Biblioteka
Mësimi 75: Alma 9–10


Mësimi 75

Alma 9–10

Hyrje

Alma dhe Amuleku patën pak sukses në predikimin popullit të Amonihës, sepse Satani i kishte “fituar zemrat e njerëzve” (shih Alma 8:9). Shumë prej tyre i kishin ngurtësuar zemrat e tyre ndaj ungjillit dhe ata e kundërshtuan ftesën e Almës dhe të Amulekut për t’u penduar. Megjithatë, Alma dhe Amuleku me besnikëri u bënë atyre thirrje për pendim, duke dëshmuar se ngaqë u ishte mësuar e vërteta dhe e kishin përjetuar fuqinë e Perëndisë, Zoti priste që ata të ishin më të drejtë sesa lamanitët, të cilëve nuk u ishte mësuar e vërteta. Alma dhe Amuleku i mësuan se, nëse populli i Amonihës nuk do të pendohej, ata do të përballeshin me shkatërrim. Ata gjithashtu u mësuan njerëzve se shëlbimi ishte i mundshëm vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.

Sugjerime për Mësimdhënien

Alma 9

Alma e paralajmëron popullin e Amonihës për t’u penduar dhe përgatitur për ardhjen e Jezu Krishtit

Paraqitni skenarin që vijon: Dy studentë arrijnë në shkollë dhe mësuesi i tyre shpall se ata duhet të bëjnë një provim të papritur. Studenti i parë ka qenë në klasë çdo ditë, por studenti i dytë i ka humbur dy javët e fundit të shkollës ngaqë ishte i sëmurë.

  • Cili student prisni që ta kryejë më mirë provimin?

I ftoni studentët t’i hedhin një sy Almës 9:1–7, duke kërkuar fjalë dhe fraza që tregojnë sesa mirë e kuptonte populli i Amonihës ungjillin dhe fuqinë e Perëndisë. U kërkoni të raportojnë për atë që zbulojnë.

I ftoni dy ose tre studentë që të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 9:8–13. Vëreni klasën të kërkojë fjalë dhe fraza që tregojnë nëse këtyre njerëzve u ishte mësuar ungjilli apo nëse ata kishin njohuri për fuqinë e Perëndisë. (Përgjigjet duhet të përfshijnë “keni harruar” dhe “nuk mbani mend”.)

  • A e kishte mësuar ndonjëherë ungjillin populli i Amonihës apo a u ishte mësuar atyre rreth fuqisë së Perëndisë?

  • Cilat janë disa arsye përse njerëzit, të cilëve u është mësuar ungjilli, mund ta harrojnë atë që kanë mësuar ose nuk e kuptojnë atë që u është mësuar?

I ftoni studentët t’i hedhin një sy Almës 8:9, 11; 9:5, 30; dhe 12:10–11, duke kërkuar fjalë dhe fraza që sugjerojnë përse populli i Amonihës i kishte harruar ose nuk i kuptonte gjërat që u ishin mësuar. (“Satani i kishte fituar zemrat e [tyre]”; “ata ngurtësuan zemrat e tyre”; “[ata] ishin një popull me zemër të ngurtësuar dhe kokëfortë”; “zemrat [e tyre] janë ngurtësuar rëndë kundër fjalës së Perëndisë”.)

Kopjoni tabelën e mëposhtme në dërrasë dhe u kërkoni studentëve ta kopjojnë në fletoret e klasës ose në ditarët e studimit të shkrimeve të shenjta. (Sigurohuni që të lejoni hapësirë të shumtë për të shkruar.)

Sfondi shpirtëror i njerëzve

Çfarë priste Zoti nga njerëzit dhe çfarë u premtoi Zoti njerëzve

Lamanitët (Alma 9:14–17)

Populli i Amonihës (Alma 9:18–24)

I ndani studentët në dyshe. Ftoni secilën dyshe të plotësojë tabelën duke përdorur referencat e shkrimeve të shenjta. Pasi ta kenë mbaruar tabelën, i bëni studentët të shkruajnë një fjali nën tabelat e tyre duke përmbledhur atë që kanë mësuar. Ftoni dy ose tre prej tyre për të ntreguar atë që kanë shkruar. Studentët mund të përdorin fjalë të ndryshme, por përgjigjet e tyre duhet të pasqyrojnë të vërtetën vijuese: Zoti pret bindje më të madhe nga ata që i kanë marrë njohuritë dhe bekimet e ungjillit. Për t’i ndihmuar studentët të kuptojnë se si zbatohet ky parim në jetën e tyre, bëni pyetjet që vijojnë:

  • Si mendoni ju, përse Zoti kishte pritshmëri më të mëdha nga populli i Amonihës?

  • Përse është e drejtë për Zotin që të ketë pritshmëri më të mëdha nga ata që i kanë marrë njohuritë dhe bekimet e ungjillit?

Vini në dukje frazën “një popull kaq shumë i favorizuar nga Zoti” tek Alma 9:20. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shenjojnë këtë frazë.)

  • Në çfarë mënyrash janë anëtarët e Kishës sot “një popull kaq shumë i favorizuar nga Zoti”?

  • Sipas Almës 9:19–23, çfarë dhuratash dhe bekimesh patën përjetuar nefitët (përfshirë popullin e Amonihës) ngaqë ishin populli i besëlidhjes së Zotit?

  • Çfarë dhuratash dhe bekimesh keni përjetuar ngaqë jeni anëtar i Kishës së Zotit?

  • Cilat janë disa gjëra që Zoti pret nga ne për shkak të dhuratave dhe bekimeve që kemi marrë prej Tij?

E caktoni gjysmën e klasës të studiojnë në mënyrë individuale Almën 9:24–27 dhe gjysmën tjetër të klasës të studiojnë në mënyrë individuale Almën 9:28–30. U kërkoni studentëve të përgatiten për t’i përmbledhur me fjalët e veta fragmentet që iu caktuan. Shkruani pyetjet që vijojnë në tabelë për t’i udhëzuar, ndërkohë që përgatiten për përmbledhjet e tyre:

Çfarë prove shihni në këto vargje që Zoti pret bindje më të madhe nga ata që kanë njohuri më të mëdha për ungjillin?

Çfarë bekimesh u kujtoi Alma njerëzve se mund të merrnin?

Çfarë tha Alma se duhej të bënin njerëzit për t’i marrë këto bekime?

Pasi studentët kanë pasur kohë të mjaftueshme për të lexuar, i kërkoni një studenti nga secila gjysmë e klasës të përmbledhë fragmentet e caktuara. Më pas pyetni klasën:

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të qëndrojmë të vërtetë ndaj dritës dhe njohurisë që kemi marrë? (Studentët mund të sugjerojnë studimin e shkrimeve të shenjta, shprehjen e mirënjohjes ndaj Perëndisë për bekimet tona, dhënien e dëshmive tona rregullisht, pjesëmarrjen çdo javë në mbledhjet e Kishës, shkrimin në një ditar e kështu me radhë.)

Alma 10:1–12

Amuleku i bindet thirrjes së Zotit dhe pohon thirrjen hyjnore të Almës

Shpjegoni që pasi Alma u foli njerëzve, ata u zemëruan dhe donin ta flaknin në burg. Amuleku me trimëri u foli njerëzve dhe i shtoi dëshminë e tij asaj të Almës. (Shih Alma 9:31–34.) Përmblidhni Almën 10:1–4 duke shpjeguar se Amuleku ishte një pasardhës i Nefit. Ai ishte një burrë shumë punëtor, i cili kishte ndërtuar pasuri të konsiderueshme. Ai gjithashtu ishte i mirënjohur dhe ishte një njeri “me nam jo të vogël” mes shumë anëtarëve të familjes së tij dhe miqve të tij (shih Alma 10:4). Megjithatë, ai nuk po jetonte sipas të vërtetave të ungjillit që i ishin mësuar.

  • Si mendoni ju, përse mund të ketë qenë e dobishme për Amulekun, i cili ishte i mirënjohur në komunitet, që ta shoqëronte Almën?

I pyetni studentët se si u zgjuan këtë mëngjes. (Për shembull, a u zgjuan nga një orë me zile apo i zgjoi një anëtar tjetër i familjes? Nëse keni një orë me zile ose një fotografi të një ore me zile, merreni parasysh ta paraqitni.) I pyetni studentët se sa shumë prej tyre u duhej të “thirreshin” më shumë se një herë për t’u ngritur nga shtrati.

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 10:5–6. Vëreni klasën të kërkojë përgjigjen e Amulekut ndaj “thirrjeve të zgjimit” shpirtëror që kishte marrë nga Zoti.

  • Çfarë mendoni se donte të thoshte Amuleku kur tha “nuk doja të dëgjoja” dhe “nuk doja t’i dija”?

  • Në çfarë mënyrash na thërret Zoti ne? (Përgjigje të mundshme përfshijnë nxitje nga Fryma e Shenjtë, udhëzime nga prindër e udhëheqës të Kishës dhe thirrje në Kishë.)

I ftoni studentët të lexojnë në heshtje Almën 10:7–10, duke kërkuar pika kyç të dëshmisë së hapjes së Amulekut ndaj popullit të tij.

  • Si e kishin përgatitur përvojat e veta Amulekun për t’u bërë një dëshmitar i dytë i mesazhit të Almës për popullin e Amonihës?

  • Si mendoni ju se solli ndryshim në jetën e tij vendimi i Amulekut për t’u bindur?

Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Almën 10:11–12 dhe e vini klasën të kërkojë për mënyrat se si u ndikuan të tjerët nga vendimi i Amulekut për t’iu bindur thirrjes së Zotit. I ftoni të tregojnë për atë që gjejnë.

Shkruani parimin vijues në tabelë: Kur e dëgjojmë dhe i bindemi thirrjes së Zotit, bekime na vijnë neve dhe të tjerëve. (Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Almës 10:11–12.) Për t’i ndihmuar studentët të ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e këtij parimi, pyetni:

  • Kur keni ndier se u bekuat ngaqë iu bindët një thirrjeje nga Zoti?

  • Si keni parë që bekime t’iu vijnë të tjerëve ngaqë ju ose dikush tjetër iu përgjigjët thirrjes së Zotit?

  • Si e ndikojnë këto përvoja dëshirën tuaj për të dëgjuar për thirrje nga Zoti dhe për t’iu bindur atyre?

Alma 10:13–32

Amuleku u përgjigjet atyre që e kundërshtojnë, dhe i këshillon njerëzit të pendohen

Shkruani frazat vijuese në tabelë:

  1. Zemërohet dhe vihet në mbrojtje

  2. Dyshon te rëndësia e këshillës

  3. Kritikon njeriun që e dha këshillën

  4. Vë në dyshim ose debaton këshillën

  5. Dëgjon me përulësi dhe bindet

U kërkoni studentëve të shqyrtojnë në heshtje se cila frazë në tabelë i ngjan më shumë mënyrës se si mund të përgjigjen ata, në qoftë se një prind ose udhëheqës i Kishës do t’i korrigjonte ose do t’u kërkonte atyre të ndryshonin diçka që po bënin.

  • Cilat janë disa arsye që njerëzit mund t’i përgjigjen korrigjimit në këto mënyra?

Shkruajini në tabelë referencat vijuese të shkrimeve të shenjta: Alma 9:2–3; Alma 9:4–5; Alma 10:13, 16–17; Alma 10:24, 28–30

I ftoni studentët të zgjedhin një nga fragmentet në tabelë për ta studiuar në mënyrë individuale. U kërkoni të shohin se si e përshkruan fragmenti i shkrimeve të shenjta popullin e Amonihës duke iu përgjigjur mesazhit të Almës dhe Amulekut. Gjithashtu i vini të zgjedhin frazën në tabelë që pasqyron më mirë përgjigjen e njerëzve. Pas një kohe të mjaftueshme, u kërkoni studentëve të shpjegojnë se cilat nga pesë përgjigjet në tabelë i përshtatet më mirë fragmentit që studiuan.

  • Përse janë katër përgjigjet e para në tabelë shpirtërisht të rrezikshme?

I ftoni dy ose tre studentë të lexojnë me radhë me zë të lartë nga Alma 10:19–23. I nxitni të kërkojnë atë që Amuleku u mësoi rreth pasojave të mëkatit dhe dëbimit të të drejtëve.

Për t’i ndihmuar studentët të shqyrtojnë pasojat shkatërruese të mospendimit për mëkatet tona, lexoni thënien vijuese nga Presidenti Gordon Hinkli:

Pamja
Presidenti Gordon B. Hinkli

“Ka kaq shumë ligësi kudo. Tundimi, me të gjitha ndikimet e tij gudulisëse, është kudo përreth nesh. Ne i humbasim disa njerëz drejt këtyre forcave shkatërruese, fatkeqësisht. Na vjen keq për këdo që humbet. Ne iu drejtohemi atyre për t’i ndihmuar, për t’i shpëtuar, por në tepri rastesh përpjekjet tona nuk pranohen. Tragjike është udha që po ndjekin. Është udha që çon drejt shkatërrimit” (“My Testimony”, Ensign, maj 2000, f. 69).

  • Cilat janë disa nga pasojat shkatërruese që u vijnë individëve ose grupeve të njerëzve kur nuk u binden urdhërimeve të Perëndisë?

Nëse keni kohë, i ftoni studentët të shkruajnë përgjigje lidhur me pyetjen që vijon:

  • Si mund t’ju bekojnë të vërtetat që keni mësuar nga mësimi i sotëm?

Komente dhe Informacion për Rrethanat

Alma 9:19–23. “Pasi të ketë pasur kaq shumë dritë dhe t’i jetë dhënë kaq shumë njohuri”

Populli i Amonihës u ndesh me pasoja më të mëdha për ligësinë e tij sesa u ndeshën lamanitët, sepse populli i Amonihës kishte marrë njohuri më të mëdha për ungjillin. Thënia vijuese nga Motra Sheri L. Dju, e cila shërbeu si anëtare e presidencës së përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, iu referohet grave të Kishës, por gjen zbatim për të gjithë anëtarët e Kishës:

Ne jemi të veçanta. Ne jemi të veçanta për shkak të besëlidhjeve tona, privilegjeve tona shpirtërore dhe përgjegjësive që u bashkëngjiten që të dyjave. Neve na dhurohet fuqi dhe na jepet dhurata e Frymës së Shenjtë. Ne kemi një profet të gjallë që na udhëheq, ordinanca që na lidhin me Zotin e me njëri-tjetrin dhe fuqinë e priftërisë mes nesh. Ne e kuptojmë se ku qëndrojmë në planin e madh të lumturisë. Dhe e dimë se Perëndia është Ati ynë dhe se Biri i Tij është Mbrojtësi ynë i padështueshëm.

Me këto privilegje vjen përgjegjësi e madhe, sepse ‘atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet’ (DeB 82:3)” (“We Are Women of God”, Ensign, nëntor 1999, f. 98).

Alma 10:6–11. Bindja ndaj thirrjes së Zotit për t’u sjellë bekime të tjerëve

Presidenti Tomas S. Monson tregoi një histori që vë në dukje rëndësinë e ndjekjes së frymëzimit të Frymës së Shenjtë:

“Një pasdite vonë po notoja në palestrën Deseret, duke i ngulur sytë në tavan ndërsa notoja ngadalë në shpinë. Në heshtje, por kaq shumë qartë, më erdhi në mendje mendimi: ‘Këtu ti noton kaq lehtësisht, ndërkohë që miku yt Steni dergjet në shtratin e tij të spitalit, i paaftë për të lëvizur’. Ndjeva nxitjen: ‘Shko në spital dhe jepi atij një bekim’.

E ndërpreva notimin, u vesha dhe nxitova për te dhoma e Stenit në spital. Shtrati ishte bosh. Një infermiere më tha se ai ishte në karrocën e tij të invalidit te pishina, duke u përgatitur për terapi. Shkova me nxitim te pishina dhe atje ishte Steni, tërësisht vetëm, në buzë të pjesës më të thellë të pishinës. E përshëndetëm njëri-tjetrin dhe u kthyem te dhoma e tij, ku u dha një bekim priftërie.

Dalëngadalë, por në mënyrë të sigurt, forca dhe lëvizja iu kthyen këmbëve të Stenit. …

Shpesh Steni flet në mbledhjet e Kishës dhe tregon për mirësinë e Zotit ndaj tij. Disave ai u tregoi për mendimet e errëta të dëshpërimit, të cilat e pushtuan atë pasdite kur u ul në karrigen me rrota te cepi i pishinës, i dënuar, me sa dukej, për një jetë dëshpërimi. Ai tregon se si meditoi për atë mundësi. Do të ishte kaq e lehtë ta shtynte karrocën e urryer brenda ujit të heshtur të pishinës së thellë. Atëherë jeta do të mbaronte. Por pikërisht në atë çast ai më pa mua, mikun e tij. Atë ditë Steni mësoi drejtpërsëdrejti se ne nuk ecim të vetmuar. Unë, gjithashtu, mora një mësim atë ditë: Kurrë, kurrë, kurrë mos e shty për më vonë ndjekjen e një nxitjeje shpirtërore” (“The Spirit Giveth Life”, Ensign, maj 1985, f. 70).

Alma 10:22–23. “Lutjet e të drejtëve”

Vini në dukje ndikimin që lutjet e të drejtëve patën mbi popullin e Amonihës. Më vonë, lutjet e të drejtëve gjithashtu i ruajtën nefitët nga shkatërrimi gjatë ditëve të kapitenit Moroni dhe të Samuel Lamanitit (shih Alma 62:40; Helamani 13:12–14).

Presidenti Spenser W. Kimball tha sa vijon lidhur me lutjet e ofruara në kohën tonë:

“Ka shumë shumë njerëz të drejtë dhe besnikë që i jetojnë të gjitha urdhërimet dhe jeta e lutjet e të cilëve e mbrojnë botën nga shkatërrimi” (“Voices of the Past, of the Present, of the Future”, Ensign, qershor 1971, f. 16).

Kur të drejtët u shkatërruan ose u larguan nga Amoniha, lutjet e të drejtëve pushuan së mbrojturi qytetin dhe “çdo shpirt i gjallë i Amonihasve u shkatërrua” nga lamanitët (Alma 16:9).