Biblioteka
Mësimi 82: Alma 18


Mësimi 82

Alma 18

Hyrje

Mbreti Lamoni u habit nga fuqia që kishte treguar Amoni në mbrojtjen e grigjave të mbretit. Ai madje arriti të besonte se Amoni ishte Shpirti i Madh. Amoni i kuptoi mendimet e mbretit me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë dhe Amoni filloi t’i mësonte atij ungjillin. Mbreti Lamoni i besoi ato që i mësoi Amoni, ndjeu nevojën për një Shpëtimtar, i thërriti Zotit për mëshirë dhe u mposht nga Shpirti.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 18:1–11

Mbretit Lamoni i bën përshtypje besnikëria e Amonit

Një rishikim i shpejtë i tregimit në fund të kapitullit Alma 17 do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë përmbajtjen tek Alma 18. Gjithashtu do t’i ndihmojë ata të kuptojnë mesazhet tek Alma 18. Për ta rishikuar Almën 17, i pyetni studentët nëse thëniet e mëposhtme janë të vërteta ose të rreme. Ju mund të dëshironi t’i bëni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre.

  1. Ngaqë mbreti Lamoni ishte i kënaqur me Amonin, ai ofroi që një nga bijat e tij të bëhej bashkëshortja e Amonit. (E vërtetë. Shih Alma 17:24).

  2. Amoni tha se dëshironte të ishte shërbëtori i mbretit. (E vërtetë. Shih Alma 17:25).

  3. Amoni pati frikë për jetën e tij kur një grup lamanitësh i shpërndanë grigjat e mbretit. (E rremë. Shih Alma 17:28–30).

  4. Me fuqi të madhe, Amoni u ndesh me lamanitët dhe ua preu krahët atyre që i ngritën topuzët e tyre kundër tij. (E vërtetë. Shih Alma 17:37–38).

Pasi ta kryeni këtë ushtrim, sigurohuni që studentët i dinë përgjigjet e sakta.

Pyetini studentët nëse ndonjëherë kanë pasur frikë ose janë ndier të paaftë, apo nëse ndonjëherë kanë ndier se një detyrë ishte shumë e vështirë për ta për ta plotësuar. U thoni atyre se në mësimin e sotëm, ata do të mësojnë parime që do t’i ndihmojnë në situata të tilla.

Ndajeni klasën në dy grupe. Caktoni njërën gjysmë të lexojë Almën 18:1–4 dhe gjysmën tjetër të lexojë Almën 18:8–11. Ndërsa lexojnë, i bëni të marrin parasysh se si besnikëria e Amonit përgatiti udhën për të që t’i jepte mësim Lamonit dhe popullit të tij. Pasi të kenë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, u bëni pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë idesh patën mbreti dhe shërbëtorët e tij rreth identitetit të Amonit?

  • Sipas Almës 18:2, 4, çfarë mendoi Lamoni se ishte qëllimi i ardhjes së Amonit? (Për t’i ndëshkuar njerëzit për shkak të vrasjeve të tyre dhe për ta ndaluar Lamonin të vriste më shumë prej shërbëtorëve të tij).

  • Sipas Almës 18:10, çfarë i bëri përshtypje Lamonit përveç fuqisë që tregoi Amoni në mbrojtjen e grigjave? (Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët të shenjojnë fjalët besnikërisë dhe besnik.)

Shkruani në tabelë thënien e paplotë që vijon: Kur u shërbejmë të tjerëve me besnikëri, …

U kërkoni studentëve të marrin parasysh se si mund ta plotësojnë këtë fjali, ndërkohë që vazhdojnë studimin e Almës 18.

Alma 18:12–43

Teksa Amoni i mëson planin e shëlbimit, Lamoni kupton nevojën e tij për Shpëtimtarin

Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë fuqinë e mësimeve të Amonit dhe ndryshimin e madh që mbreti Lamoni filloi të përjetonte, paraqitni Alma 18:12–35 si një dramatizim të lexuesve. Përzgjidhni katër studentë dhe i caktoni secilit nga një pjesë. E bëni njërin të jetë tregimtari dhe i bëni tre të tjerët të lexojnë fjalët e Amonit, mbretit Lamoni dhe një të shërbëtorëve të mbretit. Merrni parasysh t’i ndihmoni studentët se si të përgatiten duke ua caktuar pjesët e tyre që më parë, ndoshta një ditë përpara orës së mësimit ose pikërisht përpara se të fillojë ora e mësimit.

I bëni të katërt studentët t’i lexojnë pjesët e tyre tek Alma 18:12–15. Vëreni klasën t’i ndjekë në shkrimet e shenjta vetjake, duke kërkuar për ndikimin që pati shërbimi i Amonit mbi Lamonin. Pasi të lexohet vargu 15, ndalojeni dramatizimin e lexuesve dhe u kërkoni studentëve të raportojnë se çfarë kanë gjetur.

  • Si mendoni ju, përse Lamoni ishte i heshtur para Amonit? (Nëse nevojitet, i ndihmoni studentët të kujtojnë se Lamoni kishte frikë për shkak të vrasjeve që kishte kryer dhe se ai u shqetësua ngaqë Amoni ishte Shpirti i Madh dhe kishte ardhur ta ndëshkonte atë).

Vazhdoni me dramatizimin e lexuesve duke i ftuar pjesëmarrësit të lexojnë pjesët e tyre tek Alma 18:16–21. E nxitni klasën që të kërkojë prova që fuqia e Perëndisë ishte me Amonin.

  • Si e ndihmoi Shpirti i Perëndisë Amonin në këtë situatë?

  • Çfarë donte të dinte Lamoni prej Amonit?

  • Deri në këtë pikë të tregimit, çfarë dinte Lamoni rreth Amonit? (Ai e dinte se Amoni vepronte me fuqi të pazakontë dhe mund t’i kuptonte mendimet e njerëzve të tjerë).

I drejtoni studentët te thënia e paplotë që shkruat në tabelë: Kur u shërbejmë të tjerëve me besnikëri, …

  • Bazuar në çfarë kemi mësuar sot nga Alma 17–18, si do ta plotësonit këtë fjali? (Studentët mund të përgjigjen në mënyra të ndryshme. Për t’i përmbledhur përgjigjet e tyre, plotësoni thënien në dërrasë si vijon: Kur u shërbejmë të tjerëve me besnikëri, ne mund t’i ndihmojmë ata të përgatiten për të marrë të vërtetat e ungjillit.)

I ftoni pjesëmarrësit të lexojnë pjesët e tyre tek Alma 18:22–32. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar të vërteta të veçanta që Amoni ia mësoi Lamonit. Ju mund të dëshironi të sugjeroni që studentët t’i shenjojnë këto të vërteta në shkrimet e tyre të shenjta. Më pas u kërkoni atyre të raportojnë për të vërtetat që kanë përcaktuar. I shkruani përgjigjet e tyre në tabelë.

I ftoni pjesëmarrësit të lexojnë pjesët e tyre tek Alma 18:33–35. Vëreni klasën që të kërkojë se si Amoni e shpjegoi aftësinë e tij për t’i ditur mendimet e mbretit dhe aftësinë e tij për t’i mbrojtur grigjat e mbretit. Pasi pjesëmarrësit në dramatizimin e lexuesve të kenë mbaruar leximin, i falënderoni ata për ndihmën e tyre. I ftoni studentët të raportojnë për gjetjet e tyre. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si Perëndia e bekoi Amonin të ishte në gjendje për t’i shërbyer Lamonit dhe popullit të tij, pyetni:

  • Cilat janë disa gjëra që Amoni ishte në gjendje të bënte, që ishin përtej aftësisë së tij natyrore?

Vini në dukje që kur Amoni po i shërbente mbretit Lamoni, ai gjithashtu po i shërbente Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Shkruajeni sa vijon në tabelë: Kur i shërbejmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit me besnikëri, …

  • Bazuar në atë që keni mësuar nga shembulli i Amonit, si do ta plotësonit ju këtë thënie? (Studentët mund të përgjigjen në mënyra të ndryshme. Për t’i përmbledhur përgjigjet e tyre, plotësojeni thënien në tabelë si vijon: Kur i shërbejmë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit me besnikëri, aftësia jonë për ta bërë punën e Tyre rritet.)

  • Si mund të zbatohet ky parim për dikë që ka frikë ose ndihet i papërshtatshëm, apo ndien se një detyrë e caktuar është shumë e vështirë?

  • Kur e keni ndier se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ju kanë ndihmuar ta bëni punën e Tyre? (Ju mund të doni të tregoni se si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti i kanë rritur aftësitë tuaja në shërbimin e Tyre. Ose mund të tregoni një shembull nga jeta e dikujt tjetër).

Për t’i ndihmuar studentët ta vënë në jetë këtë parim, shkruani pyetjet vijuese në tabelë. U kërkoni studentëve t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për një nga këto pyetje.

Si mund t’ju ndihmojë ky parim në përgjegjësitë tuaja të tanishme dhe të ardhme?

Si mund të jeni më shumë besnikë që të mund të ndieni se Zoti po e rrit aftësinë tuaj për të bërë punën e Tij?

Shpjegoni se mënyra e Amonit për t’i dhënë mësim Lamonit tek Alma 18:36–39 është një model i përdorur nga misionarët sot. Ai i dha mësim rreth planit të shëlbimit, duke përfshirë Krijimin, Rënien e Adamit e të Evës dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. U kërkoni studentëve të përsiaten mbi pyetjen në vijim:

  • Si mendoni ju, përse është e rëndësishme të japim mësim rreth Krijimit dhe Rënies, kur i mësojmë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit?

Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Rasëll Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Përpara se të mund ta kuptojmë Shlyerjen e Krishtit, … ne duhet fillimisht të kuptojmë Rënien e Adamit. Dhe përpara se të mund të kuptojmë Rënien e Adamit, ne duhet fillimisht të kuptojmë Krijimin. Këto tri pjesë përbërëse vendimtare të planit të shpëtimit lidhen me njëra-tjetrën. …

… a e përjetshme, e mundësuar me anë të Shlyerjes, është qëllimi më i lartë i Krijimit” (“The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 33, 35).

Nëse këto tri doktrina nuk janë tashmë në tabelë, ia shtoni ato listës që shkruat gjatë dramatizimit të lexuesve. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Alma 18:36–39. Vëreni klasën ta ndjekë, duke kërkuar për elementë të Krijimit, Rënies dhe Shlyerjes në mësimet e Amonit të dhëna Lamonit. I bëni ata të raportojnë atë që zbulojnë.

  • Si mund ta kishte ndihmuar Lamonin të mësuarit e doktrinave të Krijimit, të Rënies dhe të Shlyerjes për ta dalluar nevojën e tij për një Shpëtimtar?

Vërini studentët të lexojnë në heshtje Alma 18:40–43 dhe të përcaktojnë atë për të cilën u lut Lamoni në përgjigje të mësimit që i dha Amoni. Ju mund të dëshironi t’i nxitni studentët ta shenjojnë përgjërimin e Lamonit.

  • Çfarë tregoi lutja e Lamonit se ai kuptoi rreth vetvetes dhe popullit të tij? (Ai kuptoi se ata kishin mëkatuar dhe kishin nevojë për falje).

  • Çfarë mund të mësojmë nga Lamoni rreth asaj që ndodh kur e kuptojmë se kemi nevojë për Shpëtimtarin? (Ndërsa studentët i përgjigjen kësaj pyetjeje, i ndihmoni ata të përcaktojnë parimin vijues: Kur e kuptojmë nevojën tonë për Shpëtimtarin, ne do të kemi vërtet dëshirë të pendohemi. Ju mund të dëshironi t’i ftoni studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta, pranë Almës 18:40–41. Vini në dukje se, ndërkohë që përvojat tona vetjake lidhur me pendimin mund të ndryshojnë, ne të gjithë mund ta ndjekim shembullin e mbretit Lamoni kur sinqerisht kërkojmë mëshirën e Perëndisë).

I ftoni studentët t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjen që vijon:

  • Çfarë mund të bëni që do t’ju ndihmojë të kujtoni nevojën tuaj për Shpëtimtarin?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 18:36–39. Mësimdhënia për planin e shpëtimit

Kur Amoni i dha mësim Lamonit, “ai filloi me krijimin e botës” dhe më pas e mësoi atë “në lidhje me rënien e njeriut” (Alma 18:36). Së fundi, ai “u paraqiti atyre [mbretit dhe shërbëtorëve të tij] planin e shëlbimit”, veçanërisht “në lidhje me ardhjen e Krishtit” (Alma 18:39). Po ashtu, Aaroni ia mësoi këto doktrina atit të Lamonit (shih Alma 22:12–14).

Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i quajti këto doktrina themelore – Krijimi, Rënia dhe Shlyerja – “tri shtyllat e përjetësisë” dhe “ngjarjet më të mëdha që kanë ndodhur ndonjëherë në gjithë përjetësinë”. Ai shpjegoi:

“Nëse mund të fitojmë kuptim për to, atëherë i tërë plani i përjetshëm i gjërave do të zërë vend dhe ne do të jemi vërtet në një pozicion për të punuar për shpëtimin tonë. …

… Këto tri [doktrina] janë themelet mbi të cilat qëndrojnë të gjitha gjërat. Pa ndonjërën prej tyre, të gjitha gjërat do ta humbisnin qëllimin dhe kuptimin e tyre dhe planet e projektet e Hyjnisë do të bëheshin pavlerë” (“The Three Pillars of Eternity” [Bisedë shpirtërore në Universitetin “Brigam Jang”, 17 shkurt 1981], f. 1, speeches.byu.edu).

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si secila pjesë përbërëse e planit është thelbësore:

“Plani kërkoi Krijimin dhe ai në këmbim kërkoi si Rënien edhe Shlyerjen. Këto janë tri pjesët themelore të planit. Krijimi i një planeti parajsor erdhi nga Perëndia. Vdekshmëria dhe vdekja erdhën në botë nëpërmjet Rënies së Adamit. Pavdekësia dhe mundësia e jetës së përjetshme u siguruan me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Krijimi, Rënia dhe Shlyerja u planifikuan kohë përpara se të fillonte puna e vërtetë e Krijimit” (“The Creation”, Ensign, maj 2000, f. 84).

Përveç mësimdhënies së të njëjtave doktrina, Amoni dhe Aaroni përdorën një mënyrë të ngjashme në mësimdhënien e tyre. Ata u dhanë mësim me thjeshtësi, në një mënyrë që dëgjuesit e tyre mund të kuptonin (shih Alma 18:24–30; 22:7–11). Ata u dhanë mësim nga shkrimet e shenjta (shih Alma 18:36–39; 22:12–14). Mësimet e tyre i bënë të tjerët të luteshin (shih Alma 18:40–41; 22:15–18).