Biblioteka
Jaromi


Hyrje në Librin e Jaromit

Përse të studiohet ky libër?

Ndërsa studentët studiojnë librin e Jaromit, ata do të shohin që Perëndia e mban premtimin e Tij për t’i bekuar ata që u binden urdhërimeve të Tij. Ata gjithashtu do të mësojnë për përpjekjet e mbretërve, profetëve, mësuesve dhe priftërinjve nefitë të kohës së Jaromit për ta ndihmuar popullin të pendohet dhe të shmangë shkatërrimin.

Kush e shkroi këtë libër?

Këtë libër e shkroi i biri i Enosit, Jaromi. Ashtu si i ati – dhe ashtu si gjyshi i tij, Jakobi, dhe stërgjyshi i tij, Lehi – Jaromi kishte shpirtin e profecisë dhe të zbulesës (shih Jaromi 1:2). Kur e përfundoi analin e tij, ia kaloi fletët të birit, Omnit.

Për kë u shkrua ky libër dhe përse?

Jaromi tha se e shkroi “sipas urdhërimit të atit [të] ti[j], Enosit, kështu që gjenealogjia [e tyre] të mund të mbahe[j]” (Jaromi 1:1). Ai gjithashtu vuri në dukje se anali i tij qe “shkruar për … përfitimi[n] [e] vëllezërve [të tij] Lamanitëve” (Jaromi 1:2; shih edhe Enosi 1:13–18). Jaromi nuk i shkroi profecitë dhe zbulesat e tij vetjake, pasi besonte se ato që ishin shkruar nga etërit e tij, e “zbul[onin] … planin e shpëtimit” në mënyrë të mjaftueshme (Jaromi 1:2). Përkundrazi, ai përshkroi veprat e udhëheqësve nefitë gjatë kohës së shërbesës së tij. Këta udhëheqës “ishin njerëz të fuqishëm në besimin e Zotit” (Jaromi 1:7) të cilët i nxitnin vazhdimisht njerëzit që të pendoheshin dhe t’u bindeshin urdhërimeve (shih Jaromi 1:3–5, 10–12). Jaromi vuri re që, kur njerëzit zgjidhnin të ndiqnin këshillën e udhëheqësve të tyre të drejtë, ata përparonin dhe qenë në gjendje ta fortifikonin veten kundër lamanitëve. Ai dëshmoi: “Fjala e Zotit u vërtetua, të cilën ai e foli tek etërit tanë, duke thënë që: Përderisa ju do të zbatoni urdhërimet e mia, ju do të përparoni në tokë” (Jaromi 1:9; shih edhe 1 i 2:19–20).

Kur dhe ku u shkrua ai?

Libri i Jaromit mbulon afërsisht 59 vite, afërsisht nga viti 420 Pr.K. deri në vitin 361 Pr.K. (shih Enosi 1:25; Jaromi 1:13). Ai u shkrua në tokën e Nefit.

Cilat janë disa tipare dalluese të këtij libri?

Libri i Jaromit është libri më i shkurtër në Librin e Mormonit. Ai jep detaje rreth rritjes së qytetërimit nefit, duke pohuar se ata ishin “shtua[r] jashtëzakonisht dhe [ishin] përhap[ur] mbi faqen e tokës” (Jaromi 1:8). Ata gjithashtu ishin pasuruar për nga zotërimet e tyre dhe ishin bërë të aftë në punimin me dru e metale, duke bërë ndërtesa, makineri zejtarie dhe duke bërë vegla e armë (shih Jaromi 1:8).

Përmbledhje

Jaromi 1:1–2 Jaromi merr fletët dhe shpjegon qëllimin e tij për shkrimin e tyre.

Jaromi 1:3–12 Jaromi shkruan plotësimin e premtimit të Zotit për të bekuar e begatuar nefitët kur ata i mbanin urdhërimet e Tij. Ai dëshmon për fuqinë e Shpëtimtarit për t’i shpëtuar njerëzit nga mëkati edhe përpara shërbesës së Tij të vdekshme, duke u dhënë mundësi njerëzve që të “besonin në [të] … sikur ai tashmë të kishte ardhur” (Jaromi 1:11).

Jaromi 1:13–15 Jaromi thotë se një rrëfim i luftërave mes nefitëve dhe lamanitëve u mbajt në fletët e mëdha të Nefit. Ai ia kalon fletët e vogla të birit, Omnit.