Biblioteka
4 Nefi


Hyrje në 4 Nefin: Libri i Nefit

Përse të studiohet ky libër?

Ndërsa studentët studiojnë 4 Nefin, ata do të mësojnë për bekimet që u vijnë njerëzve, të cilët janë të bashkuar në të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Pas shërbesës së Shpëtimtarit midis pasardhësve të Lehit, të gjithë njerëzit kudo në tokë u kthyen në besim. Ndërsa u bindeshin urdhërimeve, ata gëzuan paqe, begati dhe bekime të mrekullueshme shpirtërore. Mormoni shpalli: “Me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:16). Studentët do të mësojnë gjithashtu mësime të rëndësishme nga rënia graduale e njerëzve në një gjendje ligësie.

Kush e shkroi këtë libër?

Mormoni përpiloi dhe përmblodhi analet e katër shkruesve për të krijuar librin e 4 Nefit. I pari i këtyre ishte Nefi, sipas të cilit u quajt libri. Nefi ishte biri i Nefit, i cili ishte një nga dymbëdhjetë dishepujt e zgjedhur nga Zoti gjatë shërbesës së Tij midis pasardhësve të Lehit (shih 3 Nefin 11:18–22; 12:1). Tre autorët e tjerë ishin biri i Nefit, Amosi, dhe bijtë e Amosit, Amosi dhe Amaroni (shih 4 Nefin 1:19, 21, 47).

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Mormoni nuk ia drejtoi librin e 4 Nefit një publiku të veçantë dhe nuk tha përse e shkroi atë. Megjithatë, ky libër ndihmon në qëllimet kryesore të Librit të Mormonit – për të dëshmuar se Jezusi është Krishti dhe për t’i bërë të njohura besëlidhjet e Zotit (shih faqen e titullit të Librit të Mormonit). Ai e bën këtë duke paraqitur bekimet që pasojnë kur njerëzit pendohen, vijnë te Jezu Krishti dhe bëjnë besëlidhje me Të. Ai tregon gjithashtu pasojat shkatërruese që ndodhin kur njerëzit e mohojnë Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij, dhe i braktisin besëlidhjet e tyre.

Kur dhe ku u shkrua ai?

Analet origjinale të përdorura si burime për librin e 4 Nefit ka mundësi të jenë shkruar midis viteve 34 Ps.K. dhe 321Ps.K.. Mormoni i përmblodhi ato anale diku midis viteve 345 Ps.K. dhe 385 Ps.K.. Mormoni nuk e tha se ku ishte kur e hartoi këtë libër.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Në vetëm 49 vargje, libri i 4 Nefit rrëfen një periudhë gati 300 vjeçare – pothuaj një e treta e të gjithë historisë nefite të pasqyruar nga Libri i Mormonit. Shkurtësia e 4 Nefit ndihmon në fuqinë e tij [si libër]. Ai thekson shkurtimisht dallimin midis drejtësisë së njerëzve menjëherë pas shërbesës së Shpëtimtarit në mes tyre dhe ligësisë së tyre katër breza më vonë. 18 vargjet e para të librit paraqitin bekimet e gëzuara nga një shoqëri që është ndërtuar mbi ungjillin e Jezu Krishtit. Vargjet e mëvonshme japin një dëshmi të shkatërrimit prej krenarisë, duke treguar se si kjo shoqëri u dobësua gradualisht deri sa ishte pothuajse e gjitha e konsumuar në mëkat.

Përmbledhje

4 Nefi 1:1–18 Në vijim të shërbesës së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit kudo në tokë kthehen në besim dhe pagëzohen. Ata nuk e veçojnë më veten si nefitë dhe lamanitë. Ata i “[kanë] të gjitha gjërat e përbashkëta” (4 Nefi 1:3), përjetojnë shumë mrekulli dhe përparojnë e jetojnë në unitet dhe lumturi për 110 vjet.

4 Nefi 1:19–34 Nefi vdes dhe biri i tij, Amosi, mban analet. Amosi më vonë ia kalon analet birit të tij, Amosit. Shumë njerëz e lejojnë Satanin të “fu[së] në dorë zemrat e tyre” (4 Nefi 1:28). Ndodhin ndarje, krenari dhe ngrihen kisha të rreme midis njerëzve. Të ligjtë fillojnë t’i përndjekin anëtarët e Kishës së vërtetë dhe “dishepujt e Jezusit që kishin qëndruar me ta” (4 Nefi 1:30).

4 Nefi 1:35–49 Njerëzit e veçojnë sërish veten si nefitë dhe lamanitë. Lamanitët ngrenë krye qëllimisht kundër ungjillit dhe ndërtojnë lidhjet e fshehta të Gadiantonit. Përfundimisht, edhe nefitët bëhen të ligj. Amosi vdes dhe vëllai i tij, Amaroni, i mban analet për një farë kohe, përpara se të shtyhet nga Fryma e Shenjtë për t’i fshehur ato.