Biblioteka
Mësimi 3: Plani i Shpëtimit


Mësimi 3

Plani i Shpëtimit

Hyrje

Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i udhëzoi mësuesit e seminarit të paraqitin një vështrim të përgjithshëm të shkurtër të planit të shpëtimit në fillim të çdo viti shkollor:

“Një vështrim i përgjithshëm i shkurtër i ‘planit të lumturisë’ … nëse jepet në fillim fare dhe përmendet rregullisht, do të jetë me vlerë të jashtëzakonshme për studentët tuaj. …

Të rinjtë pyetin ‘përse’ – Përse jemi urdhëruar të bëjmë disa gjëra dhe përse jemi urdhëruar të mos bëjmë gjëra të tjera? Një njohuri për planin e lumturisë, qoftë edhe thjesht një përmbledhje, mund t’u japë mendjeve të reja një ‘arsye’. …

… Siguroni një ndjenjë bazë për gjithë planin, edhe thjesht me disa detaje. … Lërini ata të dinë se për çfarë bëhet fjalë, atëherë ata do ta kenë ‘arsyen’. …

… Nëse jeni përpjekur t’u jepni atyre një ‘arsye’, ndiqni [këtë] model: ‘Perëndia u dha atyre urdhërime, pasi u bëri të ditur planin e shëlbimit’. [Alma 12:32; theksimi i shtuar.]” (“The Great Plan of Happiness” [Simpozium i SAK-ut mbi Doktrinën e Besëlidhjet/Historinë e Kishës, 10 gusht 1993], f. 2–3, si.lds.org).

Në përgjigje të këshillës së Presidentit Paker, ky mësim jep një vështrim të përgjithshëm të shkurtër të planit të shpëtimit, siç jepet mësim në shkrimet e shenjta. Mësimi përqendrohet mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit, që është “fakti qendror, themeli i rëndësishëm dhe doktrina kryesore e planit të madh e të përjetshëm të shpëtimit” (Xhefri R. Holland, “Puna Misionare dhe Shlyerja”, Ensign, mars 2001, f. 8 dhe Liahona, tetor 2001, f. 26). Kur studentët arrijnë të kuptojnë planin e shpëtimit, besimi i tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të rritet. Ata do të rriten në vendosmërinë e tyre për të zbatuar urdhërimet, për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe për të qenë të vërtetë në besëlidhjet e tyre.

Sugjerime për Mësimdhënien

Plani i shpëtimit në Librin e Mormonit

Shpjegoni se në botën paratokësore të shpirtrave, ne mësuam rreth planit të Atit tonë Qiellor për shpëtimin tonë (shih Moisiu 4:1–2; Abraham 3:22–28). Nëpërmjet këtij plani, ne do të jemi të gjendje të bëhemi si Ai dhe të jetojmë në praninë e Tij përgjithmonë.

Shkruani në tabelë Plani i shpëtimit përfshin …

Kërkojuni studentëve që ta plotësojnë këtë mendim në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose blloqet e detyrave të klasës.

Pasi studentët të kenë pasur kohë për të shkruar, tregoni përkufizimin e mëposhtëm për planin e shpëtimit. Ju mund të dëshironi ta shkruani atë në tabelë ose në një afishe përpara fillimit të orës mësimore.

Plani i shpëtimit është “plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit, i krijuar që të shkaktojë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme të njeriut. Ai përmban Krijimin, Rënien dhe Shlyerjen, së bashku me tërë ligjet, ordinancat dhe doktrinat e dhëna nga Perëndia. Ky plan bën të mundur që të gjithë njerëzit të ekzaltohen dhe të jetojnë përgjithmonë me Perëndinë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Plani i Shëlbimit”, f. 152, scriptures.lds.org).

Nëse fjalët që ata shkruan përputhen me këtë përkufizim në ndonjë mënyrë, kërkojuni studentëve të ngrenë duart. Më pas drejtojani pyetjet vijuese disa prej studentëve që ngritën duart:

  • Çfarë të përbashkëte ka përkufizimi juaj me këtë? Përse e përfshitë këtë ide në përkufizimin tuaj?

Caktoni studentë që të punojnë në çifte. Kërkojini një studenti nga çdo çift të lexojë Alma 22:12–14 dhe studentit tjetër të lexojë 2 Nefin 2:25–28. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani në tabelë këto referenca.) Vërini studentët të kërkojnë pjesë të planit të shpëtimit të përmendura në fragmentet që u janë caktuar. Pasi studentët të kenë pasur kohë për të lexuar, kërkojuni partnerëve të tregojnë me radhë se çfarë kanë zbuluar.

Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: 2 Nefi 9:6; 2 Nefi 11:5; Alma 12:25; Alma 24:14; Alma 42:8; Alma 42:15. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani ato në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore.)

Shpjegoni se, në Librin e Mormonit, profetët përdorën emra të ndryshëm për t’iu drejtuar planit të Atit Qiellor. Ftojini studentët t’i kthehen 2 Nefit 9:6 dhe kërkojini një studenti ta lexojë vargun me zë të lartë.

  • Në këtë varg, cila frazë i drejtohet planit të Perëndisë? (“Plani i mëshirshëm [i] Krijuesit të madh.” Shkruajeni këtë në tabelë afër 2 Nefit 9:6.)

Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje fragmentet e tjera të shkrimeve të shenjta të renditura në tabelë, duke kërkuar fraza që i drejtohen planit të Atit Qiellor. Kur një student zbulon një frazë që i drejtohet planit të Atit Qiellor, ftojeni atë ta shkruajë në tabelë afër referencës së shkrimit të shenjtë ku gjendet. Lista e plotësuar në tabelë duhet të duket pak a shumë si kjo:

(Për t’i ndihmuar studentët të rritin shkallën e vlerësimit të tyre për mësimet në Librin e Mormonit, ju mund të dëshironi të vini në dukje se fraza të tilla si “plani i shpëtimit”, “plani i lumturisë” dhe “plani i shëlbimit” përmenden disa herë në Librin e Mormonit, por jo në Bibël.)

  • Çfarë theksojnë këta emra rreth planit të Atit Qiellor? (Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se plani i Atit Qiellor është planifikuar që t’u sjellë fëmijëve të Tij shpëtim dhe lumturi të përjetshme.)

Dëshmoni se ne nuk mund të kthehemi në praninë e Perëndisë dhe nuk mund të marrin shpëtim të përjetshëm pa ndihmë hyjnore. Ftojini studentët të lexojnë veçan Mosia 3:17, duke kërkuar figurën qendrore në planin e shpëtimit. Pasi të raportojnë ato që gjejnë, kërkojini një studenti që të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 2:8. Theksoni se Jezu Krishti është figura qendrore në planin e shpëtimit dhe Shlyerja e Tij është ajo që e bën planin të funksionojë për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Kërkojini një studenti të lexojë deklaratën vijuese nga Profeti Jozef Smith:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2007], f. 52).

Ju mund të dëshironi të shprehni se fjala shtojcë i referohet një objekti ose koncepti lidhur me diçka me rëndësi më të madhe, si dega që është pjesë e një peme. Një pemë mund të jetojë pa një degë, por një degë nuk mundet nëse shkëputet nga rrënjët dhe trungu i një peme. Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymëdhjetë Apostujve, dha mësim se doktrina e Shlyerjes së Jezu Krishtit është “është vetë rrënja e doktrinës së krishterë. Ju mund të dini shumë rreth ungjillit kur ai degëzohet nga rrënja, por nëse njihni vetëm degët dhe ato degë nuk e prekin atë rrënjë, nëse janë prerë nga ajo e vërtetë, nuk do të ketë as jetë, as thelb, as shëlbim në to” (“The Mediator”, Ensign, maj 1977, f. 56).

Shpjegoni se plani i Atit Qiellor shpesh quhet plani i shpëtimit sepse përfshin shpëtimin tonë. Si Ai që bëri të mundur shpëtimin tonë përmes Shlyerjes, Jezu Krishti quhet Shpëtimtari.

Shkruani në tabelë Ne duhet të shpëtohemi nga …

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 9:6–10 dhe më pas kërkojini një studenti tjetër të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 9:21–22. Ftojeni pjesën tjetër të studentëve të ndjekë së bashku, duke kërkuar mënyra për ta përfunduar deklaratën në tabelë. Ju mund të sugjeroni që ata të shenjojnë gjetjet e tyre në shkrimet e shenjta vetjake.

Kërkojuni studentëve të tregojnë atë që kanë zbuluar, dhe shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë. Sigurohuni që ata e kuptojnë se përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të shpëtohen nga vdekja fizike. Gjithashtu qartësoni se, përmes Shlyerjes, ne mund të shpëtohemi nga mëkatet tona, që përndryshe do ta bënin të pamundur që ne të banonim në prani të Perëndisë.

Lexojini fjalët e mëposhtme nga profeti Jakob: “O sa e madhe mirësia e Perëndisë sonë” (2 Nefi 9:10). “O sa e madhe mirësia e Perëndisë sonë!” (2 Nefi 9:13).

  • Si ju ndihmojnë fjalët e Jakobit te 2 Nefi 9:6–10 të kuptoni përse do t’i bënte ai këto thirrje?

  • Sipas 2 Nefit 9:7, 9, çfarë do të ndodhte nëse nuk do të kishte Shlyerje? (Trupat tanë do të vdisnin e nuk do të ngjalleshin kurrë më dhe shpirtrat tanë do t’i nënshtroheshin djallit.)

Drejtojuni fjalisë së fundit te përkufizimi i planit të shpëtimit që treguat në fillim të mësimit: “Ky plan bën të mundur që të gjithë njerëzit të ekzaltohen dhe të jetojnë përgjithmonë me Perëndinë”.

  • Përse është e rëndësishme që të kuptojmë se plani e bën të mundur ekzaltimin tonë, por jo të sigurt? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, sigurohuni që ata ta kuptojnë se kanë lirinë e zgjedhjes, aftësinë për të zgjedhur dhe për të vepruar vetë. Ekzaltimi ynë varet pjesërisht nga mënyra se si reagojmë ndaj bekimeve që Perëndia na ka dhënë.)

Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë: 2 Nefi 2:25–28; 2 Nefi 31:17–20; Alma 34:15–16. Kërkojuni studentëve t’i studiojnë në heshtje këto fragmente, dhe të renditin në ditaret e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta gjërat që këto shkrime të shenjta thonë se ne duhet t’i bëjmë për të marrë të gjitha ato që na ofron Perëndia përmes planit të Tij të shpëtimit.

Kur studentët të kenë pasur kohë mjaftueshëm për ta kryer këtë detyrë, ftojini ata t’i ndajnë përgjigjet e tyre me njëri-tjetrin. Teksa e bëjnë këtë, vini në dukje shembuj të bindjes ndaj “ligjeve, ordinancave dhe doktrinave të dhëna nga Perëndia”, të përmendura në përkufizimin që treguat më herët. (Shembujt nga këto vargje përfshijnë ushtrimin e besimit në pendim, pagëzimin dhe marrjen e Frymës së Shenjtë.) Pasi studentët të raportojnë, merrni parasysh bërjen e pyetjeve të mëposhtme:

  • Si ndikojnë veprimet tona në aftësinë tonë për të marrë bekimet e Shlyerjes? (Ndërsa studentët përgjigjen, gjeni mundësinë për të dëshmuar se kur zgjedhim të jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit dhe të ndjekim planin e Perëndisë, ne përgatitemi për të marrë jetën e përjetshme përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit.)

  • Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e planit të shpëtimit për të mbajtur urdhërimet?

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 2:25.

  • Në ç’mënyra ju ka sjellë gëzim ndjekja e planit të shpëtimit?

Për ta përfunduar mësimin, shpjegoni se, kur studentët ta studiojnë Librin e Mormonit, ata do të mësojnë shumë e më shumë doktrina lidhur me planin e shpëtimit; ky mësim ka paraqitur vetëm një vështrim të përgjithshëm të shkurtër. Nxitini studentët që ndërsa studiojnë, ta shohin gjithçka që Perëndia ka bërë për ta si pjesë e planit të Tij të shpëtimit dhe të shohin gjithçka që u nevojitet të bëjnë për të marrë bekimet e plota që Perëndia ka përgatitur për ta. Jepni dëshminë tuaj mbi të vërtetat për të cilat është diskutuar në këtë mësim.