Biblioteka
Mësimi 34: 2 Nefi 21–24


Mësimi 34

2 Nefi 21–24

Hyrje

Shumë nga profecitë e Isaias në Librin e Mormonit janë rreth ditëve të fundit. Ai profetizoi rreth Rivendosjes së ungjillit, Profetit Jozef Smith, Ardhjes së Dytë dhe shkatërrimit të të ligjve. Ai parashikoi se Zoti do të “ngrejë një emblemë për kombet” për të mbledhur popullin e Tij në ditët e fundit (shih 2 Nefi 21:11–12). Isaia gjithashtu dëshmoi se Zoti do të triumfonte mbi Satanin dhe do të shpallë në Mijëvjeçar, një epokë të paqes dhe gëzimit.

Sugjerime për Mësimdhënien

2 Nefi 21:1–5, 10–12

Isaia parashikon Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme

Paraqiteni figurën ku Moroni i Shfaqet Jozef Smithit në Dhomën e Tij (62492; Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 91). Shpjegoni se kur Moroni iu shfaq për herë të parë Jozef Smithit, “ai citoi kapitullin e njëmbëdhjetë të Isaias, duke thënë se ai ishte gati të përmbushej” (Joseph Smith – Historia 1:40). Profecia te Isaia 11 gjendet gjithashtu te 2 Nefi 21.

Pamja
Moroni i Shfaqet Jozef Smithit

Ftojini studentët të lexojnë qetësisht 2 Nefin 21:1. Drejtojeni vëmendjen e tyre te fraza “do të dalë një degëz nga trungu i Isait”. Pastaj ftojini të lexojnë qetësisht 2 Nefin 21:10. Drejtojeni vëmendjen e tyre te fraza “trungu i Isait”. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shënojnë këto fraza. Shpjegojuni që Profeti Jozef Smith mori zbulesë rreth këtyre frazave. Ftojini studentët t’i kthehen Doktrinave e Besëlidhjeve 113:1–6. Lexojeni këtë fragment me zë të lartë. Përpara se të lexoni, kërkojuni studentëve ta ndjekin leximin dhe të kërkojnë domethëniet e frazave. Ju mund të doni t’i shkruani këto domethënie në tabelë, siç tregohet më poshtë. Ju mund të doni t’i nxitni studentët t’i shkruajnë këto domethënie në librat e tyre të shkrimeve të shenjta.

Trungu i Isait – Jezu Krishti

Degëz – një shërbëtor i Krishtit “mbi të cilin është vendosur shumë fuqi”

Rrënja e Isait – një individ në ditët e mëvonshme që do të mbajë priftërinë dhe “çelësat e mbretërisë”

Kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës të mbajë vesh për identitetin e “degës” dhe “rrënjës së Isait”.

“A e kemi gabim të themi se profeti që përmendet këtu është Jozef Smithi, të cilit iu dha priftëria, që mori çelësat e mbretërisë dhe që ngriti emblemën për mbledhjen e popullit të Zotit në periudhën tonë ungjillore? Dhe a nuk është ai ‘shërbëtor në duart e Krishtit, i cili është pjesërisht pasardhës i Isait, sikurse edhe i Efraimit ose i shtëpisë së Jozefit, mbi të cilin është vendosur shumë fuqi’”? (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 339–340).

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 21:10, 12. Vëreni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që lidhen me Jozef Smithin dhe Rivendosjen e ungjillit dhe të Kishës së Zotit. Përpara se studenti të lexojë, ju mund të doni t’u kujtoni atyre se fjala emblemë i referohet një standardi, flamuri apo banderole që përdoret si pikë grumbullimi ose si një sinjal për t’u mbledhur (shih mësimin 32).

  • Si e përmbushi puna e Jozef Smithit profecinë lidhur me rrënjën e Isaias?

  • Në çfarë mënyrash mblidhemi ne sot si anëtarë të Kishës? Në çfarë mënyrash e ngremë ne një emblemë për të ndihmuar të tjerët të dinë ku të mblidhen?

Dëshmoni se Zoti ka rivendosur ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe tani po mbledh popullin e Tij në ditët e fundit.

2 Nefi 21:6–9; 22

Isaia përshkruan Mijëvjeçarin

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se një mik që është anëtar i një kishe tjetër i ka pyetur ata se çfarë besojnë rreth Mijëvjeçarit. Vërini ata të studiojnë qetësisht 2 Nefin 21:6–9 dhe 22:1–6, duke kërkuar të vërtetat që mund të tregojnë në një bashkëbisedim të tillë. Ftojini ata të shkruajnë idetë në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoren e tyre të klasës. Për t’i ndihmuar ata të diskutojnë çfarë kanë gjetur, drejtojuni disa ose të gjitha pyetjet vijuese:

  • Çfarë sugjerojnë përshkrimet te 2 Nefi 21:6–8 rreth kushteve në tokë gjatë Mijëvjeçarit?

  • Sipas 2 Nefit 21:9, përse toka do të jetë një vend paqeje gjatë Mijëvjeçarit? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se gjatë Mijëvjeçarit, toka do të jetë një vend paqeje sepse do të jetë plot me njohuri për Zotin.)

  • Si mundet njohuria për Zotin të na ndihmojë të jetojmë më paqësisht tani?

  • Te 2 Nefi 22:1–6, Isaia përshkruan shpirtin e adhurimit që populli do të ketë gjatë Mijëvjeçarit. Si mundemi ne të zhvillojmë të njëjtin qëndrim sot?

  • Cilat janë disa aspekte të Mijëvjeçarit që ju do t’ju pëlqente t’i kishit në jetën tuaj pikërisht tani? (Nxitini studentët të përsiaten rreth asaj që mund të bëjnë për të marrë disa nga këto bekime në jetën e tyre.)

2 Nefi 23–24

Isaia jep mësim se të ligjtë do të vdesin dhe se Zoti do të ketë mëshirë për popullin e Tij

Shpjegoni se te 2 Nefi 23, Isaia profetizon për shkatërrimin e Babilonisë dhe e krahason atë me shkatërrimin e të ligut në Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Ftojini studentët të lexojnë shënimin për “Babel, Babiloni” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, f. 12. Shpjegoni se në disa fragmente të shkrimit të shenjtë, fjala Babiloni i referohet në përgjithësi ligësisë së botës. Isaia profetizoi se shkatërrim i madh do të vijë mbi të ligjtë në Babiloni edhe në ditët e fundit.

Për t’i ndihmuar studentët të gjejnë pasojat për të ligjtë në ditët e fundit, vërini të lexojnë qetësisht 2 Nefin 23:1, 5–9, 11, 15, 19 dhe 22.

Shpjegoni se Isaia iu referua rënies së Luçiferit apo Satanit, si një ilustrim tjetër i mënyrës se si do të vdesin të ligjtë. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 2 Nefin 24:12–16.

  • Cilat fraza në këtë varg tregojnë arrogancën e Satanit?

  • Si e përshkruan 2 Nefi 24:16 mënyrën si do të ndiheshim ne rreth Satanit nëse do të mund ta shihnim për atë që është?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Në këshillin paratokësor, ishte krenaria që rrëzoi Luciferin, ‘një bir i mëngjesit’. (2 Nefi 24:12–15; shih edhe DeB 76:25–27; Moisiu 4:3.).… Në këshillin paratokësor, Luciferi e vuri propozimin e tij në konkurrim me planin e Atit të mbrojtur nga Jezu Krishti. (Shih Moisiu 4:1–3.) Ai donte të nderohej mbi të gjithë të tjerët. (Shih 2 Nefi 24:13.) Me pak fjalë, dëshira e tij krenare ishte të hiqte nga froni Perëndinë. (Shih DeB 29:36; 76:28.)” (“Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 4–5).

Drejtojeni vëmendjen e studentëve te fjala e Zotit në mbyllje të 2 Nefit 23:22: “Unë do të jem i mëshirshëm ndaj njerëzve të mi, por të ligjtë do të mbarojnë”. Ju mund të doni t’i nxitni studentët ta shënojnë këtë deklaratë në librat e tyre të shkrimeve të shenjta. (Vini re se fjalia e fundit në këtë varg nuk duket në vargun përkatës në librin e Isaias në Variantin e Biblës të Mbretit Jakob. Kjo sugjeron se fletët prej tunxhi përmbanin informacion që nuk është në Bibël.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të jesh midis popullit të Zotit?

Kërkojuni disa studentëve të lexojnë me zë të lartë 2 Nefin 24:1–7, 24–27, duke lexuar me radhë nga një apo dy vargje. Ftojeni klasën të kërkojë premtimet e Zotit për popullin e Tij. Nxitini ata të ndajnë ato që kanë vërejtur me njëri-tjetrin. Ju mund të merrni parasysh të vini një student t’i shkruajë këto vërejtje në tabelë.

  • Çfarë mesazhesh japin këto vargje për ata që vuajnë për shkak të ligësisë së njerëzve të tjerë?

  • Çfarë të dhënash për lumturi dhe shpresë shihni në këto vargje?

Sigurohuni që studentët të kuptojnë se Zoti do të jetë i mëshirshëm me popullin e Tij, por të ligjtë do të mbarojnë. Ndihmojini studentët të kuptojnë se profecitë e Isaias te 2 Nefi 21–24 pasqyrojnë një nga mesazhet kryesore të Librit të Mormonit – që i binduri do të përparojë dhe i pabinduri do të mbarojë. Dëshmoni se ne mund të jetojmë në drejtësi dhe të përparojmë sot kur mezi presim për Mijëvjeçarin.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

2 Nefi 21:1. “Dhe një filiz do të rritet nga rrënjët e tij”

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve shpjegoi se filizi i përmendur te 2 Nefi 21:1:

“‘Ja, ditët po vijnë, thotë Zoti,’ në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi …’ (Jeremia 23:3–6). Që do të thotë, Mbreti që do të mbretërojë personalisht mbi tokë gjatë Mijëvjeçarit do të jetë Filizi që doli nga shtëpia e Davidit. Ai do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në të gjithë tokën sepse ai është Zoti Jehova, madje Ai të cilin ne e thërrasim Krisht. Që Filizi i Davidit është Krishti është plotësisht e qartë. Ne do të shohim tani që ai është thirrur gjithashtu David, që ai është një David i ri, një David i Përjetshëm, që do të mbretërojë përgjithmonë në fronin e paraardhësit të tij të lashtë [shih Jeremia 30:8–9]” (The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f.193).