Biblioteka
Mësimi 156: Moroni 7:20–48


Mësimi 156

Moroni 7:20–48

Hyrje

Moroni regjistroi përfundimin e predikimit që ati i tij, Mormoni, pati bërë në një sinagogë vite përpara. Në predikim, Mormoni u mësoi dëgjuesve të tij se si të “mbështete[shin] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:20, 25). Ai shpjegoi marrëdhënien midis besimit, shpresës e dashurisë hyjnore dhe përfundoi me një lutje ndaj popullit të tij që t’i luteshin Atit me të gjithë energjinë e zemrës për dhuratën e dashurisë hyjnore, “dashuri[në] e pastër [të] Krishtit” (Moroni 7:47).

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 7:20–39

Mormoni jep mësim se nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin, ne mund të mbështetemi në çdo gjë të mirë

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruani pyetjen vijuese në tabelë:

Cilat janë disa gjëra të mira me të cilat Ati Qiellor ju ka bekuar?

Në fillim të orës mësimore, u jepni studentëve një apo dy minuta për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj ftojini të lexojnë disa nga gjërat që kanë renditur.

Lexoni me zë të lartë Moronin 7:24. Kërkojini klasës t’ju ndjekë, duke parë për burimin e të gjitha gjërave të mira që u kanë ardhur.

  • Cili është burimi i të gjitha gjërave të mira që ju kanë ardhur? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, por ato duhet të shprehin të vërtetën vijuese: Të gjitha gjërat e mira vijnë në saje të Jezu Krishtit.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më tej doktrinën që u mësohet te Moroni 7:24, shpjegoni se, si pasardhës të Adamit dhe Evës, ne jemi të “rënë” dhe të paaftë të marrim vetë ndonjë bekim (shih edhe Alma 22:14; Ethëri 3:2; Nenet e Besimit 1:3). Pa Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, “asgjë e mirë nuk do të mund [të na] vinte [neve]”. Çdo gjë e mirë që kemi marrë ndonjëherë nga Ati ynë Qiellor, ka ardhur nëpërmjet Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij.

Shpjegoni se Ati Qiellor ka shumë bekime në ruajtje për ne. Ai do që ne “të mbështete[mi] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:19) dhe Ai do që të na japë gjithçka që Ai ka (shih DeB 84:38).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë pyetjen e Mormonit te Moroni 7:20. Pastaj ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 7:21–24, duke kërkuar atë që këto vargje japin mësim mbi mënyrën se si mund të mbështetemi në çdo gjë të mirë.

  • Bazuar në atë që keni lexuar te Moroni 7:21–24, si do t’i përgjigjeshit pyetjes së Mormonit te Moroni 7:20? (Ndërsa studentët përgjigjen, ndihmojini të gjejnë parimin vijues: Ndërsa ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të mbështetemi në çdo gjë të mirë.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si mund të “mbështet[en] në çdo gjë të mirë”, kërkojuni disave prej tyre të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Moroni 7:25–26, 32–38. Ftoni gjysmën e klasës të gjejë mënyra se si ne duhet të shfaqim besimin tonë në Jezu Krishtin. Ftoni gjysmën tjetër të shohë për gjëra të mira që na vijnë si rrjedhim. (Kur një student lexon vargun 33, ju mund të doni të shpjegoni se fraza “të përshtatshme” u referohet gjërave që janë në përputhje me vullnetin e Zotit.)

Pasi studentët raportojnë për ato që kanë gjetur, merrni parasysh t’u kërkoni të shkruajnë një qëllim që do t’i ndihmojë të ushtrojnë besim më të madh në Jezu Krishtin dhe të mbështeten në të gjitha gjërat e mira që Ati Qiellor dëshiron t’u japë. Jepni dëshminë tuaj që bekime të mëdha vijnë nëpërmjet Shpëtimtarit, ungjillit të Tij dhe Shlyerjes së Tij. Nxitini studentët të ushtrojnë besim më të madh tek Ai.

Moroni 7:40–43

Mormoni na mëson se besimi në Jezu Krishtin na bën që të kemi shpresë për jetë të përjetshme

Vizatoni në tabelë një figurë të një stoli me tri këmbë (ose tregoni një stol me tri këmbë).

Pamja
stol me tri këmbë

Lexoni thënien në vijim nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku M. Rasëll Ballard

“Tri parime hyjnore përbëjnë themelin mbi të cilin ne mund të ndërtojmë ngrehinën e jetës sonë. … Së bashku ato na japin një bazë mbështetjeje si këmbët e stolit me tri këmbë” (“The Joy of Hope Fulfilled”, Ensign, nëntor 1992, f. 33).

Emërtojeni një nga këmbët e stolit me frazën Besim në Jezu Krishtin. Kërkojuni studentëve të mendojnë rreth asaj që dy këmbët e tjera mund të përfaqësojnë. Më pas ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 7:40 që të gjejnë se çfarë përfaqëson këmba e dytë. (Këmba e dytë përfaqëson shpresë.)

Lexoni me zë të lartë shprehjet vijuese për shpresën. Ftojini studentët të dëgjojnë për ndryshimet midis këtyre dy shprehjeve.

  1. Unë shpresoj se do të bjerë shi sot.

  2. Unë kam shpresë te premtimi i Zotit se unë mund të ndiej paqe nëpërmjet pendimit.

  • Në çfarë mënyrash ndryshojnë këto shprehje? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se në shembullin e parë, fjala shpresë nënkupton një dëshirë të pasigurt. Në shembullin e dytë, fjala shpresë është një shprehje besimi në vetvete. Ajo është një shtysë për veprim dhe përqendrohet te Shlyerja e Jezu Krishtit.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë fjalën shpresë siç përdoret në shkrimet e shenjta, ftoni një student të lexojë me zë të lartë thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Shpresa është një dhunti e Shpirtit. …

Shpresa nuk është një njohuri, por më shumë besimi i qëndrueshëm që Zoti do të plotësojë premtimin që na ka dhënë. Ajo është besimi se, nëse jetojmë sipas ligjeve të Perëndisë dhe të fjalëve të profetëve të Tij tani, ne do të marrim bekimet e dëshiruara në të ardhmen. Ajo është të besosh dhe të presësh që lutjet tona të marrin përgjigje. Ajo manifestohet në besimin tek vetja, optimizmin, entuziazmin dhe këmbënguljen me durim” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 21–22).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 7:41. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për atë që Mormoni na mësoi se duhet të shpresojmë. Ndërsa studentët raportojnë për çka gjejnë, emërtoni këmbën e dytë të stolit me frazën Shpresë për Jetë të Përjetshme.

Vini në dukje se Moroni 7:41 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë varg në mënyrë të dukshme që të jenë në gjendje ta gjejnë lehtësisht.

  • Sipas Moronit 7:41, si mund të shpresojmë të ngrihemi në jetë të përjetshme? (Edhe pse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të gjejnë parimin vijues: Nëse ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund të arrijmë shpresë që nëpërmjet Shlyerjes së Tij të ngrihemi në jetë të përjetshme.)

Ftojini studentët të lexojnë më vete Moronin 7:42–43, duke parë për karakteristika që na duhen me qëllim që të kemi besim dhe shpresë. Kërkojuni të raportojnë për atë që kanë gjetur. (Ju mund të doni të shpjegoni se të jesh i i bindur dhe i përvuajtur në zemër do të thotë të jesh i përulur, i dashur dhe i nënshtruar ndaj vullnetit të Zotit.)

  • Si mendoni ju, përse të qenit i bindur dhe i përvuajtur në zemër është i nevojshëm për të pasur besim dhe shpresë te Shlyerja e Jezu Krishtit?

Ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes vijuese në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Si ju jep besimi juaj te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij shpresë se do të merrni jetë të përjetshme?

Moroni 7:44–48

Mormoni na mëson për rëndësinë e dashurisë hyjnore

Rikthehuni te stoli me tri këmbë. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 7:44 dhe gjeni një emërtim për këmbën e tretë të stolit. Ndërsa studentët raportojnë atë që kanë gjetur, emërtojeni këmbën e tretë me fjalën Dashuri Hyjnore. Kërkojuni ta përkufizojnë dashurinë hyjnore me fjalët e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 7:45–47. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për atë se si Mormoni e përshkroi dhe përkufizoi dashurinë hynore.

  • Si e përkufizon Mormoni dashurinë hyjnore te Moroni 7:47? (“Dashuria e pastër e Krishtit.”)

  • Çfarë mendoni se do të thotë që dashuria hyjnore nuk do të dështojë kurrë?

  • Si mendoni ju, përse ne nuk jemi asgjë nëse nuk kemi dashuri hyjnore?

Ftojini studentët të zgjedhin përshkrime të dashurisë hyjnore te Moroni 7:45 dhe të shpjegojnë se çfarë mendojnë mbi domethënien e tyre. Sqaroni shpjegimet e tyre kur nevojitet. (Për shembull, “është e duruar” do të thotë që dikush i përballon sprovat me durim. “Nuk ka smirë” do të thotë që një person nuk është ziliqar për të tjerët. “Nuk krekoset” do të thotë që dikush është i përulur. “Nuk kërkon të mirën e vet” përshkruan cilësinë e vënies së Perëndisë dhe të të tjerëve përpara vetes. “Nuk nxitet lehtë në zemërim” do të thotë nuk inatoset lehtësisht. “Beson të gjitha gjërat” përshkruan dikë që e pranon të gjithë të vërtetën.)

Pyetini studentët si do mund të përgjigjeshin në secilën nga situatat vijuese nëse u mungon dashuria hyjnore. Pastaj pyetni se si mund të përgjigjeshin nëse janë të mbushur me dashuri hyjnore. (Ju mund të doni t’i përshtatni këto situata sipas nevojave dhe interesave të studentëve të cilëve po u jepni mësim.)

  1. Njerëz tallen me ju ose dikë tjetër në shkollë.

  2. Ju keni një vëlla apo motër që shpesh ju bezdis.

  3. Dikush që e njihni ka bërë një mëkat të rëndë.

  4. Juve nuk ju pëlqen një këshillues i ri i kuorumit apo klasës aq sa ju pëlqente këshilluesi i mëparshëm.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 7:48. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë se çfarë duhet të bëjmë ne që të bekohemi me dhuratën e dashurisë hyjnore. Ndërsa studentët japin përgjigje, sigurohuni që parimi vijues të jetë i qartë: Nëse i lutemi Atit me të gjithë fuqinë e zemrës dhe jetojmë si pasues të vërtetë të Jezu Krishtit, ne mund të mbushemi me dashuri hyjnore.

Vini në dukje se Moroni 7:45, 47–48 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto vargje në mënyrë të dukshme që të jenë në gjendje t’i gjejnë lehtësisht.

  • Përse mendoni se kemi nevojë të lutemi për dhuratën e dashurisë hyjnore me gjithë fuqinë e zemrës?

  • Kur keni dëshmuar shembuj të dashurisë hyjnore? (Ftoni disa studentë të tregojnë përvoja. Ju mund të doni gjithashtu të tregoni një përvojë tuajën.)

  • Kur e keni ndier se Zoti ju ka ndihmuar të ndieni më shumë dashuri hyjnore ndaj të tjerëve?

Kërkojuni studentëve të rishikojnë Moronin 7:45 dhe të zgjedhin një element të dashurisë hyjnore ku ata kanë nevojë të përmirësohen. Nxitini të luten për dhuratën e dashurisë hyjnore ndërsa përpiqen të përmirësohen në këtë fushë. Dëshmoni për ndikimin që kanë pasur besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore në jetën tuaj.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Moroni 7:41

Ndihmojini studentët të mësojnë përmendsh Moronin 7:41. Merrni parasysh të përdorni një nga metodat e shpjeguara në shtojcën në fund të këtij manuali.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Moroni 7:45, 47–48

Ftojini studentët të zgjedhin nga lista vijuese një individ për të cilin do të donin të kishin më shumë dashuri hyjnore: një anëtar të familjes, një anëtar të kuorumit apo klasës, një shok klase në shkollë, një mik apo një fqinj. Nxitini të mendojnë rreth personit që kanë zgjedhur ndërsa lexojnë Moronin 7:45 dhe të marrin parasysh mënyra me të cilat ata mund t’i shfaqin personit më shumë dashuri si dashuria e Krishtit. Ftojini të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një ose dy mënyra se si do të shfaqnin dashuri hyjnore për personin që kanë zgjedhur. Ftojini ta bëjnë këtë përpjekje pjesë të lutjeve të tyre në javën e ardhshme. Ju mund të merrni parasysh t’u jepni studentëve mundësi që t’i tregojnë përvojat e tyre në ditët e ardhshme.

Shënim: Për shkak të kohëzgjatjes së këtij mësimi, ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari një ditë tjetër, kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 7:29–31. Shërbesa e engjëjve

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi shërbesën e engjëjve:

‘Fjala “engjëll” përdoret në shkrimet e shenjta për cilëndo qenie qiellore që mbart mesazhin e Perëndisë’ George Q. Cannon, Gospel Truth, përzgj. Jerreld L. Newquist [1987], f. 54). Shkrimet e shenjta përmendin raste të shumta ku një engjëll u shfaq personalisht. Shfaqjet engjëllore te Zakaria dhe Maria (shih Lluka 1) dhe te mbreti Benjamin dhe te Nefi, biri i Helamanit (shih Mosia 3:2; 3 Nefi 7:17–18) janë vetëm pak shembuj.

… Shërbesa e engjëjve gjithashtu mund të jetë e padukshme. Mesazhet engjëllore mund të jepen nga një zë apo thjesht nga mendimet ose ndjenjat e komunikuara në mendje. Presidenti Xhon Tejlor e përshkroi ‘veprimin e engjëjve, apo të lajmëtarëve të Perëndisë, te mendja jonë, në mënyrë që zemra të mund të përfytyrojë … zbulesa nga bota e përjetshme’ (Gospel Kingdom, përzgj. G. Homer Durham [1987], f. 31).

Nefi përshkroi tri shfaqje të shërbesave prej engjëjve kur kujtoi vëllezërit e tij të pabindur që 1) ata patën ‘parë një engjëll’, 2) ata patën ‘dëgjuar zërin e tij herë pas here’ dhe 3) gjithashtu që një engjëll u pati ‘folur me një zë të qetë, të ulët’ edhe pse ata patën ‘humbur ndjesinë’ dhe ‘nuk mund të ndjen[in] fjalët e tij’ (1 Nefi 17:45). Shkrimet e shenjta përmbajnë shumë deklarata të tjera që engjëjt janë dërguar për t’u mësuar ungjillin dhe për të sjellë njerëz te Krishti (shih Hebrenjve 1:14; Alma 39:19; Moroni 7:25, 29, 31–32; DeB 20:35). Shumë komunikime engjëllore më shumë ndihen apo dëgjohen sesa shihen” (“The Aaronic Priesthood and the Sacrament”, Ensign, nëntor 1998, f. 38–39).

Moroni 7:45–48. Dashuria hyjnore, “dashuria e pastër e Krishtit”

Presidenti Tomas S. Monson na mësoi rreth nevojës për dhuratën e dashurisë hyjnore:

“Ka një nevojë të madhe për dashuri hyjnore që u kushton vëmendje atyre që nuk bien në sy, u jep shpresë atyre që janë të shkurajuar, ndihmë atyre që vuajnë. Dashuria hyjnore e vërtetë është dashuri në veprim. Nevoja për dashuri hyjnore është kudo.

Dashuria hyjnore është të kesh durim me dikë që na ka lënë në baltë. Është t’i rezistosh impulsit për t’u ndier lehtësisht i ofenduar. Ajo është të pranosh dobësitë dhe mangësitë. Ajo është t’i pranosh njerëzit ashtu siç janë në të vërtetë. Ajo është të shohësh përtej dukjeve te tiparet që nuk do të zbehen me kalimin e kohës. Ajo është t’i rezistosh impulsit për të klasifikuar të tjerët.

… Jeta nuk është e përsosur për asnjë nga ne. Në vend që të jemi gjykues dhe kritikë për njëri-tjetrin, le të kemi dashurinë e pastër të Krishtit për bashkudhëtarët tanë në këtë udhëtim përmes jetës.

… Le t’ju udhëheqë ju [dashuria hyjnore] në çdo gjë që bëni. Le të përshkojë ajo vetë shpirtrat tuaj dhe të gjejë shprehje në gjithë mendimet dhe veprimet tuaja” (“Dashuria Nuk Ligështohet Kurrë”, Ensign ose Liahona, nëntor

Plaku Marvin J. Eshton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, radhiti mënyra se si ne mund të shfaqim dashuri hyjnore:

“Dashuri hyjnore e vërtetë nuk është diçka që e dhuroni; ajo është diçka që e fitoni dhe e bëni pjesë të vetes. …

Ndoshta dashuria hyjnore më e madhe vjen kur jemi të sjellshëm me njëri-tjetrin, kur nuk e gjykojmë apo kategorizojmë dikë tjetër, kur thjesht i besojmë për mirë njëri-tjetrit apo qëndrojmë të heshtur. Dashuria hyjnore është të pranuarit e ndryshimeve, dobësive dhe mangësive të dikujt; të paturit durim me dikë që na ka zhgënjyer; ose të bërit ballë ndaj shtysave për t’u ndier të fyer kur dikush nuk e trajton diçka ashtu si mund të kishim shpresuar. Dashuria hyjnore është të mos pranosh të përfitosh nga dobësia e një tjetri dhe të qenit të gatshëm për ta falur dikë që na ka prekur. Dashuria hyjnore është të priturit e më së mirës nga njëri-tjetri” (“The Tongue Can Be a Sharp Sword”, Ensign, maj 1992, f. 19).

Moroni 7:45–48. “Përkufizimi më i madh i ‘dashuri[së së] pastër [të] Krishtit’”

Duke iu referuar fjalëve të Mormonit te Moroni 7:45–48, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Është udhëzuese të vësh re se dashuria hyjnore, ose ‘dashuria e pastër e Krishtit’, që ne duhet të gëzojmë, mund të interpretohet në dy mënyra. Njëri nga kuptimet e saj është lloji i dashurisë së mëshirshme, falëse që dishepujt e Krishtit duhet të kenë për njëri-tjetrin. Që do të thotë, të gjithë të krishterët duhet të përpiqen të duan ashtu siç donte Shpëtimtari, duke treguar dhembshuri të pastër, shëlbuese për të gjithë. Fatkeqësisht, pak njerëz, nëse ka ndonjë, kanë qenë tërësisht të suksesshëm në këtë përpjekje, por ajo është një ftesë së cilës të gjithë duhet të përpiqen t’i përgjigjen.

Përkufizimi më i madh i ‘dashuri[së së] pastër [të] Krishtit’, gjithsesi, nuk është ajo që ne si të krishterë përpiqemi, por që gjerësisht nuk arrijmë ta dëftojmë kundrejt të tjerëve, por më shumë ajo që Krishti arriti ta demonstrojë tërësisht kundrejt nesh. Dashuria hyjnore e vërtetë është njohur vetëm një herë. Ajo shfaqet përsosurisht dhe tërësisht te dashuria e pashtershme, bazë dhe shlyese e Krishtit për ne. Është dashuria e Krishtit për ne që ‘dur[on] dhe është e mirë dhe nuk ka smirë’. Është dashuria e Tij për ne që nuk ‘krekoset … , nuk nxitet lehtë në zemërim, nuk mendon keq’. Është dashuria e Krishtit për ne që ‘mban të gjitha gjërat, beson të gjitha gjërat, shpreson të gjitha gjërat, duron të gjitha gjërat’. Është ashtu siç demonstrohet te Krishti që ‘dashuria hyjnore nuk dështon kurrë’. Është ajo dashuri hyjnore – dashuria e Tij e pastër për ne – pa të cilën ne nuk do të ishim asgjë, të pashpresë, me të gjithë burrat dhe gratë tepër të mjeruar. Vërtet, për ata që do të gjenden me bekimet e dashurisë së Tij në ditën e fundit – Shlyerjen, Ringjalljen, jetën e përjetshme, premtimin e përjetshëm – sigurisht që do të jetë mirë për ta.

Kjo nuk e minimizon në asnjë mënyrë urdhërimin që ne duhet të përpiqemi ta sigurojmë këtë lloj dashurie për njëri-tjerin. Ne duhet t’i ‘lut[emi] Atit me gjithë fuqinë e zemrës [sonë], që të mbushe[mi] me këtë dashuri’.[1 Korintasve 13:4–5, 7–8; Moroni 7:48.] Ne duhet të përpiqemi të jemi më të qëndrueshëm dhe të paepur, më të përvuajtur dhe bujarë, më pak ziliqarë dhe të krekosur në marrëdhëniet tona me të tjerët. Si jetoi Krishti, ashtu duhet të jetojmë edhe ne dhe si deshi Krishti, ashtu duhet të duam edhe ne. Por ‘dashuria e pastër e Krishtit’, për të cilën foli Mormoni, është saktësisht ajo – dashuri e Krishtit. Me atë dhuratë hyjnore, atë dhuratë shëlbuese, ne kemi gjithçka; pa të ne nuk kemi asgjë dhe në fund të fundit nuk jemi asgjë, përveç në përfundim ‘djaj [dhe] engjëj të një djalli’.[2 Nefi 9:9.]

Jeta ka pjesën e vet të shqetësimeve dhe dështimeve. Ndonjëherë gjërat dështojnë. Ndonjëherë njerëzit na lënë në baltë, ose ekonomitë apo bizneset, apo qeveritë na lënë në baltë. Por një gjë në kohë apo në përjetësi nuk na lë në baltë – dashuria e pastër e Krishtit. …

… Mrekullia e dashurisë hyjnore të Krishtit na shpëton si edhe na ndryshon. Dashuria e Tij shlyese na shpëton nga vdekja dhe ferri, po ashtu si nga sjellja mishtore, epshore dhe djallëzore. Ajo dashuri shëlbuese e shndërron edhe shpirtin, duke e ngritur atë mbi standardet e rëna drejt diçkaje shumë më fisnike, shumë më hyjnore. Si rrjedhim, ne duhet të ‘kap[emi] pas dashurisë hyjnore’ – dashurisë së pastër të Krishtit për ne dhe përpjekjes sonë të vendosur drejt dashurisë së pastër për Të dhe për gjithë të tjerët – pasi pa të ne nuk jemi asgjë dhe plani ynë për lumturi të përjetshme është tërësisht i kotë. Pa dashurinë shëlbuese të Krishtit në jetën tonë, të gjitha cilësitë e tjera – edhe cilësitë e virtytshme dhe veprat e mira shembullore – nuk arrijnë shpëtim dhe gëzim” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 336–337).