Biblioteka
Mësimi 46: Jakobi 5:1–51


Mësimi 46

Jakobi 5:1–51

Hyrje

Duke mësuar njerëzit e tij, Jakobi citoi alegorinë e pemëve të ullirit të butë dhe të egër, që fillimisht qe dhënë nga një profet që quhej Zenos dhe qe përfshirë në fletët prej tunxhi. Jakobi e përdori këtë alegori për të dhënë mësim se Zoti do të kërkonte të sillte shpëtim tek të gjithë njerëzit – edhe tek ata midis popullit të besëlidhjes që ishin larguar prej Tij. Për arsye të gjatësisë së Jakobit 5, ai është ndarë në dy mësime.

Sugjerime për Mësimdhënien

Jakobi 5:1–14

Jakobi citon Zenosin, që e krahasonte shtëpinë e Izraelit me një pemë ulliri të butë

Merrni parasysh ta filloni këtë mësim duke lexuar shembujt vijues të të rinjve që vënë në dyshim gatishmërinë e Zotit për t’i falur ata për mëkatet e tyre:

  • Një i ri mbajtës priftërie zhvillon një zakon mëkatar. Ai beson se të tjerët mund të falen, por ai dyshon që Zoti do ta pranojë pendimin e tij.

  • Një e re shkel një urdhërim. Ajo përjeton faj, ndihet shumë keq për veten dhe vë në dyshim nëse Zoti e do ende atë.

Ftojini studentët të përsiatin pyetjen vijuese pa u përgjigjur me zë të lartë:

  • A e keni pyetur ndonjëherë veten rreth gatishmërisë së Zotit për t’ju falur për mëkatet tuaja?

Shpjegoni se Jakobi profetizoi se judenjtë do ta kundërshtonin Jezu Krishtin (shih Jakobi 4:15). Ai gjithashtu dha mësim se Jezu Krishti do të vazhdonte të punonte për shpëtimin e popullit të Tij edhe pasi ata e patën kundërshtuar Atë (shih Jakobi 4:17–18). Për të ilustruar këtë të vërtetë, Jakobi citoi një alegori të dhënë nga një profet që quhej Zenos. Një alegori përdor personazhe, objekte dhe veprime simbolike për të dhënë mësim të vërtetat. Ndërsa studentët studiojnë këtë alegori, ata mund të marrin mësime të rëndësishme rreth gatishmërisë së Jezu Krishtit për të ndihmuar ata që janë larguar prej Tij.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 5:1–2 dhe vëreni klasën të shohë se për kë po fliste Zenosi (shtëpinë e Izraelit). Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se kur profeti Jakob i Dhiatës së Vjetër bëri besëlidhje me Zotin, Zoti e ndryshoi emrin e tij në Izrael. Fraza “shtëpia e Izraelit” nënkupton pasardhësit e Jakobit dhe të gjithë njerëzit që janë pagëzuar dhe kanë bërë besëlidhje me Zotin.

  • Cili në këtë klasë është anëtar i shtëpisë së Izraelit? (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se të gjithë anëtarët e pagëzuar të Kishës janë pjesë e shtëpisë së Izraelit. Ata janë pjesë e alegorisë te Jakobi 5.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobi 5:3. Kërkojini klasës të shohë se çfarë përdori Zenosi te alegoria e tij për të përfaqësuar shtëpinë e Izraelit. Pasi studentët të thonë se çfarë gjetën, shpjegoni se pemët e ullirit qenë jashtëzakonisht të vlefshme në Izraelin e lashtë, ku jetoi Zenosi. Ullinjtë përdoreshin për ushqim dhe vaji i ullirit përdorej për gatim e ilaç dhe si karburant për llamba. Pemët e ullirit kërkonin shumë kujdes dhe punë që t’i bëje të prodhonin fryt të mirë. Theksoni se në këtë alegori, pema e ullirit të butë ndodhet në një vresht, që përfaqëson botën.

  • Sipas Jakobit 5:3, çfarë filloi t’i ndodhë pemës së ullirit të butë? Çfarë simbolizon kalbja e pemës? (Nxitini studentët të përdorin shënimin fundfaqeje 3d për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.)

  • Çfarë është braktisja? (Largimi nga Zoti dhe ungjilli i Tij.)

Ftojini studentët të lexojnë në heshtje Jakobin 5:4–6. Kërkojuni të mendojnë rreth asaj se cili ishte mjeshtri i vreshtit dhe çfarë mund të përfaqësojnë veprimet e tij të krasitjes, gërmimit dhe ushqimit. Pastaj vërini ata të shpjegojnë se çfarë mendojnë se përfaqësojnë këto simbole. (Ju mund të keni nevojë t’i ndihmoni të kuptojnë se mjeshtri i vreshtit përfaqëson Jezu Krishtin. Krasitja, gërmimi dhe ushqimi përfaqësojnë përpjekjet e Zotit për të na ndihmuar të marrim bekimet e Shlyerjes së Tij dhe përpjekjet e profetëve për të dhënë mësim dhe për t’i ftuar njerëzit te pendesa.)

Ftojeni një student të lexojë deklaratën në vijim nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Kjo alegori siç tregohet nga Jakobi, është synuar qysh në fillim të jetë rreth Krishtit. … Ndërkohë që Zoti i vreshtit dhe punëtorët e tij përpiqen të ndihmojnë, krasitin, pastrojnë dhe me fjalë të tjera t’i bëjnë frutdhënëse pemët e tyre në atë që përbën një skicë historike me një kapitull të shpërndarjes dhe grumbullimit të Izraelit, domethënia më e thellë e Shlyerjes i përforcon fund e krye punët e tyre” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 165).

Për të ndihmuar studentët shihni se si kjo alegori ilustron shqetësimin e Zotit për ta, i mëson se mund të vendosin emrat e tyre në vend të referencave të pemëve të ullirit. Ju mund ta paraqitni këtë duke dhënë shembullin vijues nga Jakobi 5:7: “Më hidhëron që ta humb [emrin tënd]”. Shpjegoni se ndërsa vendosim emrat tanë te Jakobi 5 në vendet që janë domethënëse dhe të përshtatshme, ne mund të mësojmë më shumë rreth shqetësimit të Zotit për ne.

Tregoni tabelën vijuese. Shpjegoni se ajo rendit kuptimet e simboleve në alegorinë e Zenosit. (Ju mund të doni të bëni kopje të tabelës si fletushkë apo të vini studentët të kopjojnë tabelën në ditarët e tyre të studimit të shkrimeve të shenjta.)

Jakobi 5: Alegoria e Pemëve të Ullirit të Butë dhe të Egër

Simboli

Kuptimi i Mundshëm

Pema e ullirit të butë

Shtëpia e Izraelit, populli i besëlidhjes së Perëndisë

Vreshti

Bota

Kalbja

Mëkati dhe braktisja

Zoti dhe pronari i vreshtit

Jezu Krishti

Krasitja, gërmimi dhe ushqimi

Përpjekjet e Zotit për të ndihmuar njerëzit të marrin bekimet e Shlyerjes së Tij

Shërbëtori i pronarit të vreshtit

Profetët e Zotit

Degët

Grupe njerëzish

Pema e ullirit të egër

Johebrenjtë – ata që nuk kanë bërë besëlidhje me Zotin. Më vonë në alegori, pemët natyrale të ullirit bëhen të egra, duke përfaqësuar pjesë të shtëpisë së Izraelit që bien në braktisje.

Shartim dhe mbjellje degësh

Shpërndarja dhe grumbullimi i popullit të besëlidhjes. Përveç kësaj, shartimi i degëve të egra në pemën e ullirit të butë përfaqëson kthimin e atyre që bëhen pjesë e popullit të besëlidhjes së Zotit.

Djegie degësh

Gjykime të Perëndisë për të ligjtë

Fryti

Jeta ose veprat e njerëzve

Kërkojini një studenti të lexojë me zë të lartë Jakobin 5:7, 9–10 dhe vëreni klasën të kërkojë për atë që pronari i vreshtit bëri më pas për të shpëtuar pemën e ullirit të butë. I vini studentët të tregojnë atë që gjejnë. (Ju mund të keni nevojë të shpjegoni se shartimi është futja e një dege nga një pemë në një pemë tjetër. Shartimi në këto vargje përfaqëson përpjekjet e Zotit për të ndihmuar johebrenjtë të bëhen pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes nëpërmjet pagëzimit dhe kthimit në besim. Djegia e disa degëve përfaqëson gjykimet e Zotit mbi anëtarët më të ligj të shtëpisë së Izraelit.)

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 5:11. Kërkojini klasës të shohë për fakte mbi shqetësimin e pronarit për rrënjët e pemës së ullirit të butë. I vini studentët të tregojnë atë që gjejnë.

Kujtojuni studentëve se Jakobi 5:6 thotë se pema e ullirit të butë pati filluar të prodhonte degë të reja dhe delikate. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Jakobin 5:8, 13–14. Kërkojini klasës të gjejë çfarë bëri pronari me këto degë. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni atyre të shqyrtojnë se si udhëtimi i familjes së Lehit jep një shembull të veprimeve të pronarit te Jakobi 5:8, 13–14.

Jakobi 5:15–40

Pronari i vreshtit dhe shërbëtori i tij punojnë për të bërë që vreshti të prodhojë fryt të mirë.

Ndajeni klasën në dy grupe. Caktojeni grupin e parë të studiojë Jakobin 5:15–28 dhe grupin e dytë të studiojë Jakobin 5:29–40. Kërkojuni studentëve të bëjnë sa vijon ndërsa studiojnë (ju mund të doni të shkruani këto udhëzime në tabelë):

  1. Përmblidhni atë që ndodhi në vresht dhe atë që mund të përfaqësojë ajo.

  2. Gjeni fraza që tregojnë përpjekjet e pronarit të vreshtit për të ruajtur pemën e ullirit të butë (apo natyrale) dhe degët e saj.

Pasi studentët të kenë pasur mjaft kohë për të studiuar vargjet që u janë caktuar, kërkojuni të përmbledhin atë që ndodhi në vresht dhe të shpjegojnë çfarë mund të përfaqësojë ajo. Filloni me studentët që studiuan Jakobin 5:15–28. Më poshtë janë shembuj përmbledhjesh dhe interpretimesh.

Jakobi 5:15–28. Çfarë ndodhi: Të gjitha degët që qenë shartuar dhanë frut të mirë. Gjithsesi, një degë, megjithëse e mbjellë në një pjesë të mirë të vreshtit, dha edhe fryt të butë edhe fryt të egër. Çfarë mund të përfaqësojë kjo: Fryti i mirë apo i butë kudo në shumicën e vreshtit përfaqëson drejtësinë mbi tokë gjatë kohës së Krishtit dhe Apostujve të Tij. Dega që dha disa fryte të mira dhe disa fryte të egra përfaqëson pasardhësit e drejtë dhe të ligj të Lehit.

Jakobi 5:29–40. Çfarë ndodhi: Të gjitha frytet kudo në vresht u prishën. Çfarë mund të përfaqësojë kjo: Prishja e të gjitha fryteve përfaqëson Braktisjen e Madhe, gjatë së cilës plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit humbi nga toka pas shërbesës tokësore të Apostujve të Krishtit.

Pasi të dy grupet t’i kenë thënë këto përmbledhje, pyetni:

  • Çfarë frazash tregojnë përpjekjet e pronarit për të ruajtur pemën e ullirit të butë dhe degët e tij? Çfarë ilustron kjo rreth ndjenjave të Zotit ndaj popullit të Tij të besëlidhjes?

  • Ndërsa kemi diskutuar këtë alegori, çfarë keni mësuar rreth Jezu Krishtit, pronarit të vreshtit? (Ndër shumë të vërtetave të dhëna mësim në këto vargje, studentët duhet të kuptojnë se Zoti na do dhe punon me zell për shpëtimin tonë.)

  • Si lidhet kjo alegori me shembujt në fillimin e mësimit për dy të rinjtë që pyetnin veten rreth gatishmërisë së Zotit për t’i falur ata për mëkatet e tyre?

Jakobi 5:41–51

Pronari pikëllohet për vreshtin e tij

Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Jakobi 5:41–42, 46–50. (Ju mund të doni të theksoni se ajo frazë “lartësia e vreshtit” te Jakobi 5:48 mund të nënkuptojë krenarinë.) Kërkojini klasës të shohë fraza që tregojnë dashurinë dhe shqetësimin e pronarit për vreshtin e tij dhe pikëllimin e tij kur pemët nuk prodhojnë frut të mirë. Ftojini studentët të thonë fraza nga këto vargje që janë veçanërisht domethënëse për ta dhe të shpjegojnë përse frazat janë domethënëse. Pasi studentët t’i kenë ndarë, pyeteni klasën:

  • Si e përfaqëson kujdesi i pronarit për vreshtin e tij dashurinë e Zotit për ne?

  • Cilët janë disa shembuj, nga shkrimet e shenjta apo nga jeta juaj, që ilustrojnë se Zoti vazhdon t’i dojë dhe të kujdeset për njerëzit edhe pasi ata janë larguar prej Tij?

Për të përfunduar, kujtojuni studentëve se pronari mori parasysh t’i priste të gjitha pemët sepse fryti ishte prishur tek të gjitha, pavarësisht nga gjithçka që ai pati bërë (shih Jakobi 5:49).

  • A mendoni se pronari do të heqë dorë nga vreshti i tij? Përse po ose përse jo?

Pasi studentët të kenë dhënë përgjigjet e tyre, lexoni Jakobi 5:51 për klasën. Dëshmoni se Zoti na do dhe demonstron mëshirë dhe durim të madh ndërsa punon për të na ndihmuar të vijmë tek Ai dhe të sjellim vepra të drejta. Shpjegoni se mësimi tjetër do të përfshijë diskutim për përpjekjet e fundit të pronarit për të shpëtuar vreshtin e tij.

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Jakobi 5:1. Kush ishte Zenosi?

Zenosi ishte një profet hebre, shkrimet e të cilit u shfaqën në fletët prej tunxhi por që nuk përmendet në Dhiatën e Vjetër. Ai jetoi pas profetit Abraham dhe para profetit Isaia (shih Helamani 8:19–20). Ai profetizoi dhe dëshmoi për Jezu Krishtin (shih 1 Nefi 19:10–12; Helamani 8:19). Zenosi njihet më së shumti për alegorinë e tij të pemëve të ullirit. Nëse studentët duan të lexojnë më shumë për profecitë e Zenosit, ata mund t’i drejtohen treguesit në Librin e Mormonit ose kombinimit tresh.