Biblioteka
Mësimi 137: Mormoni 1–2


Mësimi 137

Mormoni 1–2

Hyrje

Megjithëse Mormoni u rrit në një kohë ligësie të madhe, ai zgjodhi të ishte besnik. Për shkak të besnikërisë së tij, atij iu tha se do t’i besoheshin analet e shenjta të popullit më vonë në jetën e tij. Në moshën 15-vjeçare, ai u “vizit[ua] nga Zoti” (Mormoni 1:15). Ai dëshironte që t’i ndihmonte nefitët të pendoheshin, por për shkak se ata ngritën krye me qëllim, ai u ndalua nga Zoti që t’u predikonte atyre. Në moshë kaq të re, ai u caktua për të udhëhequr ushtrinë nefite. Për shkak se shumë nefitë i kishin humbur Frymën e Shenjtë dhe dhurata të tjera të Perëndisë, ata u lanë vetëm me forcën e tyre ndërsa luftonin lamanitët.

Sugjerime për Mësimdhënien

Moroni 1:1–5

Mormoni mëson se një ditë atij do t’i besohen analet e shenjta të nefitëve

Shkruajeni pyetjen vijuese në tabelë përpara orës mësimore, kështu që studentët të mund të mendojnë për të ndërsa mbërrijnë: Si ndiheni kur njerëzit ju thërrasin mormon?

Në fillim të orës mësimore, ftojini studentët t’i përgjigjen pyetjes në tabelë. Pasi ta kenë diskutuar pyetjen, kërkojini një studenti të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ndonëse herë pas here ndjej keqardhje që njerëzit nuk e quajnë këtë kishë sipas emrit të saj të duhur, unë jam i lumtur që nofka që ata përdorin, është një nofkë me nder të madh, e bërë kështu nga një njeri i mrekullueshëm dhe një libër që jep një dëshmi të pashoqe në lidhje me Shëlbuesin e botës.

Kushdo që arrin ta njohë burrin [me emrin] Mormon, nëpërmjet leximit dhe përsiatjes së fjalëve të tij, kushdo që lexon këtë thesar të çmuar të historisë, i cili u mblodh dhe u ruajt në një masë të madhe prej tij, do të arrijë të dijë se mormon nuk është një fjalë diskretitimi, por përfaqëson të mirën më të madhe – atë të mirë që është nga Perëndia” (“Mormon Should Mean ‘More Good’”, Ensign, nëntor 1990, f. 52–53).

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë kontekstin e Mormonit 1–2, shpjegoni se 320 vjet pasi Shpëtimtari iu shfaq nefitëve, pothuajse çdo njeri në vend po jetonte në ligësi. Në këtë kohë, Amaroni, një njeri i drejtë që kishte shërbyer si mbajtës analesh, u “shty nga Fryma e Shenjtë [që t’i fshihte] analet që ishin të shenjta” (shih 4 Nefin 1:47–49). Rreth së njëjtës kohë, Amaroni vizitoi një djalë 10-vjeçar të quajtur Mormoni dhe e udhëzoi atë lidhur me përgjegjësinë e tij të ardhshme për analet.

Kërkojuni studentëve të lexojnë në heshtje Mormonin 1:2, duke parë për fjalët dhe frazat që përdori Amaroni për ta përshkruar Mormonin. U kërkoni atyre të raportojnë atë që gjejnë. Shkruani në tabelë emrin Mormoni dhe renditini përgjigjet e tyre poshtë tij. Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se fjala i matur do të thotë i qetë, serioz dhe i kujdesshëm.

  • Si mendoni ju, për çfarë duhet të jemi të matur? (Përgjigjet mund të përfshijnë administrimin dhe marrjen e sakramentit, studimin e shkrimeve të shenjta, dëlirësinë, të folurin dhe të dëshmuarin për Shpëtimtarin.) Përse duhet të jemi të matur për këto gjëra?

Shpjegoni se një individ mund të jetë i matur dhe ende mund të argëtohet e të qeshë. Megjithatë, një individ i matur e kupton kur duhet të jetë gazmor dhe kur duhet të jetë më serioz.

  • Si mendoni ju, çfarë do të thotë të jesh “i shpejtë për të vënë re”?

Si pjesë e këtij diskutimi, ftojeni një student të lexojë shpjegimin e mëposhtëm nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Pamja
Plaku Dejvid A. Bednar

“Kur jemi të shpejtë për të vënë re, ne shohim ose vëmë re me shpejtësi dhe bindemi. Të dy këta elementë themelorë – të shikuarit dhe të bindurit – janë të domosdoshëm për të qenë i shpejtë për të vënë re. Dhe profeti Mormoni është një shembull i madh i kësaj dhurate në veprim. …

… Dhurata shpirtërore e të qenit i shpejtë për të vënë re është kaq jetësore për ne në botën në të cilën jetojmë tani dhe ende do të jetojmë” (“Quick to Observe”, Ensign, dhjetor 2006, f. 34).

  • Si mund të na ndihmojë aftësia për të parë dhe për t’iu bindur me shpejtësi këshillës së Zotit?

Ftojini studentët që të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth diçkaje që duhet ta marrin më seriozisht – diçka për të cilën duhet të jenë më të matur. Gjithashtu u kërkoni atyre të renditin udhëzime nga Zoti, të cilave mund t’u binden me më gatishmëri. Nxitini që të kërkojnë të jenë më të matur dhe më të shpejtë për të vënë re.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 1:3–5 dhe i kërkoni klasës të përcaktojë udhëzimet e Amaronit për Mormonin.

  • Çfarë i kërkoi Amaroni Mormonit që të bënte?

  • Përse mendoni se Mormoni kishte nevojë për të qenë i matur dhe i shpejtë për të vënë re, me qëllim që t’i përmbushte këto përgjegjësi?

Mormoni 1:6–19

Për shkak të rebelimit të qëllimshëm të njerëzve, Zoti e ndalon Mormonin që t’u predikojë atyre

Pyetini studentët nëse kanë humbur ndonjëherë diçka që ata e donin fort apo nëse diçka me vlerë u mor prej tyre. Ftojini disa studentë që t’i tregojnë këto përvoja.

Përmblidhni Mormonin 1:6–12 duke shpjeguar se, ndërsa Mormoni ishte në rininë e tij, ai dëshmoi një numër betejash ndërmjet nefitëve dhe lamanitëve. Ai gjithashtu dëshmoi përhapjen e ligësisë midis të gjithë njerëzve në vend.

Shpjegoni që për shkak se nefitët u bënë kaq të ligj, ata humbën dhurata të çmuara nga Zoti. Ndajeni klasën përgjysmë. Caktojeni gjysmën e parë të lexojë në heshtje Mormonin 1:13–14, 18, duke kërkuar për dhuratat që Zoti filloi t’i largonte nga nefitët. Caktojeni gjysmën tjetër të lexojë Mormonin 1:14, 16–17, 19, duke kërkuar për arsyet se përse Zoti i hoqi këto dhurata nga nefitët. Ftoni studentë nga secili grup për t’i ndarë gjetjet e tyre me klasën.

  • Sipas Mormonit 1:13–14, çfarë ndodh kur njerëzit ngrenë krye dhe largohen nga Zoti? (Studentët mund të japin përgjigje të ndryshme. Merrni parasysh t’i përmblidhni përgjigjet e tyre duke shkruar të vërtetën vijuese në tabelë: Kur njerëzit janë të ligj e mosbesues, ata i humbasin dhuratat shpirtërore që kanë marrë nga Zoti, dhe nuk janë në gjendje të marrin ndikimin e Frymës së Shenjtë.)

Vini në dukje se rebelimi i nefitëve ishte shumë i madh. Megjithatë, ky parim zbatohet te ne individualisht kur nuk u bindemi urdhërimeve të Perëndisë.

  • Cilat nga dhuratat e renditura te Mormoni 1:13–14, 18 do të ishin më të vështira për ju që t’i humbisnit?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 1:15. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë për atë që po përjetonte Mormoni ndërsa shumë prej nefitëve po i humbisnin dhuratat e Perëndisë dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë.

  • Përse mendoni se Mormoni ishte në gjendje të kishte përvoja shpirtërore, edhe pse ishte në mes të ligësisë së madhe?

Mormoni 2:1–15

Mormoni udhëheq ushtritë nefite dhe hidhërohet për ligësinë e tyre

Kërkojini një studenti që është 15 vjeç (ose afër moshës 15-vjeçare) të lexojë me zë të lartë Mormonin 2:1–2. Ftojeni klasën të kërkojë përgjegjësinë që iu dha Mormonit kur ishte 15 vjeç (në “vitin [e tij] të gjashtëmbëdhjetë”). Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si do të ishte për një 15-vjeçar që të udhëhiqte një ushtri.

  • Në çfarë mënyrash, cilësitë e përmendura te Mormoni 2:1 mund ta kenë ndihmuar Mormonin si udhëheqës të një ushtrie?

Përmblidhni Mormonin 2:3–9 duke u treguar studentëve se lamanitët i sulmuan ushtritë nefite me një forcë të atillë saqë nefitët u frikësuan dhe u tërhoqën. Lamanitët i dëbuan ata nga një vend në tjetrin derisa nefitët u mblodhën në një vend. Përfundimisht, ushtria e Mormonit u bëri ballë lamanitëve dhe bëri që ata të largoheshin.

Ftojini studentët të lexojnë në heshje Mormonin 2:10–15, duke parë për gjendjen shpirtërore të nefitëve pas këtyre betejave.

  • Përse nefitët ndienin keqardhje? (Shih Mormonin 2:10–13. Ata ndien keqardhje, sepse nuk ishin në gjendje t’i mbanin gjërat e tyre. Me fjalë të tjera, ata patën keqardhje vetëm për shkak të pasojave të mëkateve të tyre, jo ngaqë u penduan për veprimet e tyre.)

  • Sipas Mormonit 2:13–14, si e dinte Mormoni se keqardhja e njerëzve nuk ishte një shenjë e pendesës së vërtetë?

Për t’i ndihmuar studentët të shohin ndryshimet midis “keqardhj[es] … në pendim” dhe “dhimbj[es së] të mallkuarve”, shkruani në tabelë sa vijon:

Ata që ndiejnë keqardhje deri në pendim …

Ata që ndiejnë keqardhje vetëm për shkak të pasojave të mëkatit …

U kërkoni studentëve të rishikojnë Mormonin 2:12–15, duke parë për karakteristikat e këtyre dy grupeve njerëzish. Ftojini ata të raportojnë atë që gjejnë. Përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë të vërtetat vijuese:

Ata që ndiejnë keqardhje deri në pendim, e njohin mirësinë e Perëndisë dhe vijnë te Krishti me zemra të përulura.

Ata që ndiejnë keqardhje vetëm për shkak të pasojave të mëkatit, vazhdojnë të ngrenë krye kundër Perëndisë.

Shpjegoni që Mormoni përdori frazën “dhimbja e të mallkuarve” (Mormoni 2:13) për të përshkruar dhembjen e atyre që vuajnë për shkak të pasojave të veprimeve të tyre, por nuk janë të gatshëm të pendohen. Ky qëndrim nuk çon drejt faljes dhe paqes. Ai çon drejt mallkimit, që do të thotë se një individ ndalet në përparimin e tij ose të saj drejt jetës së përjetshme.

Ftojini studentët të përsiatin mbi mënyrën se si reagojnë kur e kuptojnë se kanë mëkatuar. Nxitini ata të vijnë te Shpëtimtari me një zemër të përulur që të mund të falen, të provojnë paqe dhe të pajtohen me Perëndinë.

Mormoni 2:16–29

Mormoni merr fletët dhe shënon një rrëfim të ligësisë së popullit të tij

Përmblidhni Mormonin 2:16–18 duke shpjeguar se, ndërkohë që betejat me lamanitët vazhdonin, Mormoni u gjend afër një kodre të quajtur Shim, ku Amaroni kishte fshehur analet nefite. Ai i hoqi fletët e Nefit dhe filloi të shënonte atë që kishte vëzhguar mes njerëzve që nga koha që ishte fëmijë.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Mormonin 2:18–19. Kërkojini klasës ta ndjekë, duke parë përshkrimin e Mormonit për gjendjen shpirtërore të njerëzve në kohën e tij. Gjithashtu u kërkoni atyre të kërkojnë shprehjet e tij vetjake të shpresës.

  • Si e përshkroi Mormoni gjendjen shpirtërore në kohën e tij? (“Një seri e vazhdueshme ligësish dhe neverish.”)

  • Nga ajo që keni mësuar rreth Mormonit, si mendoni ju, përse ai mund të ishte i sigurt se do të “ngrihe[j] lart në ditën e fundit”? (Ju mund të dëshironi t’i ndihmoni studentët të kuptojnë se kur Mormoni foli për të qenit “[i ngritur] lart në ditën e fundit”, ai iu referua të qenit i ringjallur dhe i të sjellurit në praninë e Perëndisë për të qëndruar me Të përgjithmonë.)

  • Si është i dobishëm për ju shembulli i drejtësisë së Mormonit? (Studentët mund të japin shumë përgjigje të ndryshme. Përgjigjet e tyre duhet të shprehin parimin vijues: Ne mund të zgjedhim të jetojmë me drejtësi edhe në një shoqëri të ligë. Ju mund të dëshironi të ftoni një student për ta shkruar këtë të vërtetë në tabelë.)

  • Kur keni parë miq ose anëtarë të familjes të qëndrojnë të vendosur për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë, edhe kur njerëzit përreth tyre nuk qëndruan të tillë?

Nxitini studentët të mendojnë për një aspekt të veçantë në jetën e tyre, në të cilën ata mund të bëjnë më shumë për të mbrojtur atë që është e drejtë. Ftojini ata të shkruajnë në fletoret e klasës ose ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si do të donin të reagonin herën tjetër që sfidohen në atë aspekt të veçantë. Dëshmoni se, ashtu si Mormoni, ne mund të zgjedhim të jetojmë me drejtësi dhe se Zoti do të na ndihmojë për të qëndruar të vendosur për atë që është e drejtë, edhe kur të tjerët përreth nesh nuk e bëjnë atë.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Mormoni 1:1. “Unë, Mormoni”

Lista e mëposhtme nxjerr në pah aspekte të jetës dhe shërbesës së Mormonit:

  1. Ati i tij quhej Mormoni (shih Mormonin 1:5).

  2. Ai u quajt sipas vendit Mormon, ku Alma themeloi Kishën (shih 3 Nefin 5:12).

  3. Ai e quajti njërin bir Moroni (shih Mormonin 6:6).

  4. Ai ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i Lehit (shih 3 Nefin 5:20).

  5. Ai u vizitua nga Shpëtimtari (shih Mormonin 1:15).

  6. Ai ishte një dishepull i Jezu Krishtit (shih 3 Nefin 5:13).

  7. Ai ishte udhëheqës i ushtrive nefite (shih Mormonin 2:1).

  8. Ai shkroi sipas vullnetit të Perëndisë (shih 3 Nefin 5:14).

  9. Ai dëshmoi rënien e nefitëve (shih Mormonin 2:18–19; 3:16; 6:8–22).

Mormoni 2:13–15. Keqardhje deri në pendim

Mormoni u pikëllua për popullin e tij, duke parë që “keqardhja e tyre nuk i çonte në pendim” dhe duke ditur se “Zoti nuk do të lejonte përherë që të ishin të lumtur në mëkat” (Mormoni 2:13). Siç vëzhgoi Presidenti Spenser W. Kimball: “Pa pendim nuk mund të ketë falje dhe pa falje, të gjitha bekimet e përjetësisë janë në rrezik” The Miracle of Forgiveness [1969], f. 117).

Plaku Brus D. Porter, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim për rëndësinë e të ndierit keqardhje deri në pendim:

“Një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar do të thonë të provojmë ‘trishtim sipas Perëndisë [që] sjell pendim’ (2 Korintasve 7:10). Kjo vjen kur dëshira jonë që të pastrohemi nga mëkati, është kaq e fuqishme saqë zemra na dhemb nga hidhërimi dhe jemi të etur të ndihemi në paqe me Atin tonë në Qiell. Ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo dhe gjithçka që u kërkon Perëndia, pa qëndresë ose keqardhje. Ne ndalojmë së bëri gjërat sipas mënyrës sonë dhe, në vend të kësaj, mësojmë që t’i bëjmë sipas mënyrës së Perëndisë. Në kushte të tilla nënshtrimi, Shlyerja mund të veprojë dhe mund të ndodhë pendimi i vërtetë. I penduari atëherë do të provojë fuqinë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë, që do ta mbushë me paqen e ndërgjegjes dhe gëzimin e pajtimit me Perëndinë” (“Një Zemër të Thyer dhe një Shpirt të Penduar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 32).