Biblioteka
Mësimi 159: Moroni 10:1–7, 27–29


Mësimi 159

Moroni 10:1–7, 27–29

Hyrje

Moroni i këshilloi lamanitët dhe gjithë të tjerët që do ta lexonin dëshminë e tij, që t’i kërkonin Perëndisë të pohonte vërtetësinë e fjalëve të tij. Ai na mësoi se Perëndia do të demonstronte të vërtetën e Librit të Mormonit dhe realitetin e Jezu Krishtit me anën e fuqisë së Frymës së Shenjtë. Moroni deklaroi gjithashtu se ai do të na takonte ne përpara shufrës së gjykimit të Perëndisë, ku Zoti Vetë do ta pohonte të vërtetën e fjalëve të Moronit. (Shënim: Ju mund të doni të lini kohë në fund të mësimit për studentët që të japin dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit. Për të siguruar që ka kohë të mjaftueshme, zgjidhni plot lutje pjesët e këtij mësimi që do të jenë më të dobishme për studentët tuaj.)

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 10:1–7

Moroni na këshillon të fitojmë dëshmi për Librin e Mormonit dhe për Jezu Krishtin

Para se të fillojë ora mësimore, vizatoni në tabelë figurën e një harku me një gur kyç (ju mund të doni t’i referoheni ilustrimit të përdorur në mësimin 4). Fillojeni mësimin duke iu drejtuar figurës.

  • Cili është qëllimi i gurit kyç në hark?

  • Si lidhet guri kyç me Librin e Mormonit? (Nëse studentët kanë nevojë për ndihmë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ju mund të doni të sugjeroni që të lexojnë thënien nga Profeti Jozef Smith në paragrafin e gjashtë të hyrjes së Librit të Mormonit.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje paragrafin e fundit të hyrjes në Librin e Mormonit. Para se të lexojnë, kërkojuni të kërkojnë tri të vërteta që një person mund të arrijë t’i dijë duke fituar një dëshmi për Librin e Mormonit.

  • Ashtu si një hark që mbahet i lidhur nga një gur kyç, cilat pjesë të tjera të dëshmive tona forcohen duke fituar një dëshmi për Librin e Mormonit?

  • Përse është e rëndësishme për çdo individ të fitojë dëshminë e vet për Librin e Mormonit?

Përmblidhni Moronin 10:1–2 duke shpjeguar se rreth 1.400 vite përpara se Profeti Jozef Smith të merrte fletët e arta, Moroni e përfundoi analin e babait të tij duke shkruar këshillën e tij të fundit për ata që do ta merrnin Librin e Mormonit në ditët e mëvonshme. (Mund të jetë me dobi të shpjegoni se fjala këshilloj do të thotë të nxitësh apo të shtysh fuqishëm dikë. Kjo fjalë shfaqet tetë herë te Moroni 10.)

Shpjegoni se Moroni i këshilloi të gjithë ata që e marrin Librin e Mormonit, për të kërkuar një dëshmi për të vërtetën dhe shenjtërinë e tij. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Moronin 10:3–4, duke kërkuar fraza që përshkruajnë kërkesat për të marrë një dëshmi për Librin e Mormonit me anë të Frymës së Shenjtë. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që ata t’i shenjojnë këto fraza kur t’i zbulojnë. Ndërkohë që studentët raportojnë frazat që kanë gjetur, shkruajini frazat në tabelë. Përgjigjet e tyre duhet të përfshijnë sa vijon:

“Lexoni këto gjëra”

“Kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti”

“Meditoni në zemrat tuaja”

“Kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht”

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë se çfarë duhet të bëjë një njeri për të marrë dëshmi nga Fryma e Shenjtë se Libri i Mormonit është i vërtetë, përdorni idetë e mëposhtme për mësimdhënie për të diskutuar secilën nga kërkesat që na mësoi Moroni.

1. “Lexoni këto gjëra”

Moroni na ftoi “lexoni këto gjëra”, ose lexoni Librin e Mormonit. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë historinë në vijim nga Plaku Ted R. Kelister, i Kuorumit të Të Shtatëdhjetëve, rreth mënyrës se si një e re përfitoi ngaqë kishte lexuar Librin e Mormonit:

“Një vajzë 14-vjeçare … tha se kishte diskutuar rreth fesë me një nga shoqet e saj në shkollë. Shoqja e saj i tha: ‘Cilës fe i përket?’

Ajo u përgjigj: ‘Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ose Mormonëve’.

Shoqja e saj u përgjigj: ‘Unë e njoh atë kishë dhe e di se ajo nuk është e vërtetë’.

‘Si e di ti?’ erdhi përgjigjja.

‘Sepse’, tha shoqja, ‘unë kam bërë kërkime rreth saj.’

‘A e ke lexuar Librin e Mormonit?’

‘Jo’, ishte përgjigjja. ‘Nuk e kam lexuar.’

Atëhere kjo vajzë e re, e ëmbël u përgjigj: ‘Epo ti nuk ke bërë kërkime rreth kishës sime, pasi unë kam lexuar çdo faqe të Librit të Mormonit dhe e di se është i vërtetë’” (“Libri i Mormonit – një Libër nga Perëndia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 76).

  • Përse është leximi i Librit të Mormonit kyçi për të marrë një dëshmi mbi vërtetësinë e tij?

  • Si e ka forcuar leximi i Librit të Mormonit këtë vit dëshminë tuaj për të dhe për të vërtetat që na mëson?

2. “Kujtoni sa i mëshirshëm ka qenë Zoti”

Moroni dha mësim se ata që e lexojnë Librin e Mormonit dhe dëshirojnë të dinë për vërtetësinë e tij, duhet të “kujto[jnë] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” (Moroni 10:3). Shpjegoni se njohja dhe kujtimi i rasteve të mëshirës së Zotit mund t’i zbutin zemrat tona dhe të na përgatitin të ndiejmë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Një kuptim i fjalës i mëshirshëm është i dhembshur. Ftojini studentët të përsiatin për një çast kur ata kanë përjetuar mëshirën apo dhembshurinë e Zotit ndaj tyre ose e kanë dalluar në jetën e dikujt që e njohin.

Ftojini studentët të tregojnë shembuj të mëshirës së Zotit në Librin e Mormonit që kanë qenë domethënës për ta.

  • Si mendoni se mund ta ndihmojë dikë të kujtuarit e mëshirës së Zotit për të qenë më pranues ndaj Frymës së Shenjtë dhe për të marrë dëshmi për Librin e Mormonit?

  • Çfarë faktesh për mëshirën e Zotit keni dëshmuar në jetën tuaj?

  • Çfarë ndjenjash keni ndërsa kujtoni mëshirën e Zotit në jetën tuaj?

3. “Meditoni [mëshirën e Zotit] në zemrat tuaja”

Moroni na mësoi se ne duhet ta meditojmë mëshirën e Zotit në zemrat tona. Shpjegoni se të medituarit e mënyrave se si Zoti ka qenë i mëshirshëm me të tjerët dhe me ne, na përgatit të marrim ndikimin nga Fryma e Shenjtë. Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë se si ndodh kjo, ftoni një student të lexojë shpjegimin në vijim nga Plaku Marvin J. Ashton, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Marvin J. Ashton

“Fjalorët thonë se meditoj do të thotë të peshosh mendërisht rreth diçkaje, të mendosh thellë për diçka, të përsiatësh. …

Duke medituar [përsiatur] ne i japim Shpirtit një mundësi që të japë mbresa dhe të drejtojë. Përsiatja është një lidhje e fortë midis zemrës dhe mendjes. Ndërsa lexojmë shkrimet e shenjta, zemrat dhe mendjet tona preken. Nëse e përdorim dhuratën e përsiatjes, ne mund t’i marrim këto të vërteta të përjetshme dhe të kuptojmë se si mund t’i përfshijmë ato në veprimet tona të përditshme. …

Përsiatja është një veprimtari mendore përparuese. Ajo është një dhuratë e madhe për ata që e kanë mësuar ta përdorin. Ne gjejmë kuptim, largpamje dhe gjetje praktike nëse do ta përdorim dhuratën e përsiatjes” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20).

  • Ndërsa studiuat Librin e Mormonit, kur ju ka ndihmuar përsiatja të ndieni ndikimin e Frymës së Shenjtë?

  • Çfarë mund të bëjmë më shumë që të përsiatim në mënyrë të vazhdueshme ndërsa studiojmë shkrimet e shenjta?

4. “Kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në [Jezu] Krisht”

Moroni na mësoi se, nëse duam të marrim dëshmi për vërtetësinë e Librit të Mormonit, ne duhet t’i kërkojmë Perëndisë “me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në [Jezu] Krisht”. Shpjegoni që të lutemi me sinqeritet dhe me qëllim të vërtetë do të thotë që ne të “[kemi] për qëllim të veproj[më] sipas përgjigjes që marri[m] nga Perëndia” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2004], f. 115). Merrni parasysh të tregoni historinë që vijon, në të cilën një burrë u lut me qëllim të vërtetë për të fituar dëshmi për vërtetësinë e Librit të Mormonit:

“Rastësisht unë u luta për të ditur çfarë ishte e drejtë, por ishte më shumë një mendim kalimtar sesa një pyetje e sinqertë. Atëherë një natë vendosa të lutem me ‘qëllim të vërtetë’.

I tregova Atit Qiellor se doja ta njihja Atë dhe të jem pjesë e Kishës së Tij të vërtetë. Unë i premtova: ‘Nëse Ti do të më lejosh të di nëse Jozef Smithi është një profet i vërtetë dhe nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, unë do të bëj çdo gjë që Ti do që unë të bëj. Nëse Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është Kisha e vërtetë, unë do ta ndjek atë dhe nuk do të heq dorë asnjëherë.’

Unë nuk pata shfaqje mbresëlënëse, por u ndjeva në paqe dhe shkova në shtrat. Disa orë më vonë unë u zgjova me një mendim të qartë: ‘Jozef Smithi është një profet i vërtetë dhe Libri i Mormonit është i vërtetë’. Mendimi shoqërohej nga një paqe e papërshkrueshme. Unë rashë të fle përsëri, vetëm për t’u zgjuar më vonë saktësisht me po atë mendim dhe ndjenjë.

Qysh nga ajo kohë, unë nuk kam dyshuar kurrë se Jozef Smithi është një profet i vërtetë. Unë e di se kjo është puna e Shpëtimtarit dhe se Ati Qiellor do t’u përgjigjet kërkesave tona të sinqerta” (Rodolfo Armando Pérez Bonilla, “How I Know”, Ensign, tetor 2011, f. 64).

Ftojini studentët të kërkojnë te Moroni 10:4 dhe të gjejnë se çfarë do të bëjë Perëndia për ata që e ndjekin procesin që përvijoi Moroni.

  • Çfarë u premtoi Moroni atyre që kërkojnë dëshmi për Librin e Mormonit në mënyrën që ai përshkroi?

  • Në cilat mënyra mund të na dëshmojë Fryma e Shenjtë për vërtetësinë e Librit të Mormonit? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se shumica e zbulesës nuk vjen në mënyrë të bujshme. Ndërsa disa individë mund të kenë përvoja shpirtërore të jashtëzakonshme, shumë do të përjetojnë diçka të qetë dhe të padukshme, të tillë si një ndjesi e ngrohtë paqeje apo një siguri. Ju gjithashtu mund të doni të shpjegoni se, ndërsa i studiojmë shkrimet e shenjta, Shpirti mund ta dëshmojë të vërtetën e asaj që po lexojmë. Atëherë, kur ne kërkojmë konkretisht të dimë të vërtetën për Librin e Mormonit, Shpirti do t’i konfirmojë dëshmitë që ne tashmë i kemi marrë.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 10:5–7. Kërkojini klasës ta ndjekë dhe të gjejë çfarë tjetër premtoi Moroni që ne mund ta dimë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Vini në dukje se Moroni 10:4–5 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të doni t’i nxitni studentët që ta shenjojnë këtë fragment në një mënyrë të dallueshme që të mund ta gjejnë me lehtësi.

  • Çfarë mund të mësojmë nga Moroni 10:3–7? (Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por ata duhet të gjejnë parimin vijues: Nëse i kërkojmë Perëndisë me besim dhe me qëllim të vërtetë, ne mund të marrim dëshmi për Librin e Mormonit dhe për Jezu Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë.)

Ftojini studentët të shkruajnë në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta një qëllim lidhur me atë që do të bëjnë për t’i arritur apo forcuar dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit. Nxitini ta zbatojnë parimin që u mësohet nga Moroni 10:4.

Moroni 10:27–29

Moroni dëshmon se ai do të na takojë te shufra e gjykimit të Perëndisë

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Moronin 10:27–29. Kërkojini klasës të mendojë rreth mënyrës se si ata mund t’i përgjigjeshin pyetjes që gjendet te Moroni 10:27. Dëshmoni që ata, të cilët e kanë marrë Librin e Mormonit, do të jenë përgjegjës para Perëndisë për mënyrën se si i përgjigjen atij.

Lejoni kohë të mjaftueshme në fund të këtij mësimi për t’i ftuar studentët të japin dëshmitë e tyre për Librin e Mormonit. Merrni parasysh të jepni vetë dëshminë tuaj për Librin e Mormonit. Sigurojini studentët se, ndërsa vazhdojnë ta studiojnë Librin e Mormonit gjatë gjithë jetës së tyre, besimi i tyre në Jezu Krishtin dhe në ungjillin e Tij do të rritet.

Zotërimi i Shkrimit të Shenjtë – Moroni 10:4–5

Studentët që e mësojnë përmendsh Moronin 10:4–5, do të përgatiten më mirë për ta ndarë mesazhin e Librit të Mormonit me të tjerët. Shkruajeni fragmentin në tabelë dhe kërkojuni studentëve ta lexojnë si klasë me zë të lartë. Fshini gjashtë fjalë dhe pastaj vëreni klasën ta lexojë atë përsëri, duke plotësuar fjalët që mungojnë ndërsa lexojnë. Vazhdojeni këtë proces gjersa shumica apo i gjithë fragmenti të jetë fshirë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Moroni 10:3. “Meditoni në zemrat tuaja”

Duke iu referuar Moronit 10:3, Plaku Xhin R. Kuk shpjegoi:

“Pesë fjalët e fundit të vargut ofrojnë një këshillë të rëndësishme – ‘meditoni në zemrat tuaja’. Cila është paraprirësja e ‘i-së’ – gjëja për të cilën ne duhet të meditojmë? Është ‘sa i mëshirshëm ka qenë Zoti ndaj fëmijëve të njerëzve, që nga krijimi i Adamit dhe deri në kohën kur do t’i merrni këto gjëra’. Ne duhet të kujtojmë sa i dashur, sa parashikues, sa i mirë, sa falës ka qenë Ati ynë Qiellor ndaj nesh” (“Moroni’s Promise”, Ensign, prill 1994, f. 12).

Kjo këshillë afër fundit të Librit të Mormonit për të kujtuar dhe medituar mëshirën e Zotit është një mbyllje libri që përputhet me deklaratën e Nefit, që thotë: “Unë, Nefi, do t’ju tregoj se mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur” (1 Nefi 1:20).

Përveç përsiatjes për natyrën e mëshirshme të Zotit, ata që e lexojnë Librin e Mormonit duhet të përsiatin për të vërtetat e përjetshme që zbulojnë brenda faqeve të tij (shih hyrjen e Librit të Mormonit).

Moroni 10:4. Fryma e Shenjtë do t’ua zbulojë të vërtetën për Librin e Mormonit atyre që i kërkojnë Perëndisë me “qëllim të vërtetë”

Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, komentoi mbi këshillën e Moronit që ta kërkojmë Perëndinë me “qëllim të vërtetë” në lidhje me vërtetësinë e Librit të Mormonit:

“Moroni nuk premtoi shfaqje të Frymës së Shenjtë tek ata që kërkojnë të dinë të vërtetën mbi Librin e Mormonit për arsye hipotetike apo akademike, edhe nëse ata ‘kërko[jnë] me një zemër të sinqertë’. Premtimi i Moronit është për ata që zotohen në zemrën e tyre të veprojnë sipas shfaqjes nëse ajo merret. Lutjet e mbështetura në çfarëdo arsye tjetër nuk kanë premtim, sepse ato nuk bëhen ‘me qëllim të vërtetë’” (Pure in Heart [1988], f. 19–20).

Moroni 10:27–29. Shpëtimi ynë varet nga mënyra se si e marrim Librin e Mormonit.

Presidenti Ezra Taft Benson e theksoi rëndësinë e Librit të Mormonit kur ai dha këshillën e mëposhtme për të gjithë anëtarët e Kishës:

“Vëllezër dhe motra, unë ju përgjërohem me gjithë zemër që ta shihni me solemnitet të madh rëndësinë e Librit të Mormonit për ju më vete dhe për Kishën kolektivisht.

Mbi dhjetë vite përpara unë bëra deklaratën e mëposhtme lidhur me Librin e Mormonit. …

‘Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet ta bëjë studimin e këtij libri një përkushtim që zgjat gjithë jetën. Në të kundërt ai po e vendos shpirtin e tij në rrezik dhe po shpërfill atë që mund t’i japë unitet shpirtëror dhe intelektual gjithë jetës së tij. Ka një ndryshim midis një të kthyeri që është ndërtuar mbi shkëmbin e Krishtit nëpërmjet Librit të Mormonit dhe mbahet fort tek ajo shufër e hekurt, dhe atij që nuk është i tillë’ (Ensign, maj 1975, f. 65).

Unë i ripohoj ato fjalë për ju në këtë ditë. Le të mos mbetemi nën mallkim, me fshikullimin dhe gjykimin e tij, duke e trajtuar me shkujdesje këtë dhuratë të madhe dhe të mrekullueshme që Zoti na ka dhënë. [Shih DeB 84:54–58.] Përkundrazi, le të fitojmë premtimet që shoqërohen me ruajtjen e tij si thesar në zemrat tona” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 7).