigjet për dy pyetjet në kolonën e majtë të skemës. Nëse skema është paraqitur në tabelë, ftojeni një student nga secili grup të shkruajë përgjigjet e tyre në kolonën e duhur. Nëse skema ishte shpërndarë si fletushkë, vërini studentët të shkruajnë përgjigjet e tyre në fletushka.

Shpjegojini grupit të dytë se Isaia parashikoi pasojat për veshjen dhe sjelljet ekstravagante të grave të botës në kohën e tij dhe në të ardhmen. 2 Nefi 13:16–26 përshkruan atë që ai pa. Edhe pse Isaia konkretisht iu drejtua “të bija[ve të] Sionit”, fjalët e tij zbatohen gjithashtu për burrat. (Ju mund të doni të vini në dukje se profecia te 2 Nefi 14:1 nuk lidhet me martesën me më shumë se një grua. Ajo ka lidhje me burrat që vdesin në luftë përshkruar te 2 Nefi 13:25–26, duke lënë shumë gra të veja.)

Pasi studentët të kenë pasur kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve në skemë, pyetni:

  • Çfarë mëkatesh patën kryer këta njerëz? (Përgjigjet mund të përfshijnë krenarinë, idhujtarinë, karakterin materialist dhe kotësinë.) Cilat fraza tregojnë se njerëzit ishin fajtorë për këto mëkate? Cilat qenë pasojat e këtyre mëkateve?

  • Isaia foli për tokën “plot idhuj” (2 Nefi 12:8). Cilat janë disa nga format e idhujtarisë sot?

Si pjesë të këtij diskutimi, lexoni këshillën vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:

“Idhuj modernë ose perëndi të rreme mund të marrin forma të tilla si veshje, shtëpi, biznese, makineri, automobila, barka për qejf dhe gjëra të shumta të kësaj bote që na devijojnë nga shtegu i perëndishmërisë.… Shumë të rinj vendosin të shkojnë në kolegj kur duhet të jenë së pari në misione. Titulli, dhe pasuria e siguria që vijnë nëpërmjet tij, duken aq të dëshirueshme saqë misioni merr vendin e dytë.… Shumë adhurojnë gjuetinë, udhëtimin për peshkim, pushimet, piknikët e shëtitjet për fundjavë. Të tjerë kanë si idhuj të tyre lojërat sportive, bejzbollin, futbollin, ndeshjet me dema, ose golfin.… Përsëri një imazh tjetër që burrat e adhurojnë është ajo e fuqisë dhe prestigjit” (The Miracle of Forgiveness [1969], f. 40–41).

  • Isaia profetizoi për njerëz që do të tregojnë krenarinë dhe karakterin e tyre materialist me mënyrën e tyre të veshjes. Si mund të ruhemi kundër qëndrimeve dhe prirjeve të kësaj bote?

Në tabelë, shkruani fjalën mjerë. Shpjegoni se fjala mjerë i referohet hidhërimit dhe vuajtjes. Profetët e lashtë ndonjëherë e përdornin këtë fjalë për të theksuar pasojat e mëkatit. (Studentët mund të kujtojnë duke parë këtë fjalë të përsëritet te 2 Nefi 9:27–38.) Ftojini studentët të mbajnë vesh ndërsa lexoni me zë të lartë 2 Nefin 15:18–23. (Ju mund të doni t’i nxitni studentët të shënojnë fjalën mjerë dhe frazat që përshkruajnë veprimet dhe qëndrimet që do të sjellin hidhërim dhe vuajtje. Ju mund gjithashtu të sugjeroni që ata të shkruajnë përkufizimin e fjalës mjerë në anë të këtyre vargjeve.)

  • Çfarë do të thotë për ju 2 Nefi 15:20?

  • Si i keni parë njerëzit që e quajnë “të keqen të mirë dhe të mirën të keqe” në kohën tonë?

Tregojuni studentëve se do të lexojnë tani rreth një grupi njerëzish që i mbanin besëlidhjet e tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 14:2–4. Vëreni pjesën tjetër të klasës të kërkojë për përshkrim të Isaias mbi këtë grup njerëzish.

  • Cilat fjalë apo fraza tregojnë se ky grup ishte i ndryshëm nga grupet e tjera që shqyrtuam? (Merrni parasysh të renditni në tabelë përgjigjet e studentëve.)

Kërkojuni studentëve të lexojnë qetësisht 2 Nefin 14:5–6, duke kërkuar për tre vende që përmendi Isaia, që do të jepnin mbrojtje shpirtërore. Sigurohuni që studentët t’i gjejnë dhe t’i kuptojnë fjalët vendbanim (banesë apo shtëpi), asambletë (vende mbledhjeje, të tilla si degë, lagje apo kunje) dhe tabernakull (tempull). Shpjegoni se “re[ja] dhe tym[i] gjatë ditës dhe shkëlqimi [i] një zjarri me flakë gjatë natës” i referohet mbrojtjes dhe drejtimit që Moisiu dhe populli i tij morën nga Zoti në shkretëtirë (shih Eksodi 13:21–22). Këto fjalë na kujtojnë për mbrojtjen dhe drejtimin që mund të marrim nga Zoti. Gjithashtu vini në pah se Isaia e krahasoi tempullin me një strehë mbrojtëse nga nxehtësia dhe një “mbulesë” apo strofkë nga stuhitë dhe shiu.

  • Kur e keni ndier mbrojtjen apo drejtimin e Zotit në shtëpinë tuaj apo në kishë?

  • Kur keni gjetur lehtësim apo mbrojtje shpirtërore në tempull?

  • Çfarë lloj njerëzish do të banojnë në shtëpitë dhe do të adhurojnë në kishat dhe tempujt të përshkruar në vargjet 5–6?

  • Çfarë mund të bëjmë për t’i bërë shtëpitë dhe degët apo lagjet tona vende mbrojtjeje nga bota?

Përmblidhni kapitujt 12–15 duke shpjeguar se në këta kapituj ne mësojmë se mbajtja e besëlidhjeve tona sjell bekime të mbrojtjes shpirtërore, ndërsa shkelja e besëlidhjeve na lë pa mbrojtjen e Zotit. Sigurojini studentët se ata mund të krijojnë në jetën e tyre një mjedis si ai që përshkruhet te 2 Nefi 14:5–6.

2 Nefi 12:1– 5; 15:26

Isaia profetizoi për tempujt dhe Kishën e Zotit të rivendosur në ditët e fundit

Vizatoni skicën vijuese të një mali dhe një tempulli në tabelë:

Pamja
mal dhe tempull
  • Cilat janë disa ngjashmëri midis një mali dhe një tempulli? (Përgjigje të mundshme mund të përfshijnë se të dy janë fisnikë dhe madhështorë dhe se të dy na frymëzojnë të shohim drejt qiellit.)

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 12:2–5, duke parë për çka Perëndia premtoi të ngrejë në ditët e fundit dhe si kjo do t’i bekonte jetët e njerëzve.

  • Kujt i referohet termi “mali [i] Zotit”? (Ai ka një referencë konkrete për Tempullin e Solt-Lejkut, por ai gjithashtu mund t’i referohet tempujve të tjerë që Zoti ka ngritur në ditët e fundit.)

  • Çfarë bekimesh vijnë nga “shtëpia e Zotit” në ditët e fundit? (Një parim që studentët mund ta përcaktojnë është se Perëndia ka ngritur tempuj që të na mësojë udhët e Tij dhe të na ndihmojë të ecim në shtigjet e Tij [shih 2 Nefi 12:3].)

  • Si na ndihmojnë tempujt të ecim në shtigjet e Zotit?

Lexoni thënien vijuese në të cilën Presidenti Gordon B. Hinkli flet për rëndësinë e tempujve:

“Këto ndërtesa unike dhe të mrekullueshme, dhe ordinancat e kryera brenda tyre, përfaqësojnë kulmin e adhurimit tonë. Këto ordinanca bëhen shprehjet më të thella të teologjisë tonë. Unë i nxit njerëzit tanë kudo, me gjithë forcën time bindëse që kam, të jetojnë të denjë për të mbajtur një rekomandim tempulli, të sigurojnë një të tillë dhe ta konsiderojnë atë si një pasuri të çmuar dhe të bëjnë një përpjekje më të madhe për të shkuar në shtëpinë e Zotit dhe të marrin nga shpirti dhe bekimet që gjenden vetëm aty” (“Of Missions, Temples, and Stewardship”, Ensign, nëntor 1995, f. 53).

  • Si mund të na ndihmojnë tempujt t’i shmangim pasojat e ligësisë përshkruar te 2 Nefi 12–15? (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve të tempullit na forcon ne dhe familjet tona kundër ligësisë. Adhurimi rregullisht në tempull na kujton për Shpëtimtarin tonë, sakrificën e Tij shlyese dhe besëlidhjet që kemi bërë. Kur jetojmë denjësisht për të mbajtur një rekomandim tempulli, ne kemi shpresë për bekimet e jetës së përjetshme. Ajo shpresë na nxit ne që të vazhdojmë të jetojmë me drejtësi.)

  • Si ju ka frymëzuar dhe bekuar tempulli?

Vëreni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 15:26. Kërkojini klasës të gjejë frazën që tregon se Zoti do të “ngrejë” me qëllim që të mbledhë njerëzit në ditët e fundit. Shpjegoni se fjala emblemë i referohet një standardi, flamuri apo banderole që përdoret si pikë grumbullimi apo si sinjal për t’u mbledhur, veçanërisht në një betejë.

  • Çfarë është “emblem[a] për kombet” për të cilën Isaia profetizoi?

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Jozef Filding Smith:

“Ajo emblemë [është] Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që është ngritur për herën e fundit, për të mos u shkatërruar kurrë më apo dhënë një populli tjetër. Ishte ngjarja më e madhe që bota ka parë qysh prej ditës kur Shëlbuesi u ngrit mbi kryq dhe bëri shlyerjen e pafund dhe të përjetshme. Ajo kishte më shumë rëndësi për njerëzimin nga çfarëdo gjëje tjetër që ka ndodhur qysh nga ajo ditë” (Doctrines of Salvation, 3 volume [1954–1956], 3:254–255).

  • Në çfarë mënyrash Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një “emblemë për kombet”?

  • Çfarë bekimesh kanë ardhur në jetën tuaj për shkak të anëtarësisë në Kishë?

  • Mendoni rreth të gjitha bekimeve që keni marrë dhe të vërtetave që keni mësuar si anëtar i Kishës. Cila është një e vërtetë që mund të tregoni me të tjerët që mund t’i ndihmojë ata të mblidhen te “emblem[a] për kombet”?

Dëshmoni se Zoti na ka bekuar me ndihmë të madhe për të jetuar suksesshëm në ditët e fundit. Ai do t’i bekojë dhe shenjtërojë ata që zgjedhin të vijnë tek Ai. Ndërsa bëjmë dhe respektojmë besëlidhjet me Të, Ai do të na ndihmojë të ecim në shtigjet e Tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 12:2–5. “Mali i shtëpisë së Zotit”

Presidenti Gordon B. Hinkli shpjegoi se 2 Nefi 12:2–5 i referohet Tempullit të Solt-Lejkut:

“Qysh kur Tempulli i Solt-Lejkut u përkushtua, ne e kemi interpretuar atë shkrim të shenjtë nga Isaia … si t’i përkiste kësaj shtëpie të shenjtë të Zotit. Dhe nga ky vend, qysh ditën e përkushtimit të tij, një numër gjithmonë e në rritje nga e gjithë bota ka thënë në fakt: ‘Ejani ju, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; Ai do të na mësojë rrugët e Tij dhe ne do të ecim në shtigjet e Tij’” Ensign, nëntor 2003, f. 82).

2 Nefi 1:16-24 “Bijat e Sionit”

Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi se paralajmërimi i Isaias për “bijat e Sionit” është i vlefshëm si për burrat edhe për gratë:

“Standardet e shprehura nga Autoritetet e Përgjithshme të Kishës janë se gratë, si edhe burrat, duhet të vishen thjesht. Atyre u është mësuar një sjellje e përshtatshme dhe thjeshtësi gjithë kohën. Sipas gjykimit tim, është një koment i trishtueshëm për ‘bijat e Sionit’ kur ato vishen pa thjeshtësi. Për më tepër, kjo vërejtje u përket burrave si edhe grave. Zoti i dha urdhërime Izraelit të lashtë që edhe burrat edhe gratë duhet të mbulojnë trupat e tyre dhe të respektojnë ligjin e dëlirësisë në të gjitha kohët” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–66], 5:174).

Vini re se kjo profeci është një shembull dualizmi. Ajo vlente për njerëzit në kohën e Isaias dhe është e vlefshme gjithashtu për njerëzit sot.