Biblioteka
Mësimi 62: Mosia 19–20


Mësimi 62

Mosia 19–20

Hyrje

Pasi Alma dhe populli i tij iu shmangën ushtrisë së mbretit Noe, mbreti Noe dhe populli i tij filluan të vuanin pasojat e padrejtësisë së tyre, siç ishte profetizuar nga Abinadi – ata u sulmuan dhe u sollën në robëri nga lamanitët, dhe mbreti Noe vuajti vdekje nga zjarri. I biri i Noeut, Limhi, u bë mbret pas vdekjes së Noeut. Kur priftërinjtë e mëparshëm të Noeut rrëmbyen një grup të bijave të lamanitëve, lamanitët fajësuan popullin e Limhit dhe u përgatitën që t’i sulmonin. Populli i Limhit luftoi me trimëri dhe ata e plagosën dhe e kapën rob mbretin e lamanitëve. Limhi e qetësoi mbretin lamanit, i cili pastaj e bindi popullin e tij që ata të ktheheshin në paqe në tokën e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mosia 19–20

Nefitët në tokën e Lehi-Nefit përjetojnë përmbushjen e profecive të Abinadit

Ftojini studentët të mendojnë për një rast kur dikush i paralajmëroi për një rrezik që nuk mund ta parashikonin. Kërkojini që t’iu tregojnë se si janë bekuar ngaqë kanë ndjekur një paralajmërim. Ndihmojini studentët të diskutojnë qëllimin e paralajmërimeve duke bërë pyetjet në vijim:

  • Cili është qëllimi i një paralajmërimi? Kush ju paralajmëron për gjërat që duhet të shmangni apo gjërat që mund të jenë të dëmshme për ju?

  • Kujt ia zbulon Perëndia paralajmërimet shpirtërore për Kishën e Tij?

Kujtojini studentët që Zoti dërgoi Abinadin për t’i paralajmëruar nefitët për pasojat e mëkateve të tyre. Për t’i ndihmuar studentët të përsëritin profecitë e Abinadit për nefitët në tokën e Lehi-Nefit, kopjoni në tabelë pasqyrën përmbledhëse në vijim. Sigurohuni që u keni lënë studentëve hapësirë të mjaftueshme për të shkruar nën secilin grup të referencave të shkrimit të shenjtë.

Profeci rreth popullit të mbretit Noe (Mosia 12:1–2; 17:17)

Përmbushja (Mosia 19:10, 14–15; 20:20; 21:2–4)

Profeci rreth mbretit Noe (Mosia 12:3; 17:18)

Përmbushja (Mosia 19:18–20)

Ftojeni një student të lexojë me zë Mosian 12:1–2. Kërkojini klasës që të përcaktojë atë që profetizoi Abinadi se do t’i ndodhte popullit të mbretit Noe për shkak se nuk u penduan. Ftojeni një student t’i renditë këto pasoja në kutinë në anën e sipërme të majtë të pasqyrës përmbledhëse në tabelë. Vëreni një student tjetër të lexojë me zë Mosian 12:3. Kërkojini klasës që të përcaktojë se çfarë profetizoi Abinadi që do t’i ndodhte mbretit Noe. Vëreni një student ta shkruajë këtë pasojë në pasqyrën përmbledhëse.

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë rreth domethënies së paralajmërimeve shpirtërore që marrim përmes profetëve, tregoni historinë në vijim të treguar nga Plaku Dejvid Stoun, i Të Shtatëdhjetëve:

“Një të diel në mëngjes, më shumë se një vit më parë, ne u zgjuam një ditë të bukur në Santo-Domingo në Republikën Dominikane. Dielli i Karaibeve po ndriçonte dhe qielli ishte i kthjellët. Po frynte një fllad i butë, [që] mezi shpupurishte gjethet në pemë; ishte ngrohtë, si dhe qetësi e prehje. Por diku larg në det, përtej aftësive perceptuese të shqisave tona fizike atë ditë, shkatërruesi vdekjeprurës po vinte drejt nesh, i paqetësueshëm dhe i pafrenueshëm. Qendra e Uraganeve, me përgjegjësinë për të ndjekur dhe për të parashikuar drejtimin e Uraganit Xhorxh, po freskonte vazhdimisht të dhënat e disponueshme në internet. Në qetësinë e patrazuar e të pazhurmshme të atij mëngjesi, përmes atyre syve vëzhgues satelitor në qiell, unë pashë udhën e parashikuar të stuhisë, të drejtuar si shigjetë për në zemër të Santo-Domingos.

Brenda 48 orëve stuhia goditi ishujt me forcë … [e] tërbim, duke lënë në udhën e vet shkatërrim, shkretim dhe vdekje. …

Po aq të mëdha sa mund të jenë dëmtimi dhe shkatërrimi e vdekja nga këto fenomene të tmerrshme të forcës fizike, ka edhe më tepër shkretim të shkaktuar në jetën e njerëzve nga uraganet shpirtërorë. Këto forca të tërbuara shpesh shkaktojnë shumë më tepër dëmtim rrënues sesa ciklonet fizikë, pasi ata shkatërrojnë shpirtrat tanë dhe na grabisin të ardhmen dhe premtimin e përjetshëm. …

Por ne gjithashtu kemi rojet tona ndaj uraganeve shpirtërorë, ata, thirrja e të cilëve është të vëzhgojnë dhe të paralajmërojnë, duke na ndihmuar të shmangim dëmtimin shpirtëror, shkatërrimin dhe madje vdekjen. Rojet tona mbi kullë njihen nga ne si apostuj dhe profetë. Ata janë sytë tanë shpirtërorë në qiell, dhe ata e dinë, përmes frymëzimit dhe tejshikimit e inteligjencës së pastër, drejtimin që mund të marrin këto stuhi. Ata vijojnë të ngrenë zërat e tyre të paralajmërimit për të na treguar pasojat tragjike nga shkeljet e vullnetshme dhe të papërmbajtshme të urdhërimeve të Zotit. T’i injorosh me qëllim paralajmërimet e tyre është t’i vish rrotull mjerimit, brengës dhe rrënimit. T’iu bindesh atyre është t’iu bindesh shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit nëpër kullotat shpirtërore të paqes dhe begatisë” (“Spiritual Hurricanes”, Ensign, nëntor 1999, f. 31–32).

  • Si lidhet kjo histori me rolin e Abinadit mes popullit të mbretit Noe?

Tregojuni studentëve se veprimtaria në vijim do t’i ndihmojë që të njihen më nga afër me radhën e ngjarjeve te Mosia 19–20 dhe që të shikojnë përmbushjen e profecive të Abinadit në këta kapituj. Pas kësaj veprimtarie, studentët do të plotësojnë kolonën e djathtë të pasqyrës përmbledhëse në tabelë.

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruajini të 11 thëniet në vijim në tabelë, ose përgatitini si fletushka për shpërndarje për secilin student. Ftojini studentët të këqyrin Mosian 19–20. Ndërsa lexojnë, kërkojuni që t’u vënë numra radhës së ngjarjeve në listë. Ju mund të dëshironi t’u thoni studentëve që përmbledhjet e kapitujve japin të dhëna të dobishme.

Gideoni përpiqet të vrasë mbretin Noe.

Gratë e fëmijët nefitë u luten lamanitëve që të mos i vrasin.

Mbreti Noe vuan vdekje nga zjarri.

Një ushtri lamanite vjen në kufijtë e Shemlonit.

Priftërinjtë e Noeut rrëmbejnë 24 bija lamanite.

Mbreti lamanit i lutet ushtrisë së tij ta kursejë popullin e Limhit.

Noeu dhe disa nga njerëzit e tij ia mbathin para lamanitëve, duke i lënë gratë dhe fëmijët e tyre pas.

Limhi e urdhëron popullin e tij të mos e vrasë mbretin lamanit.

Për dy vjet ka paqe mes nefitëve dhe lamanitëve.

Limhi premton që populli i tij do t’ia paguajë lamanitëve gjysmën e zotërimeve të veta.

Nefitët zmbrapsin një sulm lamanit dhe kapin mbretin lamanit.

Jepuni studentëve 5 deri në 10 minuta kohë për ta përfunduar këtë veprimtari. Pastaj përdorni listën për të përsëritur radhën e ngjarjeve te Mosia 19–20. (Rendi i duhur i ngjarjeve, duke filluar nga kreu i listës, është si vijon: 1, 4, 5, 2, 8, 11, 3, 10, 7, 6, 9.)

Drejtojini përsëri studentët te pasqyra përmbledhëse në tabelë. Ndajeni klasën në dy grupe. Kërkojini njërit grup të shqyrtojë Mosian 19:10, 14–15; 20:20; 21:2–4 për të parë si u përmbushën profecitë e Abinadit për popullin e mbretit Noe. Kërkojini grupit të dytë të shqyrtojë Mosian 19:18–20 për të parë si u përmbush profecia e Abinadit për mbretin Noe. Ftojeni një student nga secili grup që të përmbledhë se si u përmbushën profecitë e Abinadit. Ftojeni një student tjetër që t’i shkruajë përmbledhjet e tyre në pasqyrën përmbledhëse.

Ftojini studentët që të lexojnë në heshtje Mosian 20:21.

  • Cili tha Gideoni se ishte shkaku i vuajtjes së popullit?

Kërkojuni studentëve që të shpjegojnë me vetë fjalët e tyre se çfarë dëshironte Gideoni që populli të kuptonte. Ndërkohë që mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të tregojnë që e kanë kuptuar se refuzimi i fjalëve të shërbëtorëve të Zotit sjell vuajtje dhe brengë. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

U thoni studentëve që Zoti i ka dhënë një paralajmërim të ngjashëm atyre njerëzve në ditët e fundit që nuk ia vënë veshin zërit të Tij. Kërkojini një studenti të lexojë me zë Doktrina e Besëlidhje 133:70–72. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë referencë në anë të faqes te shkrimet e tyre të shenjta pranë Mosias 20:21.

  • Çfarë janë disa gjëra që na mësojnë profetët dhe apostujt në kohën tonë që do të na ndihmojnë të shmangim vuajtjen dhe brengën? Çfarë japin mësim ata që do të na ndihmojë duke sjellë paqe e lumturi dhe që do të na ndihmojë të kthehemi në praninë e Perëndisë? (Ju mund t’u tregoni studentëve një botim të fundit të konferencës së përgjithshme të Liahonës dhe të përmendni disa nga titujt e fjalimeve të dhëna nga profetët.)

Ftojini studentët të tregojnë për raste kur janë bekuar për shkak se i janë bindur këshillës së udhëheqësve të Kishës.

Për t’i ndihmuar studentët që të kuptojnë se dëgjimi i fjalëve të profetëve mund të na sjellë paqe dhe të na ndihmojë të kthehemi në praninë e Perëndisë, ndani thënien në vijim nga Plaku Robert Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Robert D. Hejls

“Siguria jonë shpirtërore gjendet kur kthehemi për të dëgjuar zërin e qartë të profetit tonë të gjallë. Nëse e dëgjojmë zërin e tij dhe i bindemi këshillës së tij, ne do të mund të jetojmë ashtu si Krishti do të donte që të jetonim dhe do të durojmë deri në fund në mënyrë që një ditë ne, së bashku me familjet tona, do të kthehemi sërish në prani të Atit tonë Qiellor dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit” (“Hear the Prophet’s Voice and Obey”, Ensign, maj 1995, f. 17).

Përmbylleni mësimin duke dëshmuar për paqen dhe sigurinë shpirtërore që vjen nga ndjekja e këshillës së shërbëtorëve të Zotit.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Nëse koha premton, ju mund të dëshironi të përsëritni fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që keni dhënë mësim deri tani këtë vit, për t’i ndihmuar studentët që të kujtojnë fjalë kyçe në secilin fragment.

Jepuni studentëve disa minuta për të përsëritur fragmentet e zotërimit të shkrimit të shenjtë që kanë mësuar deri tani në këtë vit shkollor. Ftojeni një student që të vijë përpara klasës me shkrimet e tij apo të saj të shenjta. Kërkojini studentit që t’i kthehet njërit prej fragmenteve të zotërimit të shkrimit të shenjtë pa ia treguar atë askujt tjetër. (Nëse janë të disponueshme kartat e zotërimit të shkrimit të shenjtë, ju mund t’i kërkoni studentit që të përdorë njërën.) Vëreni studentin të shkruajë në tabelë një fjalë nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë. (Nxiteni studentin të përzgjedhë fjalë kyçe nga fragmenti në vend të fjalëve më pak të dallueshme të tilla si dhe ose të.) Ftojeni pjesën tjetër të klasës të kërkojë në shkrimet e shenjta vetjake fragmentin e zotërimit të shkrimit të shenjtë nga i cili ata mendojnë se vjen fjala. Nëse asnjë nuk mund ta gjejë fragmentin e duhur duke përdorur një fjalë, vëreni studentin të shkruajë në tabelë një fjalë tjetër nga fragmenti i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Përsëriteni këtë proces derisa të paktën një student ta ketë gjetur fragmentin e duhur. Ftojeni pjesën tjetër të klasës që të shkojë te fragmenti dhe vërini studentët ta thonë atë së bashku. Pastaj përsëriteni këtë veprimtari me një student tjetër dhe me një fragment tjetër të zotërimit të shkrimit të shenjtë.