Biblioteka
Mësimi 44: Jakobi 2:12–35


Mësimi 44

Jakobi 2:12–35

Hyrje

I vërtetë në përgjegjësinë e tij si udhëheqës priftërie, Jakobi u bëri thirrje njerëzve të tij për pendesë, duke i paralajmëruar për mëkatet e krenarisë dhe të pamoralshmërisë seksuale. Ai dha mësim rreth rreziqeve dhe pasojave të këtyre dy mëkateve mbizotëruese.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakobi 2:12–21

Jakobi i qorton ashpër njerëzit e tij për krenarinë e tyre

Shkruajeni sa vijon në tabelë: para, inteligjencë, miq, talente, njohuri ungjilli. Ftojini studentët të mendojnë rreth bekimeve që Zoti u ka dhënë atyre në këto fusha. Nxitini të përsiaten se si ndihen rreth këtyre bekimeve ndërsa studiojnë Jakobin 2.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 2:12–13. Ftojeni pjesën tjetër të klasës ta ndjekin, duke gjetur atë që po kërkonin shumë nefitë.

Pasi studentët përgjigjen, theksoni se Jakobi u tregoi njerëzve të tij se ata patën fituar pasuri nëpërmjet “dor[ës së] providencës”. Ju mund të doni të shpjegoni se fjala providencë i referohet Perëndisë.

  • Përse është e rëndësishme që ne të kujtojmë se të gjitha bekimet tona vijnë nga Ati ynë Qiellor?

  • Sipas Jakobi 2:13, përse shumë nefitë qenë ngritur në krenari?

Ftojeni një student që ta lexojë me zë të lartë thënien në vijim nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë. Kërkojini klasës të mbajë vesh për kuptime rreth asaj se çfarë do të thotë të ngrihesh në krenari:

Pamja
Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Në thelbin e vet, krenaria është një mëkat krahasimi, pasi edhe pse zakonisht fillon me ‘Shih sa i mrekullueshëm jam dhe çfarë gjëra të mëdha kam bërë’, ajo gjithmonë duket se mbaron me ‘Prandaj, unë jam më i mirë se ty’. …

… Ky është mëkati i ‘Falë Perëndisë unë jam më i veçantë sesa ty’. Në thelbin e saj është dëshira për të qenë i admiruar apo për t’u pasur zili. Është mëkati i vetëlavdërimit” (“Krenaria dhe Priftëria”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 56).

Nxitini studentët të përsiaten në qetësi nëse kanë qenë ndonjëherë fajtorë për mëkatin e të menduarit se janë më të mirë se dikush tjetër.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 2:14–16. Kërkojini klasës të shohë për fraza që tregojnë pasojat e krenarisë. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë.

  • Përse mendoni se krenaria ka fuqinë të “shkatërrojë shpirtrat [tanë]”? (Jakobi 2:16).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 2:17–21. Kërkojuni të kërkojnë fraza që mësojnë se si mund të kapërcejmë krenarinë dhe qëndrime të papërshtatshme rreth pasurisë materiale. Ju mund të sugjeroni që ata t’i shënojnë frazat që gjejnë. Pasi t’i kenë studiuar këto vargje, ftojini të zgjedhin një frazë që kanë gjetur. Jepuni disa studentëve mundësinë të shpjegojnë se si frazat që kanë zgjedhur, mund të na ndihmojnë të kapërcejmë krenarinë apo qëndrimet e papërshtatshme ndaj pasurisë materiale. (Si pjesë e këtij aktiviteti, ju gjithashtu mund të sugjeroni që studentët të lexojnë fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta: 1 Mbretërve 3:11–13; Markut 10:17–27; përfshirë Përkthimi i Joseph Smith-it në shënim fundfaqeje 27a; 2 Nefi 26:31; Alma 39:14; DeB 6:7.)

  • Çfarë mendoni se do të thotë të kërkosh mbretërinë e Perëndisë? Çfarë mendoni se do të thotë të marrësh një shpresë në Krisht?

  • Si mund kërkimi i mbretërisë së Perëndisë dhe arritja e një shprese në Krisht të ndikojë qëndrimet tona ndaj pasurisë dhe zotërimeve materiale?

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si do ta përmblidhnin çështjen kryesore të Jakobit 2:12–21 për një student që nuk është në klasë sot. Jepuni dy apo tre studentëve një mundësi për të treguar atë që do të thoshin. Studentët mund të thonë parime të vërteta të ndryshme. Siguroni që ata të kuptojnë se ne duhet ta kërkojmë mbretërinë e Perëndisë mbi të gjitha interesat e tjera. Jepuni studentëve kohë që të shkruajnë në ditarët e tyre të shkrimeve të shenjta apo në fletoren e klasës, rreth një mënyre që mund t’i përdorin bekimet dhe mundësitë që Zoti u ka dhënë, për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë dhe të bekojnë jetën e të tjerëve.

Jakobi 2:22–35

Jakobi qorton njerëzit që kanë shkelur ligjin e dëlirësisë

Shkruajeni në tabelë thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson:

“Mëkati shqetësues i këtij brezi është …”

Ftojini studentët të mendojnë rreth asaj se si mund ta ketë përfunduar këtë fjali Presidenti Benson. Pastaj lexoni thënien vijuese:

“Mëkati shqetësues i këtij brezi është pamoralshmëria seksuale. Ky, tha Profeti Jozef, do të ishte burimi i më shumë tundimeve, më shumë goditjeve dhe më shumë vështirësive për pleqtë e Izraelit sesa ndonjë tjetër” (The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 277).

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 2:22–23, 28, duke gjetur fjalë dhe fraza që përdori Jakobi për të përshkruar sa e rëndë është pamoralshmëria seksuale. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala kurvërira i referohet mëkateve seksuale.) Kërkojuni studentëve të tregojnë fjalët dhe frazat që zbulojnë.

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë ligjin e dëlirësisë, lexoni thënien vijuese nga broshura Për Forcën e Rinisë. Kërkojuni studentëve të dëgjojnë me kujdes për veprime që ata duhet të shmangin.

“Standardi i Zotit lidhur me pastërtinë seksuale është i qartë dhe i pandryshueshëm. Mos kryeni marrëdhënie seksuale para martese dhe jini plotësisht besnikë/e ndaj bashkëshortes/bashkëshortit tuaj pas martesës. …

Kurrë mos bëni ndonjë gjë që mund t’ju drejtojë në shkelje seksuale. Trajtojini të tjerët me respekt, jo si objekte të përdorura për të kënaqur epshin dhe dëshirat vetjake. Përpara martesës mos u përfshini në puthje pasionante, mos u shtrini mbi trupin e një personi tjetër, ose mos prekni pjesët intime e të shenjta të trupit të një personi tjetër, me ose pa rroba. Mos bëni asgjë tjetër që zgjon emocione seksuale. Mos i zgjoni ato emocione në vetë trupin tuaj” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 35–36).

Theksoni se sipas Jakobit 2:23–24, disa njerëz në kohën e Jakobit përpiqeshin t’i justifikonin mëkatet e tyre seksuale.

  • Si përpiqen ndonjëherë njerëzit ta justifikojnë pamoralshmërinë seksuale sot?

  • Cilat janë disa gjëra që rinia mund të bëjë për të shmangur mposhtjen nga tundimet seksuale? (Përgjigjet mund të përfshijnë lutjen për forcë, shoqërimin me miq të mirë, zgjedhjen e argëtimit të shëndetshëm dhe shmangien e situatave dhe vendeve ku tundimi është i mundshëm.)

Ju mund të doni të theksoni se një nga mëkatet e nefitëve duket të ketë qenë praktikimi i paautorizuar i martesës me më shumë se një grua. Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobi 2:27–30. Përpara se të lexojnë, ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala konkubinë i referohet një gruaje që ishte e martuar ligjërisht me një burrë por që kishte një status më të ulët sesa një bashkëshorte.

  • Sipas Jakobit 2:27, cila është “[fjala e] Zotit” lidhur me të pasurin e më shumë se një gruaje? (Sigurohuni që të jetë e qartë se qysh nga fillimi, Zoti ka urdhëruar që një burrë duhet të martohet me një grua. Shih edhe DeB 49:15–16.)

Shpjegoni se një martesë e paautorizuar me më shumë se një grua është një shembull prostitucioni apo mëkati seksual. Në sytë e Perëndisë, mëkatet seksuale janë shumë të rënda.

  • Sipas Jakobit 2:30, kur janë të autorizuar njerëzit e Zotit të praktikojnë martesë me më shumë se një grua? (Kur Zoti e urdhëron atë.)

Theksoni se në kohë të caktuara të historisë së botës, Zoti ka urdhëruar njerëzit e Tij të praktikojnë martesë me më shumë se një grua. Për shembull, martesa me më shumë se një grua qe praktikuar në kohët e Dhiatës së Vjetër nga Abrahami dhe Sara (shih Zanafilla 16:1–3; DeB 132:34–35, 37) e nga nipi i tyre Jakobi (shih DeB 132:37) dhe ajo praktikohej për një kohë gjatë ditëve të hershme të Kishës së rivendosur, duke filluar me Jozef Smithin (shih DeB 132:32–33, 53).

Për të theksuar që pamoralshmëria seksuale ka një ndikim shkatërrues te familjet, lexoni me zë të lartë Jakobin 2:31–35. Kërkojuni studentëve të shoqërojnë leximin, duke kërkuar për disa nga pasojat e pamoralshmërisë. Theksoni se edhe pse Jakobi flet vetëm për burra, ligji i dëlirësisë është njësoj i rëndësishëm për gratë.

  • Sipas Jakobit, si ndikohen familjet kur një anëtar i familjes shkel ligjin e dëlirësisë? Si ndihmon kjo për të shpjeguar përse thyerja e ligjit të dëlirësisë është një mëkat kaq i rëndë?

  • Disa të rinj arsyetojnë se ata mund ta shkelin ligjin e dëlirësisë sepse veprimet e tyre nuk dëmtojnë askënd tjetër. Si mundet që pamoralshmëria e një personi të prekë njerëz të tjerë?

Për ta përmbyllur këtë diskutim rreth pasojave të mëkateve seksuale, merrni parasysh të lexoni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët të dëgjojnë me vëmendje për pasojat e pamoralshmërisë seksuale.

Pamja
Plaku Riçard G. Skot

“Ato akte intime ndalohen nga Zoti jashtë zotimit të qëndrueshëm të martesës, sepse ato minojnë qëllimet e Tij. Brenda besëlidhjes së shenjtë të martesës, të tilla marrëdhënie janë sipas planit të Tij. Kur përjetohen në ndonjë mënyrë tjetër, ato janë kundër vullnetit të Tij. Ato shkaktojnë dëm të rëndë emocional dhe shpirtëror. Edhe pse pjesëmarrësit nuk e kuptojnë atë që po ndodh tani, ata do ta kuptojnë më vonë. Pamoralshmëria seksuale krijon një pengesë ndaj ndikimit të Shpirtit të Shenjtë me të gjithë ngritjen morale, ndriçimin dhe aftësitë fuqizuese të tij. Ajo shkakton një nxitje të fuqishme fizike dhe emocionale. Me kalimin e kohës krijon një oreks të pashueshëm që e shtyn shkelësin në një mëkat gjithnjë më të rëndë. Ajo shkakton egoizëm dhe mund të prodhojë veprime agresive të tilla si vrazhdësia, aborti, abuzimi seksual dhe krimi i dhunshëm. Të tilla stimulime mund të çojnë në akte homoseksualiteti, dhe ato janë ligësi dhe absolutisht të gabuara” (“Making the Right Choices”, Ensign, nëntor 1994, f. 38).

Ftojini studentët të rishikojnë fillimin e Jakobit 2:28 dhe të gjejnë se në çfarë kënaqet Zoti. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët të shënojnë atë që gjejnë. Siguroni që ata të kuptojnë se Zoti kënaqet në dëlirësi.)

  • Bazuar në atë që kemi diskutuar sot, përse mendoni se Zoti kënaqet në dëlirësi?

Merrni parasysh të tregoni një fotografi të familjes suaj. Dëshmoni për bekimet që ju kanë ardhur juve dhe familjes tuaj ndërsa keni jetuar ligjin e Zotit për dëlirësinë. Theksoni se fuqia për të pasur fëmijë është një dhuratë e mrekullueshme nga Ati ynë në Qiell kur përdoret brenda kufijve që Ai ka vendosur. Nxitini studentët të jenë të dëlirë dhe të pastër në mënyrë që Zoti të mund të “kënaqe[t] në dëlirësinë [e tyre]” (Jakobi 2:28).

Për t’i ndihmuar studentët t’i japin dëshmitë e tyre rreth të jetuarit të ligjit të dëlirësisë, ju mund të doni të drejtoni pyetjen vijuese:

  • Çfarë mund t’i thoshit dikujt që pretendon se ligjit të dëlirësisë i ka ikur koha dhe është i panevojshëm? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, nxitini të dëshmojnë për bekimet e mbajtjes së ligjit të dëlirësisë, jo thjesht për rreziqet nga mosbindja ndaj tij.)

Tregojuni studentëve se ju besoni që ata mund të jenë moralisht të pastër. Theksoni se, nëse ata kanë mëkatuar kundër ligjit të dëlirësisë, ata duhet të kërkojnë ndihmë nga peshkopi apo presidenti i tyre i degës, që mund t’i ndihmojnë të pendohen dhe të bëhen të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakobi 2:17. “Bujarë me pasurinë tuaj”

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne japim oferta agjërimi për të ndihmuar ata në nevojë. Udhëheqësit e Kishës na nxitin të jemi bujarë me ofertat tona të agjërimit. Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një këshillë rreth masës për të kontribuar:

“Sa duhet të paguajmë në ofertat e agjërimit? Vëllezër dhe motra të mia, masa e ofertës sonë për të bekuar të varfrit është një masë e mirënjohjes sonë ndaj Atit tonë Qiellor. A do t’i kthejmë shpinën ne, që jemi bekuar aq bollshëm, atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë? Pagimi i një oferte agjërimi bujare është masë e gatishmërisë sonë për ta përkushtuar veten për të lehtësuar vuajtjen e të tjerëve.

Vëllai Marion G. Romni, që ishte peshkop i lagjes sonë kur unë isha thirrur në mision dhe që më vonë shërbeu si anëtar i Presidencës së Parë të Kishës, paralajmëroi: ‘Jini bujarë në atë që jepni, që ju vetë të mund të zhvilloheni. Mos jepni thjesht për dobinë e të varfrit, por jepni për vetë mirëqenien tuaj. Jepni mjaft në mënyrë që të mund ta jepni veten në mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet përkushtimit të mjeteve dhe kohës suaj’” (“The Law of the Fast”, Ensign, maj 2001, f. 75; citim i Marion G. Romney, “The Blessings of the Fast”, Ensign, korrik 1982, f. 4).

Jakobi 2:23–30. Martesa me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht

Në kohën e Jakobit, disa nefitë kishin filluar të merrnin pjesë në martesë me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht, duke thënë se po ndiqnin shembujt e Davidit dhe të Salomonit. Jakobi e dënoi këtë praktikë për të paktën dy arsye:

  1. Zoti, nëpërmjet profetit Lehi, i pati urdhëruar njerëzit e tij të mos bënin martesë me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht (shih Jakobi 2:27, 34).

  2. Davidi dhe Salomoni nuk qenë shembuj të denjë. Edhe pse ata qenë martuar me disa gra sipas urdhërimeve të Zotit në kohën e tyre, ata patën kryer gjithashtu mëkate seksuale të rënda (shih Jakobi 2:24; DeB 132:38–39).

Në lidhje me martesën me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht, Zoti tha: “Në qoftë se unë … do ta rris farën për veten time, unë do ta urdhëroj popullin tim; përndryshe ata do t’u vënë veshin këtyre gjërave” (Jakobi 2:30). Me fjalë të tjera, urdhërimi i përgjithshëm i Zotit është të mos marrim pjesë në martesë me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht. Sidoqoftë, Ai mund t’i urdhërojë njerëzit e Tij të marrin pjesë në martesë me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht për një kohë kur Ai e mendon të nevojshme të “rris[ë] farën” për veten e Tij – me fjalë të tjera, kur Ai do që njerëzit e Tij, në një periudhë të shkurtër kohe, të sjellin më shumë fëmijë në botë, që do të lindin në besëlidhje dhe do të rriten në shtëpi që janë brenda ungjillit. Në bindje ndaj udhëzimit prej Perëndisë nëpërmjet një zbulese dhënë Profetit Jozef Smith, disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme e ndoqën këtë praktikë gjatë viteve 1800 (shih DeB 132). Në 1890-ën, kur kushtet patën ndryshuar në Kishë dhe në ligjet e Shteteve të Bashkuara, Zoti e tërhoqi miratimin e Tij për praktikën në një zbulesë dhënë Presidentit Uilford Udraf, i cili shërbente atëherë si President i Kishës (shih DeB, Deklarata Zyrtare 1). Qysh prej asaj kohe, martesa me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht nuk miratohet nga Zoti apo autorizohet nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Cilido shenjtor i ditëve të mëvonshme që e përvetëson këtë praktikë, i nënshtrohet humbjes së anëtarësisë së tij apo të saj në Kishë. Presidenti Gordon B. Hinkli na mësoi:

“Dëshiroj të deklaroj kategorikisht se kjo Kishë nuk ka të bëjë fare me ata që praktikojnë poligaminë. Ata nuk janë anëtarë të kësaj Kishe. Shumica prej tyre kurrë nuk kanë qenë anëtarë. Ata jbëjnë shkelje të kodit civil. Ata e dinë se po shkelin ligjin. Ata u nënshtrohen ndëshkimeve të tij.

Nëse ndonjë nga anëtarët tanë kapet duke praktikuar martesë me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht, ai/ajo shkishërohet, ndëshkimi më i rëndë që Kisha mund të japë. Ata jo vetëm që janë të përfshirë kështu në shkelje të drejtpërdrejtë të kodit civil, ata shkelin ligjin e kësaj Kishe. Një nen i besimit tonë është i detyrueshëm për ne. Ai thotë: ‘Ne besojmë në nënshtrimin ndaj mbretërve, presidentëve, sunduesve dhe gjyqtarëve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjeve’ (Neni i Besimit 1:12). …

Më shumë se një shekull përpara, Perëndia i zbuloi qartësisht profetit të Tij, Uilford Udraf, se praktika e martesës me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht duhet të ndërpritet, që do të thotë se ajo tani është kundër ligjit të Perëndisë. Edhe në vendet ku ligji civil apo fetar e lejon poligaminë, Kisha na mëson se martesa duhet të jetë monogame dhe nuk pranon në anëtarësinë e saj ata që praktikojnë martesë me shumë bashkëshortë/e njëkohësisht” (“What Are People Asking about Us?” Ensign, nëntor 1998, f. 71–72).