Biblioteka
Mësimi 136: 4 Nefi 1


Mësimi 136

4 Nefi

Hyrje

Pas shërbesës së Jezu Krishtit midis pasardhësve të Lehit, njerëzit i zbatuan mësimet e Tij dhe gëzuan më shumë se 100 vjet unitet, begati dhe lumturi. Ata u bashkuan si “fëmijë të Krishtit” dhe nuk iu drejtuan më vetes si nefitë ose lamanitë (4 Nefi 1:17). Megjithatë, ata përfundimisht u bënë krenarë dhe gjithnjë e më shumë të ligj, dhe e veçuan veten përsëri si nefitë dhe lamanitë. Rreth 300 vjet pas vizitës së Shpëtimtarit, pothuaj të gjithë njerëzit ishin bërë të ligj.

Sugjerime për Mësimdhënien

4 Nefi 1:1–18

Të gjithë njerëzit kthehen në besim dhe përjetojnë paqe dhe lumturi

Përpara fillimit të orës mësimore, përgatitni dy fletë letre bosh për çdo student – nëse është e mundur, një të bardhë dhe një me një ngjyrë tjetër (gjysma fletësh do të ishin të mjaftueshme). Vendosini fletët e bardha mbi bankat e studentëve ose mbi karriget përpara se ata të mbërrijnë. Vërini mënjanë letrat me ngjyra për t’i përdorur më vonë në mësim. Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë: Çfarë ju bën me të vërtetë të lumtur? Ndërsa studentët mbërrijnë, i ftoni të shkruajnë në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjen.

Fillojeni orën mësimore duke diskutuar përgjigjet që ata kanë shkruar në tabelë. Bëjuni studentëve pyetjen që vijon:

  • Cili është ndryshimi midis gjërave që na bëjnë përkohësisht të lumtur dhe gjërave që na çojnë drejt lumturisë së përhershme? (Ndërsa studentët përgjigjen, ju mund të dëshironi të theksoni se lumturia e vërtetë nuk mund të gjendet në gjërat e përkohshme si fama, pasuritë dhe zotërimet materiale.)

Shpjegoni se 4 Nefi është një anal i disa brezave të pasardhësve të Lehit, të cilët jetuan pas vizitës së Jezu Krishtit. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje 4 Nefin 1:16, duke kërkuar për mënyrën se si Mormoni i përshkroi njerëzit që jetuan rreth 100 vjet pas vizitës së Shpëtimtarit. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë frazën “me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur”. Kërkojuni studentëve të shkruajnë Nuk Mund të Kishte një Popull më të Lumtur në krye të fletës së bardhë të letrës që iu dhatë. Më pas, vërini ata që të vizatojnë një rreth të madh në mes të letrave të tyre.

Pamja
rreth

Kërkojuni studentëve të lexojnë 4 Nefin 1:1–2, duke parë për atë që bënë njerëzit, që e bëri të mundur këtë lumturi. I ftoni t’i renditin gjetjet e tyre brenda rrethit. (Përgjigjet duhet të përfshijnë që njerëzit u penduan, u pagëzuan, morën Frymën e Shenjtë dhe “[të gjithë u] kthye[n] në besim te Zoti”.)

  • Çfarë do të thotë të kthehesh në besim?

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se kthimi në besim është më i thellë sesa thjesht pasja e një dëshmie apo të qenit anëtar i Kishës, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien e mëposhtme nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nëse është e mundur, jepuni studentëve kopje të kësaj thënieje dhe nxitini të gjejnë fjalë dhe fraza që përkufizojnë kthimin në besim.

“Lumturia juaj tani dhe përgjithmonë është e kushtëzuar nga niveli juaj i kthimit në besim dhe shndërrimi që sjell në jetën tuaj. Atëherë, si mund bëheni me të vërtetë të kthyer në besim? Presidenti [Marion G.] Romni përshkruan hapat që duhet të ndiqni:

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

‘Anëtarësia në Kishë dhe kthimi në besim nuk janë e njëjta gjë. As të kthyerit në besim dhe pasja e një dëshmie nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë. Një dëshmi vjen kur Fryma e Shenjtë i jep kërkuesit të zellshëm një dëshmi të së vërtetës. Një dëshmi prekëse i jep jetë besimit. Që do të thotë, ajo nxit pendimin dhe bindjen ndaj urdhërimeve. Kthimi në besim është fryti ose shpërblimi për pendimin dhe bindjen.’ [Në Conference Report, Konferenca e Zonës së Guatemalës 1977, f. 8–9.]

E thënë thjesht, kthimi i vërtetë në besim është fryti i besimit, pendimit dhe bindjes së qëndrueshme. …

Kthimi i vërtetë në besim prodhon frytin e lumturisë së përhershme, që mund të gëzohet edhe kur bota është në trazirë dhe pjesa më e madhe e njerëzve nuk janë të lumtur” (“Full Conversion Brings Happiness”, Ensign, maj 2002, f. 25, 26).

  • Çfarë fjalësh dhe frazash dëgjuat që përkufizojnë kthimin në besim?

  • Si mendoni se do të ishte nëse çdo njeri rreth jush do të ishte kthyer në besim te Zoti?

Shkruani në tabelë referencën vijuese të shkrimit të shenjtë: 4 Nefi 1:2–3, 5, 7, 10–13, 15–18. Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga këto vargje. Kërkojini klasës t’i ndjekë, duke parë për fjalë dhe fraza që përshkruajnë atë që njerëzit përjetuan për shkak se të gjithë u kthyen në besim te Zoti. Ftojini studentët t’i shkruajnë këto fjalë dhe fraza përqark rrethit në letrat e tyre. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: nuk kishte grindje ose zënka, ata e trajtuan njëri-tjetrin me drejtësi, i kishin të gjitha gjërat e përbashkëta, shumë mrekulli u kryen në emrin e Jezu Krishtit, Zoti i begatoi njerëzit, ata rindërtuan qytetet që ishin shkatërruar, u martuan dhe krijuan familje, u shumuan dhe u bënë të fortë, dashuria e Perëndisë ishte në zemrat e tyre dhe ata ishin të lumtur e të bashkuar.)

Kërkojuni studentëve të gjejnë një parim për lumturinë që ata e kanë mësuar nga gjysma e parë e 4 Nefit 1. Megjithëse studentët mund të gjejnë disa parime, sigurohuni që ata të shprehin se, kur njerëzit punojnë së bashku për t’u kthyer në besim te Zoti, ata bëhen të bashkuar dhe përjetojnë lumturi më të madhe. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.

  • Si mendoni ju, çfarë bekimesh do t’i vinin klasës sonë nëse ne të gjithë do të jetonim siç jetuan këta njerëz? Si mendoni ju, çfarë bekimesh do t’i vinin familjes suaj? Si mendoni ju, çfarë bekimesh do t’i vinin lagjes apo degës suaj?

Ftojini studentët të tregojnë për një rast kur ata ishin pjesë e një grupi që ishte i bashkuar në drejtësi, të tillë si familja e tyre, një kuorum apo klasë, ose një grup miqsh. Ju gjithashtu mund të tregoni një përvojë.

  • Si mund të ndikojnë përpjekjet tuaja për të qenë të drejtë, në lumturinë dhe mirëqenien e njerëzve përreth jush? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se kthimi ynë në besim dhe veprimet tona të drejta ndihmojnë jo vetëm në lumturinë tonë vetjake, por gjithashtu në lumturinë dhe mirëqenien e të tjerëve. Kur anëtarët e një familjeje, kuorumi, klase apo një grupi tjetër janë të bashkuar në drejtësi, ata mund të përjetojnë lumturi më të madhe sesa do të ishin në gjendje të përjetojnë po të ishin vetëm.)

  • Si mund të ndikojnë mëkatet e një njeriu të vetëm te pjesa tjetër e grupit që po përpiqet të jetë e drejtë?

Nxitini studentët ta forcojnë kthimin e tyre në besim te Zoti dhe t’i ndihmojnë njerëzit përreth tyre të bëjnë të njëjtën gjë. Për t’i ndihmuar studentët me këtë sfidë, u kërkoni të rishikojnë fjalë dhe fraza që i kanë renditur në letrat e tyre. Ftojini të zgjedhin një ose dy fraza që përshkruajnë mënyra jetese që ata do të donin të përjetonin. Jepuni atyre pak minuta për të shkruar në fletoret e klasës apo ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta se si do të kërkojnë të jetojnë sipas këtyre mënyrave. Dëshmoni për lumturinë që vjen nga kthimi i vërtetë në besim dhe të qenit të bashkuar në drejtësi.

4 Nefi 1:19–49

Nefitët bëhen gjithnjë e më shumë të ligj derisa mbeten vetëm pak njerëz të drejtë

  • Çfarë mendoni se mund ta shkatërrojë një shoqëri si ajo e përshkruar te 4 Nefi 1:1–18?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje 4 Nefin 1:20, 23–24, duke kërkuar për atë që e kërcënonte unitetin dhe lumturinë e njerëzve. Ju mund të sugjeroni që ta shenjojnë atë që gjejnë. Pasi të raportojnë atë që kanë gjetur, shkruani në tabelë thënien e mëposhtme nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë. (Kjo thënie gjendet te “Zemrat Tona Thuren si Një e Vetme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 70.) Ju mund të dëshironi t’u sugjeroni studentëve që ta kopjojnë këtë thënie në shkrimet e tyre të shenjta pranë 4 Nefit 1:24.

“Krenaria është armiku i madh i unitetit” (Presidenti Henri B. Ajring).

  • Si mendoni ju, në çfarë mënyrash krenaria është armiku i unitetit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të dëgjojë për një mënyrë se si krenaria mund ta shkatërrojë unitetin.

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Në thelbin e vet, krenaria është një mëkat krahasimi, sepse edhe pse zakonisht fillon me ‘Shih sa i mrekullueshëm jam dhe çfarë gjërash madhështore kam bërë’, ajo gjithnjë duket se mbaron me ‘Prandaj, unë jam më i mirë se ty’.

Kur zemrat tona janë mbushur me krenari, ne bëjmë një mëkat të rëndë, sepse ne shkelim dy urdhërimet e mëdha [shih Mateu 22:36–40]. Në vend që të adhurojmë Perëndinë dhe të duam fqinjin tonë, ne zbulojmë objektivin e vërtetë të adhurimit dhe të dashurisë sonë – shëmbëlltyrën që ne shohim te pasqyra” (“Krenaria dhe Priftëria”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 56).

  • Bazuar në thënien e Presidentit Uhtdorf, si mund ta shkatërrojë krenaria unitetin?

I ftoni disa studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 4 Nefi 1:24–35, 38–45. Kërkojini klasës t’i ndjekë, duke parë për ndikimet e krenarisë mes njerëzve. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë atë që gjejnë. (Përgjigjet mund të përfshijnë sa vijon: veshjen e rrobave të shtrenjta, ndarjen në klasa shoqërore ose grupe të veçanta miqsh, ndërtimin e kishave për përfitime, mohimin e kishës së vërtetë, përndjekjen e besimtarëve, formimin e lidhjeve të fshehta dhe ligësinë.)

Një nga një, kërkojini çdo studenti të raportojë një gjë që ai apo ajo ka gjetur. (Studentët mund t’i përsëritin përgjigjet e njëri-tjetrit.) Ndërsa çdo student përgjigjet, shkruani përgjigjen e tij apo të saj në një nga copat e letrës me ngjyrë që i latë mënjanë përpara orës mësimore. Jepjani letrën me ngjyra studentit/es në shkëmbim të letrës së bardhë të tij apo të saj, duke përshkruar lumturinë dhe unitetin e njerëzve. Përsëriteni këtë proces derisa të gjithë studentët në klasë t’i kenë shkëmbyer letrat e tyre të bardha me letra me ngjyrë.

U kërkoni studentëve të vështrojnë përreth dhe të shohin se çdonjëri në klasë ka një letër me ngjyrë që përfaqëson krenarinë. Ftojini të përsiatin se si duhet të jenë ndier tre dishepujt e Krishtit teksa panë krenarinë dhe ligësinë të përhapej midis një populli, që dikur kishte qenë kaq i lumtur dhe i bashkuar.

  • Çfarë të vërtete mund të mësojmë nga këto vargje? (Megjithëse studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, ata duhet të dallojnë parimin vijues: Mëkati i krenarisë krijon përçarje dhe çon në ligësi. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Si mund të ndikojë krenaria e pak njerëzve në lumturinë e një grupi të tërë?

Ftojini studentët të marrin në konsideratë mënyrën se si krenaria e një individi mund të ndikojë tek të tjerët në shembujt që pasojnë:

  1. Pavarësisht nga nxitja e familjes së tij, një vëlla më i madh vendos të ndjekë interesa egoiste në vend që të shërbejë një mision.

  2. Një anëtare e një klase të Të Rejave ose një anëtar i kuorumit të Priftërisë Aarone e prish qëllimisht orën e mësimit, nuk pranon të marrë pjesë në orën e mësimit dhe e kundërshton ndjekjen e udhëzimeve.

  3. Një i ri ose e re në mënyrë këmbëngulëse ngacmon ose përçmon një anëtar tjetër të grupit të vet të miqve.

Kërkojuni studentëve të mendojnë për raste kur ata e kanë parë krenarinë të dëmtojë lumturinë dhe unitetin.

Ftojini studentët të marrin parasysh rolet e tyre në grupet e ndryshme ku ata bëjnë pjesë, të tilla si familjet, kuorumet ose klasat, lagjet apo degët e tyre dhe klasën e seminarit. (Ju mund të dëshironi të përmendni grupe të tjera në të cilët bëjnë pjesë studentët tuaj.) Kërkojuni atyre të përsiatin nëse kanë bërë ose po bëjnë ndonjë gjë që shfaq krenari në marrëdhëniet e tyre me njerëzit e tjerë në këto grupe. Inkurajojini ata të pendohen dhe të mendojnë për mënyrat se si mund ta mposhtin krenarinë dhe të nxitni unitet dhe drejtësi në këto grupe. Gjithashtu nxitini ata të përsiatin mbi atë që kanë shkruar në lidhje me mënyrën se si planifikojnë të jetojnë më shumë si pasardhësit e Lehit, të cilët u kthyen në besim te Zoti.

Dëshmoni që, ndërsa kërkojmë të bëhemi më shumë të kthyer në besim te Jezu Krishti dhe të jetojmë me të tjerët në unitet, ne mund të përjetojmë lumturi si ajo e përshkruar te 4 Nefi 1:1–18.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

4 Nefi 1:1–2. “I gjithë populli ishte kthyer në besim te Zoti”

Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, shpjegoi procesin e kthimit në besim:

“Kthimi në besim ndikohet nga falja hyjnore, e cila i heq mëkatet. Rendi është diçka si ky. Një kërkues i ndershëm e dëgjon mesazhin. Ai i kërkon Zotit në lutje nëse është i vërtetë. Shpirti i Shenjtë i jep atij dëshmi. Kjo është një dëshmi. Nëse dëshmia e një njeriu është mjaft e fortë, ai pendohet dhe u bindet urdhërimeve. Nga një bindje e tillë ai merr falje hyjnore e cila e heq mëkatin. Kështu ai është kthyer në një risi të jetës. Shpirti i tij shërohet” (në Conference Report, tetor 1963, f. 24).

4 Nefi 1:1–18. Nevoja për unitet

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dha mësim:

“Profetët e Zotit kanë bërë gjithnjë thirrje për unitet. Nevoja për atë dhuratë që të na jepet dhe sfida për ta ruajtur atë, do të rriten më shumë në ditët që vijnë, kur ne do të jemi të përgatitur si popull për fatin tonë të lavdishëm.

… Ne e dimë nga përvoja se gëzimi vjen kur ne jemi të bekuar me unitet. Ne jemi të etur, si fëmijë shpirtërorë të Atit tonë Qiellor, për atë gëzim që ne e patëm një herë me Të në jetën përpara kësaj. Dëshira e Tij është të na e plotësojë atë dëshirë të shenjtë për unitet nga dashuria e Tij për ne.

Ai nuk mund të na e dhurojë atë si individë. Gëzimi i unitetit që Ai dëshiron kaq shumë të na japë, nuk qëndron i vetëm. Ne duhet ta kërkojmë atë dhe të kualifikohemi për të me të tjerë. Nuk është e papritur atëherë që Perëndia na nxit të mblidhemi që Ai të mund të na bekojë. Ai dëshiron që ne të mblidhemi në familje. Ai ka krijuar klasa, lagje e degë dhe na ka urdhëruar të takohemi shpesh bashkë. Në ato mbledhje, që Perëndia i ka krijuar për ne, gjendet mundësia jonë e madhe. Ne mund të lutemi dhe të punojmë për unitetin që do të na sjellë gëzim dhe do ta shumëfishojmë forcën tonë për të shërbyer” (“Zemrat Tona Thuren si një e Vetme”, Ensign or Liahona, nëntor 2008, f. 68, 69).