Biblioteka
Mësimi 50: Jaromi dhe Omni


Mësimi 50

Jaromi dhe Omni

Hyrje

Librat e Jaromit dhe Omnit përmbajnë shkrimet e fundit në fletët e vogla të Nefit. Jaromi i mori fletët nga i ati, Enosi, dhe shkroi vështirësitë dhe bekimet e nefitëve gjatë një periudhe prej afro 60 vjetësh. Më pas, ai ia kaloi fletët të birit, Omnit. Libri i Omnit përmban shkrimet e pesë mbajtësve të ndryshëm nefitë të analeve dhe mbulon afërsisht 230 vjet. Amaleki, shkruesi i fundit në librin e Omnit, e mbyll analin e tij me një ftesë që të “vini te Krishti … dhe [të] dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij” (Omni 1:26).

Sugjerime për Mësimdhënien

Jaromi 1:1–15

Jaromi përshkruan se si nefitët përparuan kur mbajtën urdhërimet e Zotit.

Lexoni thënien në vijim nga Presidenti Diter Uhtdorf, nga Presidenca e Parë. Nëse është e mundur, paraqitni një fotografi të Presidentit Uhtdorf ndërsa lexoni:

“Më kujtohet kur po përgatitesha të trajnohesha si pilot luftarak. Kaluam një pjesë të madhe të trajnimit ushtarak paraprak në stërvitje fizike. Ende nuk jam tamam i sigurt përse vrapimi i pafund konsiderohej një pjesë përgatitore kaq thelbësore për t’u bërë pilot. Sidoqoftë, ne vrapuam e vrapuam e vrapuam më tepër.

Kur po vrapoja fillova të vë re diçka që, sinqerisht, më shqetësoi. Vazhdimisht, po ma kalonin burra që pinin duhan, pije alkoolike dhe bënin gjithë llojet e gjërave që ishin në kundërshtim me ungjillin dhe, veçanërisht, me Fjalën e Urtësisë.

Më kujtohet që mendova: ‘Pa prit pak! A nuk supozohej që unë të isha në gjendje të vrapoja e të mos lodhesha?’ Por unë isha i lodhur dhe po ma kalonin njerëz që, pa dyshim, nuk po ndiqnin Fjalën e Urtësisë. E pranoj, kjo më shqetësoi në atë kohë. Unë pyetja veten: ‘A ishte i vërtetë ai premtim apo jo?’” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 58).

Ftojini studentët të mendojnë nëse janë ndier ndonjëherë të shqetësuar në mënyrë të ngjashme, duke pyetur veten nëse ose se si Zoti do të përmbushte premtimin e Tij për t’i bekuar ata për mbajtjen e urdhërimeve të Tij.

Shkruani fjalën vërtetoj në tabelë dhe kërkojuni studentëve që të shpjegojnë se çfarë kuptimi ka kjo fjalë (të pohosh ose të provosh se diçka është e vërtetë). Shpjegoni se Jaromi, që qe biri i Enosit, e përdori fjalën u vërtetua kur shkroi rreth një premtimi dhënë paraardhësve të tij. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Jaromin 1:9, duke përcaktuar premtimin e Zotit që u vërtetua. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë premtim në shkrimet e tyre të shenjta.) Sigurohuni që studentët të kenë përcaktuar thënien: “Përderisa ju do të zbatoni urdhërimet e mia, ju do të përparoni në tokë”.

Shkruajini në tabelë referencat e shkrimeve të shenjta dhe pyetjet në vijim. (Për të kursyer kohë, ju mund të dëshironi t’i shkruani ato në tabelë përpara fillimit të orës mësimore.)

Jaromi 1:4–5, 8

Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si nefitët qenë të bindur dhe se si u bekuan ata?

Jaromi 1:7, 10–12

Si i ndihmuan udhëheqësit dhe profetët nefitët që të bindeshin dhe të përparonin?

Omni 1:5–7

Si u vërtetua premtimi i Perëndisë në një mënyrë tjetër më vonë?

Ndajini studentët në grupe me nga tre veta. Caktojani një nga referencat e shkrimeve të shenjta në tabelë një personi në secilin grup. Vërini studentët t’i lexojnë në heshtje fragmentet e shkrimit të shenjtë të caktuar atyre, duke kërkuar përgjigjet për pyetjet përkatëse. Pastaj jepini një ose dy minuta kohë secilit person në grup, për të përmbledhur atë që ai apo ajo ka lexuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjes së caktuar atyre. Ftojeni një ose dy studentë të përmbledhin për klasën një të vërtetë që kanë mësuar nga studimi dhe diskutimi i këtyre shkrimeve të shenjta. Teksa studentët japin përgjigjet e tyre, sigurohuni që e kuptojnë se, kur u bindemi urdhërimeve të Perëndisë, ne do të përparojmë.

  • Në bazë të asaj që keni mësuar nga përvoja e nefitëve, cilat janë disa mënyra se si Perëndia do t’i bekojë ata që u binden urdhërimeve të Tij?

Për ta përforcuar këtë parim, kujtojini klasës përvojën e Presidentit Uhtdorf kur ai pyeste veten nëse premtimi i Zotit dhënë te Fjala e Urtësisë do të vërtetohej. Pastaj lexoni pjesën tjetër të thënies së tij:

“Përgjigjja nuk erdhi menjëherë. Por përfundimisht unë mësova se premtimet e Perëndisë nuk përmbushen gjithmonë aq shpejt ose në mënyrën si mund të shpresojmë; ato vijnë sipas kohës së Tij dhe në mënyrat e Tij. Vite më vonë, munda të shihja provën e qartë të bekimeve fizike që u vijnë atyre që i binden Fjalës së Urtësisë – përveç bekimeve shpirtërore që vijnë menjëherë nga bindja ndaj cilitdo prej ligjeve të Perëndisë. Duke kujtuar të kaluarën, e di me siguri se premtimet e Zotit, në mos ndoshta jo gjithmonë aty për aty, janë gjithmonë të sigurta” (“Vazhdoni me Durim”, f. 58).

Ftojini studentët të përsiaten mbi pyetjet vijuese:

  • Kur ju ka bekuar apo begatuar Zoti për mbajtjen e urdhërimeve të Tij? Nga përvoja juaj, çfarë dëshmie mund të jepni rreth Zotit dhe premtimeve të Tij?

Omni 1:1–30

Mbajtësit e analeve rrëfejnë historinë nefite

Shkurtimisht paraqitni librin e Omnit duke shpjeguar se ai u shkrua nga pasardhësit e Jaromit dhe se mbulon afërsisht 230 vjet. Ftojini studentët që t’i hedhin një sy me shpejtësi librit të Omnit për të gjetur emrat e burrave që mbajtën fletët e vogla pas Jaromit. Për t’i ndihmuar studentët t’i gjejnë me shpejtësi emrat, merrni parasysh t’u jepni referencat në vijim të shkrimit të shenjtë: Omni 1:1, 4, 8, 10, 12, 25.

Shpjegoni se libri i Omnit përshkruan disa ngjarje të rëndësishme në historinë e popullit te Libri i Mormonit. Ai përmend popullin e Zarahemlës (të njohur edhe si mulekitët) dhe Koriantumrin (jareditin e fundit) dhe gjithashtu rrëfen shkurtimisht se si nefitët u zhvendosën në Zarahemla dhe u bashkuan me mulekitët. Ju mund të dëshironi t’i drejtoni studentët te kronologjia në libërshenjuesin e Librit të Mormonit (numri i artikullit 32336) dhe t’i ndihmoni të gjejnë bashkimin e nefitëve me mulekitët. Gjithashtu vërini studentët të gjejnë te libërshenjuesi emrin e Koriantumrit nën kreun “Jareditët”.

Në tabelë, vizatoni hartën e treguar në këtë faqe, por mos i përfshini shigjetat. Nxitini studentët që ta kopjojnë hartën në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta ose në fletoret e tyre të klasës.

Pamja
Map Nephite Migration

Kujtojuni studentëve që në kohën e Nefit, nefitët u ndanë nga lamanitët dhe u vendosën në një vend që e quajtën toka e Nefit. Në hartë, vizatoni një shigjetë nga toka e trashëgimit të parë drejt tokës së Nefit. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Omnin 1:12–13 dhe të përcaktojnë se si nefitët erdhën për të jetuar në tokën e Zarahemlës. Teksa studentët shprehin atë që kanë gjetur, vizatoni një shigjetë nga toka e Nefit drejt tokës së Zarahemlës. Vini në dukje që Omni 1:12–13 jep mësim se Zoti u jep udhëheqje të drejtëve.

Ftojeni një student të lexojë me zë Omnin 1:14–19. Kërkojini klasës të shikojë ngjashmëritë dhe ndryshimet mes nefitëve dhe popullit që ata zbuluan në tokën e Zarahemlës. Ftoni disa studentë që të tregojnë atë që kanë mësuar.

Përmblidhni Omnin 1:20–22 duke shpjeguar se populli i Zarahemlës takoi Koriantumrin, i cili qe një nga dy të mbijetuarit e fundit të kombit jaredit (tjetri qe profeti Ethër). Në hartë, tregoni me gisht vendin Shkretim dhe shpjegoni se ky është vendi në tokën në veri ku “kockat e [popullit jaredit] gjenden të shpërndara” pasi u shkatërruan (Omni 1:22). U thoni studentëve që do të mësojnë rreth jareditëve kur të studiojnë librin e Ethërit. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët të shkruajnë jareditë në shkrimet e tyre të shenjta pranë Omnit 1:20–22.

Vizatoni një shigjetë që shtrihet nga toka e Zarahemlës drejt tokës së Nefit dhe kthehet sërish drejt Zarahemlës. Vizatoni një shigjetë tjetër nga toka e Zarahemlës që shtrihet në një drejtim drejt tokës së Nefit. Pyetini studentët nëse mund të shpjegojnë se çfarë përfaqësojnë këto dy shigjeta. Nëse kanë nevojë për ndihmë, përmblidhni Omnin 1:27–30 duke shpjeguar se dy grupe nga Zarahemla u përpoqën të ktheheshin tek toka e Nefit. Grupi i parë nuk ia doli dhe u kthye në Zarahemla. Kur Amaleki e mbylli analin e tij, ai përmendi se nuk e dinte fatin e grupit të dytë. U thoni studentëve se do të mësojnë rreth këtij grupi, popullit të Zenifit, kur të studiojnë librin e Mosias. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët që të shkruajnë populli i Zenifit në shkrimet e tyre të shenjta pranë Omnit 1:29–30.

Shpjegoni se Libri i Mormonit nuk pretendon të jetë anali i të gjithë popujve që banuan në kontinentet e lashta amerikane. Përveç jareditëve, mulekitëve dhe grupit të Lehit, ka të ngjarë të ketë pasur grupe të tjera popujsh që kanë ardhur në kontinentin amerikan.

Shpjegoni se kur Amaleki përmbylli analin e tij, ai shkroi një ftesë të rëndësishme drejtuar atyre që do t’i lexonin fjalët e tij. Kërkojuni studentëve që të lexojnë në heshtje ftesën e Amalekit te Omni 1:25–26, duke kërkuar një ide që ai e përsëriti tri herë. (Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta shenjojnë atë që gjejnë.)

  • Çfarë do të thotë për ju të vish te Krishti?

Vini në dukje se si pjesë e ftesës së Amalekit për të ardhur te Krishti, ai na këshilloi që të bëjmë gjëra të caktuara. Shkruani sa vijon në tabelë:

Ejani te Krishti dhe …

Kërkojuni studentëve që t’i referohen sërish Omnit 1:25–26. Ftoni disa prej tyre të plotësojnë fjalinë në tabelë duke përdorur fraza nga këto vargje.

  • Sipas Omnit 1:26, si do të bekohemi ne kur i bëjmë këto gjëra? (Ndihmojini studentët të kuptojnë se nëse vijmë te Krishti dhe durojmë deri në fund, ne do të shpëtohemi. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

Kërkojuni studentëve që të zgjedhin një nga frazat në tabelë. Ftojini që të shkruajnë ose të përvijojnë në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta një bisedë të shkurtër që mund ta japin në mbledhjen e sakramentit, në lidhje me si mund të vijnë te Krishti nëpërmjet asaj mënyre. Sugjeroni që bisedat e tyre të mund të përfshijnë [sa vijon]: 1) lexojnë Omnin 1:25–26 dhe të shpjegojnë me vetë fjalët e tyre frazën që kanë zgjedhur, 2) lexojnë shkrime të tjera të shenjta që qartësojnë ose i japin më kuptim frazës, 3) tregojnë një përvojë të ngjashme nga jeta e tyre ose nga jeta e njerëzve që njohin, apo 4) shprehin mendimet, ndjenjat dhe dëshminë e tyre. (Ju mund të dëshironi t’i shkruani këto sugjerime në tabelë, t’ua jepni në një fletushkë ose t’i lexoni me zë në mënyrë që studentët të mund t’i shkruajnë ato në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

Jepuni studentëve gjashtë deri shtatë minuta kohë që të përgatitin bisedat e tyre. Ftoni disa studentë të japin bisedat e tyre përpara klasës. (Nëse nuk ka kohë për këtë, merrni parasysh t’u kërkoni disave prej tyre që t’i japin bisedat e tyre në fillim të mësimit tjetër ose si pjesë të mendimeve shpirtërore të orës mësimore në të ardhmen. Ju gjithashtu mund t’i nxitni që t’i japin bisedat e tyre gjatë mbrëmjes familjare ose në bisedat me anëtarët e familjes apo miqtë.) Në mbyllje, jepni dëshminë tuaj që nëse vijmë te Krishti dhe durojmë deri në fund, ne do të shpëtohemi.

Përsëritja e Zotërimit të Shkrimit të Shenjtë

Njihini studentët me disa fragmente të reja të zotërimit të shkrimit të shenjtë. Për ta bërë këtë, shkruani disa referenca në tabelë dhe kërkojuni studentëve që t’i gjejnë se ku ndodhen dhe t’i lexojnë fragmentet në shkrimet e tyre të shenjta. Ju gjithashtu mund t’i nxitni studentët t’i shenjojnë ato në një mënyrë të dallueshme që të jenë në gjendje t’i gjejnë me lehtësi. Për t’i ndihmuar studentët t’i kujtojnë referencat dhe fjalët kyçe të fragmenteve, merrni parasysh që të përdorni veprimtarinë “Praktika me Qëllim të Caktuar” te shtojca në fund të këtij manuali.

Shënim: Ju mund të dëshironi ta përdorni këtë veprimtari një ditë tjetër kur të keni më shumë kohë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Omni 1:14–15. Popujt në kontinentet amerikane

Pasi mbreti Mosia dhe pasuesit e tij ikën nga toka e Nefit, ata zbuluan një grup njerëzish që quheshin populli i Zarahemlës (të quajtur edhe mulekitë). Përveç mulekitëve, grupit të Lehit dhe jareditëve ka mundësi të ketë pasur grupe të tjerë popujsh që kanë ardhur në kontinentin amerikan. Libri i Mormonit nuk pretendon të jetë anali i të gjithë popujve që banuan në kontinentet e lashta amerikane. Presidenti Antoni W. Ajvins, i Presidencës së Parë, tha:

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm në përfundimet që arrijmë. Libri i Mormonit jep mësim për historinë e tre popujve të ndryshëm … të cilët erdhën nga bota e vjetër në këtë kontinent. Ai nuk na thotë se nuk kishte asnjë njeri përpara tyre këtu. Nuk na thotë se nuk erdhën njerëz më pas. Dhe kështu, nëse janë bërë zbulime të cilat sugjerojnë dallime në origjinat racore, kjo mund të shpjegohet fare lehtë dhe në mënyrë të arsyeshme, sepse ne vërtet besojmë se njerëz të tjerë erdhën në këtë kontinent” (në Conference Report, prill 1929, f. 15).