Biblioteka
Fjalët e Mormonit


Hyrje në Fjalët e Mormonit

Përse të studiohet ky libër?

Përmes studimit të Fjalëve të Mormonit, studentët mund të rritin besimin e tyre që “Zoti i di të gjitha gjërat” (Fjalët e Mormonit 1:7) dhe se Ai i udhëheq shërbëtorët e Tij që të bëjë të ndodhin qëllimet e Tij. Si një rrëfim historik, libri shërben si një urë lidhëse midis fletëve të vogla të Nefit (1 i–Omni) dhe përmbledhjes së Mormonit të fletëve të mëdha të Nefit (Mosia–4 i). Ai mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë se cilat anale përmblodhi Mormoni kur përpiloi Librin e Mormonit. Ai gjithashtu i njeh studentët me besimin dhe arritjet e mbretit Beniamin.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni e shkroi këtë libër. Ai qe një profet, mbajtës analesh dhe përmbledhësi e përpiluesi i Librit të Mormonit. Ai qe gjithashtu një baba i drejtë dhe një udhëheqës ushtarak mes nefitëve. Profeti Moroni qe biri i tij.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni iu drejtua një audience të ardhshme, me shpresën që shkrimet e tij dhe shkrimet e të birit, Moronit, “të mund t’u shërbe[nin] atyre” (Fjalët e Mormonit 1:2). Në mënyrë të veçantë, ai shkroi për përfitimin e lamanitëve. Në lidhje me ta, ai tha: “Lutja ime ndaj Perëndisë është në lidhje me vëllezërit e mi, që ata të mund të vijnë edhe një herë në njohurinë e Perëndisë, po, në shëlbimin e Krishtit; që ata të mund të jenë përsëri një popull i këndshëm” (Fjalët e Mormonit 1:8).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Mormoni e shkroi këtë libër afërsisht rreth viti 385 Ps.K., pasi kishte “dëshmuar, pothuaj të gjithë shkatërrimin e popullit [të] ti[j], Nefitëve” (Fjalët e Mormonit 1:1). Mormoni nuk shkroi se ku ishte kur e shkroi këtë libër.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Ky libër i shkurtër e ndërpret renditjen kronologjike të librave në fillim të Librit të Mormonit. Mormoni e shkroi atë mbi 500 vjet pasi Amaleki kishte përmbyllur librin e Omnit. Në këtë libër, Mormoni shpjegon shkurtimisht përpilimin dhe përmbledhjen prej tij të analeve të popullit të tij. Për të kuptuar shpjegimin e tij, është e dobishme të kujtoni se Zoti e urdhëroi Nefin të bënte dy palë fletë për një qëllim “[të] veçantë” dhe “të urtë” (shih 1 i 9:3, 5). Një palë fletë, shpesh të quajtura fletët e mëdha, përmbanin historinë laike të nefitëve, ndërsa pala tjetër, shpesh të quajtura fletët e vogla, përmbanin një anal të shenjtë të predikimit, të zbulesave dhe të profecive të nefitëve (shih 1 i 9:2–4; Jakobi 1:3–4).

Mormoni i zbuloi fletët e vogla të Nefit pasi e kishte bërë tashmë një përmbledhje të një pjese të fletëve të mëdha (shih Fjalët e Mormonit 1:3). I udhëhequr nga Shpirti i Zotit, Mormoni i përfshiu fletët e vogla me përmbledhjen që u bëri fletëve të mëdha. Ai e bëri këtë “për një synim të urtë” në përputhje me vullnetin e Zotit (shih Fjalët e Mormonit 1:4–7).

Shumë vite më pas, një arsye për këtë frymëzim u shfaq dukshëm. Kur Jozef Smithi filloi të përkthente Librin e Mormonit, ai nisi me përmbledhjen e Mormonit të fletëve të mëdha të Nefit – historinë laike. Martin Herrisi, i cili qe shkruesi i Profetit për këtë pjesë të përkthimit, humbi 116 faqe të dorëshkrimit. Zoti i zbuloi Jozef Smithit se njerëz të ligj i kishin marrë ato faqe dhe i kishin ndryshuar fjalët (shih DeB 10:8–10). Nëse Jozefi do ta kishte përkthyer të njëjtin material sërish, ata burra do të kishin pretenduar se ai nuk ishte profet pasi nuk mund ta përkthente librin në të njëjtën mënyrë dy herë (shih DeB 10:11–19). Zoti i tha Jozefit të mos e përkthente sërish atë pjesë, por të përkthente fletët e vogla të Nefit që Mormoni i kishte përfshirë me përmbledhjen e tij të fletëve të mëdha (shih DeB 10:30–45). Kështu, Fjalët e Mormonit na ndihmojnë të shohim se si Zoti përgatiti një udhë për të penguar planin e njerëzve të ligj dhe për të përfshirë shkrimin e shenjtë që jo vetëm mbulonte të njëjtën periudhë kohore si dorëshkrimi i humbur, por që i jepte “kuptim më të madh ungjillit [të Zotit]” (DeB 10:45). Plaku Xhefri Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Sigurisht që do të qe emocionuese nëse dikush një ditë do të gjente 116 faqet e humbura të dorëshkrimit origjinal të Librit të Mormonit. Por çfarëdo që të përmbajnë ato faqe, nuk mund të jenë më të rëndësishme apo më themelore për qëllimin e Librit të Mormonit sesa mësimet … e shkruara në fletët e vogla” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 35–36).

Përveçse ndau vështrime rreth përpilimit të analeve të shenjta të popullit të tij, Mormoni dha një përshkrim të shkurtër të shërbesës së mbretit Beniamin (shih Fjalët e Mormonit 1:10–18). Ky përshkrim ndihmon në lidhjen e fletëve të vogla të Nefit me përmbledhjen që u bëri Mormoni fletëve të mëdha. Mbreti Beniamin përmendet në mbyllje të librit të Omnit, i cili është libri i fundit te fletët e vogla (shih Omni 1:23–25). Libri i Mosias, libri i parë nga ajo që kemi nga përmbledhja e Mormonit e fletëve të mëdha, fillon duke treguar mbylljen e mbretërimit dhe shërbesës së mbretit Beniamin (shih Mosia 1:1, 9).

Përmbledhje

Fjalët e Mormonit 1:1–9 Mormoni zbulon fletët e vogla të Nefit dhe i përfshin ato me përmbledhjen e tij të fletëve të mëdha.

Fjalët e Mormonit 1:10–18 Mormoni përmbledh mbretërimin e mbretit Beniamin.