Biblioteka
Mësimi 107: Helamani 3–4


Mësimi 107

Helamani 3–4

Hyrje

Gjatë kësaj kohe të historisë në Librin e Mormonit, nefitët gëzonin periudha paqeje, por edhe përjetonin kohë grindjesh. Dhjetëra mijë nefitë u bashkuan me Kishën gjatë kohës së paqes. Pas kësaj periudhe begatie të madhe, krenaria filloi të hynte në zemrën e njerëzve. Megjithatë, anëtarët më të përulur të Kishës u rritën në besim, megjithëse përndiqeshin nga ata që ishin krenarë. Për shkak të ligësisë mes shumë nefitëve, atyre iu morën prej lamanitëve të gjitha tokat jugore.

Sugjerime për Mësimdhënien

Helamani 3

Shumë nefitë shtegtojnë drejt veriut, ndërsa Kisha përparon në mes të ligësisë dhe përndjekjes

Shkruaji në tabelë fjalët që vijojnë (këtë mund të jetë mirë ta bëni përpara orës së mësimit):

Njerëz në … (emri i shtetit tuaj)

Njerëz në … (emri i qytetit tuaj)

Njerëz në lagjen ose degën time

Njerëz në familjen time

Unë vetë

Pyetini studentët se cilët nga të gjithë njerëzit e renditur në tabelë, mendojnë se mund t’i kontrollojnë. Pastaj kërkojuni të ngrenë dorën nëse ndonjëherë janë shkurajuar për shkak të veprimeve të të tjerëve. Kërkojuni t’i mbajnë duart ngritur, nëse kohët e fundit janë shkurajuar për shkak të veprimeve të padrejta të të tjerëve. Shpjegoni se, ndërsa studiojnë Helamanin 3, do të gjejnë kuptime mbi atë që mund të bëjnë kur njerëzit rreth tyre nuk jetojnë sipas ungjillit.

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 3:1–2. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke kërkuar raste të shprehjes “nuk pati grindje”. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 3:3, 19, duke gjetur fjalë ose shprehje që tregojnë se si ndryshuan gjërat ndërmjet nefitëve.

  • Si mendoni, pse nefitët ndryshuan aq shpejt nga një periudhë pa grindje në një periudhë me shumë grindje?

Përmblidhni Helamanin 3:3–16 duke shpjeguar se gjatë kësaj kohe grindjeje shumë nefitë shtegtuan drejt veriut.

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 3:20. Kërkojini klasës të gjejë se si u përshkrua Helamani gjatë kësaj kohe grindjeje.

  • Çfarë ju bën përshtypje nga shembulli i Helamanit gjatë kësaj kohe grindjeje? (Teksa studentët përgjigjen, mund të jetë mirë që t’u këshilloni ta nënvizojnë fjalën vazhdimisht te Helamani 3:20.)

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 3:22–26 dhe të përcaktojnë se si ndryshoi gjendja mes nefitëve.

  • Çfarë i bëri udhëheqësit e Kishës të çuditeshin?

  • Çfarë mund të mësojmë nga këto vargje për ndikimin e mundshëm që Kisha mund të ketë mbi njerëzit?

Kujtojuni studentëve se, ndërsa Mormoni përgatiste dokumentin e Librit të Mormonit, herë pas here vinte në dukje mësime të cilat ai dëshironte që lexuesit t’i mësonin nga disa prej përshkrimeve. Në rastin e Helamanit 3 ai përdori shprehjet “kështu, ne mund të shohim”, “kështu ne shohim” dhe “ne shohim”, për të parashtruar mësimet e tij. Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 3:27–30 dhe të përcaktojnë se çfarë mësimesh dëshiron Mormoni që ne t’i mësojmë. Pasi studentët t’i raportojnë ato që gjejnë, pyetni:

  • Çfarë dëshironte Mormoni që ne të dinim për fjalën e Perëndisë?

Jepuni studentëve pak kohë që të mendohen se në ç’mënyrë i ka bërë studimi i shkrimeve të shenjta të aftë për të fituar bekime si ato që premtohen te Helamani 3:29. Merrni parasysh t’iu drejtoheni disa studentëve për të treguar përvojat e tyre.

Shpjegoni se pjesa e mbetur e Helamanit 3 tregon me hollësi se në ç’mënyrë, pas kohës së begatisë së madhe, u përhap krenaria mes nefitëve. Shumë anëtarë të përulur të Kishës përjetuan përndjekjen nga anëtarë të tjerë të Kishës që ishin krenarë në zemrën e tyre. Lexojini me zë situatat që vijojnë. Kërkojuni studentëve të mendohen se kur kanë parë ose përjetuar situata të ngjashme.

  1. Një e re tallet me një vajzë tjetër nga lagjja e saj.

  2. Një i ri e vë në lojë një pjesëtar të kuorumit të tij që mezi pret t’u përgjigjet pyetjeve në klasë ose të dalë vullnetar për detyra priftërie.

  3. Një grup të rinjsh në lagje e përjashtojnë një të ri tjetër nga bisedat dhe veprimtaritë e tyre jashtë kishës.

  4. Një grup të rejash bëjnë komente lënduese për veshjet që ka një e re tjetër.

Ftojeni një student ta lexojë me zë Helamanin 3:33–34. Kërkojini klasës të përcaktojë ngjashmëri ndërmjet situatës së nefitëve dhe situatave që përshkruhen më sipër. Pasi studentët të kenë pasur kohë të përgjigjen, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si mendoni, pse përndjekja e anëtarëve të Kishës nga anëtarë të tjerë të saj, u gjykua si “një e keqe e madhe” mes nefitëve?

  • Cilat parime të ungjillit shkelim kur nëpërkëmbim ose jemi të ashpër me anëtarë të tjerë të Kishës? Si mund ta forcojmë dashurinë tonë për shoqi-shoqin si shenjtorë?

Ftojini studentët ta lexojnë në heshtje Helamanin 3:35 dhe të përcaktojnë se si iu përgjigjën përndjekjes nefitët e përulur.

  • A u rrit, u zvogëlua apo mbeti i njëjtë besimi i njerëzve të përndjekur?

  • Cilat veprime ndërmorën njerëzit e përndjekur të cilat kontribuan në forcimin e tyre në besim? (Ata agjëruan dhe u lutën shpesh, kërkuan të ishin të përulur dhe zemrën ia dhanë Perëndisë.)

  • Përveç rritjes së besimit, ku tjetër çuan veprimet e nefitëve të përulur? (Gëzim, ngushëllim dhe pastrim e shenjtërim të zemrës së tyre.)

Shkruajeni këtë në tabelë: Kur ne … , besimi ynë te Jezu Krishti do të rritet, pavarësisht përndjekjes dhe sprovës. Kërkojuni studentëve ta plotësojnë këtë thënie nisur nga ato që kanë mësuar nga Helamani 3:33–35. Mund të jetë mirë të ftoni disa studentë të thonë se si e kanë plotësuar thënien. Sido që përgjigjet e studentëve mund të ndryshojnë, sigurohuni që ata të shprehin këtë të vërtetë: Kur kërkojmë të jetojmë me drejtësi, besimi ynë te Jezu Krishti do të rritet, pavarësisht përndjekjes dhe sprovës. Që t’i ndihmoni studentët ta thellojnë kuptimin për mësimet e këtyre vargjeve, mund të jetë mirë t’u bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si ju kanë ndihmuar lutja dhe agjërimi në një kohë përndjekjeje dhe sprove?

  • Çfarë mendoni se do të thotë t’ia japësh zemrën Perëndisë?

  • Përse dhënia e zemrës suaj Perëndisë është e domosdoshme për ta rritur besimin tuaj në një kohë përndjekjeje ose sprove?

Pyetini studentët nëse kanë ndier ndonjëherë që besimi i tyre të rritet kur i janë përgjigjur drejtësisht përndjekjes. Ftojini disa studentë të tregojnë përvojat e tyre. Mund të jetë mirë që edhe ju të tregoni një përvojë tuajën.

Për t’i përgatitur studentët të studiojnë Helamanin 4, ftojini ta lexojnë në heshtje Helamanin 3:36. Kërkojuni të përcaktojnë gjendjen e përgjithshme të nefitëve. (Nefitët u rritën në krenari, pavarësisht shembullit të pasuesve të përulur të Krishtit.)

Helamani 4

Për shkak të ligësisë Shpirti i Zotit largohet nga nefitët dhe lamanitët i pushtojnë të gjitha tokat jugore të nefitëve

Shpjegoni se Helamani 4:4–8 tregon për betejën që bënë nefitët kundër lamanitëve dhe nefitëve kundërshtarë. Ftojeni një student t’i lexojë me zë këto vargje. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke gjetur se cilat toka nefite u pushtuan gjatë kësaj beteje.

Shkruani në tabelë udhëzimet që vijojnë. (Këtë mund të jetë mirë ta bëni përpara se të fillojë ora e mësimit.) Ftojini studentët t’i kopjojnë në fletore ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta.

Shkruani tri shprehje që tregojnë qëndrimin dhe veprimet e nefitëve.

Shkruani tri shprehje që tregojnë se çfarë ndodhi prej atyre veprimeve.

Ndajini studentët në çifte. Kërkojuni çifteve të lexojnë së bashku Helamanin 4:11–13, 23–26, duke kërkuar e duke shënuar shprehjet kryesore sipas udhëzimeve të tabelës.

Ftojini disa çifte t’i raportojnë përgjigjet e tyre. Teksa studentët tregojnë se ç’kanë shkruar, mund të jetë mirë t’u këshilloni që t’i nënvizojnë te shkrimet e shenjta të tyre këto shprehje: “u lanë në fuqinë e tyre” (Helamani 4:13), “ishin dobësuar” (Helamani 4:24) dhe “kështu ishin bërë të dobët” (Helamani 4:26).

Kërkojuni studentëve se çfarë parimesh mund të përcaktojnë nga studimi i Helamanit 4. Ndihmojini të përcaktojnë parimin që vijon: Krenaria dhe ligësia na ndajnë nga Shpirti i Zotit dhe na lënë te fuqia jonë vetjake. Mund të jetë mirë ta shkruani këtë parim në tabelë. Mund t’u këshillonit gjithashtu që ta shkruajnë në shkrimet e shenjta të tyre pranë Helamanit 4:23–24.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë këtë parim, ftojeni njërin prej tyre të vijë para klasës. Kërkojini studentit ose studentes të përfytyrojë sikur e kanë zgjedhur të luftojë i vetëm ose e vetme në një betejë kundër lamanitëve. Pyeteni studentin apo studenten se sa mundësi do të kishte për fitore kundër një ushtrie të konsiderueshme. Kërkojini një studenti tjetër të vijë para klasës dhe të qëndrojë pranë studentit të parë. Pyeteni studentin e parë nëse ndihma e marrë prej studentit të dytë do t’ia shtonte mundësitë për fitore kundrejt fuqisë së armikut. (Kundrejt një ushtrie të konsiderueshme, shtimi i studentit të dytë nuk do t’i shtonte në thelb mundësitë për fitore.) Pastaj shkruani në tabelë Zoti. Pyeteni studentin e parë:

  • Sa mendoni se do të ishin mundësitë tuaja për fitimin e betejës, nëse do të kishit Zotin në anën tuaj?

Pyetini studentët se si lidhet kjo veprimtari mësimore me parimin e përcaktuar nga Helamani 4. Merrni parasysh të bëni pyetjen që vijon:

  • Në ngjarjen e nefitëve lënia në fuqinë vetjake do të thoshte humbje e betejave dhe e tokave. Çfarë “betejash” mund të humbasim nëse nuk e kemi Frymën e Shenjtë me ne?

Kërkojuni studentëve të mendohen për një gjë që ata mund ta bëjnë për të ruajtur shoqërinë e Frymës së Shenjtë në jetën e tyre dhe ftojini që ta bëjnë atë. Tregoni dëshminë tuaj për rëndësinë e Shpirtit në jetën tuaj.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Helamani 3:33–34, 36; 4:12. Ndikimi i krenarisë mbi Kishën

Mormoni vuri në dukje se krenaria nuk ishte pjesë e Kishës së Zotit, por që, për arsye të pasurive të mëdha, ajo filloi të hynte në zemrën e disa prej anëtarëve të Kishës (shih Helamani 3:33, 36).

Presidenti Ezra Taft Benson na mësoi:

“Mendoni se çfarë na ka kushtuar në të kaluarën krenaria dhe çfarë po na kushton tani në jetën tonë vetjake, në familjet tona dhe në Kishë.

Mendoni për pendimin që mund të zinte vend tok me ndryshimin e jetëve, ruajtjen e martesave dhe forcimin e shtëpive, nëse krenaria nuk do të na pengonte për rrëfimin e mëkateve tona dhe braktisjen e tyre. (Shih DeB 58:43.)

Mendoni për shumë veta që janë anëtarë pak aktivë të Kishës për arsye se qenë fyer dhe krenaria e tyre nuk i lejon të falin apo të ngopen plotësisht në tryezën e Zotit.

Mendoni për shtesën prej dhjetëra mijë të rinjsh dhe çiftesh që mund të ishin në misione, përveç që krenaria i pengon t’ia japin zemrën Perëndisë. (Shih Alma 10:6; Helamani 3:34–35.)

Mendoni se sa do të shtohej puna e tempullit, nëse koha e shpenzuar në këtë shërbim hyjnor do të ishte më e rëndësishme se shumë veprimtari krenarie që konkurrojnë për të na marrë kohën” (“Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 6).