Biblioteka
Mësimi 138: Mormoni 3–4


Mësimi 138

Mormoni 3–4

Hyrje

Pas rimarrjes së tokave të tyre nga lamanitët, nefitët u përgatitën sërish për betejë. Mormoni iu lut nefitëve që të pendoheshin. Në vend të kësaj, ata u mburrën me fuqinë e tyre dhe u betuan që të hakmerreshin për vëllezërit e tyre të rënë. Për shkak se Zoti ia kishte ndaluar popullit të Tij që të kërkonte hakmarrje, Mormoni nuk pranoi ta drejtonte ushtrinë nefite dhe ata u mundën. Ndërsa nefitët vazhdonin me këmbëngulje në ligësi, Perëndia derdhi gjykimet e Tij mbi ta dhe lamanitët filluan që t’i zhduknin nga toka.

Sugjerime për Mësimdhënien

Mormoni 3:1–8

Zoti i kursen nefitët në luftë për t’u dhënë atyre mundësinë që të pendohen, por ata i forcojnë zemrat e tyre

Përpara fillimit të orës mësimore, shkruani pyetjen vijuese në tabelë: A keni ndier ndonjëherë se Zoti po përpiqej ta tërhiqte vëmendjen tuaj dhe t’ju nxiste për të ndryshuar diçka në jetën tuaj?

Filloni duke u kërkuar studentëve të japin përgjigjet e tyre për pyetjen në tabelë. (Sigurohuni që ata të mos ndihen të detyruar të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e brendshme.) Ju gjithashtu mund të merrni parasysh tregimin e një përvoje.

Shpjegoni që Zoti donte të tërhiqte vëmendjen e nefitëve, kështu që ata do t’i ndryshonin mënyrat e tyre të liga. Megjithatë, nefitët i ngurtësuan zemrat e tyre dhe nuk arritën të kuptonin se Zoti po i bekonte në betejat e tyre me lamanitët. Pasi nefitët bënë një marrëveshje me lamanitët dhe hajdutët e Gadiantonit (shih Mormonin 2:28), Zoti i mbrojti ata, duke i lejuar të jetonin 10 vjet pa konflikt. Gjatë atyre viteve, Mormoni i ndihmoi nefitët që të përgatiteshin për sulme të ardhshme (shih Mormonin 3:1).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 3:2–3. Kërkojini klasës që ta ndjekë, duke parë për atë që Zoti donte që nefitët të bënin, gjatë kohës së paqes që Ai ua kishte dhënë atyre.

  • Çfarë mesazhi e urdhëroi Zoti Mormonin që t’u jepte nefitëve? A e kuptuan nefitët këtë mesazh? Si reaguan nefitët ndaj mesazhit?

  • Sipas Mormonit 3:3, përse Zoti i kishte kursyer nefitët në betejat e tyre të fundit pavarësisht nga ligësia e tyre?

  • Çfarë të vërtete mund të dalloni nga marrëdhëniet e Zotit me nefitët të shënuar te Mormoni 3:2–3? (Studentët mund të japin përgjigje të ndryshme. Përmblidhini përgjigjet e tyre duke shkruar të vërtetën vijuese në tabelë: Zoti na jep mundësi të mjaftueshme për t’u penduar për mëkatet tona. Ju mund të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)

Përmblidheni Mormonin 3:4–8 duke shpjeguar që Zoti i mbrojti nefitët edhe dy herë të tjera në betejë, pavarësisht nga ligësia e tyre dhe mosdashja e tyre për t’u kthyer tek Ai.

  • Çfarë ju mëson mbrojtja e Zotit për nefitët lidhur me karakterin e Tij? (Përgjigjet mund të përfshijnë se Zoti është i mëshirshëm dhe i duruar.)

Vini në dukje se Zoti na jep të gjithëve “mundësi të pendohe[mi]” (Mormoni 3:3). Më pas u kërkoni studentëve të përsiatin në heshtje pyetjet e mëposhtme:

  • A keni qenë të gatshëm të pendoheni dhe të bëni ndryshimet që Perëndia dëshiron që ju të bëni? A ka ndryshime që mund t’i bëni tani, për t’u bërë njeriu që Perëndia dëshiron që ju të bëheni?

Dëshmoni për mirësinë dhe durimin e Perëndisë duke na dhënë mundësi që të pendohemi. Ftojini studentët të kërkojnë mundësi e ftesa për të bërë ndryshime në jetën e tyre dhe nxitini ata t’i bëjnë ndryshimet shpejt.

Mormoni 3:9–22

Nefitët rriten në ligësi dhe Mormoni nuk pranon t’i udhëheqë ushtritë e tyre

Shpjegoni se nefitët nuk iu përgjigjën ftesave të Zotit për t’u penduar, por përkundrazi i ngurtësuan zemrat e tyre. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 3:9–10. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë mënyrën se si vepruan nefitët në përgjigje të fitoreve të tyre të shumta mbi lamanitët. (Ju mund të keni nevojë t’u thoni studentëve se fjala hakmerreshinvargun 9 do të thotë të përpiqesh për të marrë hak.)

  • Si reaguan nefitët pas fitoreve të tyre mbi lamanitët?

  • Përse ishte e gabuar për nefitët të mburreshin me fuqinë e tyre vetjake? Çfarë tregon kjo mburrje rreth marrëdhënies së tyre me Perëndinë?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 3:11–13. Kërkojini klasës të shohë për përgjigjen e Mormonit kur nefitët u betuan të kërkonin hakmarrje.

  • Çfarë bëri Mormoni kur nefitët shprehën dëshirën për t’u hakmarrë mbi lamanitët?

  • A keni dëshiruar ndonjëherë të kërkoni hakmarrje ndaj dikujt? Përse mendoni se të kërkuarit e hakmarrjes është një përgjigje e natyrshme për shumë njerëz?

  • Mormoni i kishte udhëhequr ushtritë nefite për më shumë se 30 vjet, pavarësisht nga ligësia e tyre. Çfarë ju mëson mospranimi i Mormonit për ta udhëhequr ushtrinë, rreth peshës së rëndë të kërkimit të hakmarrjes?

Ftojeni një student të lexojë Mormonin 3:14–16 dhe nxiteni klasën të kërkojë atë që Zoti i mësoi Mormonit rreth kërkimit të hakmarrjes.

  • Si ndihet Zoti rreth kërkimit të hakmarrjes? (Përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë. Përmblidhini përgjigjet e tyre duke shkruar të vërtetën vijuese në tabelë: Zoti na ndalon të kërkojmë hakmarrje.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë këshillën e Zotit në vargjet 14–16, kërkojuni studentëve të rithonë me fjalët e tyre pjesën e parë të Mormonit 3:15 (“Hakmarrja është e imja dhe unë do ta bëj shpagimin”).

  • Përse është e rëndësishme që të mos kërkojmë hakmarrje? Si mund t’i mposhtim dëshirat për të kërkuar hakmarrje?

Për t’i ndihmuar studentët të mësojnë si t’i mposhtin ndjenjat e hakmarrjes, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë këshillën e mëposhtme nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë. Nëse është e mundur, i jepni një kopje të citimit çdo studenti.

Pamja
Presidenti Xhejms E. Faust

“Ne duhet t’i njohim dhe pranojmë ndjenjat e zemërimit. Do të duhet përulësi për ta bërë këtë, por nëse do të biem në gjunjë dhe do t’i kërkojmë Atit Qiellor për një ndjenjë faljeje, Ai do të na ndihmojë. Zoti na kërkon ‘[që] t’i fal[im] të gjithë njerëzit’ [DeB 64:10] për të mirën tonë, sepse ‘urrejtja e vonon rritjen shpirtërore’. [Orson F. Whitney, Gospel Themes (1914), f. 144.] Vetëm kur e çlirojmë veten nga urrejtja dhe hidhërimi, Zoti mund të na japë ngushëllim në zemrën tonë. …

… Kur tragjedia godet, ne nuk duhet të përgjigjemi duke kërkuar hakmarrje personale, por përkundrazi ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe më pas të heqim dorë prej hakmarrjes. Nuk është e lehtë të heqim dorë prej saj dhe ta boshatisim zemrën nga ndjenjat e fyerjeve torturuese. Shpëtimtari na ka ofruar të gjithëve një paqe të çmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij, por kjo mund të vijë vetëm kur jemi të gatshëm t’i dëbojmë ndjenjat negative të zemërimit, mërisë ose hakmarrjes” (“Fuqia Shëruese e Faljes”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 69; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 80, 81).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 3:17, 20–22 dhe kërkojini klasës të shohë për atë që Mormoni donte që ne ta dinim. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shenjojnë këshillën e Mormonit që të “pendohen dhe të përgatiten të qëndro[jnë] para fronit të gjykimit të Krishtit” (Mormoni 3:22).

Mormoni 4

Lamanitët fillojnë t’i fshijnë nefitët nga toka

Kërkojuni studentëve të ngrenë duart e tyre nëse njohin dikë që ka bërë diçka të gabuar, por nuk është kapur ende ose nuk është përballur me pasojat e keqbërjes. Ftojini studentët të përsiatin pyetjen vijuese:

  • A e pyetni veten ndonjëherë se kur pasojat e zgjedhjeve të gabuara do ta arrijnë dikë që me dashje po zgjedh të gabuarën?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 4:1–2, duke parë për atë që i ndodhi ushtrisë nefite kur kërkuan hakmarrje ndaj lamanitëve. Pastaj kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mormonin 4:4, duke kërkuar se përse ushtritë nefite ishin të pasuksesshme. U kërkoni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Mormonin 4:5. Ftojeni klasën ta ndjekë, duke kërkuar të vërtetat që na mëson ky varg për pasojat e vazhdimit në ligësi. Ndërsa studentët tregojnë atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë të vërtetën vijuese nga Mormoni 4:5: “Gjykimet e Perëndisë do t’u bien mbi kokë të ligjve”. Ju mund të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Mormonin 4:10–12, duke kërkuar përshkrime të ligësisë së nefitëve. U kërkoni studentëve të raportojnë për atë që gjejnë.

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Mormoni 4:13–14, 18, 21–22. Kërkojini klasës që t’i ndjekë, duke parë se si u derdhën gjykimet e Perëndisë mbi nefitët.

  • Cila është pjesa më e trishtuar e këtij rrëfimi për ju?

Drejtojini studentët te parimet që keni shkruar në tabelë. Ftojini ata të përsiatin mbi mënyrën se si ata mund t’i zbatojnë këto të vërteta në jetën e tyre. Nxitini të veprojnë sipas nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë, që i marrin ndërsa përsiatin.

Dëshmoni për mirësinë dhe dashurinë e Zotit që na jep mundësi të mjaftueshme për t’u penduar. Gjithashtu dëshmoni se atyre që vazhdojnë në mëkat, do t’u vijnë pasoja gjithmonë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mormoni 3:9–10. Duke u betuar me betim

Mormoni tha se nefitët u betuan “për qiej dhe gjithashtu për fronin e Perëndisë” se do të kërkonin hakmarrje ndaj lamanitëve (shih Mormoni 3:9–10). Thënia vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon domethënien e të betuarit me një betim në kohën e Librit të Mormonit, duke na dhënë kështu një kuptim të natyrës blasfemuese të përpjekjes së nefitëve për ta përfshirë Perëndinë në hakmarrjen e tyre.

“Kjo çështja e të betuarit me një betim në kohët e lashta ishte shumë më tepër domethënëse sesa shumë prej nesh e kanë kuptuar.

Për shembull: Nefi dhe vëllezërit e tij po kërkonin të merrnin fletët prej tunxhi nga Labani. Jeta e tyre ishte në rrezik. Sidoqoftë, Nefi u betua me këtë betim: ‘Ashtu si Zoti jeton dhe ashtu si ne jetojmë, ne nuk do të kthehemi tek ati ynë në vendin e shkretë, derisa ne të kemi plotësuar gjënë që Zoti na ka urdhëruar’.1 Nefi 3:15.)

Kështu Nefi e bëri Perëndinë ortakun e tij. Nëse dështonte për të marrë fletët, do të thoshte që Perëndia kishte dështuar. Dhe për shkak se Perëndia nuk dështon, ishte e detyrueshme për Nefin që të merrte fletët ose të jepte jetën e tij në përpjekje” (“The Doctrine of the Priesthood”, Ensign, maj 1982, f. 33).