Biblioteka
Mësimi 130: 3 Nefi 21–22


Mësimi 130

3 Nefi 21–22

Hyrje

Ndërkohë që Jezu Krishti vazhdoi t’i mësonte nefitët, Ai shpjegoi se dalja në dritë e Librit të Mormonit në ditët e fundit, do të ishte një shenjë se Ai e kishte filluar mbledhjen e Izraelit dhe plotësimin e besëlidhjes së Tij me popullin e Tij. Duke theksuar dashurinë e Tij të madhe për popullin e Tij të besëlidhjes, Shpëtimtari citoi profecitë e Isaias rreth rivendosjes së popullit të besëlidhjes.

Sugjerime për Mësimdhënien

3 Nefi 21:1–11

Jezu Krishti na mëson se dalja në dritë e Librit të Mormonit do të jetë një shenjë e mbledhjes së Izraelit në ditët e fundit

Përpara orës së mësimit, vizatoni shenjat që vijojnë në tabelë (ose përdorni shenja të tjera që janë të zakonshme atje ku jetoni).

Pamja
shenja e një njeriu në karrocë invalidi
Pamja
shenja e kalimit të rrugës
Pamja
shenja e daljes
Pamja
shenja e rrugës me dy drejtime

U kërkoni studentëve të përcaktojnë se çfarë do të thotë secila shenjë. Pastaj bëni pyetjet e mëposhtme:

  • Për çfarë përdoren shenjat? (Për të na përgatitur, paralajmëruar dhe udhëzuar.)

  • Përse është e rëndësishme që një shenjë të vendoset siç duhet dhe që mesazhi i shenjës të jetë i lehtë për t’u kuptuar?

I kujtoni studentët se shkrimet e shenjta shpesh flasin për shenja që na përgatitin, paralajmërojnë dhe udhëzojnë lidhur me plotësimin e planit të Atit Qiellor. I ftoni studentët të shohin nëpër 3 Nefin 21:1–2, 7, duke kërkuar fjalën shenjë. Ju mund të doni të sugjeroni që ta shenjojnë fjalën kudo që shfaqet në ato vargje. Më pas u kërkoni të lexojnë me kujdes në heshtje vargun 1.

  • Përse tha Zoti se Ai do ta jepte këtë shenjë të veçantë? (Me qëllim që njerëzit do të dinë se Ai po e mbledh shtëpinë e Izraelit.)

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 21:1–7 dhe u kërkoni atyre të shënojnë frazat “këto gjëra” e “këto vepra” dhe të marrin parasysh se cilave u drejtohen këto fraza.

  • Duke u folur nefitëve, Shpëtimtari foli për “këto gjëra që po ju njoftoj” (3 Nefi 21:2). Ku do të shënoheshin fjalët e Tij drejtuar nefitëve? (Në Librin e Mormonit.)

  • Sipas këtyre vargjeve, cila është një shenjë që Perëndia po i plotëson besëlidhjet e Tij në ditët e mëvonshme? (I ndihmoni studentët të përcaktojnë të vërtetën që vijon [shkruajeni atë në tabelë]: Sjellja në dritë e Librit të Mormonit është shenjë se Perëndia po e plotëson besëlidhjen e Tij për ta mbledhur Izraelin në ditët e mëvonshme.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë thënien që vijon nga Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. I kërkoni klasës të dëgjojë për të gjetur mënyra se si Libri i Mormonit i ndihmon njerëzit të mblidhen te puna e Zotit.

Pamja
Plaku Rasëll M. Nelson

“Libri i Mormonit është thelbësor për këtë punë. Ai shpall doktrinën e mbledhjes. I bën njerëzit të mësojnë rreth Jezu Krishtit, ta besojnë ungjillin e Tij dhe të bashkohen me Kishën e Tij. Në fakt, nëse nuk do të kishte Libër të Mormonit, mbledhja e premtuar e Izraelit nuk do të ndodhte” (“The Gathering of Scattered Israel”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 80).

  • Kur ju ka ndihmuar Libri i Mormonit në këto mënyra? Kur e keni parë Librin e Mormonit t’i ndihmojë të tjerët në këto mënyra?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 21:9 dhe i kërkoni klasës të shënojë frazën “një vepër madhështore dhe e mrekullueshme”. Vini në dukje se kjo frazë i drejtohet Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, që përfshin sjelljen në dritë të Librit të Mormonit.

  • Çfarë është madhështore dhe e mrekullueshme rreth Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit?

Pamja
Vëllai Jozef

Vini në dukje se 3 Nefi 21:9 i drejtohet “një njeri[u]”. I ftoni studentët të marrin parasysh se kush mund të ishte ky njeri. Më pas paraqitni një fotografi të Jozef Smithit (ndoshta figurën Vëllai Jozef ose figurën Vegimi i Parë [Libri i Figurave Artistike të Ungjillit (2009), nr. 87 ose nr. 90]). U tregoni studentëve se Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përcaktoi njeriun si Jozef Smithin (shih Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 287–288). I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 21:10–11, duke përsiatur se si Profeti Jozef Smith i përputhet përshkrimit në këto vargje.

  • Si ka treguar Perëndia nëpërmjet Jozef Smithit se “urtësia [e Tij] është më e madhe se dinakëria e djallit”?

  • Sipas 3 Nefit 21:11, çfarë do t’u ndodhë atyre që nuk i besojnë fjalët e Krishtit, të cilat u nxorën në dritë nëpërmjet Jozef Smithit? (Ata do të “veçohe[n]” nga bekimet që vijnë nëpërmjet besëlidhjeve.)

3 Nefi 21:12–22:17

Shpëtimtari flet për shkatërrimin e të papenduarve dhe rivendosjen e popullit të Tij, i cili do të pendohet dhe kthehet tek Ai

Përmblidhni 3 Nefin 21:12–21 duke shpjeguar se Shpëtimtari u dha një paralajmërim atyre në ditët e fundit që nuk do të besojnë tek Ai dhe nuk do të pendohen. Ai tha se zotërimet e tyre materiale, qytetet, fortesat dhe praktikat e tyre të liga do të shkatërroheshin. Ai gjithashtu tha se ata do të përjashtoheshin nga populli i Tij i besëlidhjes.

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 21:22, 25–28, duke kërkuar për bekime dhe përgjegjësi që do t’u vijnë në ditët e fundit atyre që do të pendohen dhe do t’ua vënë veshin fjalëve të Shpëtimtarit.

I pyetni studentët se si mund t’i përmblidhnin mësimet tek 3 Nefi 21:12–22, 25–28. Ftojeni një student t’i shkruajë përgjigjet e tyre në tabelë. Më pas i përmblidhni të gjitha përgjigjet në tabelë duke vënë në dukje se, kur pendohemi dhe ua vëmë veshin fjalëve të Shpëtimtarit, ne mblidhemi si pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes. (Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë.)

Vizatoni një çadër në tabelë ose në një fletë letre (ju mund të doni ta bëni këtë para orës mësimore). Shpjegoni se Jezu Krishti citoi një profeci që Ai e kishte frymëzuar profetin Isaia ta shkruante shekuj më parë. Në këtë profeci, Isaia e krahasoi Kishën, me besëlidhjet dhe bekimet e saj, me një çadër.

Pamja
çadër
  • Cilat janë disa përparësi të të qenit nën mbulimin e një çadre? (Përgjigjet mund të përfshijnë që një çadër siguron mbrojtje nga stuhitë dhe hije nga dielli.)

  • Si është Kisha e ngjashme me një çadër?

I kërkoni një studenti të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 22:2.

  • Përse kjo “çadër” mund të ketë nevojë të zgjerohet dhe forcohet në ditët e mëvonshme? (Sepse shumë njerëz do të bashkohen me Kishën ose do të kthehen te besëlidhjet e tyre me Zotin.) Çfarë mund të bëni që të ndihmoni për ta zgjeruar çadrën dhe për t’i forcuar kunjet? (I nxitni studentët të veprojnë sipas përgjigjeve të tyre për këtë pyetje.)

Shpjegoni se në po këtë profeci, Isaia përdori një metaforë tjetër. Ai iu drejtua shtëpisë së Izraelit si një grua, bashkëshorti i së cilës është Zoti. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 3 Nefin 22:4–5 dhe vëreni klasën të kërkojnë fjalë ngushëllimi për gruan.

  • Çfarë fjalësh ngushëllimi shihni tek 3 Nefi 22:4? (Përgjigjet mund të përfshijnë “nuk do të turpërohesh” dhe “nuk do të kujtosh më turpin [çnderimin] e vejërisë sate”.) Përse është ngushëlluese të dimë se “bashkëshorti” është “Shëlbuesi, i Shenjti i Izraelit”? (3 Nefi 22:5).

  • Si janë këto vargje të ngjashme me përgjigjen e Shpëtimtarit për ne kur mëkatojmë?

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje 3 Nefin 22:7–10, duke kërkuar premtimet që Shpëtimtari i bën popullit të Tij të besëlidhjes, i cili kthehet tek Ai.

  • Çfarë u premton Shpëtimtari atyre që kthehen tek Ai?

  • Cilat janë disa të vërteta që mësojmë rreth Zotit në këto vargje? (Studentët mund të japin disa përgjigje të ndryshme për këtë pyetje. Sigurohuni që ata e përcaktojnë të vërtetën që vijon: Zoti tregon mirësi dhe mëshirë të përhershme ndaj njerëzve që kthehen tek Ai. Ju mund të dëshironi ta shkruani në tabelë këtë të vërtetë. Gjithashtu mund të merrni parasysh të sugjeroni që studentët ta shkruajnë atë në shkrimet e tyre të shenjta pranë 3 Nefit 22:7–10.)

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë më mirë 3 Nefin 22:4–10, merrni parasysh leximin e thënies vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Xhefri R. Holland

“Edhe pse ka pasur shterpësi dhe nganjëherë pabesnikëri, përsëri bashkëshorti (Krishti) do ta rifitojë dhe shëlbejë nusen e tij (Izraelin). Shëmbëlltyra e Jehovait si dhëndri dhe i Izraelit si nuse është mes metaforave më të zakonshme, të përdorura në shkrimet e shenjta, duke u përdorur nga Zoti dhe profetët e tij për të përshkruar marrëdhënien midis Hyjnisë dhe fëmijëve të besëlidhjes.

… Krishti, sipas rastit, ka qenë i zemëruar me të drejtë me Izraelin besëshkelës, por ky gjithmonë ka qenë ‘një çast i vogël’ – i shkurtër dhe i përkohshëm. Dhembshuria dhe mëshira gjithmonë kthehen dhe mbizotërojnë në mënyrën më të sigurt. Malet dhe kodrat mund të zhduken. Uji i detërave të mëdha mund të thahet. Gjërat më pak të mundshme në botë mund të ndodhin, por mirësia dhe paqja e Zotit nuk do të largohen kurrë prej popullit të tij të besëlidhjes. Ai është betuar me një betim qiellor se nuk do të jetë i zemëruar me ta përgjithmonë” (Christ and the New Covenant, f. 290).

  • Çfarë provash të mëshirës dhe mirësisë së Shpëtimtarit keni parë në jetën tuaj? (Sigurohuni që studentët e kuptojnë se nuk kanë nevojë të tregojnë ndonjë gjë që është tepër personale apo e fshehtë.)

  • Si e ndikon besnikërinë tonë ndaj besëlidhjeve një njohuri për mëshirën dhe mirësinë e Shpëtimtarit?

Shpjegoni se Shpëtimtari vazhdoi t’i mësonte nefitët për bekimet që i presin të drejtët. I ftoni studentët të kërkojnë në heshtje 3 Nefin 22:13–17, duke parë për një bekim të premtuar që është veçanërisht domethënës për ta. Vini në dukje se, ndërkohë që lexojmë rreth këtyre bekimeve të premtuara, ne kuptojmë se populli i Zotit do të vendoset në drejtësi dhe do të triumfojë mbi ligësinë.

Mbylleni me dëshminë tuaj mbi të vërtetat për të cilat është diskutuar në këtë mësim. I ftoni studentët të shkruajnë tri ose katër fjali në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth një gjëje që ata mund të bëjnë sot për t’u kualifikuar për bekimet që Zoti dëshiron t’iu japë atyre.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

3 Nephi 21:12–13. “Si një luan mes bishave të pyllit”

Duke iu drejtuar mësimeve tek 3 Nefi 20:16, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bëri thënien që vijon. Komentet e tij gjithashtu mund të zbatohen tek 3 Nefi 21:12–13.

“Këto fjalë të Zotit tonë drejtuar nefitëve citohen nga Mikea 5:8–9 dhe iu drejtohen shkatërrimeve dhe djegies përfundimtare që do t’i shkatërrojnë të ligjtë në Ardhjen e Dytë. Përveç pak vetave, që janë ndjekësit e përulur të Krishtit, johebrenjtë nuk do të pendohen. Ata do të dehen në fëlliqësitë dhe mëkatin e tyre ndaj ungjillit të rivendosur dhe do të digjen nga shkëlqimi i ardhjes së Zotit tonë, ndërkohë që të drejtët – të quajtur këtu mbetja e Jakobit – do ta durojnë ditën. Dhe më pas, në shëmbëlltyrën profetike, do të jetë sikurse mbetja e Izraelit t’i mposhtte armiqtë e saj si një luan i ri mes grigjave të deleve” (The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f. 248).

3 Nefi 21:22. “Unë do ta vendos kishën time mes tyre”

Mbledhja e Izraelit ndodh kur njerëzit besojnë në Jezu Krisht dhe bëhen pjesë e Kishës së Tij (shih 1 Nefin 15:14–16; 2 Nefin 9:1–2; 3 Nefin 5:20–26; 21:22; Mormonin 9:36–37). Plaku Brus R. Mek-Konki na mësoi:

“Askush nuk mblidhet ndonjëherë me Izraelin, deri sa ata të pranojnë të Kryqëzuarin. Mbledhja e tanishme e judenjve në Palestinë është politike, por jo shpirtërore, dhe nuk është mbledhja e Izraelit për të cilën flasin profecitë.

Mbledhja e Izraelit përbëhet nga bashkimi me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kishë e cila është e vetmja kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi tërë faqen e tokës” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 564, 565; shih edhe faqet 511, 519–520 dhe The Millennial Messiah: The Second Coming of the Son of Man [1982], f, 229).

3 Nefi 21:22–25. Jerusalemi i Ri

Daniel L. Ladlou qartësoi se kush do ta ndërtojë qytetin e Jerusalemit të Ri:

“‘Jeruzalemi i Ri’ i ditëve të fundit do të ndërtohet në kontinentin amerikan nga 1) ‘mbetja e Jakobit’, 2) johebrenjtë që ‘do të hyjnë në besëlidhje dhe do të numërohen mes … mbetje[s së] Jakobit’ dhe 3) ‘të gjithë ata të shtëpisë së Izraelit që do të vijnë’.3 Nefi 21:22–25. Lexoni edhe 3 Nefin 20:22; Ethërin 13:1–12.)”(A Companion to Your Study of the Book of Mormon [1976], f. 281).

3 Nefi 22:2. “Forco kunjat e tua”

Presidenti Ezra Taft Benson e shpjegoi kuptimin e fjalës kunj siç përdoret tek 3 Nefi 22:2 dhe fragmentet e tjera të shkrimeve të shenjta:

“Fjala kunj është një shprehje simbolike. Përfytyrojeni në mendjen tuaj një çadër të madhe që mbahet nga litarë të zgjatur te shumë kunja, të cilët janë siguruar fort në tokë.

Profetët e krahasuan Sionin e ditëve të mëvonshme me një çadër të madhe që qarkon tokën. Ajo çadër mbështetej nga litarë të mbërthyer në kunja. Ata kunja, sigurisht, janë organizatat e ndryshme gjeografike të shpërndara në mbarë tokën. Tashmë, Izraeli po mblidhet në kunjet e ndryshëm të Sionit” (“Strengthen Thy Stakes”, Ensign, janar 1991, f. 2).