Biblioteka
Mësimi 148: Ethëri 7–11


Mësimi 148

Ethëri 7–11

Hyrje

Vëllai i Jaredit u pikëllua nga kërkesa e popullit të tij që të udhëhiqej nga një mbret. Ai tha: “Me siguri, kjo gjë do t’ju shpjerë në robëri” (Ethëri 6:23). Profecia e tij u përmbush dy breza më vonë. Gjatë mbretërimeve të shumë mbretërve, jareditët kaluan nëpër dica cikle dëgjimi me vëmendje të profetëve dhe jetese në drejtësi dhe mandej kundërshtimi të profetëve dhe jetese në ligësi.

Sugjerime për Mësimdhënien

Ethëri 7

Oriha dhe Kibi sundojnë me drejtësi; Korihori rebelohet dhe merr mbretërinë, dhe vëllai i tij Shule e rimerr atë; dhe profetët kundërshtojnë ligësinë e njerëzve

Vizatoni një qeli të thjeshtë burgu në tabelë.

Pamja
qeli burgu

Kërkojuni studentëve të përshkruajnë se si mund të ndihen njerëzit kur janë në robëri. Theksoni se sjellja mëkatare mund t’i çojë njerëzit në robëri shpirtërore dhe fizike.

  • Në çfarë mënyrash sjelljet mëkatare çojnë në robëri?

Studentët mund të përmendin ide të tilla si më poshtë: Zgjedhja për të shkelur Fjalën e Urtësisë ose të shikuarit pornografi mund të çojë në robërinë e varësisë. Të gjitha format e mëkatit ulin fuqinë e Shpirtit të Shenjtë në jetën tonë. Shpjegoni se ky mësim do t’i ndihmojë studentët të shohin se si mund ta shmangin robërinë.

Shpjegoni se, kur vëllai i Jaredit mësoi se njerëzit donin një mbret, ai i paralajmëroi se zgjedhja e tyre do të shpinte në robëri (shih Ethëri 6:22–23). Pavarësisht kësaj, populli jaredit zgjodhi të ketë një mbret. Mbreti i tyre i parë ishte Oriha, një nga bijtë e Jaredit. Mbreti i tyre i dytë ishte biri i Orihas, Kibi.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 7:1–2 për të mësuar nëse profecia e vëllait të Jaredit qe përmbushur në ditët e Orihas. Kërkojuni atyre të raportojnë për atë që mësojnë.

  • Çfarë do t’i thoshit dikujt që jetonte në kohën e mbretit Oriha dhe nuk besonte që profecia e vëllait të Jaredit do të përmbushej?

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 7:3–7, duke kërkuar mënyrën me të cilën profecia e vëllait të Jaredit filloi të përmbushej. Kërkojuni të raportojnë për atë që gjejnë. Sigurohuni që të kuptojnë se mbreti Kibi dhe populli i tij ishin sjellë në robëri – “Kibi jetoi në robëri dhe populli i tij” (Ethëri 7:7).

  • Çfarë parimesh keni parë deri tani tek Ethëri 7? (Ndërsa studentët tregojnë atë që kanë mësuar, sigurohuni që parimi vijues të jetë i qartë: Kundërshtimi i fjalëve të profetëve mund të çojë në robëri.)

Ftojini studentët të lexojnë Ethërin 7:8–13 për të mësuar rreth Shules, që i lindi Kibit ndërsa ai ishte në robëri. Përpara se të lexojnë, kërkojuni të përfytyrojnë sikur të jenë reporterë lajmesh të caktuar për të mbuluar rrëfimin e Ethërit 7:8–13. Pastaj kërkojini secilit student të raportojë te një anëtar tjetër i klasës se çfarë ai apo ajo do të theksonin nga rrëfimi.

Përmblidhni Ethërin 7:14–22 duke shpjeguar se, pasi Shule u bë mbret dhe Korihori u pendua për çka kishte bërë, biri i Korihorit, Noeu, udhëhoqi një rebelim kundër Shules dhe Korihorit. Shule u mor në robëri. Bijtë e Shules qenë në gjendje ta vrasin Noeun dhe të lironin Shulen, dhe Shule u kthye në mbretërinë e vet si mbret. Sidoqoftë, biri i Noeut, Kohori, e mbajti mbretërinë ku Noeu pati sunduar. Vendi ishte ndarë midis dy mbretërve dhe dy popujve, deri në një betejë në të cilën Shule e vrau Kohorin. Biri i Kohorit, Nimrodi, i dha Shules pjesën e mbretërisë së Kohorit.

Shpjegoni se, pasi Shule rimori mbretërinë, profetët erdhën midis njerëzve. Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Ethërin 7:23–25, duke gjetur atë që profetët thanë dhe se si reaguan njerëzit. Pasi studentët të raportojnë mbi atë që kanë gjetur, pyetni:

  • Si iu përgjigjën njerëzit profetëve? Si u përgjigj Shule?

  • Si e bekoi popullin e tij mbrojtja që Shulja u bëri profetëve?

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 7:26–27. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për çka ndodhi kur njerëzit iu bindën fjalëve të profetëve. Ndërsa studentët raportojnë çfarë kanë gjetur, sigurohuni që të gjejnë parimin vijues: Ndërsa ndjekim këshillën e profetëve dhe kujtojmë Zotin, ne fillojmë të përparojmë.

  • Si keni qenë bekuar për shkak se i jeni bindur këshillës së profetëve?

Nxitini studentët të mendojnë për një mënyrë me të cilën ata mund të dëgjojnë me kujdes dhe t’u binden fjalëve të profetëve.

Ethëri 8:1–9:13

Jaredi dhe më pas Akishi bëhen mbretër jareditë nëpërmjet lidhjeve të fshehta

Përmblidhni Ethërin 8:1–14 duke shpjeguar se, pasi vdiq Shule, Omeri u bë mbret. Biri i Omerit, Jaredi, ngriti krye kundër babait të tij dhe e kishte vënë zemrën e tij te të bërit mbret. Ai qe në gjendje të fitonte gjysmën e mbretërisë për një kohë, por ai u mund më vonë dhe u detyrua të dorëzonte gjysmën e mbretërisë së tij. Pastaj bija e Jaredit planifikoi një mënyrë për Jaredin që të bëhej mbret. Ajo i kujtoi babait të saj për lidhjet e fshehta të njohura në kohët e lashta. Ajo pastaj tha se do të kërcente përpara një burri të quajtur Akish, për të cilin ajo dinte se ai donte të martohej me të. Kur Akishi do ta kërkonte atë për martesë, Jaredi do t’i thoshte Akishit që ai duhej të vriste Omerin, mbretin. Jaredi dhe bija e tij e bënë këtë plan. Akishi e kërkoi bijën e Jaredit për t’u martuar dhe pastaj hyri në një lidhje të fshehtë me miqtë e tij për të vrarë Omerin, mbretin.

Theksoni se, për shkak të këtij plani, lidhje të fshehta filluan midis jareditëve dhe më në fund shkaktuan shkatërrimin e tyre. Shpjegoni se një lidhje e fshehtë është “një organizatë njerëzish të lidhur së bashku me anë të betimeve për të kryer qëllimet e liga të grupit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lidhje të Fshehta”, f. 106, scriptures.lds.org). Hajdutët e Gadiantonit janë një shembull i një organizate te Libri i Mormonit që përdori lidhje të fshehta për të përmbushur qëllimet e saj të këqija.

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Ethërin 8:15–19, duke parë për atë që bëri Akishi për të krijuar një lidhje të fshehtë. Kërkojuni studentëve të kërkojnë atë që na mësojnë këto vargje rreth lidhjeve të fshehta.

  • Cilat janë shtysat e atyre që përqafojnë lidhje të fshehta? (Për të fituar pushtet që të mund të bëjnë vepra të liga.)

  • Fuqia e kujt është prapa lidhjeve të fshehta? (Djalli.)

  • Cila frazë tek Ethëri 8:18 tregon se si ndihet Zoti rreth lidhjeve të fshehta? (“Më e urryera dhe më e keqja mbi të gjitha.”)

Ftojeni një student të lexojë me zë Ethërin 8:20–22, 25. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për gjëra shtesë që mund të mësojnë rreth lidhjeve të fshehta. Kërkojuni atyre t’i kushtojnë rëndësi të veçantë efektit që kanë lidhjet e fshehta mbi shoqëritë. (Vini re se fraza “e ndërton atë” në fillim të Ethërit 8:25 i referohet të ndërtuarit të lidhjeve të fshehta.)

  • Nga ajo që lexuat, çfarë ndikimi kanë lidhjet e fshehta mbi shoqëritë? (Ndërsa studentët shprehin idetë e tyre, sigurohuni që të gjejnë të vërtetën vijuese: Mbështetja e lidhjeve të fshehta çon në shkatërrimin e shoqërive.)

Ftojeni klasën të lexojë në heshtje Ethërin 8:23–24, 26, duke parë për çka Moroni donte që ne të bënim si rezultat i paralajmërimeve të tij rreth lidhjeve të fshehta.

  • Çfarë na tha Moroni të bënim? (Kini kujdes nga lidhjet e fshehta dhe përpiquni të siguroheni që ato janë zhdukur në shoqëritë tona.)

  • Siç është shënuar tek Ethëri 8:26, cila ishte shpresa e Moronit për ne në ditët e fundit?

Përmblidhni Ethërin 9:1–13 duke shpjeguar se, si rezultat i lidhjeve të tyre të fshehta, Akishi dhe miqtë e tij qenë në gjendje të rrëzonin mbretërinë e Omerit. Sidoqoftë, Perëndia e paralajmëroi Omerin se duhej të arratisej me familjen e tij, duke shpëtuar kështu jetën e tyre. Biri i keq i Omerit, Jaredi, u bë mbret dhe ia dha bijën e tij Akishit për martesë. Akishi dhe miqtë e tij vazhduan planet e tyre të liga, duke vrarë Jaredin dhe madje birin e Akishit. Këto veprime çuan në luftë midis Akishit dhe bijve të tij që më në fund shkatërruan thuajse të gjithë jareditët dhe rivunë Omerin në fron. Theksoni se këto ngjarje tregojnë se lidhjet e fshehta çojnë në shkatërrimin e shoqërive.

Ethëri 9:14–11:23

Një mbret pason një tjetër, disa duke sunduar me drejtësi dhe të tjerë me ligësi

Shpjegoni se kapitujt 9–11 të Ethërit shënojnë se 24 mbretër të tjerë i sunduan jareditët pas Jaredit – disa me drejtësi dhe disa me ligësi. Kujtojuni studentëve parimin që vijon, i cili u diskutua më herët: Kundërshtimi i fjalëve të profetëve mund të çojë në robëri. Kërkojini gjysmës së klasës të studiojë Ethërin 9:26–35 (gjatë mbretërimit të Hethit) dhe i kërkoni gjysmës tjetër të studiojë Ethërin 11:1–8 (gjatë mbretërimit të Komit dhe Shiblomit). Kërkojuni të dy grupeve të kërkojnë fakte për këtë parim. Ftojini studentët të raportojnë shkurtimisht për çfarë gjejnë.

Jepni dëshminë tuaj rreth rëndësisë së ndjekjes së këshillës së profetëve. Ju mund të doni të tregoni një përvojë nga jeta juaj që ju mësoi për rëndësinë e ndjekjes së këshillës së profetëve.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Ethëri 7:23–27; 9:28–31. Profetët dhe mesazhet e tyre hidhen poshtë shpesh

Përse profetët shpallin mesazhe që nuk janë të dashura për shumë njerëz në botë? Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Profetët duhet të paralajmërojnë shpesh për pasojat e shkeljes së ligjeve të Perëndisë. Ata nuk predikojnë atë që është e dashur për botën. Përse profetët shpallin urdhërime jo të dashura dhe i bëjnë thirrje shoqërisë të pendohet për kundërshtimin, ndryshimin dhe madje shpërfilljen e urdhërimeve? Arsyeja është shumë e thjeshtë. Me marrjen e zbulesës, profetët nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të shpallin dhe të ripohojnë atë që Perëndia u ka dhënë për t’ia treguar botës” (“If Thou Wilt Enter into Life, Keep the Commandments”, Ensign, maj 1996, f. 37).

Plaku L. Aldin Porter, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

“Disa ankohen kur profetët flasin me qartësi dhe vendosmëri, se ata po na heqin lirinë tonë të zgjedhjes. Ne jemi ende të lirë të zgjedhim. Por ne duhet të pranojmë pasojat e atyre vendimeve. Profetët nuk na e heqin lirinë tonë të zgjedhjes. Ata thjesht na paralajmërojnë se cilat do të jenë pasojat e zgjedhjeve tona. Sa marrëzi të fajësosh profetët për paralajmërimet e tyre” (“Our Destiny”, Ensign, nëntor 1999, f. 66).