Biblioteka
Mësimi 12: 1 Nefi 8


Mësimi 12

1 Nefi 8

Hyrje

Te 1 Nefi 8, Lehi tregon vegimin e tij të pemës së jetës. Në vegim, Lehi merr nga fruta e pemës, e cila përfaqëson dashurinë e Perëndisë dhe bekimet që mund të marrim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Lehit i tregohen grupe të ndryshme njerëzish. Disa humbasin dhe nuk e arrijnë pemën. Të tjerë turpërohen pasi marrin nga fruta e pemës, dhe largohen në shtigje të ndaluara e humbasin. Të tjerë mbahen fort pas shufrës së hekurt, marrin nga fruta dhe mbeten të vërtetë dhe besnikë. Një grup tjetër zgjedh të mos e ndjekë fare shtegun për te pema e jetës.

Sugjerime për Mësimdhënien

1 Nefi 8:1–18

Lehi shikon një vegim në të cilin ai merr nga fruta e pemës së jetës dhe e fton familjen e vet të bëjë të njëjtën gjë

Ftojini studentët të mendojnë rreth rasteve kur e kanë ndier dashurinë e Atit Qiellor për ta. Kërkojini që të gjykojnë në heshtje se si ndikojnë zgjedhjet që bëjnë në afrimitetin e tyre me Perëndinë dhe në aftësinë e tyre për të ndier dashurinë e Tij. Pasi t’u keni dhënë kohë të mendohen, jepni dëshminë tuaj që Ati Qiellor e do secilin prej tyre. Teksa klasa studion 1 Nefin 8, nxitini studentët të kërkojnë gjërat që mund të bëjnë dhe gjërat që duhet të shmangin nëse duan t’i afrohen më shumë Perëndisë dhe ta ndiejnë dashurinë e Tij më me bollëk në jetën e tyre.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë 1 Nefin 8:2. Kërkojini klasës të përcaktojë atë që Lehi përjetoi pak pasi bijtë e tij u kthyen nga Jerusalemi me fletët e tunxhit. U thoni disa studentëve të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 8:5–12.

  • Çfarë objektesh ishin në qendër të vegimit të Lehit? (Pema e jetës dhe fruta e saj.)

  • Çfarë fjalësh dhe frazash përdori Lehi për të përshkruar frutën? (Shih 1 Nefin 8:10–11; ju mund të dëshironi t’u thoni studentëve të lexojnë edhe 1 Nefin 11:8–9 për të parë se si e përshkroi pemën Nefi.)

Shpjegoni se Zoti shpesh përdor objekte të njohura si simbole që të na ndihmojë të kuptojmë të vërteta të përjetshme. Që t’i ndihmoni studentët të përcaktojnë se çfarë përfaqësojnë pema dhe fruta në ëndrrën e Lehit, ftojeni një student të lexojë thënien në vijim nga Plaku Nil A. Maksuell i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Kërkojini klasës që të dëgjojë me kujdes dhe të përcaktojë se çfarë simbolizojnë pema dhe fruta.

Pamja
Plaku Nil A. Maksuell

“Pema e jetës … është dashuria e Perëndisë (shih 1 Nefin 11:25). Dashuria e Perëndisë për fëmijët e Tij është shprehur më thellësisht në dhuratën e Tij që është Jezusi, si Shëlbuesi ynë: ‘Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin’ (Gjoni 3:16). Të marrësh nga dashuria e Perëndisë është të marrësh nga Shlyerja e Jezusit dhe çlirimet e gëzimet që mund të sjellë ajo” (“Lessons from Laman and Lemuel”, Ensign, nëntor 1999, f. 8)

  • Sipas Plakut Maksuell, pema e jetës përfaqëson dashurinë e Perëndisë e cila na tregohet veçanërisht përmes cilës dhuratë? (Ndihmojini studentët të kuptojnë që Shlyerja e Jezu Krishtit është shprehja më e madhe e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij. Kur njerëzit në vegimin e Lehit morën nga fruta e pemës së jetës, kjo nënkuptonte që ata po merrnin bekimet e Shlyerjes.)

  • Çlirim do të thotë lirim ose shpengim. Si na shpengon Shlyerja e Jezu Krishtit nga robërimi dhe na sjell gëzim?

Për t’i ndihmuar studentët të përcaktojnë një prej parimeve të ilustruara te 1 Nefi 8:10–12, kërkojuni të gjejnë te 1 Nefi 8:11 fjalët që përshkruajnë atë që bëri Lehi (“Unë shkova përpara dhe hëngra nga fruti”). Pastaj u kërkoni që të shikojnë pasojat e veprimit të tij te 1 Nefi 8:12 (“ai ma mbushi shpirtin tim me një gëzim jashtëzakonisht të madh”). Ju gjithashtu mund të dëshironi t’u vini në dukje studentëve se, te 1 Nefi 8:10, Lehi e përshkroi frutën si “të dëshirueshëm për ta bërë dikë të lumtur”. (Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto fraza në shkrimet e tyre të shenjta.)

  • Çfarë ndjenjash përjetoi Lehi pasi mori nga fruta?

  • Si mund të “m[arrim]” ne [përfitimet] nga Shlyerja? (Përmes procesit të pendimit.)

  • Përse marrja prej Shlyerjes e mbush shpirtin tonë me “gëzim jashtëzakonisht të madh”?

Jepni dëshminë tuaj që ardhja te Jezu Krishti dhe përfitimi prej Shlyerjes sjell gëzim e lumturi. (Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në tabelë.)

  • Kur i ka sjellë gëzim e lumturi jetës tuaj Shlyerja e Shpëtimtarit? (Kujtojuni studentëve që nuk nevojitet të tregojnë përvoja që janë tepër personale apo të brendshme.)

1 Nefi 8:19–35

Në vegimin e tij, Lehi sheh grupe të ndryshme njerëzish dhe suksesin ose dështimin e tyre në arritjen tek pema e jetës

Pamja
Ëndrra e Lehit

Paraqitni figurën “Ëndrra e Lehit” (62620; Paketa e Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 69), dhe vini në dukje simbolet për të cilat klasa ka diskutuar tashmë: pemën dhe frutën. Shpjegoni se në këtë vegim, Zoti përdori edhe simbole të tjera që ta mësonte Lehin si të vinte te Jezu Krishti dhe të përfitonte prej Shlyerjes së Tij. Pyetini studentët se çfarë simbolesh të tjera shikojnë te figura. (Përgjigjet mund të përfshijnë lumin, shufrën e hekurit, mjegullën e errësirës dhe ndërtesën e gjerë dhe të madhe.)

Kujtojini studentët se Zoti i tregoi të njëjtin vegim Nefit. Më vonë, Nefi shkroi kuptimet e simboleve dhe të shëmbëlltyrave të ndryshme të vegimit (shih 1 Nefin 11, 12 dhe 15).

Përgatiteni tabelën në vijim në fletushka për shpërndarje ose paraqiteni në tabelë përpara se të fillojë ora mësimore. (Lëreni bosh kolonën e djathtë me përjashtim të referencave të shkrimeve të shenjta.) Ftojini studentët të përdorin referencat kryq që janë dhënë, për të përcaktuar shpjegimin e secilit element të vegimit të Lehit. Përsëritni së bashku si klasë simbolin e parë, pemën me frutën e bardhë. Lërini studentët të kalojnë pak minuta veçmas që të përcaktojnë kuptimin e katër simboleve të mbetura. (Ju mund të dëshironi të këshilloni që t’i shkruajnë përgjigjet e tyre te shkrimet e tyre të shenjta anash vargjeve përkatëse te 1 Nefi 8.)

Simboli tek Vegimi i Lehit

Shpjegimi i Dhënë prej Nefit

1 Nefi 8:10–12 – Pema me frutën e bardhë

1 Nefi 11:21–25 (Dashuria e Perëndisë; bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit)

1 Nefi 8:13 – Lumi me ujë të fëlliqur

1 Nefi 12:16; 15:26–29 (Fëlliqësia; thellësitë e ferrit)

1 Nefi 8:19 – Shufra e hekurit

1 Nefi 11:25 (Fjala e Perëndisë)

1 Nefi 8:23 – Mjegullat e errësirës

1 Nefi 12:17 (Tundimet e djallit)

1 Nefi 8:26 – Ndërtesa e gjerë dhe e madhe

1 Nefi 11:35–36; 12:18 (Kryelartësia dhe imagjinatat e kota të botës)

Ftojini studentët të tregojnë shpjegimet që kanë gjetur. Për t’i ndihmuar që të kuptojnë rëndësinë e 1 Nefit 8 në jetën e tyre, kërkojini një studenti që të lexojë thënien në vijim nga Presidenti Bojd K. Paker i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojeni klasën që të dëgjojë arsyen përse është e rëndësishme që ta studiojnë vegimin e Lehit:

“Ju mund të mendoni se ëndrra apo vegimi i Lehit nuk ka ndonjë kuptim të veçantë për ju, por në fakt ka. Ju jeni pjesë e saj, të gjithë ne jemi në të. …

Ëndrra apo vegimi i Lehit … ka brenda saj gjithçka që i duhet një shenjtori të ditëve të mëvonshme për të kuptuar provën e jetës” (“Finding Ourselves in Lehi’s Dream”, Ensign, gusht 2010, f. 22).

Ndërsa studentët studiojnë pjesën e mbetur të vegimit, nxitini që të kërkojnë të gjejnë njerëzit të cilët mund t’u shëmbëllejnë vetë atyre në vegim. Sigurojini se pavarësisht se ku e shohin veten në vegim, gjithsecili prej tyre ka fuqinë dhe aftësinë të zgjedhë që të kualifikohet për bekimet e Shlyerjes.

Ndajini studentët në dy grupe. Shpjegoni që secili grup do të kërkojë të gjejë gjëra të ndryshme ndërsa klasa lexon bashkërisht 1 Nefin 8:21–33.

Kërkojini grupit 1 që të kërkojë përgjigjet e pyetjeve në vijim. (Përpara orës mësimore, shkruajini këto pyetje në tabelë ose në një fletushkë.)

  • Çfarë pengesash hasën njerëzit në vegimin e Lehit?

  • Çfarë përfaqësojnë këto pengesa?

  • Çfarë forme kanë sot këto pengesa?

  • Çfarë parimesh shihni në këto vargje?

Ftojeni grupin 2 që të kërkojë përgjigjet e pyetjeve në vijim. (Përpara orës mësimore, shkruajini këto pyetje në tabelë ose në një fletushkë.)

  • Çfarë i ndihmoi njerëzit që të arrinin pemën dhe të hanin nga fruta?

  • Në çfarë mënyrash ngjan shufra e hekurit me fjalën e Perëndisë?

  • Si na ndihmon fjala e Perëndisë për t’i kapërcyer pengesat në shtegun drejt jetës së përjetshme?

  • Çfarë parimesh shihni në këto vargje?

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga 1 Nefi 8:21–33. Pastaj ftoni studentë nga grupi 1 që të japin përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve të tyre të përcaktuara. Gjithashtu kërkojuni që të tregojnë parimet që shohin në këto vargje. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se kryelartësia, të qenit si bota dhe nënshtrimi ndaj tundimeve mund të na pengojnë që të marrim bekimet e Shlyerjes. Ftojini studentët që të përsiatin se si këto pengesa mund të jenë duke e penguar përparimin e tyre shpirtëror.

Ftoni studentë nga grupi 2 që të japin përgjigjet e tyre ndaj pyetjeve që iu caktuan. Pasi të keni diskutuar për pikëpamjet e tyre, ftojini që të tregojnë parimet që shohin te 1 Nefi 8:21–33. Parimet e përcaktuara prej tyre mund të përfshijnë sa vijon:

Nëse kapemi fort pas fjalës së Perëndisë, ajo do të na ndihmojë që të mposhtim tundimin dhe ndikimet e botës.

Të kapurit fort pas fjalës së Perëndisë na ndihmon që t’i afrohemi më shumë Zotit dhe të marrim bekimet e Shlyerjes.

  • Te 1 Nefi 8:24 dhe 30, çfarë fjalësh përshkruajnë përpjekjet e njerëzve për t’u mbajtur te shufra e hekurit dhe për të arritur pemën?

  • Çfarë mendoni se do të thotë të “shtyhe[sh] përpara”?

  • Çfarë mendoni se do të thotë që të mbahesh fort dhe të mbahesh vazhdimisht me vendosmëri te fjala e Perëndisë? (Mund t’ju duhet të shpjegoni se te 1 Nefi 8:30, fjala me vendosmëri do të thotë i kapur fort.)

  • Përse duhet t’i studiojmë shkrimet e shenjta çdo ditë?

Pasi të keni diskutuar për këto pyetje, ju mund të dëshironi që të vini në dukje se në vegim, disa njerëz, ata si Lamani dhe Lemueli, nuk donin të merrnin nga fruta (shih 1 Nefin 8:22–23, 35–38). Kjo përfaqëson refuzimin e tyre për t’u penduar dhe për të marrë nga bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Disa njerëz u larguan edhe pasi hëngrën nga fruta (shih 1 Nefin 8:25, 28). Kjo na kujton se pasi kemi filluar të marrim bekimet e Shlyerjes, ne duhet të jemi të zellshëm e besnikë, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke u përpjekur që të mbajmë besëlidhjet tona. Nxitini studentët që të ndjekin shembullin e njerëzve që hëngrën nga fruta dhe qëndruan te pema (shih 1 Nefin 8:33).

Që t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se si parimet në vegimin e Lehit e kanë bekuar jetën e tyre, ftojini ata që t’i përgjigjen njërës prej pyetjeve në vijim në fletoren e tyre të klasës ose në ditarin e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta:

  • Kur ju ka udhëzuar ose ndihmuar fjala e Perëndisë që të mposhtni tundimin, kryelartësinë ose sjelljen si të botës?

  • Kur e keni ndier dashurinë e Perëndisë për ju teksa e keni lexuar ose dëgjuar fjalën e Tij?

Ftoni disa studentë që të ndajnë përgjigjet e tyre me klasën.

Nxitini studentët që të veprojnë sipas asaj që kanë mësuar e ndier ndërsa kanë studiuar 1 Nefin 8, duke vendosur një qëllim real për të filluar ose për të vazhduar zhvillimin e zakonit të studimit të përditshëm vetjak të shkrimeve të shenjta. Tregojuni studentëve bekimet që kanë ardhur në jetën tuaj nga studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

1 Nefi 8

Duke iu referuar vegimit të pemës së jetës, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Figurat e Krishtit dhe të pemës së jetës [janë] të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Që në krye të Librit të Mormonit … Krishti portretizohet si burimi i jetës së përjetshme dhe i gëzimit, prova e gjallë e dashurisë së shenjtë, dhe udha me anë të së cilës Perëndia do të përmbushë besëlidhjen e Tij me shtëpinë e Izraelit dhe në të vërtetë me të gjithë familjen e njerëzimit, duke u dhënë të gjitha premtimet e tyre të përjetshme” (Christ and the New Covenant [1997], f. 160, 162).

1 Nefi 8:4-35

Tabela në vijim jep detaje shtesë rreth asaj që Nefi mësoi nga vegimi i pemës së jetës:

Simboli nga Vegimi i Lehit (1 Nefi 8)

Shpjegimi i Dhënë Nefit (1 Nefi 11–12)

1 Nefi 8:10–12 – Pema me frutën e bardhë

1 Nefi 11:21–25 (Dashuria e Perëndisë; bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit)

1 Nefi 8:13 – Lumi me ujë të fëlliqur

1 Nefi 12:16 (Fëlliqësia; thellësitë e ferrit)

1 Nefi 8:19 – Shufra e hekurit

1 Nefi 11:25 (Fjala e Perëndisë)

1 Nefi 8:23 – Mjegullat e errësirës

1 Nefi 12:17 (Tundimet e djallit)

1 Nefi 8:26 – Ndërtesa e gjerë dhe e madhe

1 Nefi 11:35–36; 12:18 (Kryelartësia dhe imagjinatat e kota të botës)

1 Nefi 8:21–23 – Njerëzit që e fillojnë shtegun drejt pemës por humbasin në mjegull

Në vegimin e tij, Nefi pa llojet e njerëzve në vijim:

  • 1 Nefi 11:28 (Turma që e dëgjuan Jezusin por “e dëbuan atë”)

  • 1 Nefi 11:31–33 (Njerëz që e kryqëzuan Jezusin edhe pasi shëroi të sëmurët dhe dëboi djaj)

  • 1 Nefi 11:34–36 (Turma që qenë mbledhur së bashku në një ndërtesë të gjerë e të madhe për të luftuar kundër dymbëdhjetë apostujve të Qengjit)

  • 1 Nefi 12:1–3, 13–15 (Nefitë dhe Lamanitë që qenë mbledhur së bashku për të luftuar dhe u masakruan në luftë)

  • 1 Nefi 12:19–23 (Nefitë që, për shkak të kryelartësisë, u shkatërruan nga lamanitët dhe ranë në mosbesim)

1 Nefi 8:24–25, 28 – Njerëz që arrijnë te pema (dhe e shijojnë frutën) duke u mbajtur te shufra por largohen kur tallen nga njerëzit te ndërtesa e gjerë dhe e madhe

1 Nefi 8:26–27, 31–33 – Njerëz që dëshirojnë ndërtesën e gjerë dhe të madhe më shumë se sa pemën dhe frutën e saj

1 Nefi 8:30, 33 – Njerëz që mbahen te shufra, hanë nga fruta dhe nuk largohen

1 Nefi 15:24, 36 (Ata që kapen fort pas fjalës së Perëndisë, i bëjnë ballë tundimeve të kundërshtarit dhe marrin më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë)

1 Nefi 8:19. Bekimet e kapjes fort pas fjalës së Perëndisë

Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim rreth bekimeve që vijnë nga të kapurit fort pas fjalës së Perëndisë:

“[Lehi] pa se nëse njerëzit do të mbaheshin fort tek ajo shufër, ata mund të shmangnin lumenjtë e fëlliqësisë, të qëndronin larg shtigjeve të ndaluara, të ndalonin së enduri në udhë të panjohura që çonin në shkatërrim. Jo vetëm që fjala e Perëndisë do të na çojë te fruta që është më e dëshirueshme mbi gjithë të tjerët, por në fjalën e Perëndisë dhe përmes saj ne mund të gjejmë fuqinë për t’i bërë ballë tundimit, fuqinë për të reshtur punën e Satanit dhe të dërguarve të tij. Fjala e Perëndisë, siç gjendet në shkrimet e shenjta, në fjalët e profetëve të gjallë dhe në zbulesën vetjake, ka fuqinë për t’i fortifikuar shenjtorët dhe për t’i armatosur me Shpirtin në mënyrë që të mund t’i bëjnë ballë të ligës, të kapen fort pas së mirës dhe të gjejnë gëzim në këtë jetë” (“The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 80).

1 Nefi 8:26–27. “Ndërtes[a] [e] gjerë dhe [e] madhe”

Ndërtesa e gjerë dhe e madhe qëndron si kundërshtim i pemës së jetës, e cila përfaqëson dashurinë e Perëndisë dhe bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Plaku Glen L. Peis i të Shtatëdhjetëve i krahasoi standardet e Perëndisë me sjelljet e njerëzve në ndërtesën e gjerë dhe të madhe:

“Për ata nga ju që, po lëvizin me ngadalë gjithmonë e më afër asaj ndërtese të gjerë dhe të madhe, më lejoni ta bëj plotësisht të qartë se njerëzit në atë ndërtesë nuk kanë absolutisht asgjë për të dhënë përveç kënaqësisë afatshkurtër të momentit të lidhur në mënyrë të pashmangshme me dhembje dhe vuajtje afatgjatë. Urdhërimet, të cilave u bindeni, nuk u dhanë nga një Perëndi pa ndjenja për t’ju ndaluar të argëtoheni, por nga një Atë i dashur në Qiell i cili dëshiron që të jeni të lumtur ndërsa jetoni në këtë tokë po ashtu si edhe në atë më pas” (“They’re Not Really Happy”, Ensign, nëntor 1987, f. 40).