Biblioteka
Njësia 26 e Studimit në Shtëpi


Mësimi i Studimit në Shtëpi

3 Nefi 17–22 (Njësia 26)

Materiali Përgatitor për Mësuesin e Studimit në Shtëpi

Përmbledhje e Mësimeve të Studimit të Përditshëm në Shtëpi

Përmbledhja e mëposhtme e doktrinave dhe e parimeve që studentët mësuan ndërsa studiuan 3 Nefin 17–22 (njësia 26) nuk ka për qëllim të jepet si pjesë e mësimit tuaj. Mësimi që jepni, përqendrohet vetëm te disa nga këto doktrina dhe parime. Ndiqni nxitjet e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i mbani parasysh nevojat e studentëve tuaj.

Dita 1 (3 Nefi 17)

Ndërkohë që studentët studiuan fjalët e Jezu Krishtit drejtuar turmës nefite, ata mësuan se, duke përsiatur dhe duke iu lutur Atit, ne mund të marrim kuptueshmëri më të madhe të mësimeve të Shpëtimtarit. Shpëtimtari iu përgjigj dëshirës së nefitëve që të qëndronte me ta për një kohë më të gjatë, duke i shëruar të sëmurët e tyre dhe duke i bekuar fëmijët e tyre. Kur studentët lexuan për këto ngjarje, ata mësuan se Jezu Krishti ndien dhembshuri të madhe për ne.

Dita 2 (3 Nefi 18)

Shpëtimtari i administroi sakramentin turmës. Studentët mësuan se, kur marrim sakramentin, ne i dëshmojmë Atit se gjithmonë jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që Ai ka urdhëruar dhe se ne gjithmonë do ta kujtojmë Jezu Krishtin. Ata gjithashtu mësuan se, ndërsa e marrim sakramentin dhe gjithmonë e kujtojmë Shpëtimtarin, ne vërtet do të kemi Shpirtin e Tij të jetë me ne. Mësimet e Shpëtimtarit rreth lutjes i ndihmuan studentët të kuptojnë se, nëse do të jemi vërtet vigjilentë dhe i lutemi gjithmonë Atit, ne mund t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanit. Ata gjithashtu mësuan se, ndërsa u shërbejmë të tjerëve, ne mund t’i ndihmojmë ata të vijnë te Krishti.

Dita 3 (3 Nefi 19)

Pasi Shpëtimtari u largua në fund të ditës së Tij të parë me nefitët, dishepujt u dhanë mësim njerëzve. Ata u lutën për Frymën e Shenjtë dhe e morën atë. Studentët mësuan se dëshirat dhe lutjet tona të drejta mund të na kualifikojnë për t’u mbushur me Frymën e Shenjtë. Shpëtimtari u shfaq përsëri dhe falënderoi Atin për pastrimin e dishepujve të Tij. Studentët mësuan se, kur ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, ne mund të pastrohemi dhe bëhemi një me Jezu Krishtin, ashtu si Ai është një me Atin.

Dita 4 (3 Nefi 20–22)

Jezu Krishti përsëri administroi sakramentin. Studentët mësuan se, nëse e marrim me denjësi sakramentin, ne mund të mbushemi me Frymën e Shenjtë. Shpëtimtari më pas u mësoi nefitëve se Ati do ta plotësojë besëlidhjen e Tij për ta mbledhur shtëpinë e Izraelit në ditët e fundit. Studentët gjithashtu mësuan se, si fara e Abrahamit, ne kemi përgjegjësi besëlidhëse t’i bekojmë të gjithë njerëzit e tokës duke e ndarë ungjillin me ta.

Hyrje

Ky mësim mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë dhembshurinë dhe mëshirën që Shpëtimtari ndjen për popullin e Tij. Përveç kësaj, ndërsa studentët shqyrtojnë këshillën e Zotit për t’u lutur, ata mund të marrin parasysh mënyra për t’i bërë lutjet e tyre vetjake dhe familjare më domethënëse.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 17

Shpëtimtari shëron të sëmurët, i lutet Atit për njerëzit dhe i bekon fëmijët e tyre

I ftoni studentët të mendojnë për njeriun që njohin që tregon më shumë përkujdesje. Më pas pyetni: Për kë menduat? Si tregon ky njeri dashuri për të tjerët dhe për ju?

Paraqitni figurën Jezusi Shëron Nefitët (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 83) dhe Jezusi Bekon Fëmijët Nefitë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 84). Më pas pyetni: Çfarë mësuat rreth dashurisë së Shpëtimtarit për njerëzit gjatë studimit tuaj të Librit të Mormonit javën që shkoi?

Shkruani të vërtetën vijuese në tabelë: Shpëtimtari ndien dhembshuri të madhe për ne. Nën këtë thënie, shkruani referencën që vijon të shkrimeve të shenjta: 3 Nefi 17:7, 9, 11, 15–17, 21, 24. I ftoni studentët t’i shqyrtojnë këto vargje dhe të zgjedhin një që paraqet veçanërisht të vërtetën e shkruar në tabelë. Pas një kohe të mjaftueshme, ju mund të doni të bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si tregon vargu që zgjodhët se Shpëtimtari ndien dhembshuri të madhe për ne?

  • Çfarë mësoni rreth Shpëtimtarit nga fakti që Ai u shërbeu njerëzve “një e nga një”? (3 Nefi 17:21).

  • Si ju ndihmon dituria rreth dhembshurisë së Shpëtimtarit të ushtroni besim më të madh tek Ai dhe të ndieni dashuri më të madhe për Të?

3 Nefi 18–19

Jezusi i mësoi njerëzit t’i luten Atit gjithmonë dhe të mblidhen shpesh së bashku

I ndani studentët në dyshe dhe i kërkoni secilës dyshe të bëjë një listë të pesë prej tundimeve më sfiduese që besojnë se rinia po i has sot. Kur të kenë mbaruar, ftoni secilën dyshe të lexojë 3 Nefin 18:15–20 dhe kërkoni këshillën që dha Shpëtimtari për kapërcimin e tundimeve. U kërkoni dy ose tre studentëve të thonë një parim që gjejnë në këto vargje. Një parim që mund të përcaktojnë është që, nëse do të jemi vërtet vigjilentë dhe do t’i lutemi Atit gjithmonë, ne mund t’u bëjmë ballë tundimeve të Satanit.

Bëjuni studentëve pyetjet që vijojnë:

  • Si mendoni ju, për çfarë duhet të jetë vigjilent një i ri/e re me qëllim që t’i bëjë ballë njërit prej tundimeve në listën tuaj?

  • Për çfarë mund të lutet një i ri/e re që do ta ndihmonte atë për t’i bërë ballë një prej tundimeve në listën tuaj? Si ju ndihmon lutja drejtuar Atit Qiellor që të mbeteni të fortë?

Për t’i ndihmuar studentët t’i forcojnë dëshmitë e tyre për lutjen familjare, ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 18:21. Më pas pyetni: Çfarë bekimesh keni marrë nga të luturit me familjen tuaj?

Ftojeni një student të lexojë tregimin që vijon nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, i cili foli për fuqinë e lutjes familjare:

“Lutja familjare është një ndikim i fuqishëm dhe mbështetës. Gjatë ditëve të errëta të Luftës II Botërore, një bombë 250 kg ra jashtë shtëpisë së vogël të vëllait Peti, një ati të ri në Liverpul në Angli, por bomba nuk plasi. Bashkëshortja e tij kishte vdekur, prandaj ai po i rriste i vetëm pesë fëmijët e tij. Ai i mblodhi ata së bashku për lutje familjare në atë kohë aq të shqetësuar. Ata ‘të gjithë u lutën … me zell dhe kur e kishin mbaruar lutjen, fëmijët thanë: “Babi, do të jemi vërtet mirë që të gjithë. Do të jemi vërtet mirë që të gjithë në shtëpinë tonë sonte.”

Dhe kështu shkuan në shtrat, përfytyroni, me atë bombë të tmerrshme që shtrihej jashtë derës, gjysmë e zhytur në tokë.’ …

Të nesërmen në mëngjes … e tërë lagjja u largua për dyzet e tetë orë dhe bomba më së fundi u hoq. …

Në rrugë duke u kthyer, vëllai Peti e pyeti mbikqyrësin e A.R.P.-së (Masave Paraprake për Bombardimet Ajrore). Mbikqyrësi: “Pra, çfarë gjetët?”

“Z. Peti, ne mbërritëm te bomba jashtë derës tuaj dhe e gjetëm gati të shpërthente në çdo çast. Nuk kishte asgjë që s’shkonte me të. Jemi të habitur përse nuk plasi.”’ Gjëra të mrekullueshme ndodhin kur familjet luten së bashku” (“The Lifeline of Prayer”, Ensign, maj 2002, f. 61).

U bëni studentëve pyetjet që vijojnë, duke qenë i ndjeshëm ndaj studentëve familjet e të cilëve mund të mos luten së bashku:

  • Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar familjen tuaj që të ketë lutje familjare më të vazhdueshme dhe më domethënëse?

  • Si mendoni ta bëni lutjen familjare një përparësi për familjen tuaj të ardhshme?

Shpjegoni se, kur Shpëtimtari u kthye ditën e dytë për t’i mësuar nefitët, sikurse shënohet tek 3 Nefi 19, Ai përsëri i këshilloi dishepujt nefitë të luteshin. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 19:9, 13 dhe i bëni studentët të përcaktojnë se për çfarë u lutën dishepujt. Pyetni: Çfarë parimi mund të mësojmë nga përvoja e dishepujve nefitë? (Sa vijon është një mënyrë se si studentët mund ta shprehin këtë parim: Dëshirat dhe lutjet tona të drejta mund të na kualifikojnë për t’u mbushur me Frymën e Shenjë.)

Më pas i pyetni studentët: Kur keni dëshiruar dhe jeni lutur me çiltërsi për shoqërimin e Frymës së Shenjtë? Si u bekuat ngaqë e bëtë këtë?

3 Nefi 20–22

Në ditët e mëvonshme, Perëndia do të fillojë ta mbledhë shtëpinë e Izraelit

Shpjegoni se, pasi i mësoi nefitët rreth lutjes, Shpëtimtari filloi t’i mësonte ata rreth mbledhjes së shtëpisë së Izraelit në ditët e fundit. Ftojeni një student të lexojë 3 Nefin 21:9. E bëni klasën ta ndjekë, duke kërkuar fjalët që përshkruajnë punën e Zotit. Më pas pyetni:

  • Cilës mendoni se i drejtohet shprehja “një vepër madhështore dhe e mrekullueshme”? (Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, që përfshin daljen në dritë të Librit të Mormonit.)

  • Sipas mendimit tuaj, çfarë është madhështore dhe e mrekullueshme rreth Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit?

U kërkoni studentëve të shqyrtojnë 3 Nefin 21:10–11 dhe të mendojnë rreth atij që Zoti po e përshkruante si “shërbëtori im”. Pyetni: Cilat fjalë ose fraza ju ndihmojnë të dini se Zoti po përshkruan Profetin Jozef Smith? Më pas paraqitni figurën Jozef Smithi në Burgun e Libertisë (Libri i Fotografive Artistike të Ungjillit, nr. 97).

Pyetni: Si ka treguar Perëndia nëpërmjet Jozef Smithit se “urtësia [e Tij] është më e madhe se dinakëria e djallit”?

Në përfundim, i ftoni studentët të japin dëshmitë e tyre për Profetin Jozef Smith dhe Rivendosjen e ungjillit. Ndani dëshminë tuaj për këto gjëra me studentët tuaj.

Njësia Tjetër (3 Nefi 23–30)

I ftoni studentët të përfytyrojnë se Shpëtimtari u tha atyre që Ai do t’u jepte çfarëdo që dëshironin. Shpjegoni se, ndërsa studiojnë 3 Nefin 23–30 në javën që vjen, ata do të mësojnë rreth dymbëdhjetë burrave që e patën këtë përvojë dhe për atë që ata kërkuan.